
Luljeta Progni, 22.12.2009
Flet Pëllumb Xhufi, një nga ish-drejtuesit e lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që u largua pas marrëveshjes qeverisëse, që LSI nënshkroi me PD
Z.Xhufi, PD dhe LSI po bëjnë disa muaj në qeverisje së bashku. Si do e analizonit këtë periudhë?
Periudha e një qeverisjeje të fjalëve, kur qeveria më kot është përpjekur të bindë shqiptarët se është një “grua e ndershme”, ndërkohë që të gjithë e dinë që është një grua e përdalë. Qeveria Berisha 2 trashëgoi peshën e rëndë të fajeve e të dështimeve të qeverisë Berisha 1. Përfshirja në të e personazheve si Basha, Mediu, Bode, Ruli, Pollo etj., bashkë me hijet e reformave e të privatizimeve të dështuara në ekonomi, financë, arsim etj., garanton me cinizëm edhe vazhdimësinë në kursin e qeverisjes korruptive e të plaçkitjes së pasurisë publike nga vetë qeveritarët. Komponentët e tjerë të qeverisjes, në radhë të parë LSI, larg së qenit një “vlerë e shtuar”, e përforcuan profilin prej mëkatari të kësaj qeverisjeje. Nga njëra anë, drejtuesit pro-berishianë të LSI dështuan të bindin votuesit e kësaj force, por dhe gjithë shqiptarët, për drejtësinë e për moralitetin e vendimit të tyre për t’iu bashkuar qeverisë së Gërdecit.
Nga ana tjetër, ministrat e LSI janë ulur në karrige “që djegin”. Berisha u la atyre drejtimin e sektorëve, ku ministrat paraardhës të PD s’kanë lënë fije bari ose kanë hedhur fara të hidhura. Shikoni në ç’situatë të pakëndshme është vetë ministri i Jashtëm, z. Meta. Nga njëra anë ky është i detyruar të përballet me efektet “cunami” që ka lënë pas në atë dikaster miku i tij Basha, i cili deri ditën e fundit u kujdes t’i lërë prapa një ministri të çorganizuar e të mbushur tej organikës me një ushtri të tërë komsomolasish të PD. Akoma më keq, i ka lënë mbi shpinë edhe barrën e rëndë të nismave të dështuara diplomatike e të marrëveshjeve të fshehta antipopullore, antikombëtare e antikushtetuese, siç është ajo e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, e jo vetëm ajo. Për të mos folur pastaj edhe për problemet shtesë që z. Meta i ka krijuar vetes, me deklarata e iniciativa diplomatike, që përkojnë me konceptet e kryeministrit Berisha mbi prioritetet e politikës së jashtme, por që kanë ngjallur debat e dyshime jo të paarsyeshme në opinionin shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë.
Por për të gjykuar me një vështrim fare të shpejtë mbi integritetin e kësaj qeverie, mjafton të hedhim sytë te “xhevahiri” i saj, përfaqësuesi më keq-përfaqësues i minoritetit grek: e kam fjalën për z. Ksera, të mbiquajturin “prefekt i Vorio-Epirit”, i cili përfaqëson triumfin deri në nivelet më të larta të qeverisjes së frymës e të praktikave antishqiptare e antikushtetuese.
Para disa kohësh një zyrtar i LSI u arrestua, ndërsa prej kohësh media drejtonte gishtin nga ai për afera korruptive. Ngjarja kaloi pa shumë zhurmë në media. Ju si do e komentoni këtë ngjarje?
Nuk kam as dijeni, as njohuri për të gjykuar mbi këtë rast. Por jam i prirur të besoj zërat që e bëjnë këshilltarin e z. Prifti viktimë të larjeve të llogarive midis vetë drejtuesve pro-berishianë të LSI. Por nuk përjashtohet edhe mundësia tjetër. Dihet që qeveria e z. Berisha është nën akuzat e rrepta të opinionit të brendshëm e të jashtëm për nivelin e frikshëm të korrupsionit që fshihet brenda radhëve të saj. Vendet dhe institucionet partnere i kërkojnë hapur asaj që ta tregojë vullnetin për të luftuar korrupsionin, jo më me fjalë, por duke goditur më së pari ministra e nëpunës të korruptuar.
Por, ndërsa për ndërkombëtarët arrestimi i pushtetarëve të korruptuar është një çështje e moralit, e shtetit ligjor, e besueshmërisë së institucioneve, e demokracisë dhe e vetë sigurisë kombëtare, për Berishën është thjesht një çështje statistikore. Ai e di mirë që një ditë të mirë do t’i duhet t’i raportojë shqiptarëve e ndërkombëtarëve “prerjen” e disa kokave të korruptuara.
Sigurisht, Berisha as nuk e shkon nëpër mend të merret me ministrat e me nëpunësit e parcelës së vet, me të cilët i lidh militanca në PD ose pjesëmarrja në afera të përbashkëta korruptive. Viktimat e “antikorrupsionit” do t’i kërkojë gjetkë, në radhë të parë tek “aleatët” e LSI. Druhem se rasti i mësipërm do të ndiqet nga të tjera arrestime makar të kurdisura ndaj eksponentëve të LSI të përfshirë së fundmi në administratën publike. Këta i ngjajnë sot atyre specieve të rrezikuara. Ndaj me zemër do t’u uroja atyre korrektësi e integritet maksimal.
Pas zgjedhjeve të pjesshme vendore, LSI deklaroi se ka pasur rritje në elektoratin e saj. A ndani dhe ju këtë mendim?
Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë, dhe më mirë kështu, se do ta kisha konsideruar të paturpshme. Sepse, edhe sikur të ketë pasur ndonjë “rritje” të LSI, shumëkush e kupton se ajo i detyrohet “zemërgjerësisë” së përkohshme të PD. Thashë “të përkohshme”, por më duhet të shtoj edhe “të përmbajtur”, sepse, pavarësisht kushteve “optimale”, kur PD ishte një rival-mik e kur opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, nuk rezulton që LSI të ketë fituar ndonjë komunë a minibashki.
Zoti Xhufi, opozita shqiptare po kërkon mos-ratifikimin e paktit për ndarjen e ujërave detarë me Greqinë. Ju jeni angazhuar kundër kësaj marrëveshjeje. Pse?
Unë e denoncova politikisht këtë marrëveshje që në muajin prill, fillimisht i mëdyshur nga rrethanat aspak të qarta të nënshkrimit. Më vonë u thellova në përmbajtjen e saj, në atë të legjislacionit shqiptar e të Konventës së OKB për Detin, si dhe në aspektet historike, diplomatike e tekniko-ushtarake të çështjes. Kolegë të tjerë gazetarë, ish-ushtarakë, profesorë gjeografë e hartografë, si dhe juristë të njohur sqaruan profesionalisht defektet e rënda të marrëveshjes.
Në fund, ata që më siguruan mua dhe gjithë shqiptarët dyshues, se kishim të bënim me një marrëveshje hileqare, ishin vetë urdhërdhënësit e lartë të qeverisë shqiptare, kryeministri, ministri i Jashtëm e ministri i Mbrojtjes, si dhe ndonjë vartës i tyre i trembur, i paaftë e i korruptuar: dalja e tyre e detyruar publike në mbrojtje të kësaj vepre të turpshme i demaskoi ata të gjithë si shitës të interesave kombëtare e shkelës të ndërgjegjshëm të Kushtetutës. Për hir të pushtetit e të marrjes së ndonjë krediti personal nga ana e qeverisë greke, i gjithë ky takëm antishqiptarësh, që sot gjallon në qeverinë e administratën shqiptare, kanë pranuar një marrëveshje të padrejtë, që në kundërshtim me dispozitat e Konventës së OKB i fal padrejtësisht Greqisë det territorial, në dëm të hapësirës sonë detare. Dhe që gjithashtu krijon, jo për faj të saj, një problem me Greqinë në një moment jashtëzakonisht delikat për Shqipërinë e integrimin e saj në BE.
Qeveria shqiptare duhet të përgjigjet, jo vetëm për shkeljen e Kushtetutës, por edhe për këtë ngërç që kanë krijuar artificialisht me fqinjin e jugut. Sot, pas tetë muajsh nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kjo qeveri nuk ka kurajë t’u tregojë shqiptarëve hartën e re të ndarjes së detit. Dhe a e dini pse? Sepse marrëveshja e re e ka sjellë vijën e kufirit detar me Greqinë deri 700 metra afër bregdetit shqiptar. E thënë me gojë, kjo është gjithsesi e rëndë. Por e parë me sy, do të ishte shokuese për cilindo shqiptar.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se opozita kërkon të dëmtojë marrëdhëniet e mira me Greqinë duke u treguar destruktive. Por, para zgjedhjeve LSI e kishte quajtur këtë marrëveshje një akt të pastër korrupsioni politik. Meta e ka rrëzuar këtë deklaratë duke e quajtur individuale. Çfarë qëndrimi ka pasur LSI në atë kohë për këtë çështje?
Deklarata e mësipërme e z. Meta më kujton deklaratën e një zëdhënësi të z. Berisha, i cili manifestimin paqësor të çamëve në Sarandë me rastin e vizitës së presidentit grek, Papulias, në dhjetor 2005, e quajti si një “komplot të organizuar nga presidenti Moisiu, për të prishur marrëdhëniet e shkëlqyera që z. Berisha kishte me qeverinë e Athinës”. Ju kujtohet?
Deklarata të tilla kanë dalë gjithnjë nga pushtetarë në vështirësi, nga pushtetarë që kanë probleme me opinionin e që kanë humbur mbështetjen e brendshme. Dalin nga mendje të dëshpëruara, që kërkojnë të kapen te “miku” i huaj, si pas fijes së barit.
Është e vërtetë që kundër marrëveshjes për ndarjen e detit me Greqinë u shpreha unë më së pari, në muajin prill, dhe pas meje një tjetër drejtues i rekrutuar sërishmi në LSI. Këtij besoj i referohet z. Meta, kur flet për “deklaratë individuale”, pasi unë kisha kohë që nuk konsiderohesha “zë zyrtar” i LSI. Ky fatkeq i hyri kësaj pune, jo për bindje, por për të fituar ndonjë kredi “patriotike”, aq më shumë që ishim në kulmin e fushatës zgjedhore dhe ai do të përfaqësonte LSI në një vend të sertë, siç është Vlora. Jam i sigurt se ky individ, që është nga ata që për shefin janë kail t’i ngulin dhëmbët gomave të makinës, sot është thellësisht i penduar për shpërthimin e tij të papritur patriotik në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit!
Një nga familjarët e viktimave të Gërdecit deklaroi se kryetari i LSI, Ilir Meta, i kishte kërkuar votën në shtëpinë e saj, duke i thënë që ajo do largonte nga pushteti, ata që i vranë të birin. Tashmë LSI nuk flet më për këtë çështje që e kishte flamur beteje politike…
Sigurisht, sot drejtuesit e LSI janë në krah të shkaktarëve të Gërdecit, dhe një zot e di, nëse nuk kanë qenë me ta, edhe atëherë kur vizitonin familjet e viktimave. Fatkeqësisht, LSI e sotme është LSI e kthyer kokëposhtë. Sot drejtuesit e saj nuk flasin më për Gërdecin, madje kanë bezdi, kur të tjerët flasin për të.
Sot, ata që disa muaj më parë thoshin që Shqipëria është në prag të kolapsit ekonomik, tejkalojnë edhe z. Berisha, kur deklarojnë që vendi është me një ekonomi të shëndetshme, si kurrë ndonjëherë.
Sot, ata që më 28 qershor denonconin me të madhe “masakrën elektorale”, sot thonë se zgjedhjet ishin një thagmë!
Sot ata që denonconin kapjen e administratës, kapjen e prokurorisë e të gjykatave nga Berisha, deklarojnë që Shqipëria po përjeton ditët më të mira të shtetit ligjor.
Ata që dje e njësonin qeverinë e z. Berisha me korrupsionin e madje me emrin e Damir Fazlliçit, deklarojnë me të madhe se kjo është më “popullorja”, më “atdhetarja”, më “e ndershmja” qeveri që ky vend ka njohur. Kjo është qeveri e “integrimit”! Çudi e madhe, bota paska ndryshuar aq shumë dhe ne nuk e paskemi vënë re.
Zoti Xhufi, kryetari i LSI në njëfarë mënyre ka kërkuar ndjesë për disa probleme të qeverisjes së tij para disa vitesh, si për manipulimet zgjedhore apo arrestimi i liderit të opozitës. Edhe kryeministri, Sali Berisha, e ka quajtur një mëri të së shkuarës arrestimin që i është bërë në atë kohë, dhe manipulimet zgjedhore. Akuzat mes njëri-tjetrit për korrupsion dhe krime kanë kaluar po ashtu me falje…
Shikoni, nuk më duket se z. Meta ka marrë përsipër ndonjë përgjegjësi për parregullsitë e zgjedhjeve të vitit 2001, “Dushkun e vogël” ai ia ka atribuuar ekskluzivisht zotit Nano. Sa për ndalimin e z. Berisha në janar 2001, e besoj që sot z. Meta është thellësisht i penduar për atë që ka bërë. Mendja ma thotë që z. Meta me shumë dëshirë do t’ia kalonte meritën për kryerjen e atij aksioni cilitdo që sot do ta pretendonte një nder të tillë. Njerëzit falin, kur janë të mençur, kur janë të gjerë, kur janë qytetarë. Njerëzit falin për hir të bashkëjetesës civile. Politikanët falin për hir të interesave të mëdha, të interesave kombëtare. Këtë më duket ka dashur të thotë edhe z. Meta, kur e përligji bashkimin e tij në qeverinë e njeriut që deri atëherë e kishte anatemuar aq rëndë, pikërisht me “interesat e larta të atdheut”. Por ajo çka mund të themi tani për tani për këtë aleancë atipike, por që na shitet si “patriotike”, është se në rastin e përmendur të marrëveshjes së detit, “interesat e larta të atdheut” u përdhosën keqas.
Zoti Xhufi, Shqipëria është në një krizë të thellë politike. Palët nuk lëshojnë në qëndrimet e tyre dhe ekziston frika se gjërat mund të përkeqësohen. Ju si e parashikoni situatën?
Pikërisht, ky është momenti kur qeveria duhet të tregojë përgjegjësi e patriotizëm. Opozita, e mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor, kërkoi në KQZ certifikimin e votës në kuti të caktuara të zonave të caktuara. Gjyqtarët e kapur të KQZ e të Kolegjit Zgjedhor ia mohuan opozitës këtë të drejtë, që ia njeh ligji. Në këto kushte, mazhoranca nuk mund të kapet pas një vendimi antiligjor, të imponuar nga ajo vetë.
Sot është koha për një zgjidhje politike, madje shumë më tepër se ç’qe në vitin 2001, kur për një truk zgjedhor ligjërisht të pakontestueshëm, dhe që synonte vetëm thellimin e fitores e jo ndryshimin e rezultatit, mazhoranca socialiste pranoi të bjerë në marrëveshje me PD, duke ia lënë asaj zgjedhjen e Presidentit të Republikës e të posteve të tjera të rëndësishme shtetërore.
Pavarësisht hijeve e pikëpyetjeve që mund të shoqërojnë këtë kërkese të pakontestueshme të opozitës, unë jam plotësisht në favor të kësaj beteje politike. Jam në favor, jo aq shumë për pasojat imediate që mund të ketë në skenarët e mundshëm politikë, sa në funksion të krijimit të një kulture të re, të një rebelimi mbarëpopullor ndaj cilitdo që në të ardhmen do të guxojë të dhunojë vullnetin e popullit shqiptar e të grabisë fatin e tij. Sepse vetëm ato qeveri që vijnë në pushtet me hile e pa mandat popullor, mund të jenë aq të papërgjegjshme sa të bëjnë ato gjëma që kemi përjetuar në këta 5 vjetët e fundit.
Gjithsesi, unë jam për një vlerësim kompleksiv të situatës. Një ditë jo të largët, opozita do të duhet të hyjë në parlament. Kjo qeveri po kërruset dita-ditës nën peshën e dështimeve e të mëkateve të vjetra e të reja dhe fundi i saj është çështje kohe. Por ajo nuk meriton të lihet e vetme në agoninë e saj, ajo duhet të shoqërohet e të denoncohet nga afër, ditë për ditë, në mënyrë që nesër edhe shqiptari më i fundit të mësohet ta ndjejë me kilometra larg erën e qeverisjes së keqe.
Zoti Xhufi, së fundmi Këshilli i Ministrave të BE ka vendosur ta çojë përpara aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Kryeministri Berisha pretendon se ndërkombëtarët po i japin mbështetje atij. Ju si e lexoni qëndrimin e ndërkombëtarëve në këtë krizë?
Berisha është mësuar të interpretojë si provë dashurie për të e qeverinë e tij edhe gjestin më rutinor të BE. Në fakt nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Pas nënshkrimit me shumë vonesë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (Maqedonia 1 vit, ne 6 vjet), u pranua gjithashtu me vonesë kërkesa për dhënien e statusit të vendit kandidat.
E jashtëzakonshme është që edhe pesë vjet pas ardhjes në pushtet të “qeverisë së duarve të pastra”, kjo e fundit është bërë rregullisht target i kritikave plot helm të BE e të SHBA për nivelin e lartë të korrupsionit qeveritar, për lulëzimin e trafiqeve e të krimit të organizuar, për presionin politik mbi prokurorinë e gjykatat, për brishtësinë e administratës publike si rezultat i mbushjes së saj me militantë partiakë për zgjedhje që vazhdojnë të marrin notë pakaluese. Këto janë arsyet e vërteta, përse ne jemi aq të vonuar në procesin e integrimit. Këto janë gjithashtu arsyet, përse kemi mbetur të fundit e klasës dhe BE po heziton të zbatojë edhe për Shqipërinë atë vendim politik që ka marrë për të hequr regjimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Deri tani z. Berisha i ka mbytur ndërkombëtarët me deklarata të vullnetit të mirë. Deri tani këta edhe i kanë besuar. Por tani kërkojnë prova të prekshme në luftën kundër korrupsionit e kundër botës së krimit dhe në sfidën për forcimin e shtetit ligjor e të institucioneve demokratike. Pikërisht këtu ka ngecur puna. Pasi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit e kundër krimit, z. Berisha duket se ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të luftuar të keqen: e ka shpallur opozitën si një përbindësh komunisto-mafioz. Dhe po pret që dikush nga Evropa, p.sh., zonja Pack, t’i japë shenjë të ngrejë shpatën…







