Withers: Shqipëria më 23 qershor do të përcaktojë nëse do ecë drejt demokracisë apo drejt diktaturës

0
41

TemA, 16 Prill 2013

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John L. Withers II, dha një intervistë për gazetën “Shqip” ku analizon me gjuhë aspak diplomatike situatën aktuale në Shqipëri si një pikë vendimtare:

“Shqipëria më 23 qershor do të përcaktojë nëse do të ecë drejt demokracisë, apo drejt diktaturës. Berisha bëri një “grusht shteti administrativ” në zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hënën dhe shqiptarët janë ata që duhet të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor më shumë sesa vëzhguesit ndërkombëtarë,” tha Withers.

“Manipulimi i zgjedhjeve është një shqetësim real dhe i bazuar, pasi Berisha ka emëruar dhelprat e tij besnike si roje te koteci i zgjedhjeve”.

Withers ishte ambasador në Tiranë nga gushti i vitit 2007 deri në dhjetor 2010. Gjatë kësaj kohe, ai u përball me disa tentativa antidemokratike të qeverisë së Berishës, përpjekjet për të kontrolluar shërbimin sekret, për të fshehur të vërtetën rreth tragjedisë së Gërdecit, si dhe përndjekjet ligjore të dështuara kundër Lulzim Bashës për skandalin e kontratës 1 miliard euro të rrugës Durrës-Kukës e raste të tjera.

Një historian nga profesioni, aktiviteti i tij pas kuintave u bë i ditur nga publikimi i kabllogrameve të diplomacisë amerikane nga organizata “Wikileaks”.

Zyrtarisht, Shtetet e Bashkuara as nuk e konfirmojnë dhe as nuk e mohojnë vërtetësinë e kabllogrameve. Withers rezulton nga kabllogramet një njohës i thellë i Shqipërisë, me interes të veçantë për historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, një vëzhgues i hollë i figurave politike nga mazhoranca dhe opozita.

Nga kabllogramet u bë e ditur një situatë shumë miqësore mes qeverisë së Berishës dhe diplomacisë amerikane që vijoi deri në kohën e shpërthimit në Gërdec, një situatë që u përmbys totalisht pas përpjekjeve të Berishës për të mbrojtur përgjegjësit e tragjedisë nga drejtësia. Marrëdhëniet u ftohën dhe ambasadori Withers u konsiderua shumë shpesh si armiku kryesor i qeverisë.

Pas largimit të tij dhe daljes në pension nga shërbimi diplomatik amerikan, Withers ka dhënë disa intervista të hapura dhe pa gjuhë diplomatike. Shpesh qeveria dhe zyrtarët e saj janë përpjekur të ulin rëndësinë e fjalëve të pa kompromis të Withers duke argumentuar se mendimet e tij nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të SHBA-së apo se ai është “një pensionist”.

Withers vetë thotë se këto janë mendimet e një qytetari amerikan, por ama janë mendimet e një qytetari privat shumë të shqetësuar për fatin e Shqipërisë. Kjo është intervista më e ashpër deri më sot e ish-ambasadorit Withers dhënë për median shqiptare.

Sipas gazetës Shqip, intervista do të botohet e plotë ditën e mërkurë dhe të enjte në versionin print të gazetës.