ZGJEDHJET: TURMA E UDHËHEQËSVE DHE MUNGESA E BURRAVE TË SHTETIT

1
46

Shenasi Rama

Problemi kryesor që ka një popull është zgjedhja e udhëheqësit të duhur. Roli i individit, vecanerisht në momente kritike e historike, është i pazëvendësueshëm. Udhëheqësi është ai që i jep drejtim popullit, masës, grupit, dhe që e vë në rrugën e duhur. Udhëheqësi është ai që mbledh dhe i kanalizon energjitë e shoqërisë në një drejtim të caktuar, për një qëllim të caktuar dhe në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria.

Ka udhëheqës shpirtërorë që frymëzojnë njerëzit dhe i drejtojnë në rrugën e duhur përmes dhuntive që njihen nga njerëzit si hyjnore dhe këtu hyjnë profetët, si Moisiu, Krishti apo Muhameti. Ka udhëheqës që përdorin vlerat kulturore të popullit të tyre dhe e ndihmojnë me gjetë rrugën e duhur si Gandi në Indi. Ka udhëheqës që përdorin dhunën, inteligjencën, zgjuarësinë, dinakërinë, poshtërsinë, lidhjet familjare, të vërteta apo të rreme, e të tjera. Ka ca që u bënë Perandorë sepse ishin gjigandë fizikisht apo që humbën mbretërinë sepse ishin të deformuar fizikisht. Ka të tjerë që i mbuluan cilësitë që kishin me ngjashmërinë e tyre fizike me profetët e imagjinuar. Ka të tjerë që përdorin dhunën e paskrupullt dhe bëjnë shtete që janë jetëgjata. Ka të tjerë që i drejtojnë popujt e tyre drejt shkatërrimit. Në fund të fundit, udhëheqës është ai që mbledh një grup njerëzish dhe i vë të punojnë për arritjen e një qëllimi të caktuar dhe që konsiderohet prej tyre si legjitim apo që nuk vihet në dyshim.

Mirëpo, në kohët moderne nuk mund të ketë më udhëheqës si ata të kohëve të vjetra. Dikur mblidhje një bandë, disa klane, disa fise dhe me forcën e Keltëve, Vandalëve, Gotëve e Hunëve, shkatërroje e plackisje një perandori. Dikur mblidhje një tufe fisesh e bëje një perandori si Mongolet apo Arabët, Turqit apo, një shembull që e kemi nga historia e jonë, merrje nja 8000 shqiptarë dhe pushtoje Egjiptin dhe e beje prone te familjes sic beri Mehmed Ali Pasha. Problemi është se në kohët moderne nuk mjafton të kesh mbështetje nga populli, grupi, masa, apo banda. Problemi është se veprimtarinë duhet ta zhvillosh në një shtet të caktuar. Shtetet janë struktura që kanë njohje në nivelin ndërkombëtar dhe kur je shtet i vogël shumë cka varet nga fuqitë e medha. Cfarëdo që të bësh si udhëheqës do ta bësh brenda një shteti të caktuar. Mbështetja duhet të vijë nga shumica e popullit që jeton në një shtet. Dhe shumica e popullsisë së një shteti ka gjithnjë elemente të përbashkëta që një lider mund ti përdorë për të mobilizuar njerëzit. Prandaj udhëheqësit e popujve të vegjël klasifikohen ndryshe nga udhëheqësit e tjerë në histori.

Ajo që e bën dallimin është objektivi i pandryshueshëm i një grupi të dhënë. Tashmë nuk është aq e lehtë për udhëheqësit që të krijojnë grupe si duan ata. Lufta e tyre duhet të bëhet për të mbajtur bashkë një grup që kontrollon shtetin, që identifikohet me shtetin, dhe që i shërben shtetit sepse e konsideron shtetin si të vetin. Udhëheqësit janë ata që i shërbejnë interesave të grupit, në këtë rast, të grupit që duhet të kontrollojë shtetin dhe që lufton për kontrollin e shtetit. Ky grup është i mpiksur, i krijuar me kohë, përpara se ky udhëheqës të dalë në skenë. Ky grup ka një histori të vetën. Grupi ka vlera të dallueshme dhe të vecanta të tijat. Ky grup ka një gjuhë me të cilën komunikon që është e ndryshme nga të tjerët. Ky grup ka një terrotir, një shtet me të cilin identifikohet dhe e quan të vetin. Ky grup e përzgjedh udhëheqësin nuk e përzgjedh udhëheqësi grupin. Lidhja e njerëzve të tjerë me udhëheqësin është e natyrshme, i ka rrënjët në të shkuarën e përbashkët dhe grupi mpikset natyrshëm rreth këtij udhëheqësi. Shpesh ai shpreh vullnetin e popullit në politikë, e disa herë imponon vullnetin e tij mbi popullin e vet. Kjo ndodh herë për mirë e herë për keq.

Tash në këtë kontekst të shtetit-komb, kur duhet të funksionosh si udhëheqës në një grup të caktuar, ka dy lloje udhëhqësish. Një palë janë burrat e shtetit, ata që shohin të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve. Pala tjetër janë ata që shohin interesin e tyre dhe që duan të përdoriun mbeshtëtësit për të mbrritur qëllimet e tyre që nuk janë qëllimet e kombit dhe të shtetit. Një palë shërbejnë, një palë përdorojnë. Një palë janë zare të dikujt dhe i përdorin popujt e tyre si zare. Një palë bëjnë atë që munden e kalojnë në histori. Një palë i drejton interesi. Një palë i drejton ideologjia. Një palë janë të kapur nga të tjerët dhe përdorojnë popullin e tyre. Një palë bëjnë gjithcka për të mbrojtur ineteresat e popullit të tyre. Një palë vjedhin e një palë kërkojnë nderim e respekt. Një palë janë banditë e kriminelë sepse e përdorojnë popullin e tyre me ndërgjegje. Një palë janë modele e jetë që kujtohen për shumë kohë. Një palë janë zagarë e një palë janë atdhetarë. Një palë janë hajna, cuba dhe kodosh. Një palë janë shërbyes e dhurues. Një palë vjedhin të ardhmen e një palë e krijojnë dhe e bëjnë atë më të mirë. Një palë e cmendin popullin. Një palë tjetër e mbron dhe e shëron nga e keqja.

E kjo qasje që i vë udhëheqësit përballë burrave të shtetit. Aplikohet shumë mirë në rastin shqiptar. Problemi i madh që ne kemi është se kemi shumë shembuj hajnash, cubash, zaresh, legenash politikë, bandash të Ali Babës me 400000 hajdutë, udheheqës partish e trustesh krimi, mafia katundesh e zonash si Tropoja, Salaria e me rradhë. Problemi është se kemi struktura që mbahen me lidhje familjare, të krimit e të interesave të ngushta e në përdorim të hapur të interesave antikombëtare e antishqiptare. Ne kemi një komb që është kombi shqiptar. Ne kemi një shtet që është shteti shqiptar. Këto dy pika duhet të ishin pikat e fillimit për cdo udhëheqës që do të bëhet burrë shteti. Problemi është se nuk kemi udhëheqës që iu shërbejnë të gjithë shqiptarëve, interesit të tyre afatgjatë si komb e si shtet, ardhmërisë së fëmijëve e begatisë kombëtare, kultivimit të shpresës e të ndërtimit të një jete më të mirë për të gjithë. Për fat të keq, edhe këto zgjedhje shqiptarët i kanë humbur pa u zhvilluar. Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje do të kemi shumë udhëheqës, nje turmë udhëheqësish që bëjnë zhurmë si legenë, e asnjë burrë shteti.

1 COMMENT

  1. “Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje do të kemi shumë udhëheqës, nje turmë udhëheqësish që bëjnë zhurmë si legenë, e asnjë burrë shteti.”

    Gjeja me e lehte per njeriun eshte qe te gjykoje te tjeret sipas kutit te tij,por ajo qe ka vlere,thote Nobelistja Rita Levi Montalcini eshte :Eshte mesazhi qe ai le pas vetes se tij.
    Si mund te qendroje Demokracia,Drejtesia,Dinjiteti ne kembe pa kollonen e katerte qe eshte Pergjegjsia ne ate qe ben ,deklaron apo qe ideon.
    Boll predikove Shenasi Rama! Ishe ne loje dhe ja mbathe nga frika.
    Poeti gjerman Gethe thote ” ………Guximin,Burrerine ke humbur ,te gjitha i ke humbur!….
    P.s. Ne lidhje me profetet shpirteror,me vjen keq,por njohurite i ke shume te mangeta.Jezu Krishti nuk eshte profet.

Comments are closed.