Dita, 25 Maj 2013
Më 31 mars, përpara se LSI-ja të kapërcente në zanafillë, pra në gjirin e së majtës, përmes artikullit “LSI, një parti solomoniane”, trajtova etapat që nga krijimi i saj, periudhën e bashkëqeverisjes me PD-në dhe mundësinë e kapërcimit in loco, gjë që dhe ndodhi. Në këto radhë nuk dua të bëj serafinin e kulluar për t’ju treguar skenën politike shqiptare, përmbajtjen e partive në tërësi dhe luftën e ashpër e të pahijshme që bëhet në këtë katrahurë politikë, por dua të analizoj situatën e këtij subjekti politik (PD) në qarkun e Shkodrës. Dhe jo më kot. Sepse Shkodra ka qenë dhe me siguri maksimale do të vijojë të jetë (edhe sa kohë s’di ta them) bastion i Partisë Demokratike. Mirëpo në zgjedhjet e 2009-ës, e sidomos në ato lokalet e 2011-s u vu re një rritje e votës për të majtën, veçanërisht për Partinë Socialiste.
Po ç’ka ngjarë nga 2009-a tek 2011-a e deri më sot?
Në 2009-ën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe PD-ja arriti të marrë 7 deputetë (më vonë, në shtator të
2010-ës, Paulin Sterkaj u rreshtua me opozitën, duke e lënë PD-në me 6 dhe çuar numrin e mandateve të PS-së nga 4 në 5). Pra, nga Shkodra e djathta nuk arriti të merrte 8 deputetë, ashtu siç pretendonte mes strukturave të saj, anipse publikisht thonin se do fitonin 11 me 0 apo 10 me 1. Nga 2009-a kalojmë tek 2011-a, në zgjedhjet lokale, ku mjaft komuna të djathta u fituan nga PS-ja, duke dëshmuar rritje të konsiderueshme votash brenda qarkut.
U fitua sidomos komuna më e madhe, ajo e Rrethinave (K.Muja), por triumfues socialistët dolën edhe në Velipojë (P.Ujka), Bërdicë (B.Brahimi), Gur të Zi (M.Lazri), Anë e Malit (Xh.Molla), Gruemirë (L.Nehani) etj. Vijmë te zgjedhjet aktuale, teksa e majta paraqitet e plotë, e djathta ecën çalthi. Përpos forcave të zakonshme si PSD apo PDS, opozitës së sotme iu bashkua edhe LSI, një faktor kryesor i fitores së zgjedhjeve, qoftë nga PD-ja, ashtu dhe nga PS-ja. Por lideri i opozitës nuk u mjaftua me kaq.
Koalicionit të tij i shtoi edhe shumë forca të tjera, duke e çuar në 37 parti, pra 12 subjekte më shumë se PD-ja. Po të shtosh gjithashtu 8 vitet e qeverisjes, ku natyrshëm krijon njëfarë zvetënimi e venitjeje; problemet e mprehta ekonomike përballë një krize globale gjithnjë e në rritje, por jo vetëm kaq, PD-ja e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet në rang kombëtar. Në këto kushte, e majta pritet të qeverisë vendin pas 23 qershorit. Por si është situata në Shkodër, aty ku PD-ja ka gjithherë epiqendrën e saj, marshin e fitores?
Bashkimi i PS-së me LSI-në jo vetëm që e ka shtrënguar votën e majtë dhe opozitare në përgjithësi, por ka krijuar një efikasitet që duket qartazi. PS-ja gjithnjë ka pasur probleme brenda radhëve të saj në Shkodër, ku shpeshherë individë që vinin me mendësi “nga zbret lopa me gjithë dhí, me frena dore nëpër malore” kanë mbytur frymën intelektuale të Namik Koplikut, Zef Çunit, Mimoza Hafizit e mjaft të tjerëve, që me fisnikërinë e tyre, qytetarinë dhe largpamësinë e të parit të gjërave, aq sa i kanë shërbyer së majtës, po aq, në mos më tepër, i kanë shërbyer shoqërisë sonë në tanësinë e saj. Sado përpiqej lidershipi në qendër për t’i mbledhur, dukej se PS-ja nuk po zinte mend në Shkodër. Puna ishte bërë ashure. Mirëpo këtë periudhë, sidomos pas afrimit të LSI-së, duket sikur klima është përmirësuar ndjeshëm. Ndjesia e fitores, ideja se në pushtet po vjen partia e tyre, shumë syresh i ka bërë të lënë mëritë dhe pakënaqësitë e ndryshme, me bindjen e përfitimit të gjëkafshe, duke vendosur të mblidhen tok në “çetë”. Dhe kjo në natyrën primitive dhe militanteske nuk është keq.
Nga ana tjetër, forca e dytë më e madhe brenda së majtës, LSI, duket se Shkodrën e ka përgatitur prej katër vjetësh a në mos më tepër si objekt të shtrirjes së saj. Ajo ka ditur të asfaltoj rrugën e triumfit në Shkodër, sigurisht brenda mundësive reale që posedon. Në krye të herës ka investuar përmes krijimit të një strukture politike dhe rinore, e cila ka ndërtuar një bazë militantësh. Ka afruar biznesmenë të fuqishëm, të cilët prej vitesh ndodhen pranë saj. Ka ngritur në nivelin e duhur Tv1 Channel, duke neutralizuar fuqinë e mediave të tjera lokale dhe duke e bërë median e parë televizive në Shkodër. Rritja e saj, sidomos infrastrukturore ka nisur në mënyrë graduale, duke qenë sot e pakonkurrueshme me Tv Rozafën e Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, si dhe Tv Antena Nord-in e Partisë Socialiste.
Dhe sulmi i fundit mbi “Rozafë” qëlloi të ishte fatal, aq sa dita-ditës krijohet bindja se “kalaja ka rënë”. Batareja mbi “Rozafë” goditi mu në pikën më të ndjeshme të saj: ekipin e futbollit Vllaznia. Me këtë fitore, ndofta të dhuruar edhe nga celula të Partisë Demokratike në Shkodër, LSI ka përvetuar sharmin e ngadhënjimtares. Edhe sikur të mos arrijë të fitojë një mandat në këtë qark, votat që do t’i kalojë PS-së janë aq të shumta, sa 4 deputetë opozita nuk i diskuton më. Kësisoj, pa dashur të bëj fallxhorin, përkundrazi, duke i qëndruar besnik një analize të pavarur dhe të ndërtuar kohë pas kohe si arsyetim logjik, e majta në qarkun e Shkodrës më 23 qershor mund të marrë pesë mandate, duke e lënë PD-në me gjashtë. Dhe këtë goditje më së shumti ia ka dhënë LSI-ja.
Si për koincidencë dhe ironi të fatit, ajo LSI që drejtohet nga Ilir Meta, i cili sulmoi brutalisht kryetaren e Kuvendit, nëse kujtoheni, në pragun e ndryshimeve kushtetuese. Dhe nëse në Shkodër e majta arrin të gllabërojë 5 deputetë, kjo do të thotë se bastioni po lëkundet, e Shqipëria pas 23 qershorit do të ketë një mazhorancë të majtë solide, ndërsa PD-ja duhet të nxjerrë mësimet e duhura nga kjo disfatë. Vota mercenare, sado e ëmbël për karrigen e pushtetit, nuk të ndih dot të kalosh lumin. Jeta partiake do përpjekje, do investim, do intelekt dhe burra e gra të ndershëm. Shtëpia (kupto: qeveria dhe shteti) nuk mbahen me miell hua gjatë gjithë kohës. Borxhliu duhet të shlyejë borxhin e marrë. Fatkeqësisht për mazhorancën aktuale, kjo është aksioma e jetës.
Në mbyllje, për të forcuar akoma më tepër argumentet e lartpërmendura, kujtoj që spektri i djathtë është i ndarë, dhe si i tillë votat që do të marrë FRD në Shkodër janë thuajse totalisht të djathta. Kandidati i saj Fatlum Nurja do të pijë ujë në “kazanin blu”, që edhe duke mos e shterur, mjaft për të shtuar etjen në radhët e PD-së, e cila përpos luftës me të majtën e bashkuar, tanimë i duhet të luftojë edhe me një parti të djathtë, e krijuar si rezultat i mungesës së demokracisë, në atë që po e quajmë, e djathta e vjetër apo tradicionale. Si rrjedhojë, me disa vota të “vjela” nga FRD dhe me një të majtë të mbledhur së toku, PD-ja dhe aleatët e saj kanë një luftë tejet të fortë në qarkun e Shkodrës. Dhe në fund fare, s’duhet harruar se kandidati i pestë i PS-së është një biznesmen i fuqishëm, Sait Fishta, që ka njohje të konsiderueshme me pjesën qytetare, veçan pjesën myslimane, teksa ka investuar edhe për ngritjen e xhamisë në qendër të qytetit, asaj të Parrucës, më 23 mars 2007.
Përveç kësaj, përflitet se ai ka një “marrëveshje” me kryesuesin e listës së LSI, biznesmenin Çela, për të mbrojtur me fanatizëm tjetërsimin që mund t’i bëhet votës së majtë; gjë që ka ndodhur rëndom jo vetëm në kryeqendrën e Veriut, por në mbarë Shqipërinë. Kështu, PD-ja kësaj here me gjasë do të marrë një goditje letargjike, ku pavarësisht se po punohet për ndonjë mandat shtesë në Tiranë, Durrës, Fier apo Elbasan, ajo mund të humbasë ndonjë tjetër në qarqet-bastion të saj. Redan Bushati – Shkoder
* * *
Pse u tremb Berisha nga kandidimi në Kavajë?
Ka kaluar thuajse në heshtje fakti që Berisha nuk do jetë më deputet i Kavajës për herë të parë pas 23 vjetësh. Duke përfituar nga dobësia e rivalit të tij Rama në fushën e diversioneve, Berisha sulmoi i pari duke thënë një frazë thuajse pa kuptim që “Rama iku nga Tirana se pati frikë”. Berisha thotë përherë i pari atë që duhet ta thonë të tjerët për të. Është Berisha në fakt i frikësuari i madh në raport me Kavajën. Ngjashëm me Shkodrën, Berisha ka marër raporte vërtet pesimiste për qytetin. Ai ka vendosur të ikë nga Kavaja pasi ka marrë disa raportime që do përdoreshin të gjitha mënyrat për një humbje direkte të tij në qytetin e ashtuquajtur bastion. Berisha u ka kërkuar raportuesve lokalë nëse mund të jepnin garanci për fitoren dhe nuk i ka marrë këto garanci.
Pas kësaj ka marrë vendimin për të lëvizur edhe veten nga Kavaja. Berisha nuk ka qenë i pranishëm në Kavajë as për të prezantuar kandidatët e kësaj partie për këtë rreth, Gentian Deliallisi dhe Shpëtim Hoxha. Në vend të tij kandidatët i prezantoi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Kjo është gjithashtu hera e parë në 23 vite që ndodh një gjë e tillë. Mitingu nuk u zhvillua në shesh, por në kinemanë e qytetit. Raportet në qytet kanë ndryshuar totalisht pas fitores së bashkisë nga Elvis Roshi. I pyetur për frikëne papritur të Berishës dhe largimin e tij nga qyteti Roshi tha: “Nuk ka pse vjen sepse kavajasit po e shohin nga dita në ditë se ç’po ndodh në qytet. Brenda dy viteve me fondet e Bashkisë kemi bërë 33 rrugë të reja. Mirë është që edhe Lulzim Basha të marrë eksperiencë”.
* * *
Disa ngjarje mes Berishës dhe Topallit që kanë kaluar larg vëmendjes së medias Pse Topalli pësoi papritur “fatin e Mehmet Shehut” dhe çfarë ndikoi në “ekzekutimin” politik të gruas kryeneçe të politikës shqiptare. Cilët janë deputetët e PD-së që i hiqeshin miq por që e lanë në baltë sapo doli në sipërfaqe mëria e Berishës. A e ka nxjerrë Berisha përfundimisht nga dritarja e paradhomës së pushtetit?
Sipas modës së hershme dhe zakonit me po të njëjtën moshë, çfarë ndodh në Partinë Socialiste shihet me lupë edhe kur objekti është thjesht një qime, ndërsa për bëmat e Partisë Demokratike, edhe kur bëhet fjalë për trarë në sy, gjithçka kalohet me pak fjalë. Njëlloj si në atë komunikimin idhnak të dhisë me delen për çështjen e hershme të bishtit të ngritur lart. Kësaj rregullsie nuk i ka shpëtuar edhe diskutimi për listat e kandidatëve për deputetë që kanë paraqitur dy partitë kryesore në vend. Largimi i disa dhjetëra deputetëve aktualë nga lista e PD-së, thirrja nën flamurin blu të ish-deputetëve socialistë që mbajtën në këmbë qeverinë e Berishës, vendosja në listë e një pjese të kryetarëve të partive aleate apo dhe ndryshimi dramatik i ekuilibrave të brendshme në PD, ose janë lënë në heshtje, ose janë zhdukur në zhurmën e debatit për listën e PS-së.
3 motivet e Berishës në përpilimin e listës
Tre kanë qenë motivet kryesore të Berishës në përpilimin e listës së tij: reduktimi i personazheve që i jepnin pak garanci politike e ndëshkimi i tyre, tërheqja e personazheve të rinj të kushtëzuar nga faktorë apolitikë, garanci për afërsinë me familje e tij biologjike dhe diktimi i ekuilibrave të rinj në PD. E humbura e madhe e kësaj liste ka një emër: Jozefina Topalli. Duke e konsideruar veten, por dhe duke krijuar në publik e në ambientet politike të djathta imazhin e numrit dy në PD dhe më shumë se kaq, duke u vetëkonsideruar si pasardhësja direkte e Berishës në PD, ajo pati fatin e Mehmet Shehut në partinë e vjetër të komunistëve.
Natyrisht nuk e detyruan të vetëvritet, por i treguan një kufi të cilin ajo nuk mund ta kalojë, një kufi që për ambiciet e saj, është pothuaj një vetëvrasje politike. Në këtë kuptim, ajo është humbësja e parë e madhe e deklaruar e zgjedhjeve të 23 qershorit. Lulëzim Basha, ruajti të pak a shumë të njëjtat pozita në parti duke gjykuar nga përbërja e listave të deputetëve. Prag-fushata e nisur dhe afërsia edhe vizuale me Berishën, e lënë atë sërish në lojën për PD-në e nesërme, nëse ajo del në opozitë. Trinomi tjetër i njerëzve të fortë në PD, Olldashi, Patozi dhe Bode, gjithashtu rikonfirmuan pushtetin e tyre në PD me një numër gati të njëjtë përkrahësish të tyre që e kanë vendin në lista.
Të ndëshkuarit & Jozefina
Topalli është ndoshta e vetmja kryesuese e listës së deputetëve në një qark, në Shkodër, që nuk mundi të imponojë asnjë nga emrat që ajo kishte përgatitur vetë. Afërsia me Topallin i ka kushtuar shtrenjtë edhe Arenca Trashanit, Astrit Bushatit, Paulina Hotit e deri diku edhe Gjok Uldedajt. Këta deputetë, por dhe Ilir Rusmali, Mark Marku, Viktor Gumi dhe Fatos Hoxha, llogariteshin si grup i afërt me Topallin dhe për këtë u ndëshkuan.
Ka pasur disa raste që në Kuvend, në mënyrë të koordinuar apo jo, ata kanë treguar provë force me numrat duke ju kundërvënë Berishës. Rasti flagrant ishte momenti i kandidaturave për Presidentin e Republikës. Berisha ishte i vendosur të çonte në karrigen e kreut të shtetit gazetarin dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Artan Hoxha. Nuk është thënë se për çfarë arsyeje, por Topalli, me një ambicie vetjake për të njëjtin pozicion, është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtij propozimi. Ajo madje i ka komunikuar Berishës se bashkë me të, janë dhe një grup tjetër deputetësh të PD-së që nuk do ta votonin Hoxhën. Dilema për shifrat dhe dyshimi për rrjedhje të mundshme të tyre duket se ka qenë shkaku kryesor i tërheqjes së Hoxhës.
Mark Marku, një nga deputetët më të zëshëm në publik, shkoi edhe më tej. Duke komentuar dy kandidaturat presidenciale të paraqitura nga Berisha verën e kaluar, Zaganjori dhe Hoxha, u shpreh publikisht se kryeministri u kishte kërkuar të votonin për një anëtar të vonuar të PPSH-së dhe për një person me histori të hershme me sigurimin e shtetit. “Kupa” për Markun, (sipas standardeve të PD-së kjo kupë është fare e ngushtë) u derdh kur Marku ja atribuoi afrimin e tij në Kuvend “një bisede të gjatë me Topallin”.
Përplasjet në votimet në Kuvend
Ka pasur dy pamje të përcaktuara qartë të Topallit në sjelljen e saj politike në këtë legjislaturë. Haptazi dhe drejtpërdrejtë ajo është afishuar si numri dy i PD-së. Topalli, por dhe Olldashi, Patozi, Bode dhe një numër tjetër deputetësh, krijonin në PD jo një grup apo një rrymë të konfiguruar qartazi, por më shumë se kaq, ishin pjesë e një “marrëveshjeje të heshtur” bashkëpunimi. Së bashku, ata kontrollonin shumicën e qarqeve të mëdha në Shqipëri dhe mbi të gjitha, shumicën dërmuese të strukturave organizative të PD-së në qarqe. Jozefina Topalli tanimë nuk ka çfarë i afron këtij grupi. Provën e saj të forcës ajo e konsumoi në katër vitet e kësaj legjislature, gjatë të cilit, morri në heshtje edhe mërinë e kryeministrit. Berisha e duroi kur nuk kishte çfarë t’i bënte, por në momentin vendimtar, duke e mbajtur atë brenda “në listë”, e nxori nga dritarja e paradhomës së pushtetit.
Ka pasur disa momente të kësaj prove forcash dhe numrash në Kuvend, të cilat përgjithësisht kanë kaluar larg vëmendjes së medias, qoftë asaj që ishte pranë pushtetit, qoftë asaj që ishte kritike më këtë pushtet. Përveç rastit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në ambientet e PD-së është diskutuar nën zë edhe për imponimin që Topalli donte të bënte për emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm. Kandidatura e saj shkonte për Sandër Simonin, një gjyqtar karriere dhe i afërt me të. Vetë ajo nuk morri pjesë në votim duke mos dhënë asnjë arsye politike se pse ishte kundër kandidaturës së Adriatik Llallës. Berisha i vëmendshëm mori shënim dhe priti rastin e tij. Ai e toleroi insistimin e Topallit edhe në rastin tjetër kur shumica kërkonte të zgjidhte kreun e KQZ-së. Marsida Xhaferllari, e preferuara e Berishës dhe me një CV konkurruese, humbi përpara përzgjedhjes së kryetares së Kuvendit, Lefteri Lleshi.
E njëjta histori u përsërit edhe në procesin e votimit të kryetarit të KLSH-së. Ilir Rusmali votoi kundër sepse nuk i falte labit Bujar Leskaj batutat therëse që ky i fundit i kishte drejtuar nga Vlora, kur imponohej kandidatura e Bamir Topit si President i Republikës. Por edhe Viktor Gumi e Fatos Hoxha abstenuan në votim. Topalli mundi të sigurojë një fitore tjetër personale kur detyroi shumicën të votojë kandidaturën e përzgjedhur prej saj, Zana Xhuka në krye të ILKDP-së. Ajo madje, mundi ta tërheqë edhe vetë Berishën në një negociatë mes të tretësh për këtë emër dhe fitoi.
Këto arsye, por dhe të tjera, të lidhura kryesisht me distancën që Topalli ka mbajtur me një nga qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse pranë Berishës, familjen e tij, kushtëzuan “ekzekutimin” politik të gruas kryeneçe të politikës shqiptare. E cila, me të gjitha gjasat, edhe nëse PD humb zgjedhjet, do të notojë në ujëra të cekëta sa kohë që Berisha do të vazhdojë të diktojë mbi të gjitha humoret në partinë e tij private.
Olldashi, Patozi, Bode e të tjerë
Ky aks ruan, në rastin më të keq, pozitat më të mira që ka pasur në ekuilibrat e forcës në PD. Së paku në katërvjeçarin e fundit, mes tyre ka pasur gjithashtu së paku, një marrëveshje të heshtur bashkëpunimi. Nuk kanë reaguar si rrymë e konsoliduar dhe e dukshme në publik, nuk kanë pranuar të identifikohen me një emër të përveçëm si përfaqësues i saj, (siç ndodhi në 2007-ën me njerëzit e Bamir Topit), por i ka bashkuar sa miqësia personale, po aq dhe interesi i përbashkët politik.
Megjithatë, në rastin kur Topalli, shumë pranë tyre dhe një si ata, u lëshua duarsh nga Berisha, ata nuk bënë asgjë për ta ndihmuar. Ndoshta për të pritur edhe njëherë rrjedhjen e ujërave të turbullta dhe kullimin e tyre mbas zgjedhjeve.
Pothuaj gjithë deputetët e tjerë, që kanë qenë pranë tyre, e kanë rikonfirmuar praninë e tyre në listat e PD-së. Eduard Halimi, Flamur Noka e Mesila Doda, të afërt me këtë grup, gjithashtu u rikonfirmuan. Dy të parët, kryesojnë listat në Durrës dhe Kukës, e treta, është në pozicionin e dytë në listën e PD-së së Fierit. Arma më e fortë e këtij ekipi mëtonjësish, të njohur për luajalitetin e plotë ndaj Berishës, është kontrolli që ata kanë mbi strukturat e PD-së në Shkodër, Malësi e Madhe, Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Berat, Lushnje, Korçë, Pogradec, Librazhd e diku tjetër gjetkë. Të rikonfirmuar janë dhe Mima e Kadilli, të cilët në katër vjet kanë dëshmuar në PD luajalitet ndaj Berishës, mospërfshirje direkte në grupe të ndryshme në parti, por dhe një profil të qëndrueshëm e të kuruar në debate politike.
Lulzim Basha gjithashtu ka ruajtur pozitat e tij të mëparshme në parti. Ai tashmë mund të marrë frymë më lirisht nga dobësimi i pozitave të Topallit në PD, që ishte kundërshtarja e tij më e madhe në parti. Edhe kësaj here, Basha e morri këtë hapje rruge si dhuratë nga Berisha. Në listën me përkrahës të tij nuk mungoi as Majlinda Bregu, as Aldo Bumçi e as Gert Bogdani. Humbi vetëm një përkrahës në distancë të tijin, Enkelejd Alibeajn, që e pa veten jashtë listave, pak a shumë edhe si një “rebel” i moderuar në PD, por edhe për shkak të problematikave që ka pasur me drejtues lokalë të PD-së në Fier. Pakënaqësitë reciproke të tijat me kryesuesin e listës së Fierit, Olldashi ishin kapërcyer, por duket se për të vetoja e Berishës, i pakënaqur dhe nga pavarësia relative që Alibeaj kishte dëshirë të dëshmonte, ishte vendimtare.