Kjo poezi është botuar për herë të parë në gazetën franceze “Le Monde”, më 17 prill 1999.
VALLË, KËSHTU U MBYLLKA SHEKULLI
Yves SimonVallë, a kështu u mbyllka shekulli
ne, të ulur
duke vështruar mbi ekranet tona
një popull të shushatur,
sëmundjen e luftës në sy?
Një turmë,
me mijëra,
fytyrat të ngjitura
pas qelqeve të trenave,
të pritur në Bllacë
nga ushtarakë
me dorashka të bardha
si kirurgë,
gojën të mbuluar
me maska profilaktike.
Po nga ç’virus vallë
trupat kosovarë
janë pushtuar?
Nga ç’murtajë
kemi frikë
që një fyerje e tillë
t’iu përplaset në fytyrë?
Vallë, a kështu u mbyllka shekulli
ne, të ulur
duke vështruar
dëbimin e fytyrave?
Në Kukës – derë e Shqipërisë –
të shteruar nga gjithçka,
robër
të pakuptimit,
të dëshpërimit,
a thua se asgjë
s’mund t’iu thuhet më,
një lutje,
një premtim,
a thua se asgjë
s’mund t’iu jepet më,
një buzëqeshje,
një fjalë,
ata ecin
përtej rraskapitjes,
me familje, me fshatra
fytyrat të shkatërruara,
gati në çnjerëzi.
Vallë, a kështu u mbyllka shekulli
në Prishtinë
në Pejë
në Prizren
q’andej nga ikin,
të zhveshur nga e ardhmja,
identitetet e tyre
të shkelura nga çizmet
e atyre që i kanë poshtëruar.
Nuk do të mbetet tjetër
veç zëri
i kujtesës së tyre
për t’iu shpallur
një ditë, më vonë,
autoriteteve të botës :
jam lindur më…
jam lindur në…
më quajnë…
jetoja në Kosovë
në pranverën 99.
(Nga frëngjishtja: Urim Nerguti)