Zgjedhjet që nuk na duhen dhe ato që na duhen

0
31

Preç Zogaj, 21.03.2011

– Zgjedhje me të mira se ato të kaluarat!
– Jo, faleminderit. Nuk na duhen.
– Zgjedhjet më të mira të mundshme!
– As këto nuk na duhen
– Po çfarë doni atëherë?
– Zgjedhje sipas standardeve europiane. As më shumë, as më pak.

( Nga një bisedë në distancë me ambasadorin e SHBA-së, shkëlqësinë e tij zotit Aleksandër Arvizu ).

Fatmirësisht, vëmëndja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri është dukshëm më e madhe se herët e tjera.

E gjithë kjo shpjegohet me krizën e thellë politike që ka zhdukur komunikimin tradicional në trekëndshin Qeveri-Opozitë-President. Këto të 8 majit janë të parat zgjedhje në historinë e tranzicionit ku po shkohet pa asnjë reflektim nga qeveria për kërkesat e opozitës apo për 34 rekomandimet e OSBE-ODHIR-it.

Edhe pse, si asnjëherë tjetër, opozita konsumoi një lëvizje popullore dhe humbi katër demonstrues në bulevardin ” Dëshmorët e kombit” për kauzën e antikorrupsionit dhe zgjedhjeve të lira.

Ndërkombetarët janë me aktivë se kurrë sepse konflikti politik në vend është më i madh se kurrë. Njëherësh, sepse problematika e zgjedhjeve në Shqipëri ka dalë në pah më qartë se kurrë në dritën e refuzimit të hetimit të zgjedhjeve nga shumica “Berisha-Meta”. Në këtë pikë mund të themi se vëmendja e shtuar ndërkombëtare për zgjedhjet vendore mbetet një arritje e rëndësishme e lëvizjes opozitare.

Sa më shumë personalitete të Europës dhe SHBA-së të merren me zgjedhjet tona, sa më shumë vëzhgues të huaj të vinë për t’i vëzhguar ato, aq më mirë është e do të jetë për ne.

Në princip është e pamundur që Perëndimi të shesë apo shkelë mbi vlerat e veta në Shqipëri. Aq me tepër kur për çeshtjen e trasparencës shumica “Berisha-Meta” ka sfiduar jo vetëm opozitën e saj, por edhe Europën dhe SHBA-në.

Prandaj është jetike për ne të zhvillojmë parreshtuar ndërkombëtarizimin, hapjen, oksidentalizmin; është e rëndësishme të mos ngatërrojmë standartet që promovojnë institucionet perëndimore me paaftësinë apo abuzimet e zyrtarëve dhe diplomatëve të veçantë, që dërgohen me shërbim në Shqipëri.

Ka patur dhe ka qasje të gabuara apo të paqëlluara, që vinë nga mungesa e orjentimit të drejtë e të shpejtë të ndonjë diplomati në botën e dinakërive politike të Tiranës.

Mund të ketë, pse jo, diplomatë të korruptuar, që vihen në shërbim të qeverisë për përfitime vetjake dhe familiare. Rëndom, këta janë përjashtime nga rregulli. Abuzojnë me fuqinë e vendit nga kanë ardhur, por në analizë të fundit nuk bëjnë gjë tjetër veçse fusin në kurth kurajon e manipatorëve për të vjedhur akoma me shumë vota.

Gjithsesi, faktori Ndërkombëtar me “N” të madhe përfqëson një realitet politik shumë të gjerë, që përfshin vendet demokratike, forumet dhe organizatat politike perëndimore, lidërit e tyre, drejtuesit e tyre, të dërguarit dhe përfaqësuesit e tyre në Shqipëri.

Këtë realitet kemi parasysh kur flasim për rolin sërish aktiv e të pazevendësueshëm të faktorit perëndimor në Shqipëri. Me këtë vizion, opozita duhet të jetë në vijën e parë të mbështetjes dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët për çdo problem të demokracisë, për çdo detaj të zgjedhjeve.

Në lidhje me zgjedhjet, bashkëpunimi mund të fokusohet në dy drejtime. Së pari, në dokumentimin dhe paraqitjen e përditshme të shkeljeve pranë të gjitha zyrave dhe instancave të angazhuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Së dyti, në njohjen e ndërkombëtarëve me problematikën dhe specifikat e zgjedhjeve shqiptare në vite. Ç’është ky vend që nuk bën dot zgjedhje si fqinjët e vet?

Pse kemi bërë zgjedhje normale në vitin 1992 dhe në vitin 1994 dhe nuk bëmë dot në vitin 2001 apo në vitin 2009? Ambasadorët e huaj ndërrohen çdo tre katër vjet në Shqipëri.

Zyrtarët europianë apo amerikanë të Brukselit dhe Uashingtonit gjithashtu. Është e rëndësishme që rishtarët të njohim mirë ç’ka ndodhur me parë në vendin tonë. Kjo do t’i ndihmonte të bëheshin më të suksesshëm në misionin e tyre.

Në të kundërtën, ata do të rrezikonin tu mbanin iso pa e kuptuar manipulimeve të radhës. Këto ditë, për shembull, në daljet dhe prononcimet e tij për zgjedhjet vendore të 8 majit, ambasadori i SHBA-së, zoti Arvizu, ka folur për zgjedhje me të mira se të kaluarat apo për zgjedhjet më të mira të mundshme.

“Zgjedhjet më të mira se ato të kaluarat” apo “zgjedhjet më të mira të mundshme” janë formulimet që kanë dëmtuar e damkosur zgjedhjet shqiptare nepër vite. Në fakt janë formulat që kanë “liçensuar” manipulimet dhe manipulatorët, pasi nuk ekzistojnë njësi matëse që të tregojnë me vertetësi se këto zgjedhje ishin më të mira se të mëparshmet.

Një sistem spekulativ vlerësimi është i hapur për gënjeshtra. Rëndom, në raportet e OSBE-ODHIR-it zgjedhjet shqiptare vlerësohen më të mira se të mëparshmet, duke ricikluar ndërkohë të njëjtën problematikë dhe duke pranuar me vonesë dhe tallshëm difektet e zgjedhjeve të kaluara. Ironikisht, zgjedhjet shqiptare rrotullohen në rrethin vicioz të “përmirësimeve”, ku çfarë rregullohet sot prishet mot dhe kështu pa fund.

Në raportin e OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet e vitit 2009 janë renditur një për një shkeljet e kartës së Kopenhagenit, duke filluar me përdorimin e administratës nga qeveria e duke përfunduar me njëanshmërinë e thellë të Televizionit Publik në favor të qeverisë. Në të njëjtin raport, vazhguesit kanë nënvizuar faktin e numërimit të keq dhe shumë të keq të votave në një të tretën e qëndrave të numërimit.

Çfarë kuptimi ka në këto kushte premtimi “zgjedhje më të mira se të kaluarat”? Nuk dëshërojmë të bëhëmi cinikë dhe të themi se kësaj radhe votat do të numërohen keq dhe shumë keq vetëm në një të pestën e qendrave të numërimit apo se do të përdoren dy tre herë më pak karta false dhe do të futen në kuti dy tre herë më pak vota fiktive se ato që janë futur në “ruzhdijet” e vitit 2009.

“Zgjedhjet më të mira se ato të kaluarat” duken utopike sa kohë që asnjë prej rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it nuk është reflektuar . Por edhe po të ishin reflektuar 34 rekomandimet në fjalë, “zgjedhjet më të mira se ato të kaluarat” nuk janë zgjedhjet që i duhen Shqipërisë.

As “zgjedhjet më të mira të mundshme”. Ambasadori Arvizu dhe kushdo tjetër me statusin e tij, që “premton” kështu nga dëshira e mirë, duhet të dijë se manipulatorët profesionistë të zgjedhjeve në Shqipëri nuk presim me shumë se kaq, madje presin pikërisht këtë “standard” për të vënë dorë sërish, ashtu siç dinë ata, mbi vullnetin dhe votën e shqiptarëve. Nuk ka dhe nuk mund të këtë një standard shqiptar për zgjedhjet.

Nuk ka asnjë arsye që zgjedhjet shqiptare të krahasohen me vetveten. Nuk ka asnjë arsye që komuniteti ndërkombëtar të ulë “stekën” e standardeve për Shqipërinë. Qeverisë shqiptare, që ka përgjegjesinë e organizimit të zgjedhjeve, i duhet kërkuar qartë dhe pa asnjë ekuviok zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, zgjedhje në respekt të kartës së Konehagenit, zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, zgjedhje të barabarta. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.