Zgjohu Shqipëri!

0
24

Nga Ernest Bunguri, 26 Tetor 2011

Hapat e doktorit kërcasin mbi pllakat prodhim enverian. Në dorë mban një shiringë të madhe. Pasi na ka ngjeshur të tërëve si cironka në një sallë të gjatë si tunel pa dritë, na shpon një e nga një me shiringën që të vë në gjumë për 15 vjet. Më parë patëm dorëzuar të gjitha kursimet dhe pasuritë tona, në rresht, tek Vefa, Sudja, Xhaferri etj. Ashtu në përgjumje na lë si kujtim fytyrën e qeshur me dhëmbët me majë, e duke na përkëdhelur me kthetrat e tij të mprehta, na pëshpërit: “Flini gjumë shqiptarë, bafshi andrra t’amla. Shqipria n’Europ.”

Do zgjohen nga “gjumi” të gjallë Azem Hajdari apo deputetë, politikanë a militantë të vrarë këto 15 vjet? Rrugës doktorit mund t’i “mungojë” vëmendja për ndonjë pacient që nuk ia mban shpirti përgjumjen e gjatë kokëulur. Sidomos kur përvoja dhe energjitë e tij do të zgjojnë herë pas here pacientë pijanecë, pakurrizorë, servilë a të blerë, që do ti shërbejnë pllenimit të gjumit alla-shqiptar.

Përveç atyre që na lanë shëndenë para 96-tës e që do të ndjekin të lebetitur për 15 vjet me kursime e vizita mjekësore pacientët familjarë të dergjur në gjumë nga doktori famëkeq, të tjerë s’do të merrnin rrugë pa rrugë e dete plot dallgë me kufoma për t’i ikur klinikës eksperimentale Shqipëri. Mbi tre mijë varre do të fshiheshin nga faqja e dheut e mbi tokë do të fanepseshin të gjallë të gjithë të vrarët e vitit 97. Në Gërdec, do të ishin përvëluar do kinezë, turq a rumunë që do kishin ardhur të mbushnin predha ngaqë shqiptarët do ishin në gjumë. E kështu domosdo i afrohemi shenjave të zgjimit sot, në vitin 2011, kur ishte planifikuar të mbahej një fjalim në mbrëmjen e organizuar nga Fondi shqiptaro-amerikan i ndërmarrjeve dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan i zhvillimit.

Ca të tjerë që u zgjuan rrugës si të prapë e ndonjëherë të pandjeshëm apo plot dyshim ndaj vaksinës berishiane kishin bërtitur më kot. Populli flinte në letargji të plotë e shihte ëndrra mitingjesh të mbushura me katrorë; me vende pune me tesera PD-je dhe plot miell, arra e mjaltë për ditë zgjedhjesh e fushatash, lloj- lloj ngjarjesh të përziera siç turbullohen në një ëndërr të keqe me sy hapur.

Zilja e zgjimit ra nga një asistent i doktorit, i cili mezi priste ditën të shlyente detyrën e të zgjojë popullin me një dorë eurosh surratit, e t’i bëjë t’ju ngrihen qimet përpjetë kur të përmenden që s’kanë fjetur gjumë por kanë përjetuar përsëgjalli të gjitha përdhunimet pushtendjellëse të këtyre 15 viteve.

Ashtu të shtangur “zbulojmë” të rrjepur malin e Krujës aq sa një ditë nuk është çudi që ballkoni i Skënderbeut të rrëshkasë nën këmbët e xhamisë së qytetit. Erzenit i dergjen vetëm eshtrat dhe edhe ato po ia shkulin për të vjellë asfalt për këndelljet e të “sapo-zgjuarve nga gjumi 15 vjeçar”. Rrugët do t’i shpien shëndoshë si kokrra e mollës, të shoqëruar me pirgje plehrash për të dëshmuar bollëkun, në Sarandën e bunkerizuar me beton, apo Ksamilin e kancerizuar nga uria për çimento. Në autostradën e plazhit të Durrësit kufiri i shpejtësisë shënjon 100 në orë për ata që nuk e durojnë erën e fekaleve nën të cilën mbytet ajo buzë deti. Ndërsa Shkodër-locja, nën kujdesin e veçantë të infermieres Jozefinë, pritet të vazhdojë konkurrimin e denjshëm me Venedikun e dashnisë t’pa kufi.

Më 21 janar, kur tringëlluan zilet e para të zgjimit disa prej pacientëve u cilësuan të padëshirueshëm si kokpalarë. Hijet e tyre ndjekin edhe sot e kësaj dite doktorin që fantazon me shiringë në dorë për përgjumjen vendimtare të shqiptarëve. Pasi i fut një të ngulur vetes, mbledh vetullat, rrudh buzët, shfaq vështrimin prej skifteri dhe pasi ka mbërthyer të dy gjymtyrët e sipërme si gaforre në foltore, vjell: ” “Shqipëria që ju gjetët pesëmbëdhjetë vjet më parë nuk është më. Çdo njeri që do të kishte fjetur pesëmbëdhjetë vjet e do të zgjohej tani nuk do e kish njohur më këtë vend”!