Zhytja krenare në borxhe mbi borxhe

0
29

Preç Zogaj, 11.03.2011

Rruga “Tiranë-Elbasan”, varianti me tunele nga Qafë Kërraba, nuk do të financohet nga Bashkimi Europian, siç tha qeveria në vjeshtën e vitit 2009 kur refuzoi arbitarisht variantin pa tunele, vepër e shoqërisë shqiptare “Albaconstruksion” në bashkëpunim me shoqërinë italiane “Serenissima”. Nuk do të ndërtohet as me donacionet e fondit kuvajtjan, siç u tha disa muaj më vonë kur u venit ëndrra e mbeshtetjes europiane.

Dhe, e treta, nuk do të ndërtohet ” totalisht me paratë e buxhetit të shtetit”, siç deklaroi me mburrje ministri Sokol Olldashi, pasi doli bosh edhe axhenti i Kuvajtit. Buxheti i shtetit shqiptar është thyer në mes sa në të përpjetat dhe tunelet e supershtrenjta të autostradës Rreshen-Kalimash, aq edhe në karantinën e krizës së mbijeteses dhe falimentimit, që ka përshirë mbarë biznesin shqiptar.

Pasi nuk gjeti zgjidhje në Bruksel apo Kuvajt, qeveria logjikisht duhej të kishte hequr dorë nga varianti tepër i shtrenjtë i rrugës malore me tunele.

Drejt kësaj zgjidhjeje qeverinë duhej ta kishin çuar edhe argumente të tjera të karakterit teknik, ekonomik, gjeostrategjik, mjedisor e tjerë, që kanë dëshmuar epërsinë e padiskutueshme të variantit fushor ndaj variantit malor. Këto argumente janë injoruar nga qeveria, njëlloj si tre dështimet e paralajmëruara me financimin.

Berisha ka qëndruar me stoicizëm në variantin me tunele të Qafë Krrabës. Së fundi është gjetur një zgjidhje e katërt për çeshtjen e financimit. Qeveria ka njoftuar se do të marrë një kredi prej 200 milionë eurosh nga banka islamike.

Pjesën e luanit nga kjo shumë do ta marrin dy tunelet. Pjesa e mbetur do të përdoret për autostradën. Shifrat do të saktësohen pasi të shpallen fituesit respektivë të garave. Gjithnjë, nëse për këto gara do të ruhet si pikë referimi fondi limit i përcaktuar.

Në të kundërtën , shifrat do të fluturojnë në ecje e sipër, siç ka ndodhur me segmetin Rreshen-Kalimash të Rrugës së Kombit, dhe publikut do t’i duhet të presë përfundimin e plotë të veprës për të marrë vesh sa ka kushtuar. Nga studimet pjesore dhe shifrat e publikuara segmenti Tiranë-Sauk parashikohet të kushtojë rreth 320 milionë euro.

Siç e kemi argumentuar në shkrimet e mëparshme, Sauku do të ishte një pikë e vdekur, nëse autostrada nuk vazhdon nepër unazën e madhe të Tiranës për të përfunduar te kthesa e Kamzës. Për këtë segment të domosdoshëm, që përfshin mjaft shpronësime, lipset një shumë tjetër e madhe. Autostrada në tërësi pritet të kushtojë rreth 400 milionë euro.

Por edhe me kaq nuk mund të quhet e përfunduar, sepse do të duhej të lidhej me Paprin e Elbasanit për të marrë startin e ri drejt Boshtit të Jugut. Duhet ta përserisim se kuptimi dhe vlera e kësaj vepre nuk është thjesht shkurtimi i distancës mes Tiranës dhe Elbasanit. Kjo autostradë përfaqëson Korridorin e Shqipërisë së mesme dhe njëherësh rrethrrotullimin e madh të infrastrukturës kombëtare.

Për këtë hidhen kaq shumë para. Për këtë biznesi privat ka qenë dhe është i gatshëm të derdhë miliona.
Dyqind milionë euro kredi janë siguruar nga banka islamike. Ku do ta gjejë qeveria dyqindmilioneshen tjetër?

Pyetja është më shumë se një kureshtje. Meqenësë qeveria e ka ndarë mendjen t’u bjerë maleve, askush nuk do të dëshëronte që vepra të ndërtohej me copa: njëherë tuneli, pastaj një fragment rruge, me vonë një fragment tjetër rruge, më vonë akoma unaza e madhe e Tiranës, më vonë akoma unaza e madhe e Elbasanit… Nuk ka kuptim që kalendari i ndërtimit të autostradës të pasqyrojnë kalendarin e zgjedhjeve lokale dhe politike në këtë vend.

Vendi nuk ka nevojë për një rrugë tjetër të palidhur. Financat e Shqipërisë vetëm humbin në vepra të tilla, të pastudiura, që nuk konceptohen qysh në krye si vepra të plota, funksionale dhe rentabël.

Për momentin, nëse përfundimi i dhe lidhja e plotë e autostradës nga drejtimi i Qafë Krrabës nuk do të kenë fatin e keq të shtyhen në kalendrat greke, qeveria ka përpara dy zgjidhje për të vazhduar. Zgjidhja e parë është të kërkojë një kredi të re.

Kjo është një zgjidhje e mirë për të larë duart me veprën dhe për të kenaqur interesat dhe ambiciet e atyre që kanë vënë më lëvizje këtë variant tepër-tepër të shtrenjtë për mundësitë e Shqipërisë. Por është një zgjidhje që e ka bishtin prapa, pasi do ta thyejë edhe me keq në kurriz buxhetin e shqiptarëve dhe do të ndërlikojë qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.

Tashmë, edhe pa kredinë 200 milioneshe të bankës islamike, borxhi publik i Shqipërisë llogaritet në kufinjtë kritikë të ngopjes dhe lëngimit për shlyerje normale . Sipas FMN-së, Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon, rreth 60 për qind të Prodhimit të Brëndshëm Bruto, ndërkohë që mesatarja e vendeve fqinje është rreth 37 për qind.

Borxhi ynë ka fluturuar veçanërisht në vitet 2008-2009. Qeveria “Berisha” ka gjetur rrugën me të shkurtër për të futur në dorë sa më shumë gërshërë e për të prerë sa me shumë shirita elektoralë: Të marrë kredi .

Të hyjë borxh! Zhvlerësimi i lekut përkudrejt euros gjatë dy viteve të fundit e ka thelluar edhe më shumë këtë borxh. Mungesa pothuajse e plotë e politikave efektive të zhvillimit e ka shdërruar në një barrë gjithnjë e më të rëndë për bashkëkohësit dhe brezat .

Nuk ka nevojë të themi se në ekonominë e tregut, kredimarrja është gjenerator zhvillimi. Por kredimarrja “ku rafsha mos u vrafshma” merr në qafë jo atë që e jep, por atë që e merr, siç thoshte Balzaku.

Një qeveri e urtë, e aftë dhe e përgjegjshme merr kredi me masë, në funksion të interesave madhore të vendit, pa rrezikuar me interesa të larta apo me sasi të panevojshme.

Një qeveri e popullit dhe prej popullit sheh pertej mandatit të vet dhe nuk gjykon kurrë me slloganin “pas meje kiameti”.Greqia fqinje është vendi ku një klasë politikanësh i ka rënë me top për një kohë të gjatë duke marrë kredi pa hesap, duke jetuar përtej mundësive reale, duke shtrirë këmbët përtej jorganit.

Gjersa arriti kryeministri aktual Jorgos Papandreu që i lëshoi popullit të tij thirrjen e padëgjuar: “Nëqoftese Greqia nuk likujdon borxhet, borxhet do ta likujdojnë Greqinë”. Greqia ka nisur ta zgjidhë problemin.

Pjesërisht me zgjedhje të parakohshme, pjesërisht me sakrifica popullore të votuara, pjesërisht me ndihmën ndërkombëtare, pjesërisht me reforma të reja…Nuk duhet të harrojnë se Greqia ka Akropolin, ka Opimpin, ka Agimin e historisë moderne të botës dhe nuk ka dyshim se në fund të fundit bota nuk do ta linte dhe s’ka për ta lënë të bjerë atdheun e vjetër të Aristotelit dhe Platonit.

Ne do ta kishin shumë më të vështirë po të fillonte të na hanin borxhet, po të ngelnim një ditë vetëm për vetëm me borxhin tonë më të lartin në rajon. Si në një bestytni apo me ndjesinë se jetojmë mbi një minë me sahat, flasim shumë pak për këtë temë madhore të së ardhmes së afërt dhe të mesme të brezave.

Ekonomia në rrokullisje, ku mijëra biznese vdesin si nga një epidemi, nuk jep shpresa dhe garanci se mund të japë të ardhura për të mbuluar edhe interesat e borxhit publik. Qeveria shton me mburrje dhe krenari një borxh mbi tjetrin, duke mos parë pertej hundës së vet. Në parim çdo rrugë apo vepër publike ka vlerë.

Edhe vajtja në planetin Mars do të kishte shumë vlerë. Por qeveritë i bëjnë punët me llogari. Ka një pikë, ka një kufi ku aspekti elektoral i një projekti e humbet plotësisht vlerën përballë treguesve të mundësive, të radhës, të leverdishmërisë, të kostos për bashkohësit dhe brezat.

Nuk më del habija kur mendoj se qeveria e vendit tim, me borxhin me të lartë në rajon, po merr rishtas 200 milionë euro kredi dhe do të duhet të marrë edhe njeherë aq për të ndërtuar copa-copa një rrugë që mund ta kishte ndërtuar pa asnjë lek nga buxheti, pra me koncension. Dhe ja ku vinë të mundësia e dytë e kësaj qeverie në lidhje me autostradën e famshme Tiranë-Elbasan.

Të heqë dorë nga fiksimi i tuneleve, t`i kthehet variantit të allahut pa tunele, të autorizojë hapjen e garës për këtë variant. Projekti i zbatimit është gati dhe ndodhet në Ministrinë e Transporteve. Nëse nuk do koncesionin, le ta blejë projektin dhe ta ndërtojë vetë. Do t’i kushtojë më pak se kredia 200 milionë euro.