Zemra atdhetare e familjes dhe e publicistit të nderuar Tomë Mrijajt rreh vetëm për Shqipërinë Etnike

0
43

Gruaja, tek fisi Mrijaj, është një krijesë e respektuar, është engjëlli i vatrës që lind, rrit dhe edukon fëmijtë, që pret e përciell miqtë, që lartëson nderin e familjes, që vlerësohet nga pjestarët meshkuj të shtëpisë, që nga vjehrri e deri te fëmijët. Një kurorëzim i tillë, i figurës femërore nuk është i zakonshëm në mendësinë shqiptare, prandaj, për mendimin tim, përbën një risi konceptuale, që i rrit vlerën veprës dhe mesazhit të saj.

Familja Mrijaj, nis rrugën e saj me një ndodhi të dhimbëshme, por të një rëndësie morale t’admirueshme. Përballë vdekjes së parakohëshme të burrit, nusja e Markut, djalit të Çunit, nënë e tre djemvet, nga 12 deri në 16 vjeç, nuk pranon të braktisë fëmijët e të kthehet tek shtëpia prindore, siç e kërkonte zakoni e siç e urdhëronte xhaxhai i burrit. Mirditorja e bukur, Mrija, vendos të përballojë jetën e vetme e të rrisë djemtë. Kuptohen sakrificat e panumurta të burrneshës, për të sendërtuar projektin e saj, që shpërblehet me vendimin e djemve, për të adoptuar emrin e nënës si mbiemër të familjes.

Nëse nuk është e vetme kjo histori, besoj se është tepër e rrallë në malsitë tona. Ai mbiemër mbeti e u njoh në shumë breza, në shenjë respekti e mirënjohje, për fisnikërinë vetmohuese të një gruaje, e cila mbi të gjitha, në jetën e saj, i dha përparësi ndjenjës së nënës. Ajo ndjenjë fitoi mbi ligjet e maleve, mbi paragjykimet e shoqërisë, mbi moralin e saj. Ajo grua i dha shoqërisë një mësim të madh, atë të respektimit të ligjeve të zemrës, të parimeve universale të detyrës së nënës, që nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me pjesëmarrjen në një familje, në një fis, në një bashkësi njerëzish, mbasi detyra e nënës është më e bukura, më fisnikja më e bekuara nga Zoti, sepse është sendërtimi i mësimit të tij themelor. Si e tillë ajo bëhet themeli mbi të cilin ngrihet një familje me një histori dyqind vjetëshe.

Eugjen Merlika, studiues e publicist, Itali

Të nderuar zonja dhe zoërinj pjesëmarres!
Të nderuar bashkëatdhetarë pinjoll të familjeve nacionaliste dje dhe sot!
Të nderuar organizatorë dhe stafi botues i librit shumë vëllimesh përkushtuar “Toojeve të Arbërit”!

Në fillim ju kërkoj ndjesë për mospjesëmarrjen në tribumin tuaj më të rëndësishëm nacionaliste të së Djathtës së Bashkuar Shqiptare, por me mendje, zemër dhe artikuj përmes figurave të ndryshme të nacionalizmit të kulluar shqiptar, kam qenë dhe do të jem gjithëmonë pranë jush.
Përpara jush e kam të lehtë por edhe të vështirë të flas për figurën e atdhetarit të shquar Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, studiuesin dhe publicistin Tomë Mrijaj.

Pothuajse të gjithë të nderuar pjesëmarrës e njihni aktivistin e komunitetit shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, një ndër bashkëthemeluesit dhe pjesëmarrësit më aktiv e bujar të Shoqatës fisnike “Trojet e Arbërit”.
Meqenëse studimi im modest do të botohet shumë shpejt në librin e Shoqatës “Trojeve të Arbërit”, unë sot para jush telegrafikisht para jush do të paraqes disa momente tepër domethenese të jetën dhe vepren patriotike për shumë dekada të familjes dhe të Tomës, që është një pinjoll i denjë fisit të madh të Mrijajve zëmadh.

Toma lindi në tokën martire të Dardanisë, aty ku zë fill historia më e lashtë e popullit shqiptar, e dalluar për besë, trimëri, bujari, tradita të moçme shqiptare, atdhedashuri etj., të cilat i trashëguan brez pas brezi për shumë shekuj.
Gjatë një bisede të lirë me mikun tim të dashtur Tomë Mrijaj, me mall dhe dashuri të pakufi për vendlindjen, ai e skalit me fjalë zemre përcaktimin e përjetshëm shqiptar edhe pse sot jeton dhe punon në SHBA.

Ai ndër të tjera thotë, se: “Vendlindja ime Lugu i Drinit, me fshatrat që e rrethojnë, është dhe mbetet vendi më i dashur në botë. Asnjëherë s’më ka shkuar mendja, se sa me mall do ta ndjej mungesën e vendit tim. Gjatë udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, mendja më ka shkuar gjithnjë tek vendlindja ime e bukur dhe e dashur, si: natyra, shtepitë, livadhet e gjelbërta, që stoliseshin me lule shumë ngjyrëshe gjatë stinës së pranverës dhe verës, malet mestare të mbuluara me pyje të harlisura dhe dëborë, përshperitjen e cicërimave të zogjve të shumtë ne çdo stinë, gjarpërimin dhe gurgullimën e ujërave të kthjellta të lumit Drini i Bardhë, që përshkon ne mes rreth tre kilometër livadhet e familjeve tona.

Në stinën e bukur të verës, bashkë me bashkëmoshatarët kalonim ditë të bukura, duke u larë në ujërat e lumit, zinim peshk të freskët dhe kënaqeshim duke soditur natyrën e bukur të trevave. Edhe vjeshta dhe dimëri, sillnin në Lugun e Drinit bukurinë e tyre në çdo fushë dhe vargmalet e ulëta përreth. Ishte vërtetë kënaqësi në stinën e ftohtë të dimërit, kur dëbora mbulonte çdo gjë dhe shikonim lepuj, dhelpra dhe shpend te ndryshëm etj. E si të mos ndjehesh krenarë për fëmijërinë e bukur në trevat shqiptare!? Kështu unë kalova fmëjërinë dhe rininë. Mbas disa vitesh mbarova shkollimin në degën e mësuesisë, ku më pas vijova studimet në Drejtësi.”¨

Por Toma aktiv, gjatë jetës tij rinore në Kosovë, është ndeshuar edhe me vështirësi të jetës. Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi, por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij…

Ai largohet nga Kosova e tij e dashur, Lugu i Drinit dhe familja mbas një përplasje fizike me forcat e Sigurimit të UDB-së serbe. Kështu Toma, kujton: “Një ditë mbasdite vjeshte, kur po kaloja me biçikletën time në mes të qytezës së Klinës, më tërhoqën vemendjen një grup nxënësish djem dhe vajza të kombësisë serbe, të cilët po vraponin të shqetësuar nga oborri i shkollës “Vuk Karagjiq” drejt qendrës së qytezës, ku ndodhej kafja e pronarit serb Zhikës. I pyes në gjuhën serbe: “Çfarë ka ndodhur, që ju po vraponi të shqetësuar!?” ata duke menduar se unë isha serb, më thonë: “Shoku profesor po rrahën serbët me shqiptarët në klasë.” Ashtu sikurse isha me biçikletë në dorë u nisa shpejt drejt vendit të ngjarjes. Sa afrohem, dëgjoj zhurmë të madhe në katin e parë të një klase. Afrohem te dritarja, që ishte e hapur. Aty shoh se nxënësit e kombësisë serbe dhe arsimtari i edukatës fizike e kishin rrethuar nga të gjithë anët arsimtarin shqiptar të gjuhës shqipe S.M. pranë dërrasës së zezë, ku në njerin kënd ishte dhe tavolina e mësuesit. Arsimtari shqiptar, me trupin e tij të gjatë qëndronte në këmbë i rrethuar dhe po i rezistonte goditjeve me grushta dhe shqelma, që i vinin nga çdo anë, duke u vetëmbrojtur.

Këtë mësimdhënës të ri e kisha njohur në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Gjaku arbëror, i bashkëkombasit më thirri, që t’i vi në mbrotje, në atë situatë që ai gjendej. U hodha menjëherë në dritare, që ishte e hapur dhe hyra brenda në klasë. Me mirësjellje dhe gjakftohtësi, iu drejtova nxënësve, duke u thënë: Eshtë turp të sulmoni në mënyrë të pahijshme dhe të ushtroni dhunë ndaj mësuesit tuaj! Unë edhe sot mendoj, se ky incident me serbët në shkollë ishte i parapërgatitur. Kështu, brenda pak minutash u mbush oborri i shkollës me shumë serb vendas dhe nxënës, që me sa duket kishin lajmëruar njeri-tjetrin. Edhe nga kafja e Zhikës erdhën shumë serbë të tjerë. Lajmi u përhap me shpejtësi. Në shkollë erdhën edhe disa arsimtarë shqiptarë, që i kishin banesat afër shkollës, si: Beqir Beqiri, Tush Kabashi, Ndue Prendi, Lekë Skeli etj. Leka me Nduen ishin ndalë tek dera e klasës dhe me fjalë të mira mundoheshin të qetësonin valën e madhe të serbve, që të nervozuar (irrituar) po hynin në klasë njeri mbas tjetrit. Në ato momente në shkollë vijnë edhe forcat e Policisë nga stacioni, që gjendej jo shumë larg shkollës.

Ata kur e panë gjithë atë turme të madhe serbësh, dy policët shqiptarë Isa dhe Ademi, që më njihnin shumë mirë, mu lutën, duke më thënë: “Gjej mënyrën për tu larguar sa me shpejt, që të jetë e mundur sepse nuk kemi asnjë mundësi të ndërhyjmë në këtë masë të madhe serbësh, që janë shpupurishur nga inati..” Mbas shumë përpjekjesh u hodha prap nga dritarja nga kisha hyrë më parë dhe me shpejtësi mora bicikletën, që e kisha mbeshtetur tek muri. E ashtu me gjaknxehtësi si rrufe i dhashë bicikletës dhe nuk e ndija se mbi shpinë dhe kokë fishkullonin vazhdimisht gurët dhe copat e dërrasave të gardhit të shkollës. Mbërrita në shtëpi. Babai im po qëndronte në oborr. Ai kur më pa u ngrit në këmbë dhe mu afrua i shqetësuar. Mbasi i tregova të gjithë ngjarjen, nga përvoja e tij jetësore me serbët e pabesë me tha, se: “Duhet të largohesh sa më shpejt nga shtëpia, sepse policia menjëherë do të vijë të të arrestoj në shtëpi.” Më vonë, kam mësuar se atë natë shumë herë policia ka shkuar në shtëpi, duke menduar se mund të më gjenin mua aty. Vetëm familja dhe një rreth i vogël miq të sigurtë i dinin lëvizjet e mia dhe vendnodhjen deri sa u largova përgjithmonë nga Kosova, me mall për familjen, truallin e të parëve dhe gjithçka të mirë, mbasi kisha kaluar fëmijërinë dhe rininë time.”

Babai i tij Nikollë Mrijaj, një personalitet i njohur në Lugun e Drinit e përqafoj me lot në sy, duke më thënë: “Biri im të kesh kujdes vetën tënde!” Kështu Toma vendosi që të largohet natën me tren, duke iu shmangur njerëzve që e njihnin dhe mori rrugën drejt Beogradit… Më pas me një tren tjetër udhëtoi drejt Parisit… Aty qëndroi për tre vjet. Meqenëse ishte i rregjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, vendosi të vijoi studimet e larta më korrespondence, për të mos rënë në sy në vendin e tij. Ai ka udhëtuar në Prishtinë, gjatë kohës që kishte provimet universitare…

Me ardhjen e tij në New York, duke qenë një i ri plot energji dhe endrra, për ta parë vendlindjen të çliruar nga nata e gjatë e makinës shfarosëse të pushtimit shekullor serb, ai menjëherë në vitin 1978 u përfshit në lëvizjet patriotike në Amerikë.
Duke shfletuar sot me nostalgji shkrimet dhe artikujt e botuar në gazeta dhe revista nga studiuesi Mrijaj, konkretisht në gazetën “Dielli” (1909) organ i Federatës Pnashqiptare “Vatra” (1912), shoh se emri tij ndodhet në bordin e tribunës të mirënjohur të atdhedashurisë.

Dhe studiuesi Tomë Mrijaj, kujton: “E kam ende të freskët ditën e parë, kur zbrita në Aeroportin International “John F. Kennedy” në Queens, NY. Ndjeva shumë emocione, mbasi kisha dëgjuar dhe lexuar shumë për hisorinë e Amerikës dhe kontributin e madh të diasporës, për veprimtarinë e madhe patriotike në dobi të çështjes kombëtare, të kohës së Imzot Fan Stilian Nolit, Faik Konicës, Mons Dr. Zef Oroshit, Prof. Rexhep Krasniqit, Kapidanin e Mirditës juristin Ndue Gjomarku, Ing. Xhafer Deva, Prof. Zef Neka, Mit’hat Frashërin, Prof. Luan Gashin, Abaz Kupin, Kolonel Xhemal Lajcin, Kolë Bajraktari, etj., me një pjesë më vonë pata fatin dhe nderin të bashkëpunoj ngushtë, për të njëjtat ideale të shenjta atdhedashurie. Unë mbërrita në New York më 19 Maj 1978 dhe dy muaj më pas u martova.

Meqenëse bashkëshortja ime vinte nga Puka, në ditët e dasmës kisha të ftuar shumë miq, që ishin njëkohsisht edhe figura të rëndësishme të emigracionit, nacionalizmit dhe komunitetit shqiptaro-amerikanë këtu në New York dhe gjetkë. Një grup bashkëatdhetarësh, si: Mons. Dr. Zef Oroshi, Ahmet Dervishi, Ymer Doda, Mahmut Cungu, Kolë Bajraktari, Gjeto Sinishtaj, Daut Vathi, Fran Sokoli dhe disa të tjerë, vijnë në shtëpinë time dhe më ftojnë të aderoi në Federatën Panshqiptare “Vatra”, që asokohe i kishte zyrat e saj në Boston. Pasi u urova mirëseardhjen në shtëpinë time, kryetari i “Vatrës” e mori fjalën dhe tha: “Më kanë folur shumë disa miq për ju si intelektual i ri nga Kosova pjesë e shqipes së cunguar, që vatrës sonë i mungojnë njerëz nga kjo krahinë.

Ne kemi shumë dëshirë, që tu kemi ju në mësin tonë.” Pasi fola pak për kontributin e Vatrës së Nolit dhe Konicës, gjatë shumë dekadave, sikurse e kishim mësuar në shkollat tona në Kosovë, edhe pse jam i ri në këtë vend, do të përpiqem të jap kontributin tim me gjithë mundësitë e mia, për të mirën dhe qëllimin fisnik, që ka kjo organizatë famëmadhe, e cila luajti një rol të madh për përfshirjen e nënës Shqipëri në OKB. Atë ditë më emëruan si Sekretar i Degës së Vatrës për qytetin e madh Queens, New York. Pas pak kohe, vjen sërisht ish Kryetari i Degës Gjeto Sinishtaj, për arsye të tij personale jep dorëheqje dhe drejtimin e degëa së Vatrës e mora unë. Qysh në ditët e para të ardhjes në Amerikë fillova të shkruaj në faqet e gazetës “Dielli” (1909). Shkrimet e mia u mirëpriten shumë mirë nga editori asokohe Xhevat Kallaxhiu dhe lexuesit. Aty si fillim, unë botova një poezi, kushtuar familjes famëmadhe dhe shumë patriotike në trevat tona, me titull: “Kulla e Sadik Ramës”. Poezia u prit shumë mirë.

Mbas pak ditësh, në shtëpinë time erdhen dhe më takuan të bijtë e Ukë Sadikut, nipat e heroit të pamposhtur Sadik Ramë Gjurgjevikut: Ismeti, Skënderi dhe Selimi. Ishte hera e parë, që pata kënaqësinë të takoja tre vëllezërit, të cilët, ishin shumë të gëzuar, që unë kisha shkruar një poezi. Ismeti, hapi faqen e gazetës, ku më tregoj poezinë dhe me një buzëqeshje fisnike me solli falënderime të ngrohta nga familja e tij, duke më njoftuar se ishte nipi i Sadik Ram Gjurgjevikut. Ai më tha gjithashtu, se ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit të themeluar në New York, në vitin 1962. Ismeti, më oftoi kërkesën, që ti bashkohem kësaj organizate politike dhe atdhetare, që kishte si synim dhe qëllim (me programin dhe rrugën e saj) bashkimin e të gjithë trojeve etnike shqiptare rreth shtetit amë, sikurse kanë qenë për shekuj me radhë. Për dy vjet me radhë unë dhe shoku i idealeve antikomuniste dhe patriotike, për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e shovinizmit të tërbuar serb, punuam pa u lodhur në çdo kohë, për të përgatitur mbarëvatjen e Kongresit, i cili, ishte menduar të mbahej në vitin 1982. Në Kongresin e mbajtur asokohe, unë u zgjodha me vota të lira Sekretar i Përgjishëm i Lidhjes së Prizrenit, detyrë të cilën e mbaj edhe sot e kësaj dite, për 33 vjet me radhë.”…

Po kush është Tomë Mrijaj?

Publicisti dhe studiuesi Tomë Mrijaj u lind në Zllakuqan (Komuna e Klinës). Shkollën 8-vjeçare e fillon në fshatin e lindjes në Zllakuqan dhe e mbaron në Klinë. Ai më pas fillon dhe përfundon shkollën e mesme Normale (Pedagogjike) në Gjakovë, vijon studimet e larta me korrespondencë për Jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës.

Për arsye politike nga perndjekjet e kolonizatorëve të sistemit komunist serb, ai largohet nga Kosova dhe shkon si emigrant në Paris, ku qëndroi tre vjet. Më 1978, vendoset përfundimitsht në New York, ku martohet. Ai në të njëjtin vit rregjistrohet në St. Johns University në Queens të NY, ku vijoi studimet e larta. Më 1980, u zgjodh kryetar i degës “VATRA” në Queens New York dhe antar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston, për 12 vjet me radhë. Më 1982, në Kongresin e III-të, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Prizrenit” në mërgim, detyrë që vijon ta mbajë edhe sot.

Më 1997-1998, ishte Kryetar i Shoqatës Kulturore “Rozafat”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në NY dhe antar i Këshillit të Kishës. Më 2002, zgjidhet n/Kryetar i Shoqatës së Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, dega New York. Që nga dita e themelimit është antar i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane në ShBA. Bujarinë e Tomës e njohin të gjithë, mbasi ai gjithnjë është shprehur i gatshëm për të ndihmuar talented e reja pa dallim feje e krahine, në fushën e studimeve dhe publicistikës, duke dhënë kontribut financiare, për botime të krijimeve dhe studimeve të tyre të para. Në çdo aktivitet patriotik si për mbledhjen e ndihmave financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, familjet e varfëra në nevojë, rindërtimin e Kosovës, ngritjen e busteve, xhamiave dhe kishave në Kosovë, ka qenë e pranishme edhe zemra dhe bujaria e Tomë Mrijës, duke dhënë shuma të ndryshme sipas nevojës së njerëzve.

Ai ka marrë pjesë në cdo demostratë për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe Lirinë e Pavarësinë e Kosovës nga nata e gjatë e pushtimit barbar serb. Ai është marrë që heret me publiçistikë, ku ka shkruar poezi, portrete historike, etj. si bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave, që botohen në trojet etnike shqiptare dhe diasporë. Shkrimet e tij mund të gjenden, në faqet e shumë gazetave dhe revistave, si: “Lidhja e Prizrenit”, “Dielli”, Illyria”, “Jeta Katolike”, “Zani i Shna Ndout”, “Shkodra”, “Kumbona e së Diellës”, “Illyricum”, “Dielli Demokristian”, “Kuq e Zi”, “Lajmtari i të Merguemit”, “Bota Sot”, “Kosova Press”, “55”, “Mapo”, “Shqipnia Etnike”, “Balli Kombëtar”, etj. Studiuesi e publiçisti Mrijaj, ka shkruar parathëniet e shumë librave jetëshkrimorë. Ka në proçes dhe disa libra të tjerë, që më vonë do t’i botojë.

Eshtë njeri ndër organizatoret e shumë simpoziumeve dhe akademive kulturore e përkujtimore të mbajtura në atdhe e diasporë. Ai ka hedhur dritë përmes hulumtimeve serioze historiko-shkencore të shumë figurave të lënë me qëllim në harresë, në kohën e komunizmit në Shqipëri e Kosovë, tema të cilat janë botuar rregullisht në librin: “E Djathta Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike” (I-XII), ku, ka ligjëruar për personalitetet e tilla, si: Kapidani i Mirditës juristi Ndue Gjomarku, Kapidan Markagjoni, themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi (1812-1989), udhëheqësin shpirtëror të komunitetit shqiptaro-amerikanë Dom Anton Kçirën, Ipeshkvin e Kosovës Imzot Mark Sopin, Presidentin Dr. Ibrahim Rugovën, Kontributi i lugdrinasve dhe Klerit Katolik në Kosovë për Shpalljen e Pavarësisë, heroinën Marie Shllaku, parashutistin Prof. Alush Leshanaku, tProf. Luan Gashi, trimin e pamposhtur nacionalist Ndue Përlleshi, Palush Marleku, Kapiten Gjon Destanisha, Ndoc Mirakaj, Kolonel Xhemal Laçi etj.

Librat e botuar:

1. “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, Monografi, botuar në Shkodër, 2002.
2. “Lidhja e Tretë e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha”, Monografi, New York, 2002.
3. “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës”, Monografi, botuar në New York, 2004.
4. “Ngjarje dhe portrete historike”, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004.
5. Monsinjor Dr. Zef Oroshi. “Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”. Jetëshkrim, 2009 New York.
6. “Gjeneza e Familjes Mrijaj”, Kujtime, Shkodër, 2015

Falëminderit për vemendjen dhe suksese në punimet e Simpoziumit!

Klajd Kapinova, New York, Gusht, 2015

Shënim: Kjo kumtese eshte mbajtur ne Hotel “Panorama” në qytetin historik të Gjergj Kastriotit në Krujë nga zonjusha Leonora Laçi, Sekretare e Shoqates Trojet e Arberit’