Shqip, 07.04.2011
Ndërkombëtarët
Agjencia e lajmeve “Balkan Insight” i referohet një zyrtari të OSBE-së
Zgjedhjet e 8 majit implikojnë edhe prezencën diplomatike perëndimore në Tiranë. Një shkrim i botuar dje në një agjenci lajmesh ndërkombëtare, përkatësisht “Balkan Insight” me autor gazetarin Besar Likmetën, ka tronditur mjedisin e përfaqësive diplomatike në vend. Agjencia e lajmeve “Balkan Insight”, duke cituar një zyrtar të OSBE-së, të cilit i ruan anonimatin, shkruan se presioni ka ardhur nga dy diplomatë perëndimorë të akredituar në Tiranë. “Ata nuk duan që ne të raportojmë çfarë shikojmë”, citohet të ketë thënë vëzhguesi i ODIHR-it. “Ky presion nga ambasadorët për ta ëmbëlsuar atë që do të shkruhet në raport, është argumentuar nga ata si i nevojshëm, me qëllim për të siguruar stabilitetin e vendit”, shkruan “Balkan Insight”.
Gjithashtu, vëzhguesi ka deklaruar se diplomatët perëndimorë në Tiranë besojnë se raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 2009-s ishte shumë negativ, duke i dhënë mundësi opozitës socialiste të drejtën për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve. Giuseppe Milazzo, zëdhënësi i ODIHR-it në Tiranë, i kontaktuar për këtë çështje nga “Top Channel”, dha këtë përgjigje: “Nuk na është bërë absolutisht asnjë lloj presioni nga ndonjë ambasadë, apo dikush tjetër në lidhje me raportin e monitoruesve apo në ndonjë aspekt tjetër të misionit. Duam të theksojmë përsëri paanshmërinë tonë. Për ne vetëm faktet e mbledhura gjatë zgjedhjeve janë themeli metodologjisë së punës”.
Pavarësisht nga garancitë për paanshmëri nga zëdhënësi Giuseppe Milazzo, deklarata e vëzhguesit të ODIHR-it për këtë presion hap edhe njëherë debatin për paanësinë e arbitrave ndërkombëtarë dhe rolin e tyre në certifikimin e zgjedhjeve të 8 majit, duke hedhur hije të forta dyshimi në paanësinë e përpilimit të raportit përfundimtar. Nuk është hera e parë që diplomatët e huaj përfshihen në dyshime për ndikime politike në raportet ndërkombëtare mbi procesin elektoral.
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pati një përplasje të hapur ndërmjet palëve ndërkombëtare, ku misioni afatgjatë i ODIHR-it që drejtohej nga britanikja Audrey Glover, u dublua nga misioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që drejtohej nga deputeti austriak Wolfgang Grosruck, i njohur si mik personal i Kryeministrit Berisha. Z. Grosruck u caktua edhe kryetar i misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-ODIHR-it.