Zgjedhjet dhe problemi i pazgjidhshëm i ekonomisë në krizë

0
43

Nga Shenasi Rama, 12 Mars 2013

Problemi kryesor në këto zgjedhje për parinë e Tiranës është pikërisht ai për të cilin nuk po flet askush. Problemi kryesor është ekonomia. Si edhe e kam pasë parashikuar vitin e kaluar, ekonomia do të bëhet shtjella, gjeratorja që do të përpijë këtë pari sunduese. Do të marrë edhe pak kohë, por nuk do të vonojë të shihet qartë se ekonomia do të jetë pika e tyre më e dobët. A do të jetë shtjellë uji që i merr dhe i nxjerr diku më poshtë lumit dhe ia dalin të mbijetojnë, apo do të jetë një gjeratore flakësh që i djeg si barin e thatë përmes një lufte civile varet nga disa faktorë. Por nuk ka dyshim se edhe pse këta e kanë përgatitur zgjidhjen për ta shtyrë edhe ca kohë pa rrëmuja, sepse janë bërë të gjithë bashkë për të mashtruar popullin shqiptar, nuk do ta kenë të lehtë.

Si është gjendja ekonomike?

Gjendja ekonomike është shumë e keqe, por jo aq e keqe sa do të bëhet së shpejti. Mbas pak kohësh do të shohim se vilat, pishinat, hotelet, investimet, luksi, e moderniteti nuk do të na hyjnë më në punë. Sepse investimet e tilla nuk krijojnë pasuri kombëtare, nuk janë zhvillim por janë para të hedhura në erë. Paria i ka shtyrë njerëzit që të bënin investime të tilla, dhe nuk shkoj asnjëherë me një projekt të qartë investimesh tek emigrantët, tek shqiptarët që krijuan pak pasuri duke kërkuar për ti tërhequr në projekte që do të krijonin punë e stabilitet shoqëror. Ky është një krim i qëllimtë i saj, që përputhet me planet e saj të zbatuara sistematikisht, metodikisht, e pa kurrfarë konsiderate për interesat e kombit.

Deri më tani është krijuar bindja se askush nuk do të ndëshkohet për këtë llahtarë kombëtare që ka ndodhur gjatë tranzicionit sepse deri tani nuk i ka ndodhur gjë njeriu, nuk i ka hyrë një gjemb kujt në këmbë. Nuk janë vrarë politikanë, nuk kanë ndodhur kundërvënie, nuk ka pasur protesta, por ka një rezinjatë të dukshme që i ka inkurajuar prijatarët e parisë dhe të tjerët që të bëjnë çka duan. Mirëpo, kjo e ka një shpjegim. Askush nuk është ndëshkuar sepse nuk ka përfituar vetëm paria. Të gjithë njerëzit kanë qenë duke bërë diçka që iu ka krijuar mendësinë e përmirësimit relative të gjendjes së tyre dhe besojnë se kanë përfituar për vete. Por paria e Tiranës kanë bërë miliarda, e populli ka marrë thërrmija. Kur t’i dalë gjumi popullit, do të ndryshojë loja dhe mandej do të luhet me rregulla të tjera.

Në dukje Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës sillen sikur gjendja ekonomike është jo krejt keq dhe se fajin e ka tjetërkush, kryesisht politikanët e vendeve fqinjë si Greqia dhe Italia. Se ja, thonë këta të dy por edhe analistët e ministrat, edhe pse e kemi ulur normën e interesit shtatë herë rresht këtë here nuk e ulem, d.m.th, gjene (si thonë nga Jugu) kemi besim se do të përmirësohet gjendja shpejt. Ekonominë e kemi të dytën në botë, rritje më të lartë se Kina. Bujqësinë do ta bëjmë dixhitale. Eksportojmë uiski në Francë dhe raki Skrapari në SHBA. Investimet e huaja janë rritur, veçanërisht në përpunimin e plehrave. Vjet kanë hyrë tre milion e gjysmë turistë, edhe pse gjysma kanë ndenjur më pak se 24 orë.

Po të mos ishte kriza greke dhe italiane do të ishim edhe më mire sepse do të kishte punë për fasonët, që vetëm në Tiranë kanë humbur punën nja 10000 vetë e për emigrantët. Kemi arritur të ulim importet e të rrisim eksportet, por nuk themi se ka rënë interesi e fuqia blerëse dhe se shtesat janë minerale e energji, si dhe lëkurë bagëtish që i çojmë jashtë. Kemi investuar ne rrugë e në infrastrukturë por nuk themi se sa qindra miliona dollar janë vjedhur apo kanë pikuar rrugës. Bankat kanë besim tek ne se na dhanë borxh. Do t’i privatizojmë pronat e shtetit se kështu e ka kapitalizmi. Po i legalizojmë edhe apartamentet që të zhvillohet kapitalizmi. Dhe lista e përshkrimeve dhe e sloganeve është shumë e gjatë.

Problemi është se këto justifikime që i shiten popullit për argumente fshehin një realitet të frikshëm për shqiptarët sepse janë një mashtrim i paskrupullt që tenton të fshehë realitetin e frikshëm. Mirëpo pakkush e cek faktin që ky nuk është realiteti ekonomik, por ajo që paria do që të besojnë shqiptarët se është realiteti. Për t’u ndalur në dy aspekte të vetme, ulja e normës së interesit, don me thënë që nuk ka kërkesë dhe që ekonomia është në rënie. Problemi është se nuk funksionon kjo teknikë në një vend ku paratë ende mbahen në qyp si në shtetin shqiptar. Guvernatori bëri një veprim politik për të mos u prishur me Berishën dhe Metën se ndryshe nuk e blinin borxhin e shtetit bankat e nivelit të dytë. Kur shihet zhvlerësimi real i lekut, kuptohet qartë se njerëzit marrin atë që kanë dhënë e ndoshta më pak. Nga ana tjetër, rritja ekonomike është taksimi i një baze më të gjerë biznesesh. Kjo iu desh Berishës për të justifikuar rritjen e borxhit si përqindje e ekonomisë dhe për të rritur taksat se ndryshe falimentonte shteti. Pra, thjesht u formalizua një pjesë e ekonomisë informale. Ja ku është rritja.

Por, sërish kyçi i problemit është mendësia katundare dhe gjendja ku ishim. Kur nisesh nga buka e misrit me dhallë, nga rrobat e arnuara e shiltja e mbushur me pambuk të mykur në dyshemenë me lagështirë, shumë vetëve gjendja e sotme iu duket parajsë. Kjo ndodh sepse injoranca është ekstreme. Edhe pse po hanë grurë të shpëlarë me pesticide, pinë qumësht me helm, flenë mbi materiale kancerogjene, dhe hekuri i shtëpive vjen direkt nga zonat radioaktive, edhe pse po vdesim si minjtë nga kanceri, prapë dëgjojmë të thuhet “mirë jemi desh Zoti”, hamë e pimë e nuk kemi të ngopur. Pritet lopa dhe në bark i gjenden tre kilogram qese plastike të patretura, shishe kimikatesh e me radhë, dhe të gjithë, edhe doktorët, vdesin për të ngrënë paçe me dhjamë të shkrirë me uthull me planc (plëndës) e mish koke. Ky mentaliteti përmblidhet bukur në shprehjen popullore që “hajt ma se një herë do të vdesim, po të paktën të mos vdesim të untë,” ua ka qorruar njerëzve sytë dhe nuk duan që nuk duan të shohin të vërtetën. Atje ku ka rërë, thonë e futi kokën në rërë, këtu tek ne ku ka shkëmbinj, duhet gjetur një metaforë tjetër, ndoshta në llucën bregdetare.

Mirëpo po i afrohemi fazës kur paria duhet të fillojë të hajë popullin dhe këto 23 vjet ne e kemi kuptuar vonë se sa e rëndësishme është kuleta për njerëzit. Ka shumë njerëz që të japin nderin e jetën, por jo kuletën. Paria e ka ditur këtë. paria di këtë dhe i ka prekur njerëzit pa mëshirë në nder e në jetë, por jo aq në kuletë. Nuk i ka prekur deri tani, por tashmë nuk ka rrugë tjetër.

Problemi kryesor pse do të ndodhë kjo është ekonomia, gjendja e krizës ekonomike, një temë që paria e Tiranës nuk e cek, nuk e përmend dhe prandaj duket sikur nuk ekziston. Por, ekonomia është ajo që këta kanë më shumë frikë. Paria e ndjen deri në fund të barkut, ku e ka fshehur frikë, që oligarkitë politike mbijetojnë sa kohë që janë në gjendje të mbajnë në këmbë një ekonomi që rritet. Oligarkitë shemben kur shembet ekonomia. Dhe janë shtatë procese që kanë konverguar për të krijuar këtë gjendje të pakëndshme për parinë e Tiranës që pavarësisht frikës së përsëritjes së një 1997-te të re, përplasja është e pashmangshme.

Shtatë aspekte të krizës ekonomike

Së pari, janë të ardhurat nga emigrantët. Emigrantët dërgojnë shumë më pak para se më përpara. Gjatë disa viteve të kaluara emigrantët, sidomos ata që jetojnë në Europë e në vendet post-osmane, ku vjedhja nga shteti konsiderohet kapitalizëm, si Greqia, investuan gjithçka kishin në shtetin shqiptar. Mirëpo emigrantët po kthehen. Deri tani janë gati mbi gjysmë milioni që janë kthyer, rreth 300000 mijë emigrant sezonalë (që shkonin verës) dhe rreth 228000 emigrantë që kanë ndenjur më shumë se pesë vite në shtete të huaja. Rreth 9000 fëmijë janë riregjistruar në sistemin shkollor në shtetin shqiptar duke krijuar një problem jo të vogël për ekonominë e strukturat. Shumë nga këta do të kërkojnë të bëjnë diçka në profesionet e tyre, por tashmë kemi klube, bare, hotele, motele e restorante sa të duash.

Në ndërtim nuk punon dot njeri se nuk shitet më gjë. Ata po rrinë e hanë kursimet, po edhe sa kohë do të rrinë ashtu e sa kohë do të kenë kursime për të shpenzuar? Edhe shumë të tjerë nga një milion e gjysmë emigrantë që janë rrugëve të botës do durojnë sa të mbarojnë shkollat fëmijët, që shpesh nuk dinë as shqip, e do të kthehen se nuk jetohet më bodrumeve, pa punë, e duke u përndjekur si shqiptarë. Rrethi është i mbyllur, dhe koncepti “se i kemi fabrikat jashtë shtetit” po del gabim e mashtrim. Fabrikat i kanë pasur dhe i kanë të huajt e ne do të kemi krahun e punës, të pambrojtur, të pasiguruar e pa mundësi mbijetese në të ardhmen që e shitëm lirë e për asgjë.

Prandaj, në përgjithësi, emigrantët që kanë sjellë mesatarisht rreth shtatë miliardë dollarë në vit (llogaritur në pesëfishin e parave që sillen me transferta bankare), si përmes ndihmave, investimeve, fitimeve, pensioneve, shpenzimeve në sistem (dasma, dhe raste familjare, etj.) e kanë mbyllur rubinetin. Do rrinë ca kohë urtë ku të jenë dhe pastaj (meqë nuk ka kund shpresë që Italia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar të bëhen më mirë) do të kërkojnë zgjidhje në shtetin shqiptar sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Me një ekonomi europiane në krizë, këta nuk kanë se si të gjejnë zgjidhje tjerakund. Dhe këta i kanë sytë e hapur se kanë parë se ç’është shteti, e dinë se ç’është ekonomia, dhe duhet të bëjnë zgjidhje të vështira për fëmijët e tyre.

Së dyti, të ardhurat nga bizneset e pista që numërohen në miliarda të tjera, kanë ardhur duke u pakësuar. Nga një anë, bizneset e ngritura me paratë e krimit e të poshtërsisë janë konsoliduar dhe tashmë rritja, përpunimi dhe shitja e drogës është një pjesë e fuqishme e ekonomisë shqiptare. Por pjesë e rëndësishme e ekonomisë së nëndheshme dhe kriminale janë edhe trafiqet. Dhe kur flitet për trafiqet, shteti shqiptar njihet si një vend, që prodhon, vend kalimi e transportimi si dhe konsumimi. Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre 23 viteve është e frikshme dhe e llahtarshme. Ndoshta mallkimi që dëgjohet shpesh “ua coftë zoti aty ku u dhemb më fort, tek bijtë e tek fara e keqe e tyre” qe dëgjohet anembanë shtetit shqiptar nuk do te funksionojë, sepse kobrën nuk e mbyt mallkimi i miut të dobët, por kafshimi i mangustës dhe i rrëqebullit.

Por paria e ndjen se ka një mallkim të një lloji tjetër. Tashmë, hajnat, vrasësit, kodoshët e pushtët që sillnin para në Tiranë, ata që majmën parinë, dhe që mbajtën me bukë fise, katunde e lagje të tëra, e kanë ndërruar mendjen. Ata kanë nisur të investojnë jashtë. Ajo që po ndodh është se shumë prej këtyre figurave të errëta e kërmosura të tranzicionit janë duke i pastruar paratë në Tiranë dhe duke i nxjerrë jashtë mbasi paratë i kanë kaluar në shumë banka. Restorant për restorant, më mirë një restorant në Itali se në Tiranë. Shkollë për shkollë, më mirë në Zvicër. Siguri për siguri, më mirë në Republikën Domenikane; aty ka edhe plazhe dhe muzikë për natë. Ikja e kapitalit të kriminalizuar është një problem i madh dhe po bëhet shumë shqetësues për parinë.

Së treti, shteti shqiptar nuk ka më se ç’të shesë. Sali Berisha e mbylli ciklin e shitjes. Natyrisht që mbasi shitën qentë, dhe shkollën e qenve (për arsye të kuptueshme, nuk e shesin dot partinë e zagarëve) do të shesin edhe ajrin, edhe malet, edhe shëndetin e fëmijëve. Do t’i sjellin plehrat nga ku të munden dhe do t’i hedhin ku të munden, në mes të fushës më pjellore do t’i vënë, do të mbysin, do t’i vrasin me ngadalë shqiptarët, vetëm për hir të kuletës së tyre. Por, shteti nuk ka më se ç’të shesë.

Së katërti, shteti shqiptar nuk ka ekonomi prodhuese nga t’i nxjerrë paratë. Bizneset vegjetojnë. Shitblerja ka rënë. Bizneset luftojnë të nxjerrin dhjamin e pleshtit nga blerësit. Një milion shqiptarë janë të papunë. Po t’i lëmë mënjanë statistikat që bëhen gjatë verës kur edhe vjehrrat punësohen si shitëse e kameriere, vetëm një milion shqiptarë janë në punë nga mbi tre milionë vetë që tashmë jetojnë në shtetin shqiptar (përfshirë edhe të kthyerit mbas regjistrimit të popullsisë). Këta të tjerët janë fëmijët dhe një masë e madhe në pension të hershëm, në asistencë, në punë fiktive, shtëpiake dhe ajo me qesharakja e të gjithë kategorive, puna në bujqësi.

Po kujt i del jetesa me bujqësi në shtetin shqiptar? Vetëm një numri të papërfillshëm individësh. Kështu, po t’i bësh llogaritë me kujdes, dhe të thuash se 90 të njerëzve në bujqësi nuk iu del jetesa me punën tyre, edhe pse duket pak e tepërt, të dalin një milion të papunë. Paria nga ana e saj merr katër rroga secili. Janë zyrtarë, janë në borde shteti, kanë bizneset e tyre, dhe thuajse të gjithë janë profesorë të jashtëm që paguhen më mirë se profesorët jashtë vendit. Ky është një dallim që njerëzit nuk e kalojnë lehtë.

Ndryshimi është i thellë edhe tek njerëzit që kanë mbetur me mall stok sepse prisnin që shpërthimi ekonomik nuk do të ndalej ndonjëherë. Ikën ‘kohët e arta’ kur emigrantët vinin e ndërtonin pallate në tre muaj, blinin dy-tre apartamente e mobilonin banjot me rubinete të argjendta e ulëse banjosh të lara me flori. Dhjetëra e dhjetëra miliarda dollarë që hynë në shtetin shqiptar kanë shkuar për limuzina dasmash, për qejfet e syneteve e pagëzimeve, për apartamente që s’kanë ujë e as gropa ujërash të zeza, për pallate maje maleve ku nuk jeton askush, për makina të shtrenjta që nuk i duhen njeriu e që ndryshken në tako. Para të shkuara kot, por që kështu i interesonte parisë sepse tregtitë me shumicë i kontrollonin njerëzit e saj dhe këto para kalonin në duart e saj.

Fajtore për gjendjen është paria e Tiranës, pa asnjë dyshim apo diskutim. Paria e drejtoi procesin në rrugën më të shtrembër të mundshme. Gjermanët shtrënguan rripin dhe për 20 vjet hëngrën lakra e bënë një ekonomi të pakrahasueshme. E njëjta edhe me japonezët apo koreanët. Paritë e këtyre vendeve punuan me plan dhe ndërtuan ekonomi që sot janë konkurruese në të gjithë botën. Paria e Tiranës i shtyri shqiptarët të luajnë hordhëk për 20 e ca vite, dhe tashti po i shtyn dalë e ngadalë tek fasulja, lakra e tek bukë e djathë e mollatarta. A bënë ndonjë investim? A bënë ndonjë fabrikë? A hapën vende punë?

Asgjë për të justifikuar sjelljen e qëndrimin e tyre në politikë. Sjellje e tyre simbas parimit “haja qenit, pija qenit, hajt t’i bijmë karadyzenit” që u modifikua me parimin “çdo shqiptar le të luajë kumar” që kulmoi në kohën kur Fatos Nano ishte kryekumarxhiu e kryeministri i vendit, nuk u ndryshua. Ne vazhduam të njëjtën gjë edhe në periudhën e rikthimit të Berishës që luan fall me të gjithë, dhe e zgjeruam gamën e qejfeve duke e hapur lojën gjithkund. Mirëpo, ne nuk prodhojmë shumëçka, por importojmë gjithçka, përfshirë këtu ujë, qepë, grurë, e mollatarta. E vetmja gjë që na duhet e që nuk e importojmë dot janë politikanët e burrat e shtetit që dinë, që kanë burrninë e duhur e që duan t’i thonë popullit të drejtën e të vërtetën sepse këta që na dunsojnë luajnë lojëra “hap e mbyll sytë” apo kukamçefthi.

Së pesti, paria e Tiranës e di se nuk mundet me marrë më borxhe. E para kush do t’i japë borxh? E dyta si do t’i lajë borxhet? Kështu si janë punët shteti shqiptar duhet të paguajë 500 milionë dollarë borxh interes në vit. Nga do të dalin këto para? Paria mendon se iu ka hedhur shqiptarëve trutë e budallait duke thënë se “Tito e ka lënë amanet që merrni borxh se borxhi nuk lahet kurrë.” Argumenti tjetër është se Gjermania ka 300 përqind të GPD-se borxh. Po a mendon ai njeriu që rri në klub gjithë ditën se gjermani punon gjithë ditën? Po ashtu paria i mëshon mendësisë katundare duke i shtyrë njerëzit të mendojnë se borxhi nuk është i tyre por i shtetit. Po shteti i kujt është? Nga do t’i marrë paratë për t’i paguar borxhet? Shtetasit të vet do ja marrë. Të huajt nuk sjellin më ndihma, nuk japin më borxhe, nuk kanë kohë të merren me shqiptarët se kanë hallet e tyre. Do të kullandrisemi me dhjamin tonë, mirëpo, ky është fillimi i kanibalizmit ekonomik, sepse do të fillojmë të hamë njëri-tjetrin dhe pasurinë e njëri-tjetrit.

Së gjashti, skemat piramidale po shpërthejnë dhe paria nuk di si ti kontrollojë si për shembull në edukim e në ndërtim. Nuk është puna tek Shemsie Kadria që u kthye dhe gjeti aq budallenj sa t’u merrte 200 milionë lekë dhe u zhduk. Problemi është tek piramidat financiare si kjo e arsimit të lartë. Të gjithë janë studentë, të gjithë kanë dy-tre diploma, por punë nuk ka as për pastruese, vecse në të marrtë daja në punë. Paria është tallur sa ka mundur me të gjithë shqiptarët. Tashti ç’do të bëjë me këtë rini që nuk don të punojë tokën e gjyshit sepse ka një copë letër që thotë se është i diplomuar universitar? Edhe sa kohë do ta mbajë familja? A do të bëhet krah punë në mërgim diku? Parisë nuk i intereson. Ajo ndau copa letrash dhe njerëzit i blenë si frëngu pulën; edhe pse frëngu e hëngri pulën, ne nuk i hamë dot letrat e diplomat për të cilat kemi paguar aq shume e aq shtrenjte. E njëjta gjë edhe në ndërtim e në fusha të tjera.

Së shtati, sistemi ekonomik është i ndërtuar i gjithi mbi shkëmbimin e sendeve. Bankat nuk hyjnë shumë në mes, sepse punët bëhen me clearing. Dhe shteti nuk i ka paguar investitorët privatë, por iu që të paguajnë taksat paraprakisht. Shteti iu ka borxh dikund rreth 200 milionë euro privatëve që tashti duhet të hapin qesen edhe një herë për situatën e për partinë. Problemi është që të qenë në rregull duhet t’iu japin të dy palëve, e sa duan të dy palët. Kush mund të investojë diku tjetër kur nuk mund t’i shesë apartamentet qe numërohen me mijëra e që janë të pahipotekuara e të legalizuara? Kush don të investojë në një vend ku të gjithë duan të bëhen miliarderë brenda natës? Pak nga borxhet, pak nga pasiguria, pak nga parapritja se do të ketë sherr, biznesi është tërësisht i paralizuar. Ato degë që janë të suksesshme si mineralet e fasoneria, po e ndjejnë peshën e krizës dhe do të ndjejnë edhe më shumë.

Si do të bëhet kriza një problem i pazgjidhshëm

Këtu duhet theksuar se paria e Tiranës e ka të pamundur që të ruajë qetësinë publike dhe t’i bindë shqiptarët se kriza është e përhershme, që do të bëhen gjërat keq e më keq, dhe se nuk ka shpresë kund. Shumë e shpenzimeve që duhet të përballojë shteti është marramendëse dhe nuk ka asnjë mënyrë të arsyeshme, që pa një mrekulli ekonomike, që nuk pritet që të ndodhë, do të gjenden paratë. Shteti shqiptar duhet të paguajë 107,000 buxhetore, 560,000 pensionistë, 117,000 familje që marrin asistencë sociale, të ketë para për të mirëmbajtur infrastrukturën dhe për të gjithë shpenzimet e tjera, dhe përmbi këto i duhen edhe 550 milionë dollarë në vit për interesat e borxhit.

Nga do të dalin paratë? Një rrugë e shpejtë është legalizimi i pronave, ndërtesave, banesave, apartamenteve dhe përveç taksës së hipotekimit do të mblidhet edhe një taksë modeste vjetore përmbi çdo metër katror mbi 48 metrat e një dhome e kuzhinë për një familje me tre vetë e mbi 60 metra katrore për një familje me katër veta. Taksa do të jetë e dyfishuar për shtëpitë e dyta, e trefishuar për shtëpitë e treta, nëse nuk janë të dhëna me qira. Përveç taksave mbi pronën, do të mblidhen taksa shtesë mbi bizneset, dyqanet, makinat e aparaturat e luksit, do të rritet taksa mbi telefonat, shteti do të vendosë tarifa mbi të gjithë shërbimet që ofron që nga një pullë në gjendjen civile tek pasaporta.

Mirëpo paradoksi është që paria do të bëjë gjithçka për të dalë nga kriza, por nuk të përfshijë veten. Ata do të paguajnë taksat që nuk kurrgjë në lidhje me pasuritë që kanë, do të sillen si qytetarët e tjerë por nuk do tregojnë pasuritë e plota, do ti fshehin, do t’i investojnë paratë tjerakund dhe kur të vijë puna tek taksimi, të gjithë do të jenë më të varfër se apo shitësi i këpucëve tek Gabi. Po ashtu, duke qenë që këta punojnë bashkë, por nuk ia kanë besën njëri-tjetrit, do të përpiqen të minojnë njëri-tjetrin dhe të ruajnë klanet e veta. Pavarësisht se nga vjen, nga lart, nga poshtë, nga pakënaqësia e shtresës së mesme, e profesionistëve, e studentëve, e të papunëve, e emigrantëve, e kujtdo tjetër, shtysa për ngatërresë është e pashmangshme. Dhe përpjekja e strukturave lokale të partive për t’i vjedhur votat do të jetë një shkëndijë që nuk do të shuhet lehtë.

Në vend të përfundimit

Në përfundim, kjo është gjendja simbas mendimit tim dhe kjo gjendje do të bëhet më e dukshme sa më shumë i afrohemi fushatës që do të jetë shumë e egër dhe e ndezur. Pavarësisht se paria e Tiranës po mundohet ta kalojë fushatën zgjedhore me sherre personale, me shashka mediatike, me sulme dytësore, duke mos prekur problemet e vërteta ekonomike, ajo nuk do të mundet që të fshehë problemin e madh me të cilin do të duhet të përballet mbas 23 Qershorit. Problemi kryesor i parisë së Tiranës është ekonomia. Shteti e ka arkën bosh. Emigrantët nuk sjellin më para. Nuk ka investime të huaja. Shteti nuk ka mundësi të marrë më borxh e të paguajë borxhet që ka. Shqiptarët nuk e kanë kuptuar se kur luan në kazino, fiton vetëm pronari i kazinosë. Dhe kur luan me jetën e fëmijëve tuaj, ai që fiton është paria. Nuk të bën skllav vetëm buka e gojës, edhe qejfi yt të bën skllav të parisë, e jo vetëm ty, por edhe fëmijët e tu.

Ky është problemi i vërtetë i shqiptarëve. Problem urgjent i parisë është se shqiptarët nuk merren vesh. Ata rrinë e rrinë urtë, por mandej e përmbysin tryezën dhe kur të fillojë sherri, do të jetë një përplasje e të gjithëve kundër të gjithëve. Pra, problemi që e tremb parinë nuk është më as problem politik e as problem ekonomik, por është një problem automatik, si në vitin 1997. Prandaj i sillet rrotull, prandaj do të bëjë marrëveshje, prandaj do të mundohet t’i mbyllë sherret shpejt e shpejt, sepse po i u doli gjumi njerëzve, dhe po e kuptuan se çfarë iu ka ndodhur, nuk dihet ç’ndodh. Urrejtja është e verbër dhe ata dikë do ta vënë në shënjestër të pamundësisë e të dështimit të tyre.

http://www.facebook.com/shenasi.rama