Ylli i lirisë Imzot Nikollë Kaçorri…

0
45

Me rastin e festës së 101-vjetorit të shpalljes së pavarësisë

Nga Pjetër Logoreci

Po afrohet festa e pavarësisë së Shqipërisë dhe çdo shqiptar pregatitet të festojë datlindjen e atdheut. Çdo nëntor, flamuri i lirisë valëvitet në çdo derë e dritare shqiptare, falë atdhetarëve që punuan e sakrifikuan edhe me jetë për tokën tonë të shtrenjtë. Punëtorë të palodhur që sollën krijimin e kombit, burrat e pavarsisë të 1912-tës meritojnë nderim e lavdi.

E kush me shumë se Ismail Qemali, Imzot Nikollë Kaçorri, Isa Boletini …me shokë duhen nderuar e kujtuar në këtë jubile?

Duke qënë se më ra fati të merrem shumë me jetën e vepren e Imzot Nikollë Kaçorrit, vendosa të shkruaj këto rreshta për këtë kolos të lirisë e atdhedashurisë dhe nepërmes tij të nderoj të gjithë figurat e ndritura të kombit, që firmosën aktin madhor të pavarësisë.

Me këtë rast dëshiroj të bëj të njohur për lexuesit shqiptar disa dokumenta të pabotuar më parë, në lidhje me arkitektin e shtetit të parë shqiptar dom Nikollë Kaçorrin. Dihet nga lexuesi që ai vdiq në Vjenë në spitalin (sanatoriumin Fürth) ku kishte ardhur të kurohej për një sëmundje kronike të mushkërive. Thuhet që ai vdiq jo nga sëmundja e mushkërive, por nga një keqësim i shpejtë dhe i papritur i shëndetit, e kjo më bëri që të kërkoj me ngulm në arkivat e pasura të shtetit austriak, për të gjetur diçka zyrtare rreth sëmundjes, apo shkakun e vdekjes së tij të papritur.

I shtyrë nga intuita, fillova të kërkoj në arkivën e arqidioqezës së Vjenës ku ndodhen me qindra letra e dokumenta për çështjen shqiptare. Gatishmëria e sekretares së arkivit, të cilën e falenderoj nga zemra, më hapi dyert që të shoh rregjistrat e vdekjes, ku për çdo të vdekur gjindet data e vdekjes, vendi ku vdiq, pershkrimi i personit, shkaku, dita e varrimit si dhe vendi i varrit.

Së pari i kalova një sy librit të indeksit, ku gjindeshin emrat e të gjithë personave që kishin vdekur në vitin 1917, ku për fatin tim me numrin rendor 238 gjindej emri i patriotit Nikollë Kaçorri (Nikolaus Caciori). Më pas, sipas këtij orientimi kërkova në rregjistrin themeltar vitin 1917, në faqen 238, ku me numër rendor 103, gjeta të rregjistruara të gjitha të dhënat për Imzot Kacorrin.


Foto 1: Fleta e librit të indeksit ku gjindej emri i Imzot Nikollë Kaçorrit

Numri rëndor 103 / data e vdekjes: 29 maj 1917 / vendi i vdekjes: Schmitgasse 14 / përshkrimi i personit: Caciori Nikolas, famullitar i qytetit të Durrësit, beqar, i lindur në Lurë, me punë në Durrës të Shqipërisë. Në këtë fletë ka një gabim shkrimi, është shënuar mosha e të vdekurit 49 vjeç.


Foto 2. Fleta e regjistrit themeltar ku gjindeshin të dhënat për Imzot Nikollë Kaçorrin.

Në faqen tjetër vijonte: shkaku i sëmundjes – (Magen und Darmgeschwür) ulçer e stomakut dhe e zorrëve / varrosur në Zentralfriedhof / varrosur me 1 qeshor 1917.


Foto 3. Fleta tjetër (në të djathtë të librit) ku gjindëshin të dhënat për Imzot Nikollë Kaçorrin.

Pasi fotografova këto fletë regjistri në arqipeshkvi, kërkova në administratën e varrezave qëndrore të Vjenës çfarë atje gjindej për të vdekurin Kaçorri. Fatkeqësisht administrata atje nuk ishte shumë bashkëpunuese, por megjithatë arrita të marr një fletë të përgjysmuar, e cila kishte mbetur ashtu meqenëse varri kishte ndryshuar gjëndje. Po në atë varr (me Imzot Kaçorrin ) u varrosën më pas dy përsona të tjerë në distancë (në thellësi) prej një metri nga njëri tjetri.


Foto 4. Dokumenti i varrezës qëndrore të Vjenës.


Foto 5. Pasaporta me të cilën udhëtoi sargu i Imzot Nikollë Kaçorrit


Foto 6. Vula apostile për udhëtimin e sargut


Foto 7. Akti i vdekjes i Imzot Kaçorrit i formuluar nga ambasada shqiptare në Vjenë


Foto 8. Plani i varrezës qëndrore të Vjenës. Në bllokun 84 gjindej varri i Imzot Kaçorrit


Foto 9. Imzot Kaçorri me delegacionin e prijsave shqiptarë në Vjenë prill 1917, disa ditë para vdekjes. Marrë nga shtypi austriak i kohës – Organi: Das Interessante Blat, Num. 17.

Riatdhesimi pas 94 vjetësh i eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, ishte një vepër e mirë, të cilën politikanët mosmirënjohës e të paturp e anashkaluan, duke mos i organizuar një ceremoni pritjeje dinjitoze për këtë burrë shteti. Ato më pas u munduan të bëjnë Show – Politik, duke e përdorur ditën e rivarrimit të Imzot Kaçorrit në kishën e Shën Lucisë në Durrës, për fushatë politike në favor te tyre.

Ky shkrim dhe disa shkrime, që kam botuar më parë, frut i kërkimeve të mia të gjata në arkivat e huaja, me dokumenta të pabotuara apo të panjohura deri tani, shpresoj të ndihmojnë sadopak në ndriçimin e jetës së kolosit atdhetar Dom Nikollë Kaçorri, krahas librave që janë shkruar për të.