“Zonja 3 milionëshe” dhe rasti Pango

0
38

Nga Mero Baze, 16 Janar 2013

Askush nuk priste që Argita Berisha të kërkonte ndjesë dhe të pranonte kapjen e shtetit, por njëkohësisht nuk prisnim as ta demonstronte atë me arrogancë. Ndërsa shqiptarët prisnin sqarim nga ajo dhe babai i saj se si ndodh që një biznesmen del nga zyra e kryeministrit dhe shkon tek zyra e së bijës së tij, e cila i kërkon 3 milionë euro për firmën e babait, “Zonja 3 milionëshe” nxjerr në media Dhomën e Avokatisë në Tiranë për të na treguar se ka nën kontroll edhe atë.

Shpjegimi i tyre se avokati bie dakord me klientin për pagesën paraprakisht, është jo vetëm qesharak, por dhe i panevojshëm pasi nuk ua ka kërkuar askush. Media, politika dhe shoqëria shqiptare kërkojnë të dëshmojë përse përdor pushtetin e babait dhe jo si paguhet një shërbim i zakonshëm i saj. Nga mënyra se si ajo reagoi, dhe nga përfshirja pro reagimit të saj dhe Dhoma e Avokatëve në Tiranë, mund të kuptojmë më qartë deformimin që pushteti i ka bërë drejtësisë në këtë vend dhe arrogancën e Familjes, që nuk i shkon mendja se mund të ndëshkohet një ditë.

E gjitha kjo na bind se ne sot nuk kemi në dorë të dënojmë Argitën. Edhe pse ajo ka kryer një vepër të pastër të korrupsionit pasiv, duke kërkuar 3 përqind të vlerës së investimit nëse babai i saj e miratonte, edhe pse të dy palët, ajo dhe investitori pranojnë këto negociata dhe origjinalitetin e letërkëmbimit, që përbën provë zyrtare për krimin, sërish ajo shmang përgjigjen për krimin që ka bërë dhe detyron gjithë sistemin të përsërisë fjalët e saj.

Në këto kushte ne kemi në dorë të ndëshkojmë Argitën si një model i keq i mosndëshkueshmërisë dhe shembull i keqpërdorimit të pushtetit. Ne kemi në dorë të ndalim inkriminimin e fëmijëve tanë, të cilëve “Zonja tremilionëshe” u jep leksione për drejtësinë. Shoqata studentore, forumet rinore opozitare, shoqëria civile dhe media duhet t’ia bëjnë të pamundur “Zonjës tremilionëshe” qenien e saj si pedagoge në universitet. Është e patolerueshme që modeli i një studenti të drejtësisë të jetë “Zonja tremilionëshe”. Është kriminale që ne të rrisim një brez studentësh, të cilëve si model suksesi t’u paraqesim vajzën e babait, e cila mbledh gjobat e pushtetit.

Këtë gjë e kemi në dorë vetë. Për këtë nuk na pengon as prokuroria, as gjykatat dhe as Dhoma e Avokatëve. E drejta për të refuzuar një pedagoge, që është model i kapjes së shtetit, është më shumë se e drejtë. Është detyrë për të pastruar sistemin e drejtësisë.

Rasti Pango, edhe pse është ves i ndryshëm nga kjo, është shembull perfekt. “Zonja tremilionëshe” nuk është më pak fajtore se Ylli Pango në aktin e saj të keqpërdorimit të pushtetit të babait. Nëse Pango nuk frenon dot instinktet e tij seksuale para ndonjë mbërthecke, “Zonja tremilionëshe” nuk përmbahet dot para klientëve të saj, kur mendon se babai i saj ka në dorë fatin e projekteve të tyre. Ajo, njësoj si Pango, ka futur viktimën në Familje, dhe i ka ofruar gjobën në emër të pushtetit të babait. As Pango nuk bëri dot gjë me mbërtheckën dhe as kjo nuk bëri dot gjë me Ansarin, por akti është njësoj i dënueshëm. Nëse Ylli Pango u pezullua nga fakulteti për arsye etike, nuk e kuptoj se si për një veprim edhe më të rëndë nga ana etike, “Zonja tremilionëshe duhet t’u japë leksione drejtësie studentëve shqiptarë.

Reagimi i saj ndaj skandalit nuk është problem vetëm pse ajo nuk po ndëshkohet përkohësisht, por se po tenton të ngulisë një standard pandëshkueshmërie për një nga veprat penale më të rënda të politikës, atë të kapjes së shtetit. Ky reagim është një akuzë më e madhe se vetë akti i dënueshëm që ka kryer. Ky na bind se ajo nuk ka qenë as e dalldisur si Pango pas mbërtheckës, as e hutuar nga shifra 100 milion euro e investimit, dhe as e përkushtuar për të ndihmuar babin të bëjë një gjykatë të re, por e qartë se ky është pushteti i saj dhe ajo mund të bëjë çfarë të dojë.