Nga Afrim Krasniqi, GSH, 14.08.2010
John Withers nuk do të jetë më ambasador i SHBA-ve në Tiranë. Ai e mbaroi mandatin e tij diplomatik në Shqipëri, dhe sipas procedurës amerikane, do të marrë një emërim të ri në shërbimin diplomatik. Zëvendësimi i ambasadorëve është një proces normal gati protokollar, por që në vende të vogla si Shqipëria, gjithnjë shoqërohet me iluzione politike dhe komente të shumta. Në cdo rast ambasadorët amerikanë janë përcjellë me respekt, nderim nga shteti dhe vlerësim për mandatin e tij diplomatik. John Withers paraqet një përjashtim.
Ai është i pari ambasador që përcillet gati me gëzim nga qeveria, pa dekoratë zyrtare nga ana e shtetit, me sjellje agonike nga opozita, por me siguri, me shumë respekt nga shumica e qytetarëve shqiptarë. Si në një pazar fshati, tregu shqiptar politik dominohet nga mendësi simpliste, ndaj edhe disa mendojnë se Withers ai ishte ambasadori më aktiv amerikan në Shqipërinë postkomuniste, të tjerë vlerësojnë me nota kritike aktivitetin e tij, dhe dy palët thurrin shpresa e skenarë vjeshtorë mbi ambasadorin e ri. Withers nuk ishte një përjashtim nga modelet e diplomacisë amerikane në Shqipëri. Ai ishte më ndryshe se shumica e ambasadorëve të tjerë të mëparshëm, shumë më i paanshëm politikisht se Rajerson apo Lino, shumë më aktiv se Ries apo Limprecht, deri diku i krahasueshëm me diplomatin autoritar Xhefri. Withers nuk mori pjesë në mitingje elektorale apo politike si disa emra të mësipërm, nuk shkroi raporte asnjanëse dhe nuk përdori lidhjet personale për promovim të figurave të vecanta partiake në Shqipëri.
Ai zgjodhi të jetë aktiv, të jetë i paanshëm, të mos heshtë në raste skandalesh, të kryejë rolin e negocioatorit dhe këshilltarit ndaj autoriteteve të larta shqiptare, dhe simbolikisht, të lexojë më shumë se kushdo tjetër më parë, libra të shqiptarëve shqiptarë, komente të mëdias, letra të qytetarëve apo të dhëna kulturore e historike. Withers ofroi një model të ri diplomati perëndimor në Tiranë, një diplomat që ka kurajo, flet, denoncon anët negative, mbron të pafajshmin e të pambrojturin, etj. Ai është i pari ambasador amerikan që doli pubikisht para gazetarëve për të denoncuar dhunën e një deputeti ndaj një gazetari. Ai ishte i pari diplomat që i foli hapur dhe direkt qeverisë në cdo vendim të saj të cilësuar si cënim të normave demokratike apo frymës atlantike. Ai ishte aktiv në mbrojtjen e medias së lirë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe po kaq aktiv në apelet për drejtësi në raste abuzime e skandale të mëdha, si rasti i Gërdecit. Ai dëshmoi respekt maksimal për disidencën antikomuniste shqiptare, sa edhe ishte avokat aktiv në mbrojtjen e parimeve të sotme kushtetuese nga fushatat e seleksionimit politik.
Tradita e sjelljes së Tiranës politike me ambasadorët amerikanë mbetet e pandryshuar. Më 1992 e majta në opozitë kishte kërkuar ikjen e Rajerson, më 2003 e majta në qeveri ishte kritike me Xhefri. Pas M.Lino më 1996, Withers bëhet i dyti ambasador amerikan për të cilin qeveria kërkon zyrtarisht largimin e tij. Largimi i një ambasadori amerikan mund të kërkohet vetëm në dy raste: kur ai ka kryer akte personale, ka nxitur administratën e shtetit të tij të kryejë veprime ose të shprehë qartazi mendime që bien ndesh me interesat madhore shqiptare. Withers nuk ishte i tillë. Sipas përgjigjes së Departamentit të Shtetit Withers ishte një diplomat i suksesshëm karriere, me kontribute të mëdha në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.
Withers u përball me një situatë paradoksale në Shqipëri: në vendin më proamerikan në Europë, ambasadori amerikan, sic ka deklaruar ai vetë, pati shumë vështirësi në kryerjen e detyrës së tij. Withers ka patur shumë mbështetës, shumë kritikë, shumë kundërshtarë. Mbështetësit kanë qënë mendjet liberale dhe shumica qytetare, kritikë – pjesë të kësaj shumice që shpreshherë keqkuptojnë rolin amerikan në zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. Kundër u bënë ose ishin politikanët abuziv të tranzicionit, të cilët flamurin amerikane e duan vetëm për fushatë elektorale dhe ambasadorin amerikan vetëm si noter të veprimeve të tyre shpeshherë antidemokratike apo aventurierë politikë të cilët sa herë abuzuan me pushtetin mbushën faqe gazetash kundër ambasadorit, “guvernatorëve të emëruar” dhe në mbrojtje të “sovranitetit”. Kundër ishin gjyqtar, zyrtarë e biznesmenë të korruptuar apo grupe kriminale të përmendur në raportet amerikane, ashtu si edhe grupet ekstremiste me financime të dyshimta fondamentaliste.
Intervista e tij e fundit televizive ishte një pohim i trishtë amerikan i sjelljes pa etikë e seriozitet të shtetit shqiptar, i krijuar me veto amerikane, i shpëtuar më 1999 me ndërhjyrje amerikane, i pranuar në NATO me veto amerikane. Deklarata se tre vjet pas pranimit në NATO Shqipëria rrezikon shumë me shkeljen e marrëveshjes së pranimit, përbën zhvillimin më dramatik në politikën shqiptare që prej një dekade. Zëvendësimi i ambasadorit nuk përbën dramë, është protokollar.
Çështja është çfarë do të ndodhë kur edhe ambasadori pasues, të nisë punën me axhendën e shqetësime të Withers, dmth, të shqetësimeve të administratës amerikane? Seanca dëgjimore në Kongres ishte një paralajmerim se edhe me ikjen Withers SHBA kanë qenë, janë e do të jenë këtu, për të folur lirshëm dhe me kurajo gjuhën e shkollës së demokracisë, e cila në Tiranën e shkollës komuniste, ende nuk njihet, nuk flitet, madje fatkqeësisht, ende ka vullnet për pa mësuar!