TemA, 7 Janar 2013
Historiani Pëllumb Xhufi jep argumente kundër pretendimeve të ultranacionalistëve grekë të “Agimit të Artë”.
“Skënderbeu mund të jetë grek aq sa ç’mund të jetë shqiptar Eleuther Venizellosi”, ka deklaruar për GSH Xhufi.
“Agimi i Artë” përmes një shkrimi në faqen zyrtare shprehej se shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, i cili zhvilloi një luftë të ortodoksisë kundër turqve, për të mbajtur të lirë rajonin. Në shkrim shtohej gjithashtu se shqiptarët përdorin në mënyrë të padrejtë flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar dhe nënvizonin se Epiri ishte grek.
Por sipas historianit Xhufi, cilësimi grek i Skënderbeut ka tjetër domethënie.
“Fakti është se historia e ka lënë Greqinë pa heronj e pa vepra heroike. Në 500 vjetët e sundimit osman në Greqi nuk arrin të shquash një lëvizje, një kryengritje çlirimtare, si përkundrazi ndodh me shqiptarët gjatë shekujve XIV-XIX”, shpjegon ai.
Gjithashtu profesori vëren se: “fakti që aktorët kryesorë të kryengritjes së vitit 1921 dhe të çlirimit të Greqisë ishin shqiptarët Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Miauli, Ali Farmaqi, Kollokotroni, Odise Andruco, Bubulina, etj, nuk mundej të përtypej lehtë”.
Sipas Xhufit, qysh në shekullin e XIX ndonjë ideolog duke ndjerë si frustrim kombëtar boshllëkun në histori e në heronj në mesjetën greke, mendoi të “rrëmbejë” edhe Skënderbeun.
Sipas tij, “Agimi i Artë” nuk bën gjë tjetër veçse shkel në rrugë të perënduara.
“Askush në Evropë dhe Amerikë nuk ua ka vënë veshin kllapive të tilla. Madje edhe në vetë Greqinë, brenda dhe jashtë botës akademike po shtohen gjithnjë e më shumë zërat që denoncojnë nervin nacionalist e shovinist të historiografisë e të vetë politikës greke”, nënvizon Xhufi.
Sipas tij, ndaj këtyre duhet të jemi të vëmendshëm dhe jo ndaj kakarisjeve të sorrave të “Agimit të perënduar”.