Zero Berisha

0
44

Elisa Spiropali, 30.07.2010

Kryeministri ynë, lavditë të panumërta i dëshiron dhe të pafundme i ka. Dhe shumë mirë bën, dhe Zoti j’a shtoftë. Por, në mënyrë që, jo vetëm ai, nga fitorja në fitore… nga lavdia në lavdi, t’i shijojë sa më rehat lavditë e panumërta në këto 30 vite të numërta që i kanë mbetur, por edhe ne të tjerët të mos na merret fryma përgjatë atyre tre dekadave të ardhshme, duhet të bëjmë si të bëjmë që hakun të mos ia hamë, që lavditë e tij t’i qartësojmë, si dhe një përgjigje t’ia kthejmë.

Dhe mënyrë më të mirë se sistemi që vetë e shpiku vetë e kolaudoi, pra përmes notave që ai vetë aq merak i ka, të cilat me aq shkujdesje i shpërdan në tempullin e shakasë kombëtare, Parlamentin shqiptar, nuk ka. Ta fillojmë siç e meriton, përmes një hesapi të drejtpërdrejtë aspak për të qeshur.

Zero dinjiteti, zero kompetenca, zero prezenca, zero përmbajtja para çdo rasti për të shpifur, zero trimëria e ministrave, dhe sidomos zero zëri i tyre, a nuk bëjnë këto cilësi kaq të larta të gjitha bashkë një zero Qeveri që kryesohet nga një zero Kryeministër?

Po zero serioziteti i zero administratës, zero profesionalizmi, zero turpi i saj për të marrë patjetër ryshfet edhe nga hallexhiu më trokë me zero lekë në xhep, a mundet edhe kjo të mos jetë një zero administratë brenda grushtit të hekurt të një një zero Kryeministri?

Zero Parlamenti, Zero legjitimiteti i tij, zero turpi i deputetëve që e dinë fort mirë dhe e kanë fort të qartë se aty janë me vota të vjedhura, zero zelli i tyre për të bërë transparencë, a nuk tregojnë të gjitha këto se kemi të bëjmë me një zero Parlament, nën çizmen e një zero Kryeministri?

Zero burra shteti. Burrat e vërtetë të shtetit janë njerëz të butë, të urtë, të kuptueshëm, të arsyeshëm. Ku janë të tillët burra? Që nën ta, pikërisht për meritë të urtësisë dhe butësisë së tyre, të jenë të ashpër, madje edhe të egër, jo vetë ata, por Ligji dhe vetëm Ligji nën ta? E kundërta e kësaj quhet karagjozllëk shtetëror, ose zero dinjitet shtetëror. Sepse zero burrat e shtetit, duke e grumbulluar rreth vetes tërë autoritetin, e lënë Ligjin dhe tempullin e tij, Parlamentin, të bëhen zero edhe ata.

Një Drejtësi me zero nam të mirë, ku cilido që ka punë me të, ka zero shpresë se mund t’ia dalë mbanë pa paguar prokurorët dhe gjykatësit me zero ndërgjegje njerëzore dhe zero moral qytetar, ka mbetur njeri pa e ditur se edhe kjo s’është gjë tjetër veçse rrjedhojë e zero skrupujve të zero Kryeministrit me zero rezistencë ndaj tundimit për të ndejtur në pushtet?

Zero kujdesi për mjedisin, me zero përfilljen ndaj zërave dhe protestave për tmerret ekologjike në mbarë Shqipërinë, kur tymrat e gomave të djegura dhe pluhurat e fabrikave të çimentos të Krujës po kapin Tiranën dhe i janë afruar Elbasanit me të tillë shpejtësi që së afërmi tymrat dhe pluhurat e tyre s’është farë çudi pas pak të kapin Vermoshin dhe Konispolin, zero përmbajtja për ta shitur mjedisin shqiptar nëpër bixhoze politike ndërkombëtare pa i lëvizur qerpiku askujt nga pushtetarët e sotëm, a nuk dëshmon edhe kjo zero patriotizmin dhe zero atdhedashurinë e zero Kryeministrit tonë me zero merak ekologjik?
Zero siguria në rrugët ku vdesin përditë shqiptarë, ndërkohë që përditë inagurohen rrugë.

Zero diplomacia e jashtme e dallavereve të brendshme. Zero kujdesi për emigrantët, diasporën, të cilët ikën nga sytë këmbët dhe do vazhdojnë të ikin nga këmbët sytë. Zero kultura, përveç asaj të shpifjes dhe zhvatjes të Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol. Zero shëndeti publik, ku sa më tepër të paguash aq më liksht sëmuresh. Zero sistemi arsimor që nxjerr vetëm të papunë të diplomuar. Zero prodhimtaria e ekonomisë, përveç rastit kur një grusht njerëzish pasurohen pa prodhuar kurrë kurrgjë.

Zero besimi se nën këtë zero Qeveri ndonjë gjë mund të ndryshojë për mirë, bashkë me zero besimin, rrjedhimisht edhe zero shpresën për një jo-zero të ardhme, a ka mbetur shqiptar që nuk e di se vrasja e ardhmërisë së shqiptarëve nuk është pasojë e kësaj zero Qeverie me zero ndjeshmëri? Një zero Kryeministër me kaq shumë zero, a mund të meritojë më tepër se një zero notë?