Zogaj: Saga e numërimit të votave dhe koalicioni i Metës

0
46

Prec Zogaj

Shekulli Online, 06.04.2010

Rrefimi i Prec Zogajt per paszgjedhjet 2009. Saga e numerimit te votave dhe me pas koalicioni i kreut te LSI-se, Ilir Meta.

Numërimi i votave të 28 qershorit është një histori me vete, ku reflekton gjithë nervi, emocioni dhe manovrat e krerëve të Aleancës së Ndryshimit për të shmangur humbjen, teksa nuk po arrinin fitoren. Atë e ka vënë në dukje analisti Shpëtim Nazarko në një artikull të rrallë të atyre ditëve. Nazarko vërente se Berisha e kishte nisur numërimin nga zonat e sigurta për të, si për shembull nga Kukësi, ku rezultati tre me një në favor të PD-së u fiksua herët, falë transmetimit në kohë reale të shifrave prej një agjencie private të drejtuar nga ish-kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi.

Me ndihmën e kësaj agjencie, që vepronte si pararojë, Berisha e vijoi marshimin e numërimit nga cepi verilindor në cepin veriperëndimor dhe pastaj iu drejtua kryeqytetit duke rritur me shpejtësi avantazhin ndaj kundërshtarit. Krijimi i përshtypjes se zgjedhjet i ka fituar partia në pushtet, afektimi psikologjik dhe dekurajimi i numëruesve të opozitës, që s’kishin pse lodheshin më në një betejë që dukej humbja, qëllimi i shpalljes së shpejtë të rezultatit në zonat e përzgjedhura.
Metoda të tilla apo të ngjashme ishin përdorur edhe më parë. Në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, Partia Demokratike në pushtet kishte hedhur në lojë një pseudosondazh të një fondacioni me emrin “Faik Konica”, që kishte njoftuar publikisht përgjatë procesit të votimit në orën 14:00 fitoren e saj të thellë.

Sondazhi si mjet presioni psikologjik, u përdor edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, kësaj radhe jo përgjatë votimit, por me t’u mbyllur qendrat e votimit. Një kompani me emrin “Gani Bobi”, me qendër në Prishtinë, që drejtohej apo përfaqësohej nga veprimtari Shkëlzen Maliqi, shpalli rreth orës 20:00 fitoren e bujshme të Partisë Demokratike në shkallë vendi. Turmat e militantëve vërshuan nëpër rrugët e qyteteve me vetura dhe flamuj, duke thirrur, brohoritur e kënduar fitoren rreth qendrave të numërimit, ku numërimi s’kishte nisur akoma. Ishte shumë domethënëse të ndiqje anabasin e festimeve në kryeqytet, sipas rezultateve të shpallura nga “Gani Bobi”, ndërkohë që numërimi real do ta nxirrte të humbur aleancën qeveritare aty.
Fondacioni “Faik Konica” qe zhdukur që të nesërmen e zgjedhjeve të 26 majit 1996, si çdo gjë njëpërdorimshme në vezmen e prapësisë.

Kompania “Gani Bobi” nuk është bërë e gjallë pas përgënjeshtrimit të bujshëm që realiteti i zgjedhjeve në Shqipëri, sidomos në Elbasan, u ka bërë sondazheve të saj.
Me justifikimin se po shpallte Exit-Pooll-e, “Gabi Bobi” e bombardoi nja dy orë të mira frontin e numërimit të votave. Pastaj, u tërhoq për t’i lënë vendin dhe radhën në transhenë e presionit numërimit real dhe shpalljes së përshpejtuar të rezultatit në disa bastione të PD-së. Zgjedhjet janë edhe njëlloj stafete. Kush niset i pari ka shanse t’u presë këmbët atyre që nisen prapa. Por janë edhe njëlloj tërheqjeje litari ku hovi i befasinë qëllon ta rrëzojë peshën me të rëndë. E gjithë kjo ka vlerë kur rezultati që zgjidhet për të shërbyer si shifra lokomotivë e fitores ka një shpërndarje proporcionale në pjesë të ndryshme të vendit. Në të kundërtën, shifra lokomotivë ngelet jetime dhe bëhet qesharake.

Qëllimi i krerëve të qeverisë gjatë numërimit të votave natën e njëzet e tetë të qershorit dhe të nesërmen me 20 qershor ishte kapja në kohë rekord e shifrës shtatëdhjetë e një dhe valëvitja prej aty e flamurit të triumfit.
Kjo ëndërr me sy hapur ka marshuar nëpër dritëhijet dhe pështjellimet rokambuleske të një nate enigmash, ka parë zbardhëllimin e maleve në agimin e ditës së re, është ngritur ngadalë në horizont bashkë me diellin e ri derisa, në një pikë të caktuar, është ndalur, ka ngecur. Nuk kishte asnjë mundësi që Aleanca e Ndryshimit të kapte shifrën shtatëdhjetë e një. Madje, ishin në dyshim edhe shtatëdhjeta, pavarësisht votave që kishin shtuar andej-këndej komisionerët dhe numëruesit guximtarë.

Në vijimin e vet, numërimi i votave kishte vendosur një ekuilibër pothuajse të plotë mandatesh mes qeverisë dhe opozitës. Shifrave të veriut në favor të PD-së u ishin përgjigjur një për një shifrat e jugut në favor të PS-së. Por, ndërsa Berisha në pushtet i kishte shtrydhur e shteruar ndërkohë burimet e veta dhe ngado që të sillej e sido të përpiqej nuk shkonte dot, në rastin më të mirë, përtej shtatëdhjetë karrigeve në kuvendin me njëqind e dyzet karrige, Rama dhe Meta në opozitë shpresonin ende të këpusnin shiritin në fotofinish. Në kutitë e pa numëruara apo të kontestuara në Fier, Berat, Elbasan, Tiranë dhe Shkodër e majta mëtonte të kapërcente të djathtën me vota dhe mandate.

Ky është momenti kur numërimi i votave ka hyrë në një regjim të ri jermi dhe llogarish që do ta gjenin të papërgatitur arsyen. Papritur procesi ngadalësoi kudo ku nuk kishte përfunduar akoma. Madje, në disa qendra u bllokua fare. Votat e pa numëruara fituan vlerën e rezervatit të artë për kalkulimet vendimtare. Të gjithë kishin ngordhur sytë mbi to, kryeministri po e kontrollonte me lupë procesin; shefi i opozitës po bënte të njëjtën gjë me mjetet më të pakta që kishte në dispozicion. Një dorë votash të numëruara kalonin si një ofshamë e mbytur ankthi në pritjen e burrave dhe grave që kishin vënë bastin e madh të karrierës në rezultatin e atyre zgjedhjeve. Numërimi niste dhe ngecte në vartësi të avantazhit që krijonte njëra dhe tjetra parti për njësi votash të numëruara. Sapo konstatohej një shkëputje e Partisë Demokratike, socialistët gjenin një shkak për t’u ndalur. Kur ndodhte e kundërta, ishin demokratët që kërkonin pushim, garanci e gjëra të tjera të kësaj natyre, në pritje të udhëzimeve nga lart. Askush nuk donte të lexonte humbjen. Askush nuk lëshonte pe në një qendër numërimi, pa analizuar ecurinë në një qendër tjetër. Votat e fundit në të vërtetë po lexoheshin me një emocion të panjohur më parë, si të ishin mbishkrime apo testamente të lashta. Pasi kishte vërshuar me furi në fillim, procesi tani rridhte pikë-pikë, me një kumbim gjithnjë e më funebër për të gjithë. Berisha e kishte afër fitoren, por nuk e prekte dot, siç nuk prekte me buzë ujin që i arrinte deri afër mjekrës Tantali mitologjik. Rama, që kishte marrë hov për një fluturim politik “drejt diellit”, po ndjente t’i shkriheshin krahët si Ikariusit.

Ai që kishte synuar një fitore të qëruar nga çdo gjë që nuk shkonte me shijet dhe idetë e tij për pushtetin, po luftonte të kapte në kutitë e pa numëruara fantazmën e fitores së tij. Ilir Meta që ishte zotuar të merrte mbi tridhjetë mandate rrezikonte të mos futej vetë në Parlament. Ai kishte kandiduar në Tiranë, ku koalicioni LSI-PSV ishte vazhdimisht poshtë pragut të hyrjes në Kuvend.

***
Në orët e para të vatërlosë së tij, Meta po priste çfarë të kishte shkruar fati për të. Por fati e pa në një formë tjetër këtë njeri. Në përballjen ndërbllokuese të dy partive të mëdha, që po i numëronin votat sikur po luanin shah, ai dalloi shansin e tij të fundit për të hyrë në Kuvend. Doli në një konferencë shtypi dhe denoncoi manipulimin e zgjedhjeve, duke i drejtuar kryeministrit kërcënime në formë urdhërore që të ndërpriste dhunimin e votës së lirë të shqiptarëve me “Gani Bobin e tij” dhe me marifetet e tjera! Me këtë deklaratë, majtisti që ishte afishuar si kundërshtari më i egër i Sali Berishës, siguroi vëmendjen, solidaritetin dhe sigurisht edhe interesin e liderit të PS-së, Edi Rama, që kishte nevojë për miq për të lëvizur nga vendi makinën e fikur të zgjedhjeve. Ishte një situatë sureale kur ambiciet krahëshkruara nuk fluturonin dot siç kishin dashur dhe ku askush nuk e tregonte ëndrrën e tij të çastit.

A i ka dhënë Partia Socialiste Ilir Metës votat që i duheshin për t’u kapur në karrocën e parlamentit?
A ka luajtur Ilir Meta me dy parti, edhe me PS-në si antiberishë, edhe me PD-në si mik i nesërm i Berishës për të realizuar të njëjtën gjë: kapërcimin e pragut elektoral?
Përgjigja e këtyre pyetjeve, që kanë qarkulluar si hamendje dhe dyshime tre ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ndodhet në kutitë e mbyllura të Tiranës.
E vërteta është se në finalen e numërimit të votave në qarkun e Tiranës numrat për koalicionin LSI-PSV kërcyen përpjetë si një përjashtim nga normat e shpërndarjes relativisht proporcionale të votave në një hinterland të caktuar elektoral. Meta e kapi pragun në minutat e fundit, duke lënë të kënaqur dhe kryetarin e PS-së, edhe kryetarin e PD-së. Por, vetëm njëri e tregonte atë çast gëzimin që ndjente: Rama. Berisha do ta tregonte paksa më vonë, kur do të nënshkruante me Metën një aleancë “afatgjatë” për të qeverisur së bashku.

Ndërkohë, si në një kapriço të taksirateve, mbarë Shqipëria politike po mblidhej në Fier rreth “mandatit të fundit”, më i çuditshmi i botës, që mund të ishte edhe i parafundit për PS-në, sikurse mund të ishte edhe i pasfundit për koalicionin qeveritar. Socialistët kishin bindjen se ai mandat u përkiste atyre. Demokratët, që kishin bllokuar numërimin, e dinin këtë, por kushedi ku donin të dilnin. Pritja e tyre përcillte atmosferën e një loje filxhanash. Procesi kishte ndaluar gjithashtu në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës, ku socialistët dhe demokristianët pretendonin se ishin bërë manipulime. Nuk përjashtohej mundësia që Fieri të ishte monedha e shkëmbimit e kryeministrit për këto dy zona, por nuk përjashtohej edhe mundësia tjetër që Berisha po priste Metën, pra nuk mund ta lëshonte pengun e Fierit pa qenë i sigurt për Shkodrën, Lezhën dhe Metën.

Fieri u shndërrua papritur në një lloj Far West-i i gringove të politikës. Një numër i madh deputetësh zbarkuan atje. Nga gjithë ai vërshim, bëri bujë udhëtimi i pafajshëm si në tregimin “Flutura dhe tanku” të Ernest Heminguejt, i aktores Rajmonda Bulku, deputete e re e PD-së. Kjo shkoi në Fier kur kishte rënë nata. Një turmë e ndërkryer socialistësh e priti me pezëm. Megjithëse nuk luante prej kohësh ose luante shumë rrallë, socialistët fierakë e njohën kush ishte. Por, Fieri po jetonte atë mbrëmje supremacinë e plotë të politikës ndaj artit dhe gjithçkaje tjetër.

Gjatë natës, kutitë e bllokuara të Fierit u transportuan në Tiranë për t’u numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ishte një zgjidhje kompromisi. PD-ja kishte lëshuar një gjë që e dinte se nuk e kishte- mandati i fundit në Fier i shkoi PS-së, por ky gjest i jepte njëfarë epërsie në vazhdimin e lojës. Kush lëshon njëherë, nuk mund të lëshojë dy herë dhe tri. Me Fierin, qeveria dhe opozita ishin në barazimin e përsosur: shtatëdhjetë me shtatëdhjetë.

Por, kryeministrit Berisha kishte pjekur ndërkaq një ide tjetër për të dalë përfundimisht dhe legjitimisht nga rebuset e barazimit… Nuk do ta lexonte si barazim rezultatin. Nuk do të lexonte verdiktin e zgjedhësve. Do të shihte përtej verdiktit një njeri që kishte dështuar në mëtimet e tij për t’u bërë i madh, një njeri që kishte marrë mbi njëqind e njëzet mijë vota në zgjedhjet e mëparshme dhe vetëm dy vjet më vonë kishte rënë në shtatëdhjetë e tre mijë vota; një njeri që e dinte ku përfundonin rrokullisje të tilla; një njeri që nuk kishte më forcë dhe energji për të shërbyer zgjidhje spartane; një njeri që nuk ngjante me ata politikanët libreskë që nuk lëpijnë dot pështymën që kanë hedhur në fytyrën e kundërshtarëve…Ky ishte kryetari i Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta. Me katër deputetët e tij, ai ishte nën joshjen e të gjitha palëve dhe qëllimeve. Por, e kishte ndarë mendjen nga do të shkonte.

Pavarësisht se ishte votuar si flamurtar i antiberishizmit dhe do të akuzohej gjerësisht si renegat dhe tradhtar i votës, ai e kishte justifikimin: Me Berishën votat e tij bënin shumën e nevojshme për të qeverisur: shtatëdhjetë e katër. Me Ramën nuk shkonin me shumë se shtatëdhjetë.
Sipas një agjende të akorduar, Berisha e ftoi Metën publikisht në bashkëqeverisje paraditen e datës 4 korrik. Meta doli para mediave disa minuta më vonë dhe u përgjigj “po”.
Kur u shpall kjo aleancë, zgjedhjet nuk kishin përfunduar, domethënë ankesat e partive nuk ishin shqyrtuar ende nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Ky fakt i shtoi më tej dyshimet dhe habinë rreth saj. Arsyeja të thotë se Berisha ishte në lojën e tij kronike të dekurajimit të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Atij i duhej të shpallte një shumicë përpara se këto institucione të merrnin në shqyrtim ankesat e Partisë Socialiste.

Sidomos gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, që caktoheshin me short, duhej të merrnin mesazhin se zgjedhjet, edhe pse nuk kishin prodhuar një shumicë, kishin nxjerrë një qeveri që do të qeveriste minimumi përgjatë një mandati katër vjeçar. Ilir Meta iu bashkua këtij qëllimi. Nuk ka arsye tjetër për të shpjeguar pse ai vendosi të shpallte aleancën e tij të panatyrshme tetë javë përpara se të formohej qeveria e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë kontekst, ai mori pjesë në manipulimin e këtyre zgjedhjeve përpara se të merrte pjesë në qeverinë që doli prej tyre.

****
Por, opozita shqiptare kësaj radhe po qëndronte përballë zgjedhjeve si përballë historisë dhe fatit të demokracisë në vendin e saj. Atë e drejtonte një djalë rreth të dyzet e pestave, të cilit i mungonte kompleksi ndaj Perëndimit, që ishte në vetvete një ndjenjë perëndimore. Ai kishte lindur dhe ishte rritur në Tiranë, në periferi të bllokut ish komunist, në habinë që kishte evoluar në përbuzje ndaj atij pashallëku pervers dhe mizor. Ishte arratisur herët me penelin e tij nga katrorët e mbyllur, skematikë dhe të varfër të kohës së tij, pastaj, pas rënies së perdes së hekurt, ndërsa kishte mëtuar të verbonte me një bombë politike botën e vjetër të Shqipërisë, ishte plagosur prej saj dhe kishte ikur.

Kishte jetuar në papafingot e Parisit si frekuentues i salloneve të modës dhe artit atje, mu si një personazh postbalzakian, që ka ardhur në Paris nga periferia e re e Francës, e cila ndodhet gjithnjë e me shumë përtej saj; kishte shkruar, kishte krijuar, e kishte treguar në miniaturë vendin e tij plot kontraste në Gjermani dhe në Francë, atje ku kureshtja e burrave duket se ka hyrë thellë në trupat e tyre, kurse kureshtja e grave ka dalë tronditshëm në sipërfaqe, duke u dhënë pamjen e vizitoreve nga një yll tjetër. Mandej kishte ardhur në Shqipëri për të provuar të mundte vjetrimin e Tiranës dhe kohës. Rama nuk e thoshte, ndoshta as e mendonte. Por thellë-thellë, më shumë se në bojkot, ishte në distancë nga një krizë, se cilës i dukej vetëm maja e ajsbergut. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin pasqyra dhe pasoja e një qeverisjeje në konflikt me kushtetutën dhe ligjin. Një ditë, jo shumë vonë, europianët do të ndërgjegjësoheshin për këtë, ashtu si amerikanët dhe anglezët.

Në të vërtetë, Shqipëria, edhe pse i bënte në stilin e saj brutal shkeljet që kishte evidentuar Raporti i OSBE-ODHIR-it nuk ishte unikale në këto lloj shkeljesh. Shqipëria unikale fillonte në pjesën e dytë të manipulimeve, në atë që nuk e kapnin dot vëzhguesit e huaj, edhe pse mund ta ndjenin. Ishte hedhja e fletëve ne emër të zgjedhësve absent, mbushja e kutive me vota të falsifikuara dhe mandej edhe shtimi i votave në procesverbale me një të lëvizur të dorës, duke shënuar shifra fiktive.

Ky ishte momenti i prodhimit të përfaqësimit me stilolaps – një formë e profanisë dhe parodisë shqiptare me shenjtërinë e zgjedhjeve. Këto ishin manipulimet që mbylleshin në kuti për të mos e parë më dritën e diellit. Ky ishte krimi i pandëshkuar që brente dhe prishte sistematikisht vetë zgjedhjet. Ç’rëndësi kishte të ndryshojë sistemin zgjedhor, kur votat fiktive hidheshin njëlloj dhe procesverbalet fiktivë mbusheshin po njëlloj në secilin sistem?

Hapja e kutive ishte detaji, pikënisja dhe njëkohësisht simbolika e një misioni, më i madhi në Shqipëri pas lëvizjes demokratike të viteve nëntëdhjetë të shekullit njëzet. Edi Rama kishte qenë në impulse të mëdha të asaj Lëvizjeje me rravgimin për të marrë përsipër një rol. Por destino e kishte caktuar për më vonë këtë njeri.