Xhozefina romantike, poete…

0
42

 Mirushe Kunupi, 13.07.2011

Në konferencën botërore të grave lidere, foli edhe kryetarja jonë e Kuvendit. Foli, po çfarë tha?

“Në parlamentin e Shqipërisë, në sallën e seancave plenare, unë pres e takoj çdo ditë nxënës të shkollave. Kur hyj në sallë, i gjej të ulur në vendet e deputetëve, ministrave.

A e dini se ç’më ka bërë përshtypje? Çdo ditë kur hyj në sallë, në vendin e Kryetarit të Kuvendit kam parë të ulen vetëm vajza, vajza që kur i pyet, thonë se duan të bëhen Kryetare Parlamenti”.

Liderët e botës shqyen sytë: si ka kohë kjo kryetare të presë çdo ditë nxënës shkollash? Dhe kur salla e seancave plenare mbushet përditë me nxënës shkollash, ku i zhvillojnë deputetët debatet e përditshme?

Nejse, mbase përkthyesja e ka rregulluar këtë ekzaltim të lideres sonë. Po pse u mblodhën liderët e botës? Për barazinë gjinore.

Dhe Xhozefina jonë krenare foli për rolin e gruas në atdheun e saj dhe tonin. Po si është barazia e grave në Shqipëri?

Ti si grua duhet të luftosh për këto të drejta dhe t’i thuash botës realitetin dhe të mos kënaqesh me faktin se je Kryetare Kuvendi dhe të masturbohesh me faktin se të gjitha vajzat shqiptare dashkan të bëhen Kryetare Kuvendi. Nuk ka nevojë që gratë të bëhen Kryetare Kuvendi, se nuk ka kolltukë të kushtueshëm për të gjitha.

Mjafton të jenë të barabarta në qeverisje, në pushtetin lokal, në Kuvend e kudo. Po si është përqindja e grave në qeverisje moj zonjë e moderuar? Më fal për këtë pyetje, se të vura në pozitë të vështirë. Lëre fare përgjigjen, se e di që s’ta mban të kritikosh publikisht Kryeministrin. Madje, edhe kur ky Kryeministër fyen gratë parlamentare, shan si rrugaç, ti qesh dhe duartroket, krenare që je pjesë e kësaj rrugaçërie. Të të kujtoj vetëm se edhe qeveria e fundit e diktaturës ka pasur dy femra ministre. Po le ta zgjerojmë pyetjen: sa kryetare grash ke si Parti Demokratike në pushtetin lokal? Sa deputete femra ka në Kuvend dhe a është arritur barazia me burrat?

Ndoshta është e tepërkërkuar fjala barazi, po meqë je ligjvënëse, le të themi se është zbatuar ligji për pjesëmarrjen 30% të grave në forumet drejtuese të niveleve të ndryshme? Megjithëse një ligj diskriminues, le ta marrim si diskriminim pozitiv, sepse kur flet për barazi të burrit me gruan, nuk ka nevojë ta ligjërosh barazinë 30 me 70, në favor të patriarkatit Në konferencën botërore të grave lidere, ti fole për zogj që këndojnë, për historinë e Rozafës që u muros duke lënë gjirin jashtë për të ushqyer foshnjën dhe u mburre me Nënë Terezën.

Diku, mes diskutimit poetik dhe patetik që bëre, të shpëtoi dhe një fjali rastësisht: “Barazia gjinore është çështje e të drejtave të njeriut. Dhe si çdo e drejtë ajo është përgjegjësi. Përgjegjësia është detyrim”. Cila është përgjegjësia juaj zonjë e respektuar, për mosbarazinë gjinore dhe sipas jush, për shkeljen e të drejtave të njeriut në atdheun tuaj? Se vetë ju vutë shenjën e barazimit mes barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.

Dhe kur nuk e realizon barazinë gjinore, ke shkelur të drejtat e njeriut, apo jo? Po kjo, sipas jush, nuk është vetëm përgjegjësi, por edhe detyrim. Atëherë, kush i shkel në Shqipëri të drejtat e njeriut?

Kryeministri i pari, ju e dyta, Partia Demokratike e treta, e me radhë. Mbase për këto duhet të ngresh zërin si grua, si nënkryetare e PD-së dhe si Kryetare e Kuvendit. Dhe, thirrjen: “merreni prej zhelesh dhe nxirreni përjashta atë vagabond”, duhet t’ua drejtosh atyre që i shkelën këto të drejta njerëzore dhe t’i përmenda më lart. Patetizmat romantike lërja Hygoit e romantikëve të tjerë. Ti me fjalën tënde të shkurtër citove Ajnshtajnin, Maya Angeloun etj, por mua seç m’u kujtua Çurçilli.

Në Parlamentin anglez, një grua llafazane i drejtohet Kryeministrit të atëhershëm të Britanisë së Madhe: “Po të isha unë gruaja juaj do t’ju hidhja helm në kafe”. “Edhe unë po të isha buri juaj do ta pija me kënaqësi këtë kafe”, – ia ktheu hazërxhevap Çurçilli. Ndërsa unë dua ta mbyll me Dymanë, besoj se i ke lexuar veprat e tij: “Sado mirë të flasësh, po të flasësh shumë, në fund të fundit do të fillosh të thuash budallallëqe”.