Zgjedhje mes partish të majta në një Demokraci dhe Liri të Asfiksuar

0
29

Romeo Gurakuqi
Instituti i Historisë Bashkëkohore, UET

Një betejë mes partish thelbësisht të majta, do ta konsideroja betejen më të fundit elektorale për 23 qershorin 2013. Forcat liberale, demokratike, proeuropiane dhe jokomuniste, janë të papërfaqësuara, munguese, të dobëta, të dëmtuara dhe të asfiksuara, pa qenë në gjendje të ndërtojnë një alternativë në përkrahje të interesave të qytetarit, të tillë që do të demaskonte këtë përplasje të këtyre dy blloqeve me përmbajtje shumë të ndërlikuar sociale, politike, ideologjike, kulturore e krahinariste. Hapësira e lirisë, e ripërtëritjes qytetare, e kulturës demokratike perëndimore dhe e ndërlidhjes me shtyllat politike të Shqipërisë para diktatoriale, ka qenë aq e ngushtë dhe aq e kontrolluar, sa nuk mundësoi dot lindjen e një Shqipërie të Re të qytetarëve, që autokorigjon të keqen dhe hap rrugën e progresit. Kjo hapësirë e lirisë ka qenë e tillë sa nuk lejoi lindjen e të paktën një partie politike me thelb jo komunist dhe me frymëzim të pastër liberal dhe demokratik.

Tatëpjetë dhe Rimarrje

Ekziston frika se pas tatëpjetës së Shtetit demokratik do të pasojë revanshi punist, që në vend të përpjekjes për rotacion demokratik dhe shërim funksional të institucioneve, të rizgjimit të lirisë, jetës demokratike, ringjalljes së ekonomisë, ka konceptuar në zemren e vet të etur për pushtet, një rimarrje pa ide, pa shpirt dhe pa koncept skemash shëruese.

22 vite nuk mjaftuan që Shqipëria të prodhonte një Shtet të konsoliduar, me një demokraci funksionale dhe me mekanizëm të përshtatshëm që të siguronte rrjedhën e sigurtë të lirisë. Shqipëria është një vend në të cilin diktatura shterpëzoi për 50 vite idetë racionale që mbajnë të bashkuar një komb: patriotizmin e bazuar në lirinë e pluralizmin politik dhe ideologjik, përkatësinë në një shtet me institucione të përbashkëta laike dhe shekullare, marrëveshjen tonë shoqërore dhe komunitare, mbi bazën e së cilës etërit e kombit themeluan këtë vend, në pikpamje filozofike dhe juridike; lirinë personale dhe kombëtare dhe kulturën demokratike. Por ky vend, edhe në këto dy dekada tranzicion, nuk e pati dot forcën korigjuese për të shëruar dëmtimin e djeshëm, për të orientuar filozofinë drejtuese drejt europianizimit të mirëfilltë dhe për të mbrojtur Shtetin dhe Shoqërinë. Kësisoj Shqipëria gjendet me dhjetra vite mbrapa Europës Perëndimore, Qendrore e madje edhe vendeve të Europës Lindore postkomuniste.

Vetë Liria, Stabiliteti Demokratik, Stabiliteti i Shtetit gjenden të rrezikuara, për shkak se protagonistët e politikës shqiptare, para së gjithash dy partitë kryesore politike të prejardhura nga PPSH, pasi shkatërruan çdo ringritje demokratike jokomuniste, nuk ndërtuan dot një tërësi interesash të përbashkëta nacionale dhe shtetërore të pacenueshme të Shqipërisë së re. Ata po e plaçkisin prej dekadash materialisht shtetin dhe pasurinë shoqërore, po dëmtojnë shtyllat bazore juridike të mbajtjes në këmbë të Kushtututes, kanë asfiksuar lirinë, dhunuar pronën private, çoroditur të drejtën, duke lënë të pambrojtur qytetarin e thjeshtë para krimit të rrugës. Aktualisht ata po përgatiten për një betejë finale, në mendjen e tyre, për jetë apo vdekje, që mund të çojë vendin në një anarki totale me pasoja të pariparueshme. Një skenar i kobshëm ky mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Është vetëm beteja mes falangave të vjetra dhe të reja të komunizmit dhe nënprodukteve të tij ilegale të tranzicionit, për mbisundimin e radhës në Shqipërinë e mjeruar, por që këtë radhë e kanë përnjimend dëmtimin e Shtetit.

Racionalitieti i munguar dhe mungesa e përgjegjshmërisë ndaj shtetit, qendresa irracionale për të mbajtë me çdo kusht pushtet e etja për revansh, inati primitiv krahinarist dhe qasja e zgjedhur per t’iu përgjigjur diletantizmit pozitarë me papjekuri revanshiste e po aq diletante opozitare, janë dy anë të së njejtës medalje, bashkudhëtare të përpjekjes andidemokratike për qendresë dhe rimarrje anarkiste që ndërron vend herë pas here. Ajo përplasje po fut në qorrsokaqet e absurdit, institucionet e pavarura dhe po kontribuon, përveç se në prishjen e procesit zgjedhor, edhe në shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë dhe kthimin mbrapa të atyre pak privilegjeve që qytetari i thjeshtë shqiptar përfitoi në kohët e fundit nga drita e gjelbërt që i hapi Europa vullnetmirë, me mbështetjen e fuqishme të ShBA për lirinë e popullit shqiptar.

Pararësisht nga vetë-etiketimi si parti e djathtë, partia e pushtetit të sotëm nuk arriti dot të shkojë dot as në qendër nga e majta e saj thelbësore e fillesës, nuk arriti as të ripërtërijë në boshtin e saj orientues, filozofinë politike dhe sjelljen publike të promovuar nga etërit e liberal demokracisë shqiptare: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Sulejman Delvina, Xhemal Bushati, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Lef Nosi, Shuk Gurakuqi, Kolë Tromara, Dhimitër Berati, Avni Rustemi, Ahmet Dakli, Dr. Sezai Çomo, Sait Qemali, Koço Gramenon etj., nuk arriti të respektojë paritë e formueme qytetare dhe intelektuale. Disa burime njërëzore jo komuniste në gjirin e vet dhe disa reforma politike në të mirë të shtresës të të përsekutuarve politikë dhe shoqërisë së traditës shqiptare të palidhur me diktaturen, kanë qenë të pamjaftueshme për ta zhvendosun atë drejt një impostimi të qendrueshëm në qender dhe në qendren e djathtë. Vuajtjet e sotme janë produkt pikërisht i mungesës së kësaj filozofie drejtuese politike që ka prodhuar vetëm sjellje të padenja për demokracinë qytetare, dhunim të pushteteve të pavaruna dhe goditje për Shtetin e Lirë.

Në qoftë se deri me datën 1 prill 2013, opozita mbarte në vetvete elemente idealiste për Rilindje të mirëfilltë të Shtetit, Ligjit, Rendit e Lirisë dhe përpjekja ngjante më shumë me një rotacion normal, bashkësia themelore e tempit ishte rinia idealiste që synon demokratizim të mirëfilltë, pas bashkimit me partinë e pardjeshme të pushtetit, koalicioni mori tipare revanshiste dhe bashkësia ka marrë tjetër temp dhe theks. Forcën e morën ish servitorët e bllokmenëve, adhurues të hapur dhe të fshehur të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë dhe figurave të ditës së djeshme të Shqipërisë; një pjesë e klasës intelektuale e prodhuar nën regjimin e sipërmendur, kanë lënë menjanë “maturinë analitike” të përiudhës së qeverisjes së përbashkët në mes PD dhe LSI, dhe janë kthyer në tifozllekun e hapur për trashëgimtarët e Ancient Regime dhe në thirrje për rimarrje.

Intelektualët simpatizantë kanë humbur barazpeshën dhe kthjelltësinë për gjykim të drejtë e të paanshëm të realitetit të mjeruar të vendit tonë sot, kanë humbur guximin elementar edhe për të pyetur në intervista liderin e së majtës (skena që ishim mësuar t’i shihnim vetëm nga pushteti), duke manipuluar dhe “gjetur arsye” për çdo gjë të paarsyeshme dhe jo të moralshme në pikpamje politike. Në këtë revansh nuk mund të mos mungonin ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët shpejtuan të hyjnë serish në listat zgjedhore.

Në fund të rreshtimit gjenden edhe militantët fanatikë dhe shtresat e vorfna, që vihen në rresht, thjesht prej padijes e pasigurisë për të ardhmen e tyre. Forcat liberale, demokratike dhe mirëfilli socialiste brenda së Majtës, që mendonin një Rilindje të vërtetë të Shtetit, të Lirisë dhe Demokracisë, të rinjtë e lirë të Shqipërisë së sotme, ose janë margjinalizuar dhe lënë mënjanë, ose i ka marrë turma përpara dhe shkrirë brenda zjarrit euforik dhe entuziast të koalicionit të sajuar me shpejtësi me 1 prill 2013. Dhe ky koalicion ideologjiko- materialist, harron se me 24 qershor edhe mund të zhgënjehet prej forcës së një pushteti qendrestar, indiferentizmit të një elektorati të lodhur tejmase dhe një procesi zgjedhor që mund të rezultojë një dështim spektakolar i radhës për Shqipërinë.

Entuziazmi i mobilizmit në opozitë për fillimin e një “epoke të re” po vepron e ndihmon (në vend që opozita të kryejë të kundërtën çfarë ajo vetë e konsideron negative) në sensin e shkatërrimit të legjitimitetit institucional, kundrejt respektimit të interesave të qytetarëve të thjeshtë dhe të heshtur, që përbëjnë, sipas statistikave të paanshme, gati gjysmën e elektoratit shqiptar.

Dizbalanca institucionale nuk korigjohet duke ndihmuar në thellimin e asaj rruge të nisur nga pozita dhe me goditjen vdekjeprurese ndaj vetë institucioneve, por në shembullin e qasjen korigjuese. Dizbalancës dhe dëmtimit institucional të Republikës, etja për revansh, i është përgjigjur jo me ndërtim dhe bashkëveprim patriotik, por me meskinitet, pa asnjë plan shërues të institucioneve, pa një ekip intelektualësh të mirëfilltë dhe jo të stisur e të bazuar në forcën e muskujve, veç me fjalë të përgjithshme që genjejnë vetëm pjesën e paftilluar të shoqërisë së traumatizuar shqiptare, duke kontribuar kësisoj në shkatërrimin edhe të asaj çfarë ka mbetur nga institucionet e një shteti demokratik dhe prej aspiratës për liri të mirëfilltë.

Në qoftë se do të duhej të përkufizohej sjellja politike e opozitës shqiptare, në kaosin e krijuar në Republikë nga prilli e këndej së paku, do më duhet të përcaktoja se ajo sjellje është e privuar në thelbin praktik nga filozofia liberal-demokratike, nga hapja e saj ndaj shoqërisë civile, intelektualëve, njimendësisht ndaj ish të persekutuarve, grupeve të caktuara sociale dhe krahinore dhe nga qasja e ndërtimit të një shteti të përkujdesit social e të balancuar krahinarisht. Kjo sepse filozofia liberale dhe sjellja demokratike janë munguese, sjellja sociale e qeverisë së neserme e pasaktësuar, kujdesi për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë është zëvendësuar me një kujdes për aleancë me pasanikët e rinjë parazitarë dhe jo transparentë; qasja e opozitës është e mbarsur me një potencial anarkist rimarrjeje, udhërrëfyer nga një diletantizem fëminor të rinjsh entuziastë që kërkojnë të rehabilitojnë hipotetikisht pararëndesit e dhunshëm, mungesë llogaritjeje taktike dhe një mobilizim tipik militant partizan:

1. Opozita nuk ka propozuar ende asnjë platformë shkencërisht të menduar, për të rregulluar Shtetin, institucionet, për të krijuar një drejtqeverisje me pushtet Sovran, një drejtësi të përshtatur dhe përafruar me ligjin, por veç ka folur përçart, pa skema sistemuese të bazuara në logjikën e rrjedhave politike e institucionale të vendit dhe mbi një teori të pranueshme nga profesionistët. Vetë programi i Rilindjes është një amalgamë inkoherente që nuk sheron asgjë, është i mbushur me përshkrime të sipërfaqshme dhe i privuar nga analizat e thelluara të sistemit.

2. Se sa diletante janë sloganet e përdorura, mjafton të kujtojmë propozimin për ndarjen e postit të deputetit me atë të anëtarit të ekzekutivit. Opozita duhet të kuptojë se ndarja e pushteteve është produkt jo i nismave individuale dhe pjesore partiake për sistemimin e tërësisë së burimeve njërezore kontributore të saj nesër në pushtet, por për shkak se kjo ndarje e qartë është kushti themelor që një vend të ketë një kushtetutë funksionale dhe Shtet ligjor. Kjo ndarje vjen si pasojë e një rindërtimi tërësor të kushtetutes. Ajo ndarje nuk vjen si rezultat i një marrëveshjeje propagandistike, as edhe si një propozim politik partiak, por për shkak të një ndryshimi në sistemin konstitucional, që do të duhet të shoqërohet me një numër ndryshimesh të tjera zinxhir. Këto ndryshime, as nuk dihen dhe as nuk kuptohen në këtë fazë nga Drejtuesi i opozitës që i ka propozuar. Por Ai nuk duhet të harrojë që për postin që mban dhe për përgjegjësinë ndaj të gjithë Publikut, do të duhet t’i njohë mirë dhe artikulojë deri në fund, qartë dhe prerë, sot. Kur do ta kuptojë dhe ta artikulojë Opozita që Kushtetuta duhet ndryshuar, përmirësuar brenda sistemit parlamentar? që sistemi zgjedhor i Shqipërisë është i papërputhshëm me formën e shtetit tonë unitar dhe me nevojen urgjente për krijim shumicash të qendrueshme parlamentare jo fluide?

3. Opozita duhet të kuptojë mirë edhe atëhere kur Pozita nuk kupton, nuk toleron e saboton, se rregullimi dhe rikthimi në normalitet i KQZ është në interes të qytetarit të thjeshtë, në interes të Shtetit, dhe në interes të rikthimit të sovranitetit të autoriteteve publike. Duke bërë pjesen tënde në shkatërrimin e institucionit të Arbitrit të Procesit Zgjedhor, ke kontribuar edhe ti, në mënyrën që din nga pararëndësit politikë, në bllokimin e kanalit të rregullt demokratik të vendosjes së sovranitetit dhe legjitimitetit të Shtetit.

4. Mungesa e përgatitjes profesionale për me administrue cilësisht një shtet, për shkak të vorfnise së qartë në burimet njërezore të aktivizueme. Sjellja sektare në komunikimin me forcat e mirëfillta intelektuale dhe këndvështrimi i ngushtë dhe jo i hapur ndaj administrimit të sferës publike është një karakteristike e dallueshme e Opozitës aktuale shqiptare, që në këtë pikë ngjason me sjelljen e deritanishme të Pozitës, që kanë rrënuar, larguar dhe izoluar në mënyrë të barabartë, çdo ekspertizë dhe konsultim të vlefshëm brenda linjave të brendshme politike.

5. Opozita po tenton të vijë në pushtet pa i kërkuar ende falje të përsekutuarve politikë në tërësi dhe Shkodrës dhe Shqipërisë Veriperëndimore në veçanti, për shtypjen, dhunën, terrorin dhe genocidin që pararëndësja e saj shpirtërore dhe juridike, PPSH, ka ushtruar mbi këtë pjesë të pandarë të shoqërisë shqiptare, nga data 29 nëntor 1944 deri me 2 prill 1991. Një forcë e vertetë Rilindase, Liberale dhe Demokratike, nuk mundet të heshtë dhe të mbajë të fshehur në ndërgjegjen e vet, edhe më tutje në misionin europianizues, peshën e errët të memories së saj të hershme politike. Një forcë politike Rilindase, e drejtuar nga një lider që pretendon se është rritur me dashurinë për Shkodrën, nuk mund të ndërtonte në atë formë përfaqësinë politikë të qytetit sot, që është drejtuar historikisht nga një Parësi e mendjes, e qytetarisë dhe e lirisë, duke imituar në këtë mënyrë sjelljen tradicionale të Pozitës.

Një forcë e vertetë Rilindase e pastërtisë së Shtetit, nuk mundet të heshtë për procesin e hapjes së dosjeve dhe pastrimit (lustracionit) të politikës nga bashkëpunëtorët e ish policisë se fshehtë. Përndryshe një lëvizje Rimarrëse pa ideal liberal demokratik është e denjë për ta kamufluar, fshehur dhe lënë edhe më tutje në harresë, detyrimin moral për të kërkuar falje publike dhe për të bërë lustracionin e studiuar të parlamentit të ardhshëm e të shoqërisë shqiptare, para procesit integrues në Europë. BE së shpejti mund ta kushtëzojë integrimin me lustracionin, e partitë politike shqiptare janë të papërgatitura për ta përballuar këtë sfidë.

Roli i Arbitrit i Kreut të Shtetit

Vendi ndodhet në një impasse institucional, ndër të tjera, për shkak të dëmtimit gati të plotë të institucionit që do të duhet garantojë procesin e lirë, të barabartë dhe të ndershëm zgjedhor, KQZ (në fakt ai institucion është dëmtuar në fillesë kur është rënë në një mendje nga palët që të emërojnë përfaqësues partish, në vend të përfaqësuesve të paanshëm që do të garantonin rrjedhën e lirë dhe ligjore të sovranitetit dhe vullnetit të popullit). Vendi ndodhet, në pamje të parë, pa asnjë ndërmjetësues të brendshëm institucional, midis palëve pjesmarrëse në atë çfarë mund të konsiderohet pa frikë, një Luftë e Ftohtë Politike; pa një nismëtar të brendshëm, për negocim të paanshëm midis palëve.

Pyetja që bëhet është: kush e mbron qytetarin dhe interesin e Publikut në këtë rast nga pikpamja konstitucionale? Në një Republike Parlamentare me president korrektiv, në lojë automatikisht hyn Kreu i Shtetit. Rasti i Republikës Italiane edhe në krizën e fundit është qartësisht shembullor.

Po çfarë ndodh në rastin e Republikës Parlamentare të Shqipërisë? Ajo është konstitucionalisht e ndërtuar si Republikë Parlamentare me një Figurehead President, d.m.th. një kushtetutë që postin e Kreut të Shtetit e ka ndërtuar të jetë krejtësisht formal. Por megjithatë, edhe Kushtetuta e jonë e Cunguar nga papërgjegjesia e vitit 2008, e ka ngarkuar Kreun e Shtetit me përfaqësimin e unitetit të popullit dhe e ka detyruar Atë të bëjë një betim sublim, mbi bazën e së cilit, Ai, ndër të tjera, është i detyruar të respektojë të drejtat dhe liritë e shtetasve (po kërcënohet një prej lirive: e drejta e zgjedhjeve të lira, të barabarta, të drejtpërdrejta dhe ndershmëria e procesit për shkak të shkatërrimit të Arbitrit, gjë që mund të çojë në deformim të sovranitetit dhe në kërcënim të sigurisë publike për shkak të trazirës që mbart) dhe t’i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar (çfarë i kërkon Presidentit të ndërhyjë për ndërmjetësim, thirrje me anë mesazheve e thirrje të tavolinave punuese; Ai mund të kërkojë të dhëna me shkrim nga institucionet shtetërore, dhe të nxisë veprimin korigjues mes palëve të konfliktuara, në interes të popullit dhe mbrojtjes së lirive të tij).

Para së gjithash, situata e ndezur politike po vendos në rrezik sigurinë kombëtare. Në cilësinë e kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti i Republikës nuk mund të qendrojë më pasiv dhe nuk mund të mos thërrasë mbledhjen urgjente të këtij institucioni. Shkelqësia e tij, Presidenti i Republikës, një zotëri shumë i respektuar, për shkak të sjelljes së përhershmë konform etikës e komunikimit shembullor politik, në rastin konkret, ndodhet në pozita mosvepruese, nga të cilat Ai do të duhet të dalë menjëherë, mbasi përndryshe do të gjendet në vijimësi të përsëritur, në shkelje të betimit presidencial dhe krejtësisht i shkëputur ndaj interesave të qytetarit të thjeshtë, që ka nevojë për zgjidhje e për stabilitet politik dhe rendor.

Rastet e qendrimeve pasive të Kreut të Shtetit, në janarin e vitit 2011, nuk duhet të përbëjnë më një precedent justifikues për sjelljen presidenciale në vitin 2013, kur Shqipëria po vlon më shumë se kurrë dhe kur Shteti dhe jeta e qytetarit është në një tronditje të thellë dhe para të panjohurave. Të henën mblidhet Parlamenti dhe sot Presidenti i Republikës së Shqipërisë, nuk mund të heshtë më, por duhet t’u kërkojë palëve rivendosjen në përmasë të plotë të Arbitrit të Zgjedhjeve.

Lustracioni i politikës shqiptare, barazia në votim, një listë të besueshme elektorale e mirë kontrolluar që do të mundësonte votimit e të gjithë shtetasve shqiptarë të larguar nga viti 1990 e këndej, garancia e procesit zgjedhor dhe e numërimit të drejtë dhe të saktë të votave të qytetarëve shqiptarë, do t’i jepnin një shans të ri ndryshimit reformativ të Shqipërisë, do të hapnin një akses bazor për forcat e mirëfillta jokomuniste liberal demokratike, do të largonin nga politika falangat e së djeshmes dhe do të përbënte një hap të rendësishëm europianizues dhe qytetarizues të shoqërisë sonë politike, të sëmurë rëndë dhe para një udhëkryqi që mund të jetë përndryshe, dramatik dhe rrënues.

Tiranë, me 25.05.2013