Ylli Pango: Topalli urrente çdo grua që ishte prurje e re. Vuan nga Sindroma e Stokholmit

0
45

TemA

Ylli Pango ka reaguar në një të përditshme pas kabllogrameve të ambasadës amerikane, ku ai cilësohej si një grabitqar seksual dhe plagjiator i një libri.

Ajo që të bie në sy në intervistën e tij është reagimi ndaj Jozefina Topallit. Në kabllogram thuhej se ishte Topalli që nuk e duronte Pangon. Kurse ky i fundit është përgjigjur duke thënë: “Këtu kablloja, ndonëse bazuar në thashetheme, përsëri sheh një pjesë të çështjes, atë thashethemore. Pa dyshim, kryetarja e Kuvendit e disa të tjerë kanë dashur edhe më shumë se kaq kundër meje (ju thashë, kam mjaft histori të bukura për të rrëfyer). Kur më pyesin “Ç’kishte me ty Jozefina”, u them të tregohen objektivë:

“Mos i bini në qafë Jozefinës”. Jo, nuk e ka vetëm me mua. Si fillim e kishte me çdo grua që guxonte të ishte prurje e re në PD. Vite më parë. Po t’i kujtoni shumë nga ato nuk janë më as në forume e askund. Më vonë e pati me KOP-in. Është disi për të qeshur, por kur u formua KOP-i dhe kudo u hap fjala (e ka kablli këtë?) se “këta të KOP-it do të jenë qeveria”, Jozefina shkoi te Berisha dhe shumë e mërzitur e pyeti përse nuk e përfshiu në KOP.

Natyrisht ai u habit (ajo ishte ku e ku më shumë, nënkryetare partie etj.). Por Jozefina mendonte se çdo i ardhur i rrezikonte karrierën. (Edhe partinë e ndiente si pronë që po ia merrnin). Ca më keq një grup i tërë. Kështu që për të mos i ngrënë hakun, ajo që në fillim ndjeu dhe e lëshoi urrejtjen nga zinxhiri drejt grupit, në tërësi, si KOP. Më pas në varësi të karrierës që bëri secili, natyrisht do të urrente më shumë ministrat, të suksesshmit, ministrat (femra), të rinjtë.

Tashmë kushdo i di skenat e hapura të fyerjeve të saj karshi ministrave në detyrë, madje dhe në sallën e Parlamentit. Por kjo nuk duhet marrë aq me të keq. Në fund të fundit, lufta brenda llojit thuhet është më e ashpër se ajo me kundërllojin. Gjithsesi për mua, për të mos i ngrënë hakun, kishte edhe një urrejtje ekstra, më të zezë se zakonisht, madje më të zezë se ngjyra e bojës së flokëve, se vazhdimisht më vinin deputetë që më thoshin se në tryezat e kafenesë së Parlamentit më nxirrte ujë të zi sterrë nga pas shpine.

Ndofta më urrente edhe sepse mendonte se do të kisha qenë pedagogu i saj. Meqë ra fjala, një nga shkollat që ka mbaruar në Tiranë, shkolla e Studimeve Europiane, ka qenë pjesë e fakultetit që drejtoja unë dhe e kemi themeluar me kolegët e mi kur isha dekan, në kuadrin e një projekti të Komuniteti Europian. E shikoni si vinë punët. Studentja ha profesorin. Dhe njerëzit thonë: “Ç’kishte ajo me ty?”.

Po pjesërisht për këtë kablli ka të drejtë. Por nuk kam faj unë pse na urrente Jozefina, apo jo? Zoti e shpëtoftë nga gjithë ai vrer se nuk i mbaroka kurrë dhe vreri i tepërt një ditë mbyt vrerziun. Sa i takon të tjerëve në PD, karriera ime tregon se nuk e kisha keq me disa të tjerë, apo jo? Me më të madhin natyrisht e kam fjalën. Edhe me njerëz të tjerë, të drejtë, që më vlerësonin punën. Por natyrisht zhurmën më të madhe e bëjnë të papunët e kafeneve. Me thënë të drejtën, veç atyre, që natyrisht ushqenin urrejtjen e bekuar brenda llojit, ka patur edhe deputetë të PD me të cilët ruaj marrëdhënie të mira edhe sot. Nga ata që ishin e s’janë më, por dhe aktualë.

Gjithsesi, Jozefina është një personazh mjaft interesant nga pikëpamja psikologjike. Veç të tjerash, mishëron më së miri sindromin e Stokholmit, por për këtë mund të flasim më me hollësi një herë tjetër. Pa të keq. Psikologjikisht. Kësisoj nuk përbën zbulim kablli në këtë aspekt ashtu sikurse nuk përbëjnë zbulim thashethemet e hershme që pata dëgjuar nga kundërshtarët e mi në po ato forma që i mori e i dha kablli alias ambasadori.”