Kryediplomati amerikan hedh dyshime mbi përdorimin politik të këtij institucioni. Apel për ta rishikuar me ekspertizë të huaj
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, reagoi dje ashpër ndaj projektligjit të ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas tij, është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. “Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar.
Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht”, u shpreh Withers. Gjatë bashkëbisedimit të tij, ambasadori tha se nxit me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. “Është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euroatlantike të Shqipërisë”, nënvizoi Withers. Më pas ai iu përgjigj interesit të medias, të pranishme në ambasadën e SHBA-së në Tiranë.
Z. Ambasador, a mund të na thoni më me hollësi se ku cenohen standardet ndërkombëtare në këtë projektligj? Së dyti, ç’doni të thoni, që shërbimi duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike kur, me ligj, shërbimi është në varësi të Kryeministrit?
Mendoj se e kemi treguar ku qëndrojnë shqetësimet tona kryesore. Çfarëdo shërbimi informativ duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. Mendoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe mendoj se ju e kuptoni se cili është ky pozicion.
Raporti i fundit i DASH-it thotë se prokuroria rrëzoi akuzat kundër ish-ministrit të Jashtëm Basha lidhur me projektin më të madh të punëve publike. Në fakt, çështja u rrëzua nga Gjykata e Lartë, jo nga prokurorët dhe në prill, jo në shtator. Si i shpjegoni pasaktësitë?
Kjo është një pyetje shumë e gjatë dhe mjaft interesante, por nuk është për qëllimin e sotëm. Raporti flet vetë; është shumë i gjithanshëm dhe i përpunuar me mjaft kujdes. Do të doja t’u përgjigjesha çdo pyetjeje që mund të keni mbi projektligjin për Shërbimin Informativ.
Z. ambasador, si ta përkthejmë këtë dalje publike tuajën për një ligj të tillë kur ka pasur edhe projektligje të tjera dhe nuk kemi parë thirrje kaq të forta publike?
Mendoj se ajo që duam të nënvizojmë është se sa seriozisht e marrim çështjen e këtij projektligji të posaçëm. E marrim vërtet shumë seriozisht. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspiratë për integrim të plotë euroatlantik. Ndiejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t’u siguruar që mikja jonë Shqipëri nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar.