Zbulohet kontrata: Si po mashtrohet me Rrugën e Kombit

0
48

Shekulli, 17.05.2011

Duke konsideruar se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të informohen për mënyrën se si shpenzohen paratë publike, sidomos në rastet e projekteve kapitale të një rëndësie të veçantë, gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje në Prishtinë, Lëvizja “Vetëvendosje” ka vendosur të zbulojë kontratën e qeverisë së Kosovës me kompaninë Bechtel-Enka, kontratë që parashikon ndërtimin e autostradës Morinë – Merdarë, vijim i autostradës Durrës – Morinë që, në Shqipëri, gjithashtu është realizuar nga Bechtel-Enka. Specialistët e ekonomisë Besnik Bislimi e Shpend Ahmeti kanë bërë një studim të detajeve të kësaj kontrate, detaje që i kanë bërë publike pikërisht prej selisë së “Vetëvendosjes” së Albin Kurtit.

Bëhet fjalë për një kontratë që gjer më tash ka qenë sekrete, pasi vetë Qeveria e Kosovës që nga momenti i nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë me kompaninë Bechtel-Enka, nuk ka pranuar të jetë transparente e nuk ka publikuar asnjë informacion, me pretendimin e mbrojtjes së interesave të kontraktorit. Mirëpo ky “sekret” është në kundërshtim me vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila shpreh qartë se “Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparences” (neni 120).

Sipas specialistëve të “Vetëvendosjes”, analiza e parë mbi këtë kontratë dëshmon për kushte shumë të pafavorshme për qeverinë e Kosovës, tek e cila transferohen të gjithë rreziqet eventuale, si dhe barrën e çdo të papriture, apo të vonesave, tek qeveria e Kosovës. Publikimi i këtyre detajeve të kontratës midis qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikano-turke hedhin poshtë deklarimet e mëparshme të zyrtarëve të ndryshëm e qeveritarëve, përfshirë këtu edhe prononcimet e vetë kryeministrit Hashim Thaçi.

Deklaratat publike të Thaçit mbi koston e gjithëmbarshme të projektit të autostradës del se janë veç hamendësime apo deklarime të pavërteta, sepse shihet qartë prej kontratës se është e pamundur të dihet çmimi i saktë i autostradës para se kjo të përfundojë. Specifikimet e shumta në kontratë dhe çmimet për njësi të parashikuara në buxhetin preventiv e bëjnë të pamundur vlerësimin e një çmimi të saktë të ndërtimit të kësaj vepre.

Nga kontrata kuptohet se Bechtel-Enka e ka fituar tenderin kaq të rëndësishëm pa prezantuar asnjë projekt paraprak të autostradës, por është mjaftuar me një specifikim në kontratë ku thuhet se kjo kompani do të dërgojë më vonë në Kosovë ekspertët e saj, të cilët do ndihmojnë qeverinë në projektimin e autostradës, e për këtë punë qeveria do të paguajë një kosto mujore prej 25.000 euro për secilin ekspert. Skandaloze është edhe kërkesa që për ndërmjetësimin e pagesave ndaj nënkontraktorëve, Bechtel-Enkas i paguhet një provizion prej 8%, ndërkohë që normat e interesit të aplikuara në rast të vonesave në pagesë konsiderohen tepër të larta.

Një ndër pikat më shqetësuese që përmban kontrata midis qeverisë së Kosovës dhe kompanisë në fjalë ka të bëjë me pagesat automatike (të menjëhershme) që i bëhen Bechtel-Enka për transferimin e makinerive në Kosovë, për mirëmbajtjen e tyre, kthimin e makinerive në vendin e origjinës, por edhe për kthimin e vetë punëtorëve të huaj të stacionuar në Kosovë.

Kontrata e vë qeverinë e Kosovës para një presioni kohor meqenëse çmimet e kontraktuara për njësi do të rriteshin automatikisht me 12% nëse punimet zgjasin më shumë se tri vjet, rritje kjo që arsyetohet në kontratë me inflacionin vjetor. Mirëpo kjo bie ndesh me atë që qytetarëve të vendit u është thënë nga qeveria, e cila ka pohuar disa herë se autorruga do ndërtohet me segmente, pa kurrfarë limiti kohor, në varësi të gjendjes financiare të vendit e pa mbingarkuar buxhetin.

Shkelje të mëdha janë vërejtur edhe tek çmimet për njësi të përshkruara në preventivë. Në rastet e betonit, rërës apo zhavorit, janë parashikuar çmime disa herë më të larta se çmimet e tregut në rajon. Rëra paguhet me çmimin 28 euro, ndërsa çmimi në treg është 10 – 13 euro; betoni paguhet me çmim rreth 120 euro, ndërsa çmimi në treg është 75 euro, e kështu me radhë.

Po ashtu, publikimi i kësaj kontrate ka nxjerrë në pah edhe demagogjinë në deklaratat e mëparshme të politikanëve të Kosovës, që me të shpallur nisjen e këtij projekti kaq të shtrenjtë, premtuan se ndërtimi i kësaj autostrade do të ndikojë për mirë në krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Publikisht është thënë se kontraktori është obliguar të krijojë deri në 4.000 vende të punës, mirëpo në kontratën në fjalë specifikohet se, bazuar në dinamikën e ndërtimit, numri i të punësuarve nga Kosova nuk do ta tejkalojë asnjëherë shifrën prej 1.533 punëtorë, që kryesisht do të zbatojnë detyra me nivel të ulët të përgjegjësisë, pra me paga të ulëta.

Në deklaratën për shtyp, Lëvizja “Vetëvendosje” ka ftuar ekspertët që t’i bashkohen studimit të kontratës, me qëllim gjetjen e mënyrave për minimizimin e dëmit që po i shkaktohet buxhetit të Kosovës. “Duam të përsërisim edhe një herë se jemi fuqishëm pro ndërtimit të ‘Rrugës së Kombit’, por jemi po ashtu fuqishëm të vendosur që të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat ekzistues për të parandaluar keqpërdorimet në emër të saj”, shprehen veprimtarët e “Vetëvendosjes”.

Vetëvendosje: Thaçi ka mashtruar për “Rrugën e Kombit”

Sipas ekspertëve të Vetëvendosjes në kontratë është specifikuar në mënyrë fikse çmimi prej 659 milionë e 813 mijë e 400 euro e 39 centë, por ndërkohë në brendësi të kontratës nuk përfshihet asnjë çmim fiks.

Shpend Ahmeti ka thënë me këtë rast se edhe kursimet prej 350 milionë eurosh që i premtoi së fundmi kryeministri Thaçi, nuk janë të vërteta.

“Para disa javësh dëgjuam se do të ketë kursime 350 milionë euro. Nëse kontrata është 659 milionë, a do të thotë se kjo rrugë do të na kushtojë 300 milionë. Jo, sepse kryeministri vetë tha se do të na kushtojë diku rreth 700 milionë euro. Domethënë, sipas tij, kosto fillestare duhet të ketë qenë rreth 1 miliard euro. Këta politikanë flasin me aq lehtësi për qindra miliona euro që janë aq të vlefshme për buxhetin e Kosovës, sa që kjo është marramendëse”, ka thënë Ahmeti.

Kurse, Besnik Bislimi është ndalur tek anët tjera të kontratës, duke paraqitur favorizime të ndryshme të kompanisë “Bechtel&Enka”.
“Në kuadër të çmimit parashihen edhe disa pagesa direkte në ‘Bechtel&Enka’. Për shembull ata marrin 40 milionë euro pagesë fillestare, vetëm për ta sjellë makinerinë e vetë në Kosovë. Pastaj për amortizimin e kësaj makinerie marrin për çdo muaj nga 1 milionë euro, pastaj marrin para për ta kthyer makinerinë në vendin e tyre, marrin para për t’i kthyer punëtorët që kanë punuar në Kosovë nëpër vendet e tyre. Do të thotë për çdo hap të punës ata marrin para shtesë prej Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Si u zbulua kontrata e Bechtel në Kosovë?

Dje në Kuvendin e Republikës të Kosovës deputetët e “Vetëvendosjes” Visar Ymeri dhe Albin Kurti bënë publike kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdarë, midis Qeverisë së Kosovës dhe Bechtel-Enka. Po si u zbulua kjo kontratë e lidhur thuajse një vit më parë, e cila është mbajtur rreptësisht sekret nga palët firmëtare? Siç u deklarua nga “Vetëvendosje”, kjo kontratë i është dërguar para pak ditësh me postë vetë Albin Kurtit, kryetarit të kësaj force politike dhe Visar Ymerit, kreut të grupit parlamentar. Nga deklarata mësohet se dërguesit e kontratës kanë preferuar të mbeten anonimë, e megjithatë, duhet të jenë persona që kanë akses në të dhëna qeveritare.

Krerët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë bërë vazhdimisht thirrje publike që kjo kontratë të publikohet e të mos mbahet sekret prej popullit të Kosovës, që në fakt është ai që paguan koston gjigande të kësaj marrëveshje jo-transparente. Duket se kjo thirrje politike ka gjetur veshin e duhur, e ka bërë që Kurtit e Ymerit t’u dërgohet kjo kontratë në adresat e tyre.

Një kopje e kontratës me 221 faqe i është dërguar edhe në redaksisë së “Shekullit”. Studimi i kontratës mes Bechtel-Enka dhe qeverisë së Kosovës mund të hedhë dritë mbi një tjetër kontratë sekrete, atë mes kompanisë në fjalë dhe qeverisë Berisha, sa i përket ndërtimit të autostradës Durrës – Morinë, gjatë kohës kur ministër i transporteve ka qenë Lulzim Basha.

Amerikanët kanë përfituar tenderin më të madh që ka dhënë ndonjëherë Shqipëria, por kontrata nuk është bërë kurrë transparente

“Sekreti” i pazbuluar për Durrës – Morinë

Edhe pse tashmë ka përfunduar gjysma e parë e “Rrugës së Kombit”, në Republikën e Shqipërisë ende nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet kontraktuale, dhe përse janë shpenzuar qindra miliona euro prej buxhetit të shtetit.

Me sa duket Bechtel-Enka i paska qejf “marrëdhëniet sekrete” me shqiptarët. Kompania e formuar si bashkëpunim (joint-venture) amerikano-turke ka qenë përfituesja e tenderit më të madh të historisë 90 vjeçare të shtetit tonë, megjithatë pak informacion është dhënë mbi procedurat, projektin e kostot. Kontrata nuk është bërë ende publike, edhe pse kanë kaluar dy vjet prej inaugurimit të fundëm nga kryeministri Berisha.

Kontraktimi i Bechtel-Enkas nga qeveria shqiptare është përfolur gjatë nga opozita e nga mediat, ndërkohë që prokuroria e shtetit ka nisur hetimet ndaj Lulzim Bashës, që asokohe ka qenë Ministër i Transporteve. Këto hetime nuk kanë vijuar dot, për shkak të imunitetit të Bashës, megjithatë nëpër media është përmendur një tangent korruptiv prej rreth 270 milionë euro, të cilat mund të jenë përvetësuar nga qeveritarët tanë. Këtë hipotezë e përforcon dhe ruajtja e sekretit mbi kontratën në fjalë.

Ç’është Bechtel-Enka

Bechtel-Enka është një joint-venture (sipërmarrje e përbashkët) e dy korporatave, Bechtelit amerikan dhe Enkas turke. Amerikania Bechtel Group është një prej bizneseve më gjigande në SHBA, kompania më e madhe e ndërtimit në atë vend. Me një të ardhur prej 31 miliardë dollarësh, e shtrirë në 50 shtete të botës, e me rreth 49.000 të punësuar, Bechtel është një prej korporatave më të fuqishme në botë.

Enka është partneri lokal i Bechtel, një kompani turke e cila ka të ardhura prej rreth 7 miliardë dollarësh. Ky konsorcium ka ndërtuar së bashku vepra të mëdha në vendet e Ballkanit, dhe është përfolur për mungesë transparence, përfitim të projekteve pa tender, përmes presionit politik edhe tangentit, në Shqipëri, Kosovë, Rumani, Kroaci, e në vende të tjera të rajonit.