Nga Mero Baze, 17 Janar 2013
Në qendër të debatit të kësaj jave, dominojnë femra që kanë lidhje të ndryshme me Berishën, e bija e tij “3 milionëshe” dhe Jozefina Topalli, nënkryetarja e tij, që drejton dhe Kuvendin. E para e ka bërë Berishën me dhimbje koke, pasi iu konfirmua nga të gjitha burimet, gjithë sistemi i kapjes së shtetit prej saj, që nga skema e futjes në dorë të investitorëve të huaj deri tek mekanizmi më banal i përpjekjes për t’u marrë atyre “fee”-në e pushtetit. Reagimet e saj plotësojnë përditë e më shumë para shqiptarëve, jo vetëm fajësinë e saj, por dhe arrogancën për të mos e pranuar si vepër penale kapjen e shtetit, ku kërkohen 3 milionë euro për firmën e babait.
E dyta, është një politikane agresive, por më idealiste. Ajo s’ka marrë kurrë jo më 3 milionë euro, por kam frikë se as 3 milionë lek të vjetra. Pasioni i saj është protagonizmi politik, qëndrimet radikale, dhe herë- herë, edhe pse në mënyrë donkishoteske, dhe flamuri antikorrupsion. Them donkishoteske, pasi të flasësh për antikorrupsion nën pushtetin e Familjes, është sikur të flasësh për virgjëri në një bordello. Por Topalli shpesh i beson ato që bën, edhe pse janë shumë gjëra qesharake dhe vulgare. I tillë është shkuli i saj i fundit për të vënë në rresht gjithë nëpunësit e Shqipërisë të firmosin një peticion kundër Edi Ramës. Shqipëria po gajaset me këtë nisëm, pasi ngjan fiks si koha e fletërrufeve të Revolucionit Kinez, por zonja Topalli nuk është për t’u tallur. Në një kohë kur partia e saj është zhytur në një debat të hidhur se sa fiton me një firmë e bija e kryeministrit, e vetmja mënyrë e saj për të ngjallur një debat kundër Edi Ramës mbetet kinezëria që ka zgjedhur. Edhe pse vulgare si nisëm, ajo në vetvete e bën me pasion dhe shpresë se po shpëton nga mbytja vaporin e pushtetit, në timonin e së cilës rri ilegalisht e bija e kryeministrit, duke e përplasur në mënyrë fatale me shkëmbinjtë e korrupsionit.
Zonja Topalli nuk ka ndonjë ide më të mirë se si ta ndihmojë partinë e saj në këto momente të vështira. Të dalë të mbrojë “Zonjën 3 milionë euro”, nuk i bën as zëri, as zemra. Të dalë të thotë që ajo ka tarifat e saj dhe është avokate e zonja që fiton me “një firmë 3 milionë euro”, nuk ia kap truri, pasi dhe firma e saj si kryetare Kuvendi vlen, por s’besoj se ka fituar ndonjë gjë më shumë se disa dieta, qoftë dhe abuzive. Të dalë të thotë që kushërira e Berishës dhe e Lirisë, dy tropojane të zbritura në periferi, janë qytetare të Tiranës të shqetësuara nga shtëpia e xhaxhait të Linda Bashës, nuk e bën dot. Atëherë peticioni është një shpëtim real për të, për të demonstruar në këto ditë të zeza për PD se ka ende shpresë qoftë dhe tek një metodë vulgare për të rezistuar.
Ndryshe nga Lulëzim Basha që fsheh kokën pas fustanit të nënkryetares së Bashkisë, apo zëdhënësve të tij, Topalli ka marrë përsipër të bëhet qesharake për të mbrojtur PD në këto momente të vështira.
E theksoj se nuk vlen si aksion cilësor, nuk vlen për të bindur shqiptarët që PD-ja ka hallin e tre ligjeve për të na futur në Evropë, por vlen për të kuptuar se agjenda e zonjës Topalli dhe agjenda e “Zonjës tre milionë euro” janë të ndryshme. E para përpiqet të bëjë diçka për të shpëtuar PD, e dyta përpiqet të bëjë ndonjë budallallëk për të shpëtuar veten.
Jam i sigurt se Berisha më shumë se sa nga sikleti i “vajzës tremilionëshe” që ka në shtëpi, tashmë është i sikletosur nga aksioni Topalli për peticionin. Dhe nuk e ka sikletin se ky peticion shton aversionin ndaj pushtetit në shoqëri, por nga fakti se partia e tij ndjehet më e qetë të dëgjojë zonjën Topalli në këtë budallallëk, se sa të dëgjojë gënjeshtrat e shpifura të “vajzës së tij tremilionëshe”, që kërkon të mbrojë milionat e eurove me siglën dhe fjalorin politik të PD-së. Ai me siguri nuk e duron dot idenë që tashmë në PD nuk është ai idealist, apo i pakorruptuari, por një zonjë tjetër, e cila ka vënë në rresht administratën shqiptare të firmosin pro saj.
Ai është i qartë se Topalli mund të ndalet lehtë nga kjo nisëm që po e gërryen atë së brendshmi, por e kupton po ashtu se pas kësaj në ring do të mbetet vetëm vajza e tij tremilionëshe. Për këtë shkak ai nuk ka fuqi t’i thotë zonjës Topalli, ndale këtë marrëzi.
Do shumë ta bëjë këtë, por nuk e bën dot pasi aktualisht është i vetmi mekanizëm zhurmues i skandalit të së bijës tremilionëshe. Dëshiron ta bëjë shumë, sidomos për shkak të kontrastit që bën brenda PD-së dhe faktit se tek militantët kokulur të saj nga historia e vajzës tremilionëshe, portreti i Topallit lartësohet si një idealiste e pakorruptuar, që dhe në ditë të vështira mendon se si të sulmojë kundërshtarin.
Do të donte ta ndalte sidomos këtë kontrast të thellë publik vetë “Zonja 3 milionë euro”, por halli që e ka zënë, është më i madh se halli që i pëshpërit çdo ditë Luli në telefon, që të bëhet diçka “të ndalet kjo Jozefina”. Nuk kanë faj! Një palë ka hall si të fshehë paratë e fituara nga pushteti, tjetra si t’i fshehë PD-së dhe militantëve të saj skandalet e “Zonjës 3 milionë euro.”