WordPress 3.6.0 në gjuhën shqipe

1
58

Arben Çokaj

WordPress.org – Platforma më e madhe në botë e blogimit për publikime, ndodhet edhe në gjuhën shqipe. Përdoret në miliona faqe dhe shikohet çdo ditë nga dhjetëra miliona njerëz. Është në gjuhën angleze si standard, por mund të përdoret edhe në gjuhë të tjera.

Duke parë se shumë shqiptarë kanë filluar ta përdorin WordPress për publikimin e gazetave dhe për prezantimin e punës së tyre, menduam që ta përkthenim këtë aplikim të mrekullueshëm edhe në gjuhën shqipe. Ka kohë që ka filluar kjo sipërmarrje dhe individë të ndryshëm kanë bërë përpjekje për përkthimin e saj. Në fillim Romeo Shurka – një student shqiptar në Gjermani, dhe unë, bashkëpunuam për krijimin shqip të WordPress – kuptohet të gjuhës shqipe. 🙂 Por ndërkohë që ne bashkëpunonim, doli në faqen zyrtare të WordPress versioni i gjuhës shqipe, i cili linte për të dëshiruar në terminologjinë e përdorur. Kontaktuam autorin e përkthimit “zyrtar”, por ai nuk u tregua i gatshëm për bashkëpunim – duket se donte të ruante ‘monopolin’ e tij. Monopol në një aplikim me burime të hapura?! Janë mijëra vetë në botë që merren me WordPress, kurse një shqiptar kërkon ta privatizojë gjuhën shqipe për këtë.

Versioni që japim këtu më poshtë në foto, është versioni i përkthyer nga unë, në përpjekje për të përshtatur një gjuhë sa më afër standardit të shqipes.

Versioni zyrtar, i cili prezantohet dhe aktualizohet në faqen WordPress.org është përkthyer fillimisht nga Besnik Bleta, disa kohë pasi ne kishim bërë përkthimin tonë, dhe gjendet në faqen zyrtare të WordPress. Besniku gjeti mënyrën për të komunikuar me administratorët e WordPress dhe përkundër politikës së WordPress, që mbështetet në kontribute vullnetare, ai e bllokoi hapësirën për gjuhën shqipe, zuri pritën aty dhe nuk pranon as kontributin e të tjerëve. Ndërsa vende të ndryshme kanë grupe pune vullnetare dhe bashkëpunojnë në nxjerrjen e një versioni të përbashkët të gjuhës së tyre, versionet e shqipes janë disa, pasi përkthyesi Besnik Bleta ruan ‘monopolin’ e tij dhe nuk bashkëpunon si e sa duhet, për të krijuar një version shqip, me një gjuhë unike, të kuptueshme dhe të pranueshme nga të gjithë.

Ndodh si në rastin e tanishëm, që Besnik Bleta nuk është në gjendje ta bëjë përkthimin e një versioni në kohën e duhur dhe kështu versioni zyrtar i shqipes vonon për të dalë në treg, paralelisht me versionin e ri në anglisht e gjuhë të tjera. Prandaj kërkohet një bashkëpunim më efikas edhe për rastin e gjuhës shqipe. Ne psh. e kemi nxjerë versionin 3.6.0, në kohënkur versioni i shqipes tek faqja zytare është më i hershëm.

Përderisa përkthimi i këtij aplikimi nuk sjell burime financiare, por bëhet më shumë për kënaqësi personale e kombëtare, atëherë mungesa e bashkëpunimit në këtë rast shkon kundër interesit të publikimit të gjuhës shqipe, si duhet e në kohën e duhur për vetë aplikimin e WordPress, dhe përkundër edhe politikës së hapur, që WordPress luan me liçensën e saj me burime të hapura GPL. Pra, edhe në gjuhën e informatikës, e sidomos të përkthimeve shqip të programeve dhe aplikimeve të ndryshme, jemi tepër të vonuar në arritjen e një gjuhe të përbashkët përkthimi dhe profesionale.

Unë po e bëj publik këtë lajm për  të interesuarit e këtij alikimi, duke shtuar këtu se versionin shqip, të përkthyer nga unë, e gjejnë si referencë në faqen zyrtare të WordPress.org, në adresën: http://codex.wordpress.org/User:Acokaj/Some_Page  dhe kryesisht në faqen time, që merret me Metodika – WebDizajn dhe Programe shqip: http://www.bmconline.info/.

Jeni të ftuar të jepni edhe ju sugjerimet tuaja në përmirësimin e punës sonë, në drejtim të krijimit të një standardi përkthimi edhe për programet dhe aplikacionet e kompjuterit në shqip. Nuk ka dyshim, që qeveria shqiptare duhet ta shohë si prioritet edhe krijimin e një grupi pune, në lidhje me këtë problem, pasi përkthimi shqip i programeve të kompjuterit është në një gjendje të mjerueshme, në kohën kur jetojmë në epokën e teknologjisë dhe të informacionit! Përkthimi shqip i programeve të ndryshme, në bashkëpunim me prodhuesit e progranmeve, ka jo vetëm interes për gjuhën shqipe dhe shqiptarët kudo ku ndodhen, por ka edhe leverdi ekonomike, nëse punohet ashtu siç duhet.

Ka një grup të shqiptarëve nga Kosova, QEP, të cilët vullnetarisht si fillim kanë filluar përkthimin e programeve të ndryshme, sidomos të produkteve të Microsoft, por përpjekjes së tyre u duhet dhënë një ndihmë profesionale, pasi gjuha që ata përdorin mund të përmirësohet në disa raste (http://www.gjuhashqipe.com/). Pra, përveç përgëzimit për punën e tyre të madhe, ka vend edhe për ndihmë dhe përmirësime. Le të shpresojmë që ministrja e re e Inovacionit, informaticenia Milena Harito do të bëjë një ndryshim edhe në këtë drejtim, duke i dhënë përparësi edhe përkthimit shqip të programeve të ndryshme të kompjuterit! Ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, por duhet filluar disi, diku.

1 COMMENT

  1. Te pershendes per nismen, Arben. Si per çdo gje tjeter edhe per kete rast shpaloset mendesia e vjeter egoiste e “merites personale”.
    Keshtu ka ndodhur edhe me perkthimin e Joomla. Ne qarkullim eshte nje version shume i keq ne gegerisht, jo sipas kriterve te gjuhes letrare standarde dhe e pershtareshme per nje publik gjitheshqiptar.
    Edhe pse jane bere perpjekeje nepermejet transifex.net nga dy zhvillues te talemntuat Joomla, si Oltimus, Ervis Tusha e disa kontrubues te tjere, ne JED vazhdon te shkarkohet versioni gegerisht. Edhe pse, para disa kohesh komunikova me autorin duke e ftuar per bashkepunim, pergjigja ishte jo vetem refuzuese e fyese, por edhe joprofesionale: “Kjo qe ofroj une eshte gjuha shqipe”. Gjithsesi versioni i transifex.net eshte i disponueshem. Madje shpesh me zhvilluesit joomla kemi ofruar shkembime reciproke, ne Tirane dhe ne Kosove.

Comments are closed.