Zgjidhje të parakohshme

0
25

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 29.11.2009

Në librin e tij të fundit “Çdo hap duhet të jetë një qëllim”, ish-Presidenti i Francës, Zhak Shirak, shkruan se shumë shpesh, ata që flasin për krizën shohin aty një lloj kataklizmi. Është absurde, vazhdon ish-Presidenti. Kriza nuk është një mbytje, por një rirregullim. Nuk është fundi i botës, por origjina e një rregullimi të ri.

Pohime si këto, sigurisht, kanë të bëjnë me krizat e mëdha, që mbështjellin herë pas here gjithë botën. Por, logjika e tyre vlen edhe për krizat e vogla, sektoriale apo kombëtare që përjetojnë politikat dhe proceset në vende të caktuara.

Në thelb, krizat lindin në kufirin midis një gjendjeje që duhet të përfundojë dhe një gjendjeje që duhet të nisë. Politika thirret në kauzë t’i njohë, t’i interpretojë dhe t’i zgjidhë në mënyrën me të mirë të mundshme. Por, politika nuk mund t’i krijojë ato nga hiçi, sipas qejfit. Përndryshe, jeta do të ishte një rrëmujë e përhershme.

Krizat e simuluara shuhen si flakë kashte. Kjo është si një e bëjnë dy. Po aq i vërtetë është edhe pohimi i kundërt se injorimi i krizave shumëfishon koston e zgjidhjes së tyre. Dhe po aq e vërtetë është aksioma tjetër, më e dashura, e pohuar, siç e thamë, edhe nga një burrë i madh shteti që ka drejtuar për një kohë të gjatë një vend të lirë si Francën, se krizat vinë për të mirë, si një nevojë e kohës dhe shoqërisë. Ekziston, pra, pamja pozitive e krizave, që është pamja e tyre e vërtetë, ballore.

Pamja negative e krizave, që na vjen me lehtësi në kujtesë sa herë flasim për to, ka të bëjë me injorimin e tyre, me mohimin e tyre, me ndrydhjen e tyre, me shtypjen e tyre, pra me trajtimin e tyre me arrogancë, me gjaknxehtësi dhe budallallëk, pa kuptuar arsyet objektive të ngjizjes së tyre.

Këto qëndrime nuk “e vrasin” krizën, nuk e kthejnë dot nga ka ardhur. Shumë-shumë e mbajnë në vend për disa kohë me gjithë pasojat e acarimit që shkakton indiferenca dhe dhuna. Me fjalë të tjera, këto qëndrime vonojnë zgjidhjen. Në shtrirjen e vonesës gjejmë koston e krizës.

Kush vonohet, paguan shtrenjtë. Kush nuk vonohet, paguan hakun. Kush është më i shpejtë se vetë kriza, nuk paguan fare. Në këtë kontekst, siç dihet, politika euroatlantike, me mësimet e pësimeve, por edhe e iluminuar nga ndriçimi i mendjeve më të mira të racës dhe botës, ka krijuar një kulturë të tërë të “zgjidhjeve të parakohshme”. Anglezët kanë shkuar deri atje sa t’u ofrojnë pavarësinë kolonive, përpara se të kolonizuarit të rroknin armët për çlirim dhe mëvetësi.

Për të ardhur tani te kriza jonë “e vogël”, që është mjaft e madhe për jetën dhe shpirtin tonë, sepse nuk mund ta shpërndajmë në asnjë tokë tjetër dhe as ta ndajmë me asnjë gjuhë tjetër, do të thoshim se fati i saj deri tani nuk po ka asgjë euroatlantike në kuptimin që të ketë një moment qetësie dhe reflektimi nga kryeministri Berisha dhe shumica në kuvend dhe, mandej, në përgjigje, edhe nga opozita dhe shefi i saj, Rama.

Është bërë e njohur tashmë se në origjinë të bojkotit dhe protestave të opozitës është ekzekutivi i atyre neneve të Kodit Zgjedhor që siguronin rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në kuti të ndryshme me kërkesën e thjeshtë, pa kushte dhe shënime, të dy anëtarëve të KQZ-së.

Pra, në origjinë kemi një krizë të ligjit dhe jo të një ligji çfarëdo. Një arsye më së e mjaftueshme për çdo opozitë normale në botë për të reaguar, për të kërkuar hapjen e kutive të refuzuara paligjshëm, tashmë nëpërmjet hetimit parlamentar. Shtrohet pyetja: – Si do të hapen kutitë në zgjedhjet e ardhshme, kur e kishim ligjin për këto zgjedhje dhe e shkelëm? Shtrohet pyetja tjetër: – Çfarë vlere i mbetet të ketë ligji në sfera me “të ulëta”, kur dhunohet pa dridhje qerpiku në sferat e larta?

Disa kolegë të nderuar të mediave e kanë quajtur shkeljen e Kodit një pretekst të opozitës. Mund të jetë, por kjo nuk ka rëndësi për diskutimin që po zhvillojmë. Më e shumta që mund të themi në këtë rast është se kemi të bëjmë me një pretekst që përputhet me shkakun.

Pra, opozita po përdor një shkak për të realizuar një synim dhe një mision që mbarë opinioni publik, në çdo kohë, objektivisht, e pret pikësëpari nga opozita e vendit: transparencën e zgjedhjeve, krijimin e standardit të kutive të hapura. Nëse jo opozita, kush tjetër vallë?

Nuk ka dyshim se protesta e 20 nëntorit, përveçse i dha opozitës mbështetjen e mjaftueshme për kauzën e kutive të votimit, filloi të hapte vetë “kutitë” e problemeve dhe krizave të tjera që po përjeton shoqëria shqiptare. Kriza ekonomike është kryesorja. E nesërmja e sigurt, sot për sot, po bëhet një privilegj i një numri gjithnjë e më të vogël njerëzish.

Shumica, siç tregojnë të gjitha llojet e anketimeve, është në tërheqje, për sa i përket të ardhurave, konsumit, mundësive. Jemi në fundin e një sistemi qeverisjeje të ngritur para së gjithash mbi taksimin pa politika të frytshme punësimi.

Sipërmarrja e shtrydhur po përgatitet të ngrejë duart. Të gjitha pakënaqësitë derdhen vetiu dhe natyrshëm te protesta e opozitës, sepse protesta është agora e tyre në këtë periudhë.

A mos vallë Berishës dhe njerëzve afër tij u ka zënë syri perde që të mos shohin asgjë nga realiteti kompleks i krizës?

Mundet! Ndodh shpesh, jo vetëm në Shqipëri: kupola pushtetmbajtëse lëviz brenda suazës së një informacioni të distiluar e të mbyllur, ku ka vend vetëm për ” suksese”, “gëzim”, “lumturi”, ku nuk debatohet më asnjë ide, asnjë situatë, madje lajmi i keq konsiderohet si infiltrim i kolonës së pestë.

Momenti më kritik i kësaj vetëburgosjeje në kullën e fildishtë është ai kur realiteti virtual besohet si i vërtetë. Nga kjo “dehje” pushteti del ose kur partia e shumicës vetëshkundet nga debatet e institucionalizuar brenda saj, ose kur qytetarët zbresin në rrugë. Kjo po ndodh tani.

Por, me gjithë hendekun në rritje mes qeverisë dhe shoqërisë, Berisha nuk është aq i verbuar sa të mos shohë së paku një pjesë të ngërçeve që ka krijuar e po krijon kriza ekonomike në një anë dhe bllokimi politik në anën tjetër.

Madje, kam përshtypjen se ai është më i vetëdijshëm se sa shfaqet për gjendjen e rëndë ku po precipiton qëndrueshmëria e vendit. Sulmi i tij pa precedent në Kuvend, kundër shefit të opozitës Edi Rama, tregon veç të tjerash edhe një Berishë në rrethimin e problemeve të krizës ekonomike.

Ai, sipas mendjes sime, nuk është naiv sa të besojë se mund të trembë me kërcënime një opozitë me të mbështetur se kurrë nga piaca. Radikalizmi pjell radikalizëm. Simbioza e kauzave politike, siç është kjo e zgjedhjeve, me kriza ekonomike financiare vetëm mbush sheshet dhe çon dorës-dorës në paralizë. Tranzicioni shqiptar i ka të freskëta këto sentenca. Ato janë shkruar me bilancin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997-të.

A mos vallë qeveria do të ndihej më mirë përballë një krize që po ia tregojnë poshtë xhamave të dritares kundërshtarët e saj politikë, se sa në një krizë ku ka hyrë vetë me sistemin e daljeve, tashmë, më të mëdha se hyrjet apo të shtrirjes së këmbëve përtej jorganit? Kjo analizë mund të bëhet, por sërish do të ishte pa vlerë përkundrejt përshkallëzimit të rrezikshëm të konfliktit në fushën dimërore pa dialog dhe pa zgjidhje.

Situata e krijuar kërkon domosdoshmërisht aktivizimin e diskutimit dhe dialogut. Kryeministri ka detyrimin politik, etik dhe moral të lexojë protestën e qytetarëve dhe të konsiderojë kërkesat e opozitës së tij, duke i krasitur nga batutat e ndryshme që nuk janë thelbi i tyre. Mbi këtë bazë pritet oferta e tij, paketa e tij.

Në këtë pikë, ai që qeveris, për të ruajtur protagonizmin dhe për të nxjerrë vendin sa më shpejt e sa më mirë nga impasi, ka gjithnjë në dorën kartën e “zgjidhjeve të parakohshme”, domethënë të zgjidhjeve që jo vetëm respektojnë pritjen, por shkojmë edhe më tej kërkesave të shpallura dhe zyrtare të palës tjetër, pa i rënë ndesh rendit kushtetues dhe ligjit. Kjo është karta që sugjeron kultura euroatlantike e parandalimit të konflikteve, kur krizat vinë për të bërë mirë. Mjaft të trajtohen në kohë, me urtësi dhe inteligjencë.

Në rastin tonë, zgjidhjet e parakohshme mund të jepen për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Kësisoj hiqet njëra krizë, kriza politike, nga fusha e lojës. Kriza tjetër pastaj, ajo ekonomike, mund dhe duhet të pjesëtohet edhe si kosto, edhe si përgjegjësi për ta kapërcyer.

Çdo të lindë nga kriza jonë? Republika e ligjit.