ZEMËRIMI I VONUAR I ZOTIT FYLE

0
58

Andrea Stefani, 18.06.2011

Edhe pse politikani shqiptar, Sali Berisha, po përsërit të njëjtin gjakim autokratik që, në këto 20 vjet tranzicion, e ka shpënë Shqipërinë për të disatën herë në buzëhumnerë krizash dhe konfliktesh, përsëri zyrtarët dhe diplomatët e Brukselit prej vitesh ngurrojnë të shqiptojnë të plotë këtë të vërtetë. Dhe të vërtetat e pathëna prodhojnë, sikundër thosh Ruso, helme të rrezikshme. Mbyllja e syve para dhunimit të institucioneve, kritikave të ngritura nga media dhe opozita dhe hartimi i raporteve të progresit për një “progres” që nuk ekziston, i ka dhënë mundësi Berishës të shkojë shumë larg në kapjen e shtetit.

Tashmë, me anë të kapjes së institucioneve dhe gjykatave, Berisha ka ngritur një sistem autokratik duke i bërë të pamundura edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ironia është se, ndërsa mungesa e institucioneve të pavarura të administrimit zgjedhor është pikërisht një nga shkaqet e krizës post-zgjedhore, jo pak zëra nga Brukseli këshillojnë respektimin e vendimit të këtyre institucioneve. Që do të thotë respektim i vullnetit të Kryeministrit Berisha maskuar me vendimmarrje institucionesh “të pavarura”. Ç’sugjerime të bukura për “shtet ligjor”!

* * *

Këtë herë ishte komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, i cili u shfaq shumë i zemëruar për situatën absurde ku ndodhet Shqipëria. Dhe denoncoi jo pak nga rrënjët e krizës shqiptare. Denoncoi për shembull, se krejt ndryshe nga precedenti i zgjedhjeve të vitit 2007, fletët e hedhura në kuti të gabuara, këtë herë, u klasifikuan si të vlefshme nga KQZ, edhe pse mbi një logjikë ligjore të paqartë. Por, pasi ka thënë këtë Fyle, bën njësoj përgjegjës të dyja palët, edhe pozitën, edhe opozitën. Një qëndrim që e inkurajon edhe më shumë Berishën në fajësimin e opozitës edhe për atë që në fakt është strategjia e tij e fshehtë: bllokimi i integrimit të Shqipërisë në Europë. Por dihet se qeveria është kryepërgjegjëse për cilësinë e zgjedhjeve.

Jo më kot, Kryeministri Berisha u ngjir së premtuari se qeveria e tij do organizonte zgjedhjet më të mira në historinë e Shqipërisë. “Unë ju garantoj”, përsëriste si robot Berisha. Dhe jo pak nga ata që e dëgjonin, harronin se garant për zgjedhje të mira e të ndershme nuk mund të jetë kurrë një Kryeministër, sado vullnetmirë, por vetë institucionet e lira e të pavarura të administrimit zgjedhor. Aq më pak mund ta shpresosh një gjë të tillë nga një Kryeministër vullnetkeq si Berisha, i shquar për manipulim zgjedhjesh që nga maji i vitit 1996. Koha provoi përsëri se, ndërsa premtonte zgjedhje të lira e të ndershme, Berisha përgatiste manipulimin e tyre. Por është tepër e vështirë të bashkosh në një aliazh të vetëm standarde europiane të zgjedhjeve me manipulimin e tyre.

Çudia është jo vetëm një paaftësi e disa perëndimorëve për të akumuluar përvojë lidhur me politikanë si Berisha, por edhe paaftësia për të formuluar të vërteta që ulërasin prej vetë fakteve më të freskëta. Madje edhe prej fakteve që i ofrojnë vetë europianët. Vetë komisioneri Fyle citoi raportin e ODIHR të vitit 2007, kur është e shkruar e zezë mbi të bardhë se hedhja e një numri të konsiderueshëm fletësh votimi në kuti të gabuara i bëri ato të pavlefshme. Dhe është po e qartë si kristali se në zgjedhjet e 8 majit nuk ndodhi kështu, pikërisht për shkak të një urdhri të dhënë nga Berisha në fund të procesit, pikërisht kur kandidati i tij, Lulzim Basha, rezultoi humbës me 10 vota. Po për shkak të vullnetit të keq të Kryeministrit Berisha, KQZ mori një vendim për t’i quajtur të vlefshme fletët e hedhura në kuti të gabuara, pikërisht mbi një logjikë ligjore të paqartë. Të tëra këto sapo i tha Fyle. Por i ka thënë edhe OSBE.

Faktet ulërasin për kapje të KQZ nga Kryeministri Berisha. Në presion të jashtëzakonshëm duket se është edhe Kolegji Zgjedhor, që po zgjat agoninë e manipulimit, por nuk po jep ende drejtësi. Faktet denoncojnë se këto institucione, që duhet të jenë garant për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të drejtë, nuk kanë një vullnet të tyrin të pavarur nga ai i Kryeministrit. Por edhe pse të gjitha këto janë evidente, komisioneri Fyle bën, në konkluzion, përgjegjës njëlloj si qeverinë ashtu edhe opozitën për krizën e zgjedhjeve. Që opozita dhe lidershipi i saj kanë bërë jo pak gabime, kjo nuk do shumë koment. Por që opozita nuk ka asnjë faj për degjenerimin e zgjedhjeve, që nga çelës për zgjidhjen e krizës u kthyen në kazmë për ta thelluar edhe më gropën e saj, edhe kjo nuk do shumë koment.

Dhe nuk është aspak diplomatike, të mos thuash të vërtetën rreth shkaqeve të një krize, duke i bërë fajtorë të gjithë. Sepse, atje ku janë të gjithë fajtorë, po atje askush nuk është fajtor. As fajtori i vërtetë. Diplomatike është ta thuash një të vërtetë mbi shkakun e krizës, edhe pse në një mënyrë diplomatike. Por ta thuash ama. Ndryshe, shkaku i krizës, i mbetur i pandëshkuar, do të vazhdojë ta thellojë krizën. Komisioneri Fyle u bëri thirrje të dyja palëve që të merren vesh. Më jepni një indikacion, ndërtoni një konsensus apo një urë mes jush – gati iu lut Fule delegacioneve të PS dhe PD. Por edhe ky është një qëndrim utopik, që vështirë se prodhon solucion. Sepse, nuk mund të ketë konsensus mes palës që vidhet dhe palës që e vjedh. Nuk mund të ketë konsensus mes viktimës dhe hajdutit.

Konfliktin mes tyre e zgjidh vetëm drejtësia. Dhe për fat të keq, (në të vërtetë për faj të politikanëve si Berisha) në Shqipëri nuk ka gjykata të pavarura, që të japin drejtësi duke ndëshkuar një vjedhës, edhe kur ky është vetë pushteti. Thuajse në të njëjtën kohë që komisioneri Fyle shfaqej i zemëruar në Bruksel, në Tiranë, ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth, kritikonte stanjacionin e procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit. Po si mund të përparojë drejtësia në një proces gjyqësor për një korrupsion ku janë përfshirë njerëz të afërt të Kryeministrit? Si mund të ndëshkojë ligji ata që tashmë qëndrojnë mbi ligjin? Ndërkaq, nuk mund të mos nënvizojmë se do të kish qenë shumë dobiprurëse sikur ambasadori Wollfarth, të kish mbrojtur me kohë standardin e OSBE lidhur me fletët e gabuara, duke mos ia lënë këtë detyrë komisionerit Fyle. Sepse, kur vetë europianët nuk mbrojnë standardet që vetë i shpallin, përse të mos i bëjnë lesh e li ata politikanë si Berisha?

* * *

Zgjidhja e krizës në Shqipëri, më shumë se nga konsensusi politik, vjen duke dhënë drejtësi. Është drejtësia që mund të sjellë konsensusin dhe jo konsensusi drejtësinë. Prandaj ishte i nevojshëm, në këtë rast, një transfuzion drejtësie me anë të një trupe të huaj gjykuese ose me anë të opinioneve si ato të Komisionit të Venecias. Një opsion që Berisha jo më kot e ka refuzuar me forcë. Sepse e kupton që drejtësia e dhënë jashtë kontrollit të tij është kundër tij. Prandaj dhe ndërsa në Shqipëri kriza vazhdon të thellohet, Berisha nuk ndalet në synimin e tij për akaparimin total të drejtësisë. Jo rastësisht, shumica e tij në Parlament, sapo rrëzoi një tjetër kandidaturë të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Atë të gjykatëses Manjola Bejleri.

Dhe a e dini pse? Se ka pak shanse që kjo gjykatëse të bëhet vegël e Berishës. Edhe diçka tjetër në fund të këtij shkrimi. Komisioneri Fyle dha të kuptohet se në mungesë të një zgjidhjeje të krizës, procesi i integrimit rrezikohet seriozisht. Një tjetër “kërcënim” Berishës me integrimin?! Nuk duan të kuptojnë që kjo është një tjetër gjë që nuk e tremb fare Berishën! Sepse ai nuk ka fare qëllim integrimin, por sundimin e shqiptarëve. Dhe një gjë të tillë mund ta arrijë vetëm jashtë Europës, jashtë drejtësisë dhe botës së lirisë.