Wollfarth-i ka të drejtë lidhur me Spahiun. Por …zoti ambasador: Ju jeni një palo diplomat!

0
57

Nga Mustafa Nano, 19 Janar 2012

“Kreshnik Spahiu paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, pasi ka një funksion publik. Funksionari publik duhet t’ia kushtojë kohën detyrës që kryen”, ka thënë ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Ka të drejtë? Absolutisht, po. Kreshnik Spahiu duket i pambrojtur dhe i pambrojtshëm në këtë rast. Veç në e shpëtoftë ndonjë interpretim rigoroz i procedurave të shkarkimit të zv.kryetarit të KLD-së nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Por edhe sikur ta shpëtonte Gjykata Kushtetuese, kjo që ai bën për muaj e muaj të tërë është një gjë që s’ka bythë të rrijë. Është një gjë tërësisht e gabuar. Përveç kësaj, janë të gjitha shenjat e të dhënat se ky, edhe punën e zv.kryetarit të KLD-së, e ka bërë si mos më keq. Sistemi i drejtësisë sot ka fytyrën e Kreshnik Spahiut.

Por lindin disa pyetje për ambasadorin Wollfarth: Ju duket e drejtë, zoti ambasador, që kryeministri paguhet nga ne për të qeverisur këtë vend, dhe që ai merret me kundërshtarët e tij politikë në çdo mbledhje qeverie? Ju duket e drejtë që Berisha të shpallë puç shtetëror nga zyra e kryeministrit? Ju duket e drejtë që Televizioni Publik është tërësisht i pushtuar nga fytyra e kryeministrit (dhe nga fytyra juaj, zoti ambassador, me që ra fjala)? Ju duket e drejtë që Jozefina Topalli merret gjithë ditën me aktivitete partiake, ku mban fjalime sektare e ku demonizon leader-in e opozitës?

Ju duket e drejtë që të mbyllen dyert e shkollave, kur Jozefina Topalli ka tubime elektorale, të cilat ajo don t’i mbushë me nxënës? Ju duket e drejtë që kryeministri të refuzojë urdhërin e prokurorisë për arrestimin e gardistëve të dyshuar për krim? Ju duket e drejtë që kryeministri t’i thotë prokurores lavire bulevardi, presidentit horr bulevardi, apo që t’i thotë kundërshtarit të tij politik “provoje dhe njëherë, dhe do ndëshkohesh si bandit”? Për këtë e paguajmë ne, taksapaguesit shqiptarë, kryeministrin tonë?

Jo, me siguri nuk ju duken të drejta. E në këto rrethana, më duket mua e drejtë t’ju them një gjë, zoti ambasador: Ju jeni një palo diplomat! Madje, më shumë se kaq: jeni një diplomat kopuk. S’ish parë ndonjëherë ambasador si ju këtyre anëve, qysh nga koha e krijimit të shtetit shqiptar.

http://respublica.al/artikuj/2012/1/19/wollfarth-i-ka-te-drejte-lidhur-me-spahiun-por