Zgjidhja e krizës në pesë variante

0
70

Nga: AFRIM KRASNIQI

Kur kaloi java e parë nga ngjarjet e jashtëzakonshme të 21 prillit, të cilat sollën vrasjen e tre qytetarëve, plagosjen e disa dhjetëra efektivave të policisë dhe civilëve protestues, Shqipëria nuk ka bërë ende asnjë hap përpara për zgjidhjen e krizës. Si në një betejë lufte, palët vetëm sa kanë bërë bilancin e tyre të brendshëm, kanë mobilizuar militantët e strukturat, kanë testuar mbështetjen e tyre ndërkombëtare dhe kanë tentuar të zhvendosin konfliktin nga rruga në institucionet politike. Prokuroria po heton, por ende nuk ka shenja se rezultatet e saj do të jenë të shpejta dhe efektive. Qeveria ka refuzuar të dërgojë gardistët e akuzuar në prokurori dhe ka ndërmarrë një fushatë intensive denigrimi, sulmi dhe akuzash ndaj prokurorisë, gjykatës, shërbimit sekret dhe së fundi, edhe Presidentit të Republikës.

Në këto rrethana shoqëria është ndarë në gjykime përjashtuese bardh e zi, ku qëndrimi i paanshëm shihet si reshtim me tjetrin, ku vendin e institucioneve të forta kushtetuese e kanë zënë liderët e fortë partiakë, ku qeveria e opozita, parlamenti dhe organet e sigurisë kanë braktisur pozitat kushtetuese dhe janë shndërruar në shtojca të retorikës përjashtuese. Sytë e të gjithëve janë drejtuar tek faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE, me shpresën se ata do të ndërhyjnë për t’i dhënë fund çmendurisë kolektive të Tiranës politike. Të gjithë pra kryejnë ritin tradicional të krizave shqiptare, dhe gabimisht, ende nuk ka nisur debati thelbësor; – çfarë do të ndodhë dhe çfarë duhet të ndodhë për t’u ndarë nga krizat permanente.

Mesazhi ndërkombëtar është unik: Duhet dialog e marrëveshje midis dy liderëve politikë Berisha e Rama. Ata prej kohësh nuk pranojnë rol aktiv në dialog, por vetëm e nxisin dhe e mbështesin atë. Teza e tyre bazohet në përvojën dhe modelet e sjelljes politike që kemi parë në vende me demokraci të konsoliduar dhe politikanë të përgjegjshëm për interesat madhore të vendeve të tyre. Në këto vende çdo krizë zgjidhet me bisedime dhe konsultimet pozitë – opozitë janë më se normale. Ajo që ndërkombëtarët e dinë, por ende nuk e pranojnë është se në Shqipëri ky opsion zgjidhjeje është joefektiv dhe ireal.

Palët politike kanë shkuar aq larg nga njëra tjetra, liderit politikë kanë shkuar aq larg nga njëri tjetri, sa vetëm një forcë madhore mund të sjellë qetësi e besim midis tyre. Ata kanë axhendë të kundërt personale, ambicie dhe projekte të ndryshme, gati përjashtuese për njëri tjetrin. Shumëkush mendon se ky takim “historik” nuk mund të jetë zgjidhje dhe për më tepër, garanci për stabilitetin demokratik për vendin. Sepse askush më shumë se këta dy liderë nuk kanë përgjegjësi për krizën politike në Shqipëri, bllokimin njëvjeçar, ndryshimet kushtetuese si dhe dhunën apo viktimat e datës 21 janar. Dhe kur kemi një bilanc të tillë, është gati fetare dhe utopike të besohet ende që brenda ditës djalli të bëhet engjëll dhe mëkatari shpëtimtar.

Gjendja siç është nuk mund të vijojë. Tensioni politik do të zgjerohet, parlamenti do të mbetet i bllokuar (sidomos pas rezolutës absurde të një pale kundër palës tjetër), qeveria do të merret edhe më tej me luftë politike jo me qeverisjen e vendit, institucionet e sigurisë do të jenë gjithnjë e më shumë sigurie, opozita mund të bojkotojë duke bllokuar zgjedhjet lokale dhe kriza në vend do të përshkallëzohet. Edhe modeli i 2010 për dialog formal e bisedime formale, sipas traditës, “merru me procedura për të fituar kohë”, nuk ka më mbështetje mes palëve dhe as nga opinion publik vendas.

Në këto rrethana, variantet e zgjidhjes janë politike, vetëm politike. PD dhe PS mund të përdorin mocionin e besimit ose të mosbesimit për të testuar publikisht mbështetjen e tyre, si lëvizje kushtetuese për të fituar kohë dhe për të imponuar zgjidhje sa më institucionale të krizës. Ky variant mund të mos jetë zgjidhje finale, pasi zgjedhjet lokale janë afër dhe kriza do të ketë aty kulmimin e saj.

Një varianti i dytë është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. kjo mund të bëhet me qeveri teknike ose qeveri aktuale, me garanci për transparencë për ruajtjen e integritetit të votimit. Ky opsion përjashtohet nga maxhoranca, e cila nëse e pranon, automatikisht pranon largimin nga pushteti. Ajo refuzon çdo zgjidhje “in ekstremis” në emër të legjitimitetit elektoral dhe e shtyn krizën deri në zgjedhjet lokale, me shpresën për të krijuar një krizë të re zgjedhore e lokale që sposton krizën politike parlamentare. Opozita synon zgjedhje të parakohshme, kërkesë maksimale, të cilën ajo është e vetëdijshme se aktualisht nuk pranohet. Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme duhet të merren në konsideratë dy skenarë: nëse bëhen njësoj me zgjedhjet lokale (duhet ndryshim në legjislacionin zgjedhor) ose nëse llogariten në vjeshtë (dy zgjedhje në pak muaj janë absolutisht të papranueshme për ekonominë shqiptare).

Varianti i tretë është krijimi i një qeverie integrimi dypalësh, maxhorancë dhe opozitë, me mandat dyvjeçar, me axhendë ligjet themelore që kanë të bëjnë me kërkesat e statutit kandidat për në BE. Ky variant do të mirëpritej nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar, por është ndëshkues për dy liderit kryesorë politikë në ambiciet e tyre për të qenë kryeministër, si dhe për një numër të madh politikanësh të korruptuar të dy krahëve, të cilët do të jenë të detyruar të përjashtohen nga vendimmarrja në qeverisjen e vendit.

Varianti i katërt është krijimi i një qeverie teknike me të njëjtin objektiv si ai i koalicionit të madh. Ky variant do të ishte më i pranueshëm për dy liderit politikë meqenëse automatikisht përjashton politikët në qeveri dhe krijon një mekanizëm administrimi jopartiak, pa efekte pozitive ose negative në axhendën elektorale të dy partive të mëdha. Edhe ky variant ka mbështetje ndërkombëtare e publike. Gjithsesi, aktualisht asnjëra palë nuk është ende në atë gjendje sa ta pranojë dhe ky variant mund të vijë vetëm në momentin kur janë konsumuar të gjitha variantet e tjera partizane e bipartizane.

Varianti i pestë varet direkt vetëm nga maxhoranca. Nëse ajo aplikon modelin e PS të vitit 2002, pra ndryshim të qeverisë me një lidership të ri brenda radhëve të saj, opozita nuk do të mund ta bllokojë moralisht e politikisht funksionimin e saj për të paktën 1 vit. Ky variant lidhet vetëm me axhendën personale të kryeministrit aktual dhe me atë sesa ai është i gatshëm të ofrojë zgjidhje politike të pakushtëzuar. Në kushtet aktuale, edhe ky skenar ende nuk po merret në konsideratë nga palët.

Jashtë të gjithë skenarëve të mundshëm, zgjidhja optimale dhe afatgjatë mbetet një dhe vetëm një: negociatori ndërkombëtar (BE) të ofrojë si një zgjidhje ekstra, një prej varianteve të mësipërme, ose një kombinim midis tyre, me kushtin që palët të jenë të detyruara ta pranojnë. Ai duhet monitorojë hetimin e plotë mbi 21 janarin, dhunën dhe sidomos vrasjet dhe në plan më afatgjatë, të marrë përsipër administrimin zgjedhor si dhe të nxisë korrektimin e sistemit politik shqiptar (sistemit elektoral e kushtetues). Sa më parë që kjo të ndodhë, aq më shpejt kriza do të mbyllet dhe vendi do ti kthehet normalitetit. Çdo alibi kundër, retorika e sovranitetit apo e mosndërhyrjes së huaj, janë minore në raport me nevojat urgjente të Shqipërisë për demokraci funksionale dhe stabilitet demokratik.

BE e SHBA me të drejtë mendojnë se një vend në NATO e kandidat për BE nuk duhet të presë zgjidhje nga jashtë, por në kushtet aktuale ku vendi është peng i politikës ekstreme, përjashtuese dhe pa zgjidhje, është përgjegjësi e Brukselit që të sillet jashtë praktikave diplomatike. Nëse Brukseli nuk e bën sot këtë, nesër, nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i detyruar të sjellë përsëri misione diplomatike paqeje dhe pse jo, edhe ushtarake për ruajtjen e qetësisë dhe normalitetit në Shqipëri.