Zgjedhje antiopozitare

0
37

Nga Mero Baze

Një maturant që voton për herë të parë më 8 Maj, më ndaloi në mëngjes në rrugicën e shkollës ku çoj tim bir, për të më treguar se gjithë klasës së tyre u kishin kërkuar adresën e e-mailit dhe numrin e telefonit celular nëse kishin.

– Disa hezituan, por na urdhëruan pasi na thanë i duhen Komisionit të Maturës Shtetërore të mbajë kontakte personale me nxënësit(!!!). Maturanti e dinte mirë përse ja kishin marrë. Mezi po pres, tha, të më vijnë mesazhe elektorale nga shtabi i Lulëzim Bashës dhe t’ia tregoj mësuesit përse i është dashur e-maili dhe telefoni celular dikujt lart në Drejtorinë e Arsimit.

Përtej këtij detaji vijnë lajme të tjera. Emërime të pafundme njerëzish në Tiranë për të justifikuar votimin, transferime vendbanimesh, dhe deri tek fakti banal i një kryeplaku të njohur në Tiranë, i cili ndryshe nga njerëzit që japin shtëpi me qera, jep adresën e tij me qera për nja katër familje që duhet të regjistrohen për të votuar në Tiranë. Ka edhe më.

Operativët e lagjeve po risin presionet mbi ata që quhen “të fortë” për t’i pasur nën anën e tyre në ditën e zgjedhjeve, ndërsa paqartësia se deri ku do të shkohet me listat thellohet dita- ditës. Kandidati i pushtetit erret e gdhihet me pronarë mediesh dhe “analistë” për të bërë strategji si të sfumojnë zërin e opozitës, ndërsa disa diplomatë perëndimorë që mendojnë se këtu nuk janë bërë ndonjë herë debate televizive ngulin këmbë që duhen bërë këtë radhë.

Në këto kushte ka dy debate kryesore. Një palë, dhe këtu përfshihen dhe ndërkombëtarët, po këshillojnë që të mos ngrihen këto probleme pasi trembin qytetarët për të dalë në votime dhe humbasin besimin tek zgjedhjet. Pala tjetër është opozita, e cila ka nisur të protestojë publikisht për këtë degradim të procesit.

Ajo që i intereson dukshëm pushtetit në këto kushte është të injorojë këtë degradim të procesit dhe ta legjitimojë si normal dhe këtë po përpiqet ta bëjë me kontrollin mbi medien dhe lehtësinë e mbështetjes nga disa diplomatë. Por kjo është të fshihesh si struci. Sali Berisha duket se po llogarit që të luajë me ankesat e opozitës dhe t’i paraqesë ato si frikë nga ballafaqimi elektoral. Këtë gjë tentoi të bënte dhe më 2007, por këmbëngulja e opozitës bllokoi procesin derisa u krijuan garanci, bile të tepërta për të hyrë në zgjedhje.

Edhe gjatë asaj faze bllokimi kishte plot diplomatë të huaj që bën presionin mbi opozitën të hiqte dorë nga garancitë, por nuk ja arritën. Kështu që Berisha është duke përsëritur me vetëdije të njëjtin skenar, atë të bllokimit të procesit deri në krijimin e garancive. Mungesa e vëmendjes ndaj rasteve të denoncuara, dhe përpjekja për të përdorur gjithë infrastrukturën e shoqërisë, përfshi arsimin, shëndetësinë, policinë, medien, investimet publike dhe deri banditët për një garë të pandershme, mund të nxjerrin jashtë loje dhe vetë kontrollin e qeverisë mbi procesin dhe ta destabilizojnë atë.

Berisha po sillet me zgjedhjet e 8 Majit me makthin e zgjedhjeve të 26 Majit 1996 dhe me kokëfortësinë e zgjedhjeve të vitit 2007. Por nëse në vitin 2007, gjithçka që donte të bënte ishte të mos dëgjonte ankesat e opozitës, në këto zgjedhje përveç asaj, po bën gjithë atë pressing që ka pasë bërë në zgjedhjet e 26 Majit, një proces pastaj ku as ai nuk komandonte dot ndaljen e manipulimit dhe destabilizimit të procesit.

Duke provokuar një betejë politike në Tiranë, me një kandidat i cili ka katër të varrë në shpinë dhe një akuzë për abuzime me miliona euro, Berisha dha sinjale të qarta se zgjedhjet e 8 Majit nuk i duhen vetëm për të marrë Vlorën, Tiranën dhe Durrësin, por për të dërrmuar opozitën. Ai po investon gjithçka që të mundë ta eliminojë opozitën dhe ta fusë atë në spiralen e debateve të brendshme të saj.

8 Maji për të është betejë kyçe, pasi ai mendon se është afër ëndrrës së tij për të marrë përfundimisht kontrollin mbi opozitën në Shqipëri dhe për ta bërë këtë vend një çiflig edhe politik të tij. Këto njësoj si zgjedhjet e 26 Majit 1996 janë për Berishën zgjedhjet antiopozitare. Kjo natyrisht që do ta rrisë shumë tensionin, por mbi të gjitha do të rrisë rrezikun e prishjes së zgjedhjeve dhe destabilizim të tyre nga infrastruktura e pakomandueshme e tij.

Mos të harrojmë se në krye të këtij operacioni është Lulëzim Basha, një marionetë qesharake që do të fitojë me çdo kusht, por që siç ka provuar nuk di të bëjë asgjë në këtë jetë veçse të mbajë duart e kryqëzuara para Berishës dhe të tundë kokën duke buzëqeshur. Nuk jemi në rastin që kemi përballë një hajdut të aftë, por kemi një hajdut që kapet sa herë që vjedh. Nuk kemi një bandit të sofistikuar, por një vrasës që kapet pasi shtinë mbi turmat.

Nuk kemi një ndonjë menaxher të aftë elektoral, por një kone të përkëdhelur për të qenë gjithmonë i sigurt në garë. Është shumë larg dhe aftësive elektorale që kanë pasur paraardhësit e tij si kandidat për Tiranën. Edhe kur përpiqet të ngrejë zërin i ngjan një frikacaku që do t’i nxjerrë frikën vetes. Dhe kur një proces manipulimi elektoral tenton ta udhëheqë një i paaftë dhe frikacak, shanset për të humbur kontrolli mbi procesin rriten bashkë me shansin që Berisha të ridalë nga politika nga pafuqia për të bërë zgjedhje.