Xhorxh Soros po troket

0
38

Koha Jone, 19 Mars 2014

madhësia e shkronjave Zvogëlo shkronjat rrit madhësinë e shkrimit Printo Posta elektronike
Një lajm i veçantë për Shqipërinë vjen nga burime të sigurta, se miliarda dollarë janë të gatshëm nga miliarderi amerikan Xhorxh Soros, për t’u investuar në Shqipëri. Xhorxh Soros ka kontraktuar Universitetin Harvard, një ndër më prestigjiozët në botë, i cili po bën studime se ku duhet të fokusohet ekonomia shqiptare.

Burime të sigurta që kanë shoqëruar përfaqësuesit e Universitetit Harvard, bëjnë me dije se është në përfundim studimi i prioriteteve për të investuar në vendin tonë. Sipas studimit, prioritet do të jetë industria e lehtë, ku miliarda dollarë do të vihen në dispozicion nga miliardieri Xhorxh Soros për të investuar në Shqipëri. Investimet në vendin tonë janë një domosdoshmëri për ekonominë shqiptare, që ndikon direkt në rritjen e mirëqënies së qytetarëve.

Përfaqësuesit e Universitetit të Harvardit do t’i paraqesin përfundimin e studimit të prioriteteve miliardierit amerikan Xhorxh Soros, i cili së shpejti do të vijë në Shqipëri për të kontribuar konkretisht me këto projekte. Kryeministri Rama dhe tre ministra të kabinetit janë të informuar rreth këtij studimi dhe gadishmërisë së Xhorxh Soros për të investuar miliarda dollarë, në funksion të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, duke ndikuar në punësimin e mijëra personave, si dhe në përmirësimin e jetës edhe në zonat rurale.

Xhorxh Soros nëpërmjet fondacionit të tij, erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1992, duke u angazhuar në shumë projekte. Xhorxh Soros është edhe një mik i veçantë i kryeministrit Edi Rama, i cili e ka mbështetur zotin Rama duke financuar disa projekte të Bashkisë së Tiranës, gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie. Gjithashtu, zoti Rama ka qenë i ftuar midis 500 personaliteteve në dasmën e tretë të Xhorxh Soros që u organizua në shtator të vitit të kaluar. Xhorxh Soros është një mik i madh i medias së lirë dhe i shoqërisë së hapur e të lirë.

Burime të sigurta pranë grupit të studimit të Universitetit të Havardit theksuan se Xhorxh Soros ka një admirim të veçantë për Shqipërinë dhe dëshiron të investojë për zhvillimin e saj. Ardhja e miliarderit Soros mund të ndryshojë rrjedhën e ekonomisë shqiptare, pasi jo vetëm sjell zhvillim e fonde të mëdha, porse pas tij vijnë edhe miliarderë të tjerë.