Xhufi për “zogizmin e Majkos”: Po befason edhe Berishën duke zbuluar virtyt aty ku është vetëm vesi

0
41

Pëllumb Xhufi, 15 shtator 2012

Në një intervistë për “Javën” e kësaj jave, Pëllumb Xhufi flet pa ekuivok për debatin mbi figurën e Zogut në Shqipëri. Ai e konsideron një tentativë për të ri-shkruar historinë nga ana e Z. Berisha, ndër të tjera dhe duke vjellë vrer ndaj figurave madhore të historisë sonë kombëtare si Fan Noli, Qemal Stafa, etj.

Në këtë suazë, Xhufi shpreh habi për deklaratat e Majkos në favor të Zogut, aq më tepër kur ai nuk flet për disa merita të njohura të ish-mbretit, si, “roli për konsolidimin e shkollës kombëtare, për krijimin e një administrate publike, për vendosjen e rendit pas vitesh anarkie (autor i së cilës ishte shpesh vetë Zogu)…” por “…vendos t’i befasojë të gjithë, madje edhe Z. Berisha, duke zbuluar virtyt aty ku ndodhet vetëm vesi: merr në mbrojtje (edhe në veshjen e juristit) aktin më të turpshëm e burracak të Ahmet Zogut, atë të ikjes së tij nga Shqipëria në 7 prill 1939, pasi kishte çrmatosur e demotivuar ushtrinë e popullin e vet dhe pasi kishte plaçkitur dhe florinjtë e arkës së shtetit.”

Xhufi shton më poshtë se “…është e para herë që dëgjoj që ‘ikja’ qenka një akt juridik i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm për të ‘çertifikuar’ pushtimin! Nënë këtë llogjikë, Zogu do ish treguar më i mençëm, në rast se s’do kish ikur por do i kishte mirëpritur italianët në Pallatin Mbretëror e do nënshkruante me ta ‘aktin juridik’ të pushtimit, njëlloj sikurse nënshkroi aktin e martesës, nën ‘çertifikimin’ sovran të Kontit Çiano…”

Xhufi i tërheq vëmendjen Majkos se si ish-ministër i mbrojtes duhet ta dijë se në kohë lufte “vlerësohet shumë më tepër luftëtari që bie rob, sesa luftëtari që dezerton.”

Në lidhje me fushatën e ri-shkrimit të Historisë Xhufi kujton edhe se para 15 vjetësh Berisha thoshte për Zogun e Nolin se “ i pari ishte një satrap, i dyti një vigan i lirisë. Mirëpo sot, Z. Berisha ka ndërruar mendje dhe na mëson se Fan Noli, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi me shokë, ishin ‘bashibozukë’ dhe ‘puçistë të poshtër’ që i ranë në qafë të ‘urtit’ Zog, ‘demokratit më të madh të Ballkanit’…”

k.c.