Zgjedhje të reja apo drejt vetëshpartallimit!

0
48

Shpëtim Nazarko

Shpëtim Nazarko, 11.07.2010

Kjo minianalizë faktikisht ishte duke u shkruar, kur FMN po debatonte me ekspertët e dy palëve për gjendjen ekonomike. Ekspertët e huaj mendojnë se nëse e teprojmë dhe nuk marrim masa urgjente, do të kemi fatin e Greqisë. Megjithë respektin për ta, mendoj se i ngjajnë doktorëve që konstatojnë një problem të caktuar, por janë larg asaj që quhet patollogji e tij. Besoj që kriza jonë nuk është shumë e ngjashme me Greqinë. Nëse grekët do të dënohen përgjithësisht për megallomaninë e treguar në vite dhe gënjeshtrat me shifrat, problemi jonë është shumë më i rëndë.

Te ne ka rënë sistemi logjik që çon përpara një vend në aspektin ekonomik. Nuk është e vështirë të shohësh gjendjen njëzetë vjet pas rënies së komunizmit. Një vend që ka shfarosur pyjet, ka asgjësuar tokën bujqësore, e që nuk i kuptoi asnjëherë prioritetet e tij natyrale, nuk mund të mos ketë veçse fundin logjik që po vjen. Përfytyroni një fëmijë dhjetëvjeçar, të cilit i vihet përpara harta e Shqipërisë dhe i thuhet si do ta mbushë me rrugë hartën e vendit të tij. Me sigurinë matematike do të zgjedhë “ta çajë” vendin e tij nga pjesa më e shkurtër, pra Lindje -Perëndim dhe jo Veri-Jug.

Jo vetëm se është pjesa më e shkurtër, dhe se i nisur nga Durrësi a nga Vlora shkon për gjysmë ore në qendrën e Shqipërisë, por dhe për arsye të tjera që duken të karakterit elementar. Së pari vë menjëherë në funksion portet themelore të Shqipërisë, nga ku kostot e mallrave janë më të vogla. Respekti ndaj kësaj teze është i lidhur dhe me ca faktorë akoma më të rëndësishëm. Janë portet apo minierat që ndërtojnë rrugët dhe jo e anasjellta. Këtë të vërtetë elementare e dinte dhe komunisti Hoxha, cili megjithë çmendurinë e tij, ndërtoi në Elbasan jo vetëm magazinat qendrore të shtetit, por dhe veprën më të rëndësishme të tij.

Kjo përzgjedhje për të respektuar baraz-largësinë e transportit nga të gjitha pikat e vendit. Natyrisht një zgjedhje për të çarë vendin Lindje-Perëndim, të fut shumë më shpejt në autostradat europiane, ndjek dhe realizon gjurmët e korridorit tetë dhe lidh kombin shqiptar në tre pjesët e tij Shqipëri-Maqedoni-Kosovë. Plaku Pacolli që padyshim është nga mendjet më brilante të kombit në kuptimin e ekonomisë, duke dëgjuar arsyetimin e mësipërm, më tha me qetësi se ky gabim ende mund të korrigjohesh nëse autostrada Durrës-Kukës do të shkonte deri në Prizren dhe pastaj drejt Shkupit për të respektuar lidhjen e mësipërme dhe për të mos qenë asnjëherë nën mëshirën e Serbisë.

Po nëse resursi i parë kombëtar u hodh në erë me gjakftohtësi të lemerishme, ai që lidhet me bujqësinë është akoma më kriminal. Për ti rënë shkurt; përfytyroni një vend i cili ka një sektor që i jep më shumë se njëzet për qind të prodhimit të tij dhe nuk merr asgjë për këtë shërbim. Mjafton të pohosh se kredia për bujqësinë zë më pak se një për qind, për të kuptuar se këtu i kanë punët pak më keq sa duhet me logjikën minimale që karakterizon qenien njerëzore.

Në minializë pohohet se janë zgjedhjet ato që mund të ndryshojnë tabllonë. Kjo të çon në idenë se shkrimi i shërben të majtëve, që në këto kohë kërkojnë as më pak e as më shumë nëpërmjet kutive, pikërisht zgjedhjet e parakohshme. Nuk di ndonjë zgjidhje, e cila nuk kalon nëpërmjet rrugëve politike andaj pohoj zgjedhjet. Ndërkaq në shpirt jam i bindur se vendi kërkon pikësëpari një analizë të thellë botëkuptimore dhe jo mbështetje në të dhëna apo filozofi ministrash finance, që ti shash apo lavdërosh, nuk bën gjë tjetër veçse shan a lavdëron një tagrambledhës dhe aq. Po le të kthehemi në aktualitetin e temës.

Kur analistë të ndryshëm më thoshin çdo të ngjasë me grevën e urisë, a do të lëshonte Berisha apo do të vazhdonte si gjithmonë në kokëfortësinë e tij, unë përgjigjesha thjesht. I vetmi njeri që është i interesuar që greva të dalë me sukses është vetë Berisha. Bile dhe sikur grevistët të iknin vetë, do t’i ndiqte ai nga pas. Duke më buzëqeshur apo përqeshur, kërkonin nganjëherë dhe arsyen e këtij përfundimi. E thjeshtë- u thosha; Qeveria nuk ka para, bizneset janë në kolaps dhe të ndërtuara keq e nuk kemi ku të mbytemi!.

Këtë skenë që po kërkoja ta shihja te reagimi i Berishës e kam parë në mënyrë analoge 20 vjet më parë. I mbetur pa para, i detyruar të blinte dy vitet e fundit me florinj në dorë, plaku Alia po vinte vërdallë të gjente rrugën e shpëtimit dhe e gjeti. Ftoi dhe legalizoi opozitën dhe pastaj u përzie me turmën për të shijuar pleqërinë. Në të vërtetë komunisti plak për mendjen time është i vetmi politikan profesionist që ka pasur vendi, por i paaftë në ekonomi dhe po ashtu rob i një sistemi të dështuar. Natyrisht Berisha nuk e ka talentin politik të Alisë, por si pasionant i historisë, e di shumë mirë se nuk duhet tejkaluar kufiri që ndan nga gremina.

Greva mbaroi. Berisha nuk e vrau mendjen për rekomandimet e dhëna te “Krokodili” dhe vazhdon të udhëheqë duke prerë shirita rrugësh andej-këndej. Asgjë nuk ka ndodhur, bile ndonjëherë ai përsërit si me të qeshur se do të rrijë dhe nja tridhjetë vjet. Etj. etj.

A është kjo sjellje shenjë e kokëfortësisë së tij dhe ne vërtet do të hiqemi zvarrë dhe nja tre vjet të tjera në ciklin tonë tragji-komik të njëzetë viteve të fundit? Mundet thonë shpesh. Përderisa ja u hodhëm ngjarjeve të 97-s nuk ka arsye të trembemi. Fundja kësaj radhe nuk do të humbim paratë e qytetarëve dhe rreziku duket fare i vogël. Ka disa arsye të thella që më bëjnë të mendoj se Berisha ka njërin vesh te Europa dhe njërin vesh te Ritvani dhe vazhdoj të besoj se këtë vjeshtë do të dalë jo me ndonjë dëshirë të veçantë të na komunikojë zgjedhjet e reja.

Kriza e tanishme është shumë më e rëndë se 97-s. Nëse atëherë do të hidhnim në erë paratë e qytetarëve apo një industri kioskash, tani gjërat janë ndryshe. Kemi të bëjmë me biznese që kanë investuar në dhjetëra milionë euro. Do të mjaftonte shifra e parave marrë borxh prej tyre në banka për pesë vitet e fundit ( rreth 4 miliardë dollarë ) për të kuptuar çdo të thotë kësaj radhe falimentim i biznesit.

Shikoni kreditë e këqija që janë në progres dhe shumë më tepër se deklarohen zyrtarisht, për të kuptuar se si venë punët me taksat në drejtim të Qeverisë. Do të mjaftonte vetëm fakti që për dy vitet e fundit, ajo ka ndërruar gati tridhjetë herë ligjet për to, për të kuptuar se thesi i saj prapë nuk mbushet me asgjë. Fakti që depozitat janë rritur dhe kreditë pakësohen tregon shumë mirë se bankat e kanë ndjerë rrezikun dhe nuk duan të bëjnë gabimet e të kaluarës. Kanë vendosur t’i japin para vetëm Qeverisë, një justifikim fenomenal ky sido që të jetë fati i tyre nesër. Duke nxitur gojët e liga se kësaj radhe rolin e Alimucës do ta bëjë vetë Qeveria.

Po mund të gjykosh akoma më banalisht. Ku ta gjejmë euron fizikisht? E ardhur nga refugjatët apo nga eksportet, ajo po bëhet dhe do bëhet mall tmerrësisht i rrallë. Refugjatët po bien gjithnjë e më pak dhe na mbeten eksportet. Megjithëse në raport të tmerrshëm me importet, ato duken mirë thotë Qeveria. Po çfarë eksportojmë? Energji dhe minerale. Tëpkë si në kohën e shokut Enver. Vetëm se në një pikë gënjejmë veten. Nëse në një krah shesim energji, në krahun tjetër e blejmë atë. Do të çuditesha shumë nëse Qeveria na sjell më shumë euro sesa na merr OSSH për të blerë jashtë me eurot që merr në tregun tonë. Çudi se do më dukeshin blerës budallenj këta të OSSH, nëse blinim më shtrenjtë jashtë dhe nuk blinin atë që shet Qeveria jonë po jashtë.

Në tërë këtë fatkeqësi që po na pllakos te dera, gojët e liga thonë që Qeverisë vitin tjetër i duhen dhe një miliardë dollarë për të paguar jashtë interesa borxhi. Një zot e di ku do ti gjejë, ne s’kemi më gjë për të shitur. Atyre që u shitëm telefoninë dhe energjinë vijnë vërdallë për të marrë eurot e refugjatëve tanë ditëzezë, që po vijnë gjithnjë e më pak. Vijnë akoma vërdallë për të çuar nja dhjetë për qind të fitimeve të ardhura nga taksa e sheshtë në formë eurosh dhe jo lekësh shqiptarë. Një akt kriminal ky që ka stimuluar vetëm dembelizmin administrativ, duke pakësuar papushim sasinë e eurove në qarkullim.

Një gjykim i rëndë që mbështetet në analizën e thjeshtë se taksa e sheshtë i shërben vendeve që kanë industri kombëtare, forcë të kualifikuar pune, që duhet shtuar dhe jo vendeve që kanë shërbime në shumicën e rasteve të një natyre tregtare e që nuk shton vende pune.

Një mik analist ekonomie, më tha se nga korrigjimi i një çmendurie të tillë, që lejon të fluturojnë jashtë më shumë se treqind milionë euro në vit, do të lejonte fare qartë sigurimin e pensioneve.

Do të marrim borxh prapë thotë dikush. Duhet t’i gjejmë eurot borxh, por jashtë – thotë Guvernatori i Bankës. Po dhe sikur të thotë të marrim këtu, nuk ka ku t’i gjejë më. Patjetër do kërkojmë të injektojmë nja njëmiliardë e gjysmë nga jashtë, thotë Ministri i Financave. Përkundrejt çfarë garancive. Një zot e di! A mundet që në këtë situatë pa shpëtim që Berisha të luajë kundër Europës dhe kundër ekonomisë së vendit të tij? A mund të vëmë në dyert e saj, ashtu si Greqia, kur nuk e dëgjojmë për krizën dhe kur akoma më shumë mburremi poshtë e përpjetë se jemi shkëlqyeshëm me ekonominë. Çdo të na thotë borgjezi europian ditën kur të vemi t’i lypim në derë?

Thua që Berisha nuk e kupton këtë të vërtetë të thjeshtë. Nuk hyj në njerëzit që e marr për të paaftë apo pa kulturë. Gjithsesi Plaku Balzak thotë se në të gjitha rastet, ajo që mbizotëron te njerëzia është instikti i vetëmbrojtjes apo ndryshe interesi personal. Nuk besoj që Berisha t’i djegë kartat deri në fund. Një rënie e tmerrshme do ta humbte njëherë e përgjithmonë atë dhe lidhjet me krijesën e tij, PD. E përbërë nga grupe që tanimë nuk janë ata të 96-s, po me para të mëdha në duar, ata duartrokasin për të ashtu si komunistët e vjetër dhjetë vjetët e fundit për Hoxhën.

Po i çoi në humbje të sikletshme, nuk do t’i kthejnë kohën për asgjë, siç është rregulli i vjetër i përjetshëm dhe i pashkruar. Po nëse Berisha shkon në zgjedhje normale, duke i rregulluar punët me Europën dhe pa plasur sheshit kriza e llahtarshme ekonomike, atëherë dhe nëse humb mund të rrijë dy a tre vjet në korridoret e PD-së me influencën normale, e cila në fund e lejon të përzihet ashtu si plaku Alia me turmën e njerëzisë.

Shumica besojnë se do të vejë me kokëfortësi drejt fundit. Unë besoj se pasi të vijë vërdallë e të pranojë komisionin hetimor do t’i prishë edhe njëherë rregullat e lojës, por kësaj radhe duke thënë. Jo unë nuk dal kundër vendimit të gjykatave, andaj ju ftoj në zgjedhje të reja! Kur do ta bëjë këtë?

Mendoj se po e kaloi vjeshtën e këtij viti, ngjarjet nuk i ka më në dorë as ai dhe as Europa, po vetë Perëndia. Në këtë rast duhet të mallkojmë fatin e zi dhe njëherë bashkë me Berishën.