Withers: Nuk jam i sigurt nëse populli shqiptar ka klasën politike që meriton

0
28

Nga Alfred Peza, “Ora News

Mirëmbrëma zoti ambasador, faleminderit që pranuat ftesën që të jeni sonte në emisionin “Ora e intervistës” dhe në televizionin “Ora News”.

John Withers

Faleminderit shumë Alfred, është një privilegj i vërtetë për mua që gjendem këtu. Para së gjithash do të dëshiroja t’ju thosha gëzuar ditëlindjen, u bëfsh edhe 100.

Faleminderit, e kemi nisur me një surprizë, por edhe unë kam përgatitur disa surpriza për ju. Unë do të doja që ju të më përgjigjeshit dhe të më thoshit se shumë e shumë vite më parë, duke kaluar në Karolinën e Veriut dikush dëgjoi një këngë, ajo këngë thoshte: “Zoti im çfarë agimi, zoti im çfarë agimi, zoti im çfarë agimi kur yjet nisin dhe bien drejt rrugës sime, drejt tokës së premtuar dëgjova prej qiellit, dëgjova që Perëndia do të më japë dorën e djathtë. Po, zoti im ka për të më çliruar, këtë dëgjova prej qiellit sot”. E keni idenë se kush është ky fëmijë?

Po, besoj se e njoh se cili është ky fëmijë.

Ai është…?

Ky fëmijë në fakt jam unë. Ndoshta mund të kem qenë 7 ose 8 vjeç. Kam qenë një nxënës shkolle dhe isha duke ecur me çantën time të shkollës në sup. Ndërsa ecja përgjatë rrugës nga shkolla drejt e në shtëpi, shpesh mund të shihje gra të cilat ishin ulur në avlli dhe ato bënin gjëra të ndryshme, disa prej tyre merreshin me qëndisje, disa prej tyre përgatisnin darkën. Ndërsa e bënin këtë, shpesh, ndoshta në një mënyrë të qetë dhe të butë, ato nisnin, fillonin të mërmërisnin muzikë dhe pastaj fillonin të këndonin. Kjo ishte një nga këngët që ato këndonin. Është një këngë nga periudha e skllavërisë dhe është një këngë që gjithmonë më ka shprehur mua shpresën e skllevërve, madje edhe përgjatë ekzistencës së tyre në ato kushte shumë të vështira, kjo ishte me të vërtetë një surprizë shumë e këndshme.

Zoti ambasador, unë jam rritur me një fëmijë me ngjyrë, shoku im më i ngushtë, kur unë isha i vogël, ishte një fëmijë me ngjyrë. Ne ishim tre fëmijë, bashkë me të bëheshim katër. Kur u rritëm atë filluan ta përbuznin për ngjyrën e lëkurës. Unë një ditë lexova Shekspirin dhe aty hasa këto vargje: “Mos më përbuz ngjyrën e lëkurës, dhuratë e diellit përvëlues”. Arsyeja pse jemi sot këtu është se muaji shkurt është muaji i historisë kombëtare afro-amerikane dhe do të doja për kënaqësinë e të gjithë teleshikuesve dhe për privilegjin tim ju të tregonit historinë tuaj në këtë kontekst.

Do të ishte kënaqësi ta bëja këtë.

Pse muaji i historisë kombëtare afro-amerikane është caktuar në shkurt dhe sa i rëndësishëm është ky për SHBA?

Në fakt ideja fillestare për të veçuar një kohë dhe për të përqendruar në historinë afrikano-amerikane ka qenë rrjedhojë i njëri prej afrikano-amerikanëve që ka studiuar historinë e afrikano-amerikanëve në Amerikë. Emri i tij ishte Karter G. Vudson dhe në vitin 1926, e cila ishte një periudhë në të cilën kishte dallim ose veçim racor, ai sugjeroi që të paktën një javë të mund të hiqej veças. Ai zgjodhi muajin shkurt, për shkak se ishte muaji që përmbante ditëlindjen e Presidentit Abraham Linkoln, i cili ka qenë një person që është çmuar shumë prej afrikano-amerikanëve si Presidenti i cili fitoi luftën civile dhe për këtë arsye i dha mundësinë lirisë së skllevërve. Ndërsa personi tjetër që ka qenë tejet i rëndësishëm për afrikano-amerikanët që ka lindur gjithashtu në muajin shkurt, ka qenë një person i quajtur Frederik Dagllas, që ka qenë një aktivist shumë i madh për çështjet e të drejtave të njeriut, duke filluar që nga shekulli i XIX. Ideja e Vudsonit ishte një ide që nuk ishte praktikuar shumë.

Por ndërsa vitet rodhen dhe ndërsa u rrit ndërgjegjësimi dhe të kuptuarit e njerëzve, përherë e më tepër njerëzit nisën të shohin, t’i kthehen përsëri ideve të tij dhe të shikonin vlerën e tyre. Për shembull, kur unë u rrita në Karolinën e Veriut, studimi i historisë ishte tërësisht studimi i historisë Amerikane dhe nuk përfshinte përvojat e afrikano-amerikanëve, ose përvojat e asnjë lloj tjetër grupi. Dhe ne mund të lexonim libra për presidentët, mund të lexonim lidhur me liderët e mëdhenj politikë të vendit, mund të mësonim rreth tyre, por në fakt nuk kishte aspak diskutim lidhur me afrikano-amerikanët. Ajo që mendoj se ky është muaj është caktuar të bëhet dhe është hartuar të bëhet, nuk është që të përqendrojë vëmendjen tek një pjesë e veçuar, tek një pjesë e veçantë e historisë amerikane, por në fakt është hartuar që të mund të tregojë që historia afrikano-amerikane është një pjesë integrale, një pjesë përbërëse e përvojave të përgjithshme të populli amerikane. Unë mendoj që për këtë arsye në 1976, Presidenti Fort ishte që ai që e caktoi një muaj të veçantë për të përkujtuar historinë e afrikano-amerikanëve.

Kur ne risjellim në vëmendje të gjithë historinë kombëtare afro-amerikane na vijnë në mendje një sërë figurash të shquara të artit, të sportit, të luftës për të drejtat civile, për politikanë. Të gjithë jemi rritur me magjinë e Luis Armstrong, Rei Çarls, Ella Xherald, Majls Devis, por edhe Martin Luterking, Roza Park, Kolin Paull, Kondoleza Rajs dhe deri tek Presidenti Barack Obama. Në çfarë linje është kjo histori me ëndrrën amerikane?

Mendoj që është një pyetje shumë e mirë dhe unë do ta shpjegoja në këtë mënyrë. Pjesa më e madhe e përvojave të afrikano-amerikanëve në Amerikë ka qenë ajo në të cilën humanizmi i tyre ishte në një farë mënyrë i mohuar gjatë periudhës së skllavërisë. Trupi i një afrikano-amerikani mund të shitej si të ishte një send nga një pronar tek tjetri, në varësi të çmimit që mund të këmbej, ai mund të keqtrajtohej, familjet mund të ndaheshin dhe nuk kishte të drejta gjatë shumë periudhave të skllavërisë. Skllavo-pronarët gjithmonë kanë rezistuar për t’u lejuar, për t’iu dhënë të drejtën afrikano-amerikanëve në mënyrë që t’i mbanin të lidhur dhe në skllavëri. Por, përvoja e afrikano-amerikanëve gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, gjatë gjithë këtyre vuajtjeve, shprehte një humanizëm thelbësor, i cili nuk mund të mohohej dhe kur ju cituat këngë të tilla: Zoti im çfarë agimi.

Ose kur ju citoni këngë të ndryshme të skllevërve, në çfarëdolloj të mundshme, ato këngë nënkuptojnë një të vërtetë shumë të madhe. Ajo e vërtetë është kjo: që edhe ne jemi qenie njerëzore, që edhe në venat tona rrjedh gjak, që madje sytë mund të lotojnë, edhe forca e krahëve dhe e duarve tona është aty dhe ka shpresë brenda zemrave tona, ka një vizion. Në mendjet tona ekziston një vizion brenda mendjeve tona sikurse ekziston një vizion brenda çdolloj personi tjetër në botë. Pas skllevërit u çliruan, gjithsesi në shumë pjesë të vendit, veçanërisht të tij, kishte veçim racial, në Afrikën e Jugut ai emërtohej aparteid, në Amerikë e kemi quajtur periudha e Xhim Krout, por në këtë u veçuan afrikano-amerikanët nga pjesa tjetër e shoqërisë, atyre nuk u afroheshin punë të mira, ata shkonin në shkolla shumë të këqija, jetonin në shtëpi të pa mirëmbajtura dhe madje kishin shumë e shumë pak mundësi për t’u arsimuar siç duhej.

Megjithë këtë përgjatë gjithë kësaj, afrikano-amerikanët vazhduan që të shprehnin njerëzimin e tyre dhe ju përmendet periudhën e xhezit, dhe kjo ishte thjesht një formë tjetër shprehjeje, pasi gjatë atyre periudhave ndodhën luftërat e mëdha, luftërat e I dhe II botërore. Gjatë këtyre luftërave afrikano-amerikanët patën mundësi që të jepnin kontributin e tyre duke shërbyer me shumë trimëri dhe u veçuan për shkak se luftën për lirinë, që ata vetë nuk e zotëronin, por ata qëndronin të fortë në këtë besim, në humanizimin e tyre dhe duke qenë plotë besim në këto ideale përfundimtare të Amerikës dhe gjatë gjithë periudhës së vuajtjeve të tyre, afrikano-amerikanët besonin në drejtësinë përfundimtare të universit dhe ata besonin që një ditë ata do të mund të arrinin të njëjtin status, status të barabartë me të bardhët dhe dyert e mundësive do të hapeshin përpara tyre. Por, u nevojit shumë kohë, u nevojitën shumë përpjekje, por unë e konsideroj vetën sikurse shumë afrikano-amerikanë të tjerë, tërësisht, plotësisht të bekuar që kemi pasur mundësi të jetojmë dhe të shohim ditën në të cilën Amerika si komb, të bardh e të zinj sëbashku, mund të zgjidhnin një President afrikano-amerikan, që mund të ishte President i SHBA. Natën kur dolën rezultatet, është tamam sikurse e tha kënga: Unë jam përgjatë rrugës sime në tokën e premtuar dhe unë sot dëgjova prej qiellit, zoti ka për të më dhënë krahun e tij djathtë, unë kam dëgjuar prej qiellit sot.

Motivi që Presidenti i Amerikës, Barak Obama, ka përcaktuar për muajin e historisë kombëtare afro-amerikane përgjatë këtij viti është historia e forcimit të ekonomisë së zezë sepse synohet të vlerësohet suksesi i grave dhe i burrave me ngjyrë, si Madam Uolkër, themeluesja e një perandorie bukurie në fillimet e shekullit XX. Nga ajo periudhë kanë kaluar shumë kohë. Madam Uolkër në atë kohë ishte e para grua me ngjyrë që arriti të bëjë 1 milionë dollar. Sot pas 100 vjetësh, Opra Uinfrai, një nga gazetaret më të famshme të Amerikës, sot ka arritur të bëjë 1 miliardë dollarë. Në 100 vjet kanë kaluar shumë ujëra. Sa e rëndësishme është sot për botën historia kombëtare afro-amerikane?

Sërish dua ta theksoj se është një pyetje e shkëlqyer, për shkak se unë tërësisht besoj këtë, besoj një parim thelbësor, jetik për përvojat në historinë në të cilën ne po flasim. Unë nuk mendoj që, në fakt unë mendoj që në fillim, muaji i historisë së afrikano-amerikanëve, muaji i historisë së grave, të gjitha janë hartuar në mënyrë që të mund të jepnin dallim këtyre grupeve që janë injoruar më parë. Por unë mendoj që kjo ka qenë, ka qenë në rregull, ka funksionuar siç duhej në atë periudhë, por jo domosdoshmërish vlen për tani, pasi kur shikojmë në muajin e historisë afrikano-amerikane, ajo që gjendet aty dhe ajo që na ofrohet është një përvojë që ka terma universale, që ka një aftësi për të prekur njerëzit të cilët mund të mos kenë të njëjtën origjinë, të mos kenë të njëjtën ngjyrë, por gjithsesi të mund të dallojë natyrën thellësisht njerëzore të asaj që afrikano-amerikanët kanë përballuar dhe të asaj që ata kanë ngadhënjyer. Më lejoni t’ju jap një shembull shumë konkret. Historia që ju më treguat kur isha një djalë i vogël dhe e dëgjoja në një këngë, është një histori që unë e ndava disa net më parë me një mbrëmje poezie dhe muzike, të cilën e kishim organizuar në mënyrë që të përkujtonim muajin e historisë afrikano-amerikane.

Unë lexova disa poezi, kishim një marins, i cili punon në ambasadë, që lexoi një poezi shumë të bukur, që është gjithashtu një afrikano-amerikanë gjithashtu si person, por persona të tjera që lexonin poezi në atë mbrëmje ishin dhe shqiptarë të rinj, të rinj të cilët ishin në fillim pak nervoz. Megjithëkëtë ndërsa minutat kaluan dhe ata nisën të lexonin poezi, ata filluan të kuptonin dhe tërësisht të kapnin thelbin e atyre poezive dhe poemave që ata po lexonin, që këto poema i bënë ata të kuptonin diçka si qenie njerëzore, pavarësisht se autorët ishin afrikano-amerikanë ose jo. Kjo është natyra universale që unë mendoj se është pjesa kritike e asaj që ne bëjmë dhe kur ne flasim për historinë afrikano-amerikane, nuk është histori e zezakëve për zezakët, por është historia e një populli për të gjithë popujt.

Në SHBA numërohen rreth 40 milionë afro-amerikanë. Nga skllavëria dhe racizmi, tek betimi i Presidentit Obama dhe nga Obama përgjatë gjithë shekullit XXI. Ku po shkon bota zoti ambasador?

Unë mendoj dhe shpresoj që ne kemi për të lëvizur drejt një faze të re të të kuptuarit mes racave dhe të bashkëpunimit racor. Unë mendoj që po lëvizim drejt asaj dite që doktor Kingu përshkroi në fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”. Ndoshta mund të mos i mbaj fjalët mend plotësisht, por një ditë të bardhët dhe të zinjtë, protestantë, njerëz me ngjyrë, hebrenj, të gjithë do të ulen në tryezë dhe do të thonë më së fundmi të lirë, më së fundmi të lirë falë Perëndisë. Ajo që po thoshte me këtë ishte që në një kohë të përcaktuar në histori do të vijë një ditë kur njerëzit do të gjykoheshin për shkak të përbërjes, për shkak të stofës së karakterit se sa të ngjyrës së tyre. Në atë ditë, i gjithë potenciali ynë si qenie njerëzore, pavarësisht nga çfarë vijmë, kombe të mëdhenj ose të vegjël, kombe të pasur ose të varfër, të bardhë, të zinj, të verdhë, pavarësisht nga ngjyra që ne do të kishim. Këto faktorë dallues nuk do të kenë më vlerë për shoqëritë tona, se sa fakti që sytë e dikujt do të jenë blu ose kafe, sëshpejti do të jemi në një situatë ku ne do të kënaqemi dhe do të gëzojmë atë që buron nga ky grup dhe nga një grup tjetër në mënyrë të barabartë dhe do të kemi mundësi që të nxjerrim në pah talentet në bazë të talenteve dhe jo në bazë të ngjyrës, jo të prejardhjes së gjakut.

Martin Luterking përveçse u bë fitues i çmimi Nobel të “Paqes” në moshën 34 vjeç, kërkoi që fëmija i tij të gjykohej nga karakteri dhe jo nga ngjyra e lëkurës. Por, kjo ditë dhe ky muaj pavarësisht se në Shqipëri nuk ka afro-amerikanë, apo afro-shqiptarë, gjithsesi mesazhi i këtij muaji është universal. Kush është ky mesazh për Shqipërinë dhe për shqiptarët?

Jam përpjekur të studioj sa më mirë të mundesha historinë e Shqipërisë gjithashtu. Historia e Shqipërisë gjithashtu shënoi triumfe dhe tradhti, pasi mund të shohësh duke nisur që ka ilirët, ato arritje historike që ky vend ka pasur mundësi të ketë dhe duke kaluar përgjatë historisë së tij. Më pas, diku në shekullin e XV ishte një situatë sulmesh dhe shqiptarët nuk patën më mundësi të ishin të lirë brenda tokës së tyre, për shkak të sundimit të huaj. Ajo që dëshiroj të them dhe ajo që mendoj që është paralele me përvojat e afrikano-amerikanëve të cilat unë sapo i përmenda, është fakti që gjatë gjithë kësaj periudhe 5 shekuj nën sundimin otoman, ndoshta edhe më pas, pas rënies së perandorisë otomane, duke nisur që nga fqinjët tanë, shqiptarët kanë ruajtur një ndjesi të asaj që ata ishin. Shqiptarët ruajtën ndjesinë e identitetit që kurrë nuk e humbën, pavarësisht nga gjithçka me të cilën u përballën dhe kur erdhi koha e duhur, dhe kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, kur Ismail Qemali ngriti flamurin, ata e ngritën flamurin dhe ata ngritën një flamur, nuk ngritën një flamur otoman, por flamurin shqiptar, një flamur i cili ishte valëvitur mbi Krujë dhe Petrelë përgjatë gjithë këtyre shekujve më parë.

Ata patën mundësi të ngrinin flamurin e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre, kulturën e tyre, ata patën mundësi që të tregonin të njëjtat parime, që mund të tregonin afrikano-amerikanët, gjatë gjithë këtyre viteve treguam që jemi këtu, treguam që jemi një popull, treguam që kemi të drejtën për të ecur, për të jetuar, për të arritur, në liri, në një tokë e cila na përket dhe që ne kemi të drejtën ta quajmë tonën, dhe përmes rregullave, dhe zakoneve, të cilat na frymëzojnë ne. Unë shikoj një paralele në këtë, unë mendoj që kjo është një nga arsyet që amerikanët të cilët vizitojnë Shqipërinë, afrikano-amerikanët që vijnë këtu dhe amerikanë të tjerë që vijnë në Shqipëri zhvillojnë një lidhje dhe një të kuptuar me shqiptarët, për shkak se mund të hiqen këto përvoja paralele. Jo domosdoshmërish janë e njëjta gjë, por ka mjaftueshëm brendësi në to që ne mund ta kuptojmë njëri-tjetrin.

Pas bisedimit për historinë kombëtare afriko-amerikane, do të doja që ta bënim paksa më intime, në mënyrë që zoti ambasador të ketë mirësinë të na tregojë historinë e tij personale në prizmin e historisë kombëtare afro-amerikane. Ju keni folur dhe më parë, por sigurisht ne nuk do e kemi shuar plotësisht kuriozitetin për jetën tuaj, për edukimin tuaj, për shkollimin e tij, në kontekstin e historisë kombëtare afro-amerikane. Diçka më tepër për teleshikuesit tanë…

Do të përpiqem ta bëj këtë. Unë kam lindur sikurse përmenda në Karolinën e Veriut, ka qenë një shtet në jugun e Amerikës dhe në periudhën që unë kam jetuar aty ka qenë nën periudhën e veçimit racor.

Ne kemi pasur mundësi të gjejmë dhe disa foto tuajat familjare, dhe historinë donim ta tregonim sëbashku me shpjegimin e këtyre fotove.

Nëse shikon fotografinë e familjes sime, janë disa elementë shumë interesant të përvojës afrikano-amerikane të cilat mund të tregohen këtu. Kjo është një fotografi e babait tim, i cili është i ulur, nëna ime, vëllai im Gregor dhe unë. Nëse shikon shumë pranë, po të përpiqesh të dallosh ngjyrën e lëkurës, nuk duket shumë qartazi, por babi im është ai që ka ngjyrën e çokollatës, vëllai dhe unë, do të quheshim persona me ngjyrë kremi, por nëse do të shikonim mamanë time, ka një ngjyrë lëkurë aq të hapur edhe aq delikate, saqë ka probleme edhe nëse qëndron gjatë në diell. Kur ka qenë e re, madje flokët e saj kanë qenë ngjyrë të verdhë, ajo nuk ka pasur asnjë karakteristikë që mund të tregonte se ajo ishte afrikano-amerikane, megjithë këtë ajo është afrikano-amerikane.

Mendova se kishit një histori të njëjtë me Presidentin Obama.

Përveç faktit që nëna e Presidentit Obama ka qenë një grua e bardhë, ndërsa nëna ime ka qenë një afrikano-amerikane. Sipas teorive të veçimit racor, nëse do të kishe në pemën e familjes qoftë edhe një person që të kishte ngjyrë të ndryshme lëkure, atëherë ti përcaktoheshe si afrikano-amerikane. Cila ishte përvoja e saj afrikano-amerikane. Babai im ishte shumë i qartë që ishte afrikano-amerikan, ai përballej me diskriminim, ishte shumë e qartë. Ndërsa shpeshherë nënën time e merrnin për të bardhë, saqë kur ajo shkonte të shikonte një film në kinema, në Karolinën e Veriut ajo në fat klithe dyshimin se ku duhet të ulej, nëse do të ulej me afrikano-amerikanët të cilët uleshin sipër në ballkon.

Si Roza Parku…

Roza Parku ishte shumë qartazi që ishte afrikano-amerikane. Ajo me qëllim madje, me qëllim e bëri atë që ajo bëri dhe e sfidoi, shpërfilli ligjin. Ndërsa nëna ime kur shkonte në kinema, i thoshin që mund të ulej me të bardhët dhe dikush që e njihte dhe ta dallonte, dhe të thoshte se ajo ishte person me ngjyrë, atëherë ajo do të ishte në kërcënim shumë të madh. Por, nëse shkonte ulej në vendin e posaçëm të caktuar për zezakët, atëherë njerëzit do ta shikonin me dyshim, se përse çdo kjo bardhë që është ulur në mesin tonë. Kështu që, në mënyrë të vazhdueshme ajo shikohej në mëdyshje nga personat e ngjyrave të ndryshme, kjo gjë e lëndonte shumë. Kjo ka qenë një pjesë tjetër e përvojës afrikano-amerikanët. Shpeshherë kur ne shkonim dhe vizitonim vende të ndryshme, ata ndiheshin të pasigurt se përse ishte një zezak i cili ishte duke ecur pranë një të bardhe, një situatë shumë e komplikuar për secilin prej tyre. Pra ata e kanë dashur shumë njëri-tjetrin dhe kjo u ka dhënë kurajën, përmes kësaj ata kanë pasur mundësinë të ngadhënjenin mbi vështirësitë në të cilat përballen.

Zoti ambasador do të doja të ndiqnim këtë fotografi.

Ky është një vizatim i babait tim kur ai ka qenë në ushtri, kur ka shërbyer në ushtri. Mua më pëlqen ta shikoj shpesh këtë fotografi, pasi kur e shikon këtë vizatim, kur shikon sytë e atij në atë periudhë, mund të shikosh shumë trishtim brenda tyre. Ai ndihej i trishtuar pasi ai ishte një rreshter në ushtri që luftonte për Amerikën, duke e ditur që kur të kthehej në Amerikë, liria për të cilën ai po luftonte nuk do t’i ofrohej atij, nuk do t’i jepej atij. Pavarësisht nga kjo, kur u kthye, ai ishte shumë i angazhuar në lëvizjen për drejtat e njeriut dhe ai jetoi madje, pati mundësi të jetonte deri në ditën kur ndryshimet e mëdha ndodhën në Amerikë dhe ndodhën në jugun e vendit. Ndoshta mund t’ju tregoj një histori të shkurtër lidhur me të.

Patjetër.

Ai ndërroi jetë në tetor të vitit 2007, por disa vite përpara se të ndërronte jetë, ai u ftua që të shkonte në Karolinën e Veriut, në mënyrë që të vizitonte Kolegjin, universitetin në të cilin ai kishte studiuar dhe të mund të shkonte në një projekt të historisë së treguar, ai duhet të ndante me studentët përvojat që kishte një student në vitet ’20. Ai ishte hezitues që të shkonte të vizitonte vendin, ai nuk dëshironte të kthehej në Karolinën e Veriut, ndonëse nëna ime dhe unë u përpoqëm që t’ia mbushnim mendjen, e kishte të vështirë për këtë. Kur ndodhi kjo ishte 89-vjeç dhe i premtuam që do ta çonim me makinë, dhe do të ndihej shumë këndshëm, dhe i rehatuar aty, dhe ai ra dakord që të shkonte ta vizitonte. Në momentin që ai dhe nëna ime mbërritën në qytet, ata nisën të flisnin, në çdo shtëpi ata filluan të tregonin historinë e saj, çdo cep rruge kishte diçka për të cilën ata dëshironin të shpjegonin dhe gjatë atyre tre ditë ata vazhdimisht na tregonin gjatë gjithë periudhës gjithçka që kishin përjetuar. Ajo që kishte më shumë vlerë dhe ajo që na mahniti mua dhe vëllanë tim, ajo që na preku më shumë, ishte fakti që ata shkonin në vende në Karolinën e Veriut, që gjatë rinisë së tyre nuk i është lejuar të hynin.

Ne i shikonim dhe i qëndronim prapa tyre dhe i shihnim se çfarë do të ndodhte, kur ata hynë në këto vende si çdo person tjetër, çdo gjë që ishte aty, tashmë papritmas ishte e hapur për ta, pjesë e qytetit që ata nuk lejoheshin të hynin, që ata mund të ecnin lirshëm, klube, zonat e tenisit, pishinat ku ata nuk mund të shkonin, tanimë ata mund të shkonin. Universiteti për njerëzit me ngjyrë dhe për njerëzit të bardhë, kinemaja ishte e hapur për ta, ishte shumë mahnitëse ndërsa i shikoje se si ata mund të shkonin në të gjithë këto vende të fëmijërisë dhe rinisë së tyre, që dikur nuk ishin të pranuar, por tanimë pranoheshin. Kjo ishte një ndjesi shumë ndikuese për mua dhe vëllanë tim. Ata u ndikuan shumë prej kësaj, ishte njësoj sikur rrethi i jetës së babait dhe nënës sime më sëfundmi u përmbush, ata mund të jetonin deri në ditën kur të shikonin që vendi i tyre i lindjes të mund të bëhej një vend i barazisë dhe lirisë, që ata kishin ëndërruar kur ata ishin fëmijë. Pak kohë pas kësaj, ai u sëmur dhe ndërroi jetë. Por ai pati mundësinë të jetonte dhe të shikonte qytetin e lindjes së tij, një vend të lirë, në liri mund të ecte në të, ishte një moment shumë i fuqishëm.

Zoti ambasador, ka edhe një histori tjetër. Është edhe historia se si familja juaj ka shpëtuar një çifut. Është miniatura e një historie që duket sikur tregohet dhe historia e popullit shqiptar. Populli shqiptar është nga të pakët që nuk dorëzoi gjatë luftës së dytë botërore asnjë hebre. Do të kisha dëshirë që në këtë kontekst ta tregonit edhe këtë histori…

Historia e babait tim ishte një histori shumë e thjeshtë, sepse ushtria në kohë në të cilin u bë ai vizatim ishte i veçuar nga ana racore. Kështu që, kishte njësi të të bardhëve, njësi të zezakëve, për më tepër, për shkak të paragjykimit shumë prej amerikanëve të bardhë mendonin se ata amerikanët nuk kishin kurajën dhe nuk kishin forcën fizike të luftonin. Kështu që, këto afrikano-amerikanët i kishin vendosur në qendrat e punës dhe jo në njësitë e luftës. Në përfundim të luftës, kjo njësi afrikano-amerikane në të cilën bënte pjesë babai im, pati mundësi të vizitonte kampin e përqendrimit në Dakao. Këta njerëz në njësinë e babait tim kishin pasur një jetë shumë të vështirë për shkak të Xhim Krout, por ato u prekën shumë kur panë vuajtjet në Dakao, saqë patën mundësi që të merrnin dy të mbijetuar nga holokoasti drejtuar hebrenjve, i mundën që të t’i fshihnin ata brenda kompanisë afrikano-amerikanëve dhe të mund t’i merrnin ato, t’i nxirrnin jashtë vendit. Ata patën mundësi që t’i mbanin aty për një vit dhe i bënë vëllezër të vegjël të kompanisë, dhe babai im u lidh shumë me ta.

Gjatë kohës që kompanisë iu desh që të rikthehej në Amerikë, këta fëmijë ishin të shëndetshëm dhe patën mundësi që të vazhdonin më tej jetën. Ai na tregonte këtë historinë kur ne ishim ende fëmijë, diku 50 vite pasi e pa për herë të fundit këtë djalë të ri. Unë fillova ta kërkoj nëse mund ta gjeja atë dhe shokun e tij. Shoku i tij kishte ndërruar jetë, pas 50 vitesh, thuajse 55 vite nga hera e fundit që babai i kishte parë. Pata mundësinë që ta takoja babanë tim me këtë djalosh të ri dhe ata patën mundësi që të bisedonin në Amerikë. Miqësia që nga periudha e luftës patën mundësi që të ripërtërihej dhe ta vazhdonin derisa më së fundi babai im ndërroi jetë. Dukshëm, kjo histori dhe të parët e kësaj historie ishte tejet mbresëlënëse dhe prekëse për mua kur vizitova Shqipërinë.

Gjeta që ju kishit jo vetëm disa burrë që morën përsipër të ndërmerrnin këtë rrezik, por kishit një komb të tërë që ndërmori përsipër rrezikun, që mori përsipër të hapte shtëpitë, familjet e tyre, madje dhe qenien e tyre ekzistent, për të shpëtuar hebrenjtë që ishin në Shqipëri dhe për të mos lejuar që ata të mos përfundonin në kampet e tmerrshme të përqendrimet, në të cilin nazistët po dërgonin hebrenjtë e tjerë nga vende të ndryshme të botës. Unë kam dëgjuar histori dhe nuk kam dëgjuar asnjë të ngjashme me këtë, në të gjithë Evropën, kombe shumë më të pasura se Shqipëria, kombe që ndoshta kishin tradita më jetëgjatë se Shqipëria, kombe që kishin përvoja shumë më të gjata, me popullsi shumë të madhe hebreje në vendin e tyre, dështuan në testimin. Ndërsa Shqipëria triumfoi mbi sfidën dhe ia doli mbanë. Kjo gjë duhet dhënë kredi dhe meriton nderim të përjetshëm, të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për këtë.

Ne jemi krenar për këtë dhe jo vetëm për këtë zoti ambasador. Në këtë shtrat ka rrjedhur gjithë jeta juaj, e cila është një histori suksesi e një afro-amerikani. A mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur shkollimin dhe deri emërimin tuaj si ambasador i SHBA në Tiranë?

Në fakt unë jam shumë i arsimuar. Mendoj që deri në një pikë prindërit e mi mendonin nëse unë do të përfundoja student i përjetshëm gjatë gjithë jetës sime. Unë mendoj që ajo që është shënuese për të gjitha këto ndryshime që erdhën në Amerikë, ishte që pata mundësinë të ndiqja shkolla shumë të mira, universitete shumë të njohura në Amerikë. Kam mbaruar universitetin në Harvard, kam studiuar për dy vite në Kanada dhe pastaj mora doktoraturën në universitetin Jell. Ajo që ishte domethënëse për të gjithë arsimimin tim ishte fakti që unë gjykohesha aty për shkak të interesave të mia intelektuale dhe të aftësive të mia, jo për shkak të origjinës që unë mund të kisha ose prejardhjes sime. Kjo ishte një përvojë shumë e jashtëzakonshme për mua. Dukshëm, me kalimin e viteve, fakti që unë isha rritur jashtë Amerikës, fakti që unë isha rritur në kombe të ndryshme të botës, pata mundësi që të mund të kombinoja interesat e mi intelektuale. Për shembull, pata mundësi që të lidhja interesat e mi intelektual për Kinën dhe bashkëshortja ime, jemi takuar bashkë kur unë isha ende student në Kinë. Ne kishim këtë interes të përbashkët që të punonim jashtë Amerikës dhe pastaj përfunduam në shërbim diplomatik.

Ju këtë keni dalë në një moment kur është shpallur fitorja e zotit Obama. Dallohet qartë në stemën që keni vendosur në xhaketën tuaj. Është një histori shumë interesante, ka pika të përbashkëta, por nga ana tjetër ajo çfarë e bën më interesante për ne është se me sa di unë, jeni i pari ambasador me ngjyrë i SHBA në Shqipëri. Kjo ka ndryshuar diçka në të gjithë misionin tuaj?

Fakti a ka ndryshuar kjo. Unë shpresoj që përvoja lejon një person që të përmirësohet dhe të zhvillohet me kalimin e kohës, dhe të mund të dalë në fund të saj, një person më i mirë se sa ka nisur. Mendoj që për mua fakti i të qenit në Shqipëri ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse. Më lejoni t’ju tregoj një histori të shkurtër kur kam mbërritur në Shqipëri. Kur mbërrita këtu në gusht të vitit 2007 dhe kur pata mundësi të takoja shqiptarë për herë të parë, kam dëgjuar sërish e sërish, zoti ambasador Shqipëria është një vend i vogël dhe unë e dëgjoja pareshtur këtë shprehje. Por, ndërsa mbërrita këtu dhe mësova më tepër për Shqipërinë, atëherë unë zhvillova një përgjigje për të gjithë këto fjalë. Përgjigja ime ishte që ndoshta Shqipëria mund të jetë një vend i vogël nëse do ta masësh me kilometra katror, por është një komb shumë i madh nëse do ta masje për nga thellësia me kilometra kub, pasi thellësia e përvojës së popullit shqiptar është po aq e madhe sa çdo komb, shkon madje përtej historisë së Amerikës dhe kohës kur Amerika u bë një vend.

Unë jam tejet i bindur, që kjo përvojë historike, kjo mbijetesë kulturore, që ky farkëtim në buzë të suksesit dhe vështirësive, dhe tragjedive, i ka shndërruar shqiptarët në një vend shumë të veçantë, në një popull shumë të veçantë. Unë e di këtë sepse kam mësuar më tepër gjatë këtyre dy vite e gjysmë kam qenë në Shqipëri, sepse ndoshta më shumë se sa dhjetë viteve përpara që i kanë paraprirë këtyre viteve. Disa nga miqtë që ndodhen këtu në këtë studio ne lexojmë sëbashku, ne studiojmë libra sëbashku dhe diskutojmë këto libra. Ndërsa dëgjoj perspektivën e këtyre shqiptarëve të rinj mbi botën dhe mbi shoqëri të tjera, dhe njerëz edhe kombe të tjera, ata mund të mos ta kuptojnë, por në këtë akt ata janë bërë mësuesit dhe unë jam shndërruar në nxënës të tyre. Këto janë të gjitha ato të cilat unë do t’i mbart me vete kudo që unë të shkoj, unë do t’i mbart me vete me shumë nderim gjatë gjithë jetës sime.

Zoti ambasador, po mbushni tre vite që ju jeni me shërbim në Shqipëri dhe tani jeni shumë popullor, dhe pothuajse jeni edhe një “star”, prania juaj është gjithmonë një lajm në mediat shqiptare. Në fillim të punës suaj na keni treguar një histori interesante kur nuk ju njihnin publikisht akoma në lidhje me ngjyrën e lëkurës, që ju ngatërronin me arab…

Thuajse kudo ku unë kam shkuar, njerëzit më kanë ngatërruar për një gjë apo diçka tjetër. Për shembull, kur kam qenë në Kinë më kanë konsideruar se isha ndoshta një minoritet diku nga Perëndimi. Kur isha në Etiopi njerëzit mendonin se isha ndoshta një formë etiopiani. Por shumë njerëz më kanë marrë që ndoshta kam pasur origjinë arabe. Kur kam vizituar Egjiptin, njerëzit gjithmonë më janë drejtuar në gjuhën arabe. Ajo që mund të them për këtë është që unë i kam marrë këto identitete të gabuara që më kanë dhënë, ndoshta si një kompliment shumë të madh. Unë mendoj që ajo që këta njerëz po thonë, që t’i ngjan si dikush të cilin ne mund ta dallojmë, ti ngjason me dikë me të cilin ndoshta ne duhet të lidhim një ndërveprim dhe duhet ta njohim më mirë, ky është një kompliment shumë i madh. Shpresoj që disa nga incidente të vazhdojnë të rrjedhin.

Si është të jesh ambasador i SHBA në Tiranë, në raport me një vend tjetër, në përmbushje të detyrës suaj, por në raport me klasën politike, me shoqërinë shqiptare, me mediat, me aktorë dhe faktorë të ndryshëm të jetës së vendit. Është të jesh më i privilegjuar apo më i vlerësuar?

Nëse kam kuptuar pyetjen, ajo që dëshironi të thoni, jo thjesht ndjesia profesionale se çfarë do të thotë që të jesh ambasador i Amerikës në Shqipëri, por ndoshta në sensin personal. Ndërsa unë jam pranë përfundimit të mandatit tim si ambasador në Shqipëri, unë e gjej veten time që ndoshta kam filluar të reflektoj më thellë, mund të mendosh ndoshta për gjëra të ndryshme, ndoshta për gjëra të tjera që unë dëshiroj të bëj dhe më duhet të bëj përpara se unë të largohem. Mund të mendosh për gjëra të tjera që më kanë mbetur të papërfunduara dhe që dëshiroj që të mbarojnë, njëra prej atyre, që të mund të ndihmoj në ndërtimin e një memoriali për të gjithë ato shqiptarë të cilët kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë holokaustit, ne po punojmë për këtë.

Ndoshta ajo që është ndjesia më e fuqishme që unë kam marrë, është aftësia e shqiptarëve për të bërë të ndihesh si në shtëpinë tënde, jo për shkak se ke një titull, jo për shkak se janë faktorë të tjerë të jashtëm, për shkak se shqiptarët i trajtojnë miqtë me kaq ngrohtësi dhe mikpritje saqë unë nuk e kam ndeshur askund tjetër. Të qenit në gjendje që unë të ulem me të rinjtë dhe të flasim për librat, të shkëmbejmë idetë rreth tyre, mundësia që të mund të ulesh me persona dhe të flasësh për poezinë, ose të dëgjosh muzikë, kam pasur mundësi që të ndjek një festival kulturor të jashtëzakonshëm në Gjirokastër, festivalin folklorik. Aftësia e shqiptarëve që më kanë ndihmuar të kuptoj njerëzit, mënyrën se si funksionon jeta, ndjesitë që ata mbartin nga jeta dhe kjo bashkëngjitje, kjo bashkësi mes personave, kjo ka qenë gjëja më e bukur dhe më e mrekullueshme që unë kam ndeshur këtu.

Ju sapo përmendet përfundimin e mandatit tuaj, ka një kohë të caktuar?

Jo, në fakt nuk ka një datë të përcaktuar në kalendar. Do të ketë një person të ri, i cili do të emërohet dhe ka për të ecur gjatë të gjithë procesit të emërimit. Kur të ndodh kjo dhe kur të informohet publiku, atëherë ne do të kontaktojmë njëri-tjetrin dhe do të gjejmë një kohë kur do të jetë e përshtatshme për këtë person që të mbërrijë në vend, kur do të jetë e përshtatshme për mua që të largohem nga Shqipëria. Ne dëshirojmë sipas traditës diplomatike, ne na pëlqen që të lemë një interval mes largimit të ambasadorit dhe ardhjes së ambasadorit të ri. Këto gjëra diskutohen mes palëve dhe bëhet gjëja që funksionon më mirë për të dy palët. Është shumë e rëndësishme që të kesh një ambasador në një vend sepse kjo është një shenjë e respektit dhe miqësie midis dy vendeve. Ne do të punojmë që të ketë një vazhdimësi dhe të mos ketë një largësi mes këtyre zëvendësimeve, sikurse ka pasur një vazhdimësi mes ndërrimit tim me ambasadoren Ris, duhet të ketë vazhdimësi në këtë.

Ju keni ardhur në gusht të 2007, kam lidhje kjo edhe me gushtin e 2010 apo gushti 2011 të përfundimit të mandatit, apo nuk është e thënë?

Gushti ndoshta mund të shërbejë si një pikënisje, si një direktivë. Nëse do të kishte diçka shumë të rëndësishme që do të zhvillohej dhe do të kishte kuptim që personi i ri që do të vinte në vend duhej të vinte, atëherë unë mund ta aranzhoj largimin tim që ky person i ri të mund të merrte pjesë në këtë veprimtari të rëndësishme. Ka pasur raste gjithsesi kur ambasadori që ishte caktuar ka pasur ndoshta një vajzë që do të martohej gjatë kohës që ishte përcaktuar dhe ndërsa është shtyrë largimi i ambasadorit paraardhës në mënyrë që të akomodohej kjo kërkesë e ambasadorit pasardhës. Pra, është ndoshta një sistem kolegjial midis diplomatëve.

Vetëm emrin nuk i keni thënë ambasadorit të ri…

Nuk kam njohuri mbi emrin e personit që do të përcaktohet si ambasador i ri në Shqipëri. Ajo që di unë është fakti kur unë hyj në ambasadë çdo mëngjes, ne kemi një mur ku ndodhen të gjithë fotografitë e të gjithë ambasadorëve të mëparshëm në Shqipëri, duke nisur që nga vitit 1920. Tradita është, fotografia ime nuk është varur ende në atë pjesë të murit, por sipas traditës nuk do të vendoset aty derisa të largohem nga Shqipëria. Por, ajo që kam vënë re ndërsa kam parë ambasadorët e kohëve të fundit që kanë qenë në Shqipëri, ata kanë qenë miqtë e ngushtë të mi. Për shembull, Jozef Leik. Ai më ka kërkuar të jem zëvendës i tij kur ai ka qenë ambasador, që të shërbeja si zëvendësambasador i Shqipërisë shumë vite më parë, ai është një mik shumë i mirë i imi. Marisa Lino është një mike e mirë e imja, Xhejms Xhefri, Marsi Ris, gjithashtu kanë qenë miqtë e mi të mirë. Ajo që është e rëndësishme për këtë është që Shqipëria gjithmonë ka marrë ambasadorë shumë të mirë dhe unë jam tërësisht besimplotë që kushdo do të përzgjidhet ka për të qenë personi të cilit i është dhënë nderi për të shërbyer në Shqipëri, ka për të qenë një person i shkëlqyer dhe e them këtë pa pikë dyshimi.

Pas një ambasadori kaq të shkëlqyer sa jeni ju… Po për ju a ka një ide se ku mund të shkoni pas Shqipërisë?

Jo, nuk e di, ndryshe nga ju që po festoni ditëlindjen e 43-të. Unë jam shumë pranë moshës së daljes në pension. Ju patë bashkëshorten time, është shumë e vështirë që ne të dy të mund qëndrojmë bashkë, të shërbejmë në vende jashtë Amerikës, për shkak të rangut që ne kemi. Unë kam marrë parasysh mundësinë që të mund të dal në pension, përfshirë mundësinë e të shkruarit të disa librave, por kemi për ta marrë këtë vendim kur të vij koha e duhur. Mua më janë ofruar disa pozicione të tjera pune dhe do të shikojmë, do të marr vendimin e duhur në kohën e duhur.

Do të na vini privatisht pas përfundimit të misionit diplomatik?

Sigurisht. Po, dua të kthehem dhe më duhet të shikoj se si do të jetë e ardhmja. Në fakt unë dua të ta parathem se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë.

Para se të shkoni tek e ardhmja a mund të na thoni diçka se si është e tashmja, sidomos e tashmja politike…

E tashmja politike në Shqipëri, sikurse ju e dini më mirë se sa unë, është e komplikuar. Por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është që e ardhmja e Shqipërisë është shumë e shndritshme, është e ndritur, është një nga gjërat që unë admiroj më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është që ju keni kaluar një histori të tmerrshme gjatë sistemit totalitar komunist. Unë konsideroj këto vite si vite të humbura, si vite gjatë të cilave Shqipëria në rrethana të tjera mund të ecte përpara shpejt. Gjithsesi ajo që është domethënëse, mbresëlënëse për Shqipërinë, është që gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ecur kaq shpejt në kaq shumë mënyra të ndryshme dhe mendoj që ndërsa gjërat vazhdojnë, dhe zhvillohen, dhe rriten avantazhet e gjeografisë së Shqipërisë, me gjithë këto porte të bukura, me daljet në det, me gjithë këtë infrastrukturë të zhvilluar që ka për ta lejuar Shqipërinë edhe njëherë sikurse ka qenë në të shkuarën, që të mund të bëhet një udhëkryq për tregtinë dhe kulturën, dhe për njerëzit të cilët do të mund të pohojnë edhe njëherë begatinë e madhe të kombit këtu. Por, kam përshtypjen që po largohemi pak nga historia afrikano-amerikane.

Nën shembullin e historisë kombëtare afriko-amerikane, pyetja e fundit e imja përpara se t’ia kalojmë të ftuarve në studio, është një shprehje që thotë se çdo popull ka klasën politike që meriton. A e meriton populli shqiptar këtë klasë politike që ka?

Nuk jam tejet i sigurt për vërtetësinë e kësaj thënie. Pasi mua më duket sikur në një formë apo në një tjetër, shqiptarët kanë merituar perandorinë otomane, ose ilirët kanë merituar pushtimin romak. Nuk e shikoj kështu. Mendoj që shoqëritë lindin, dalin në pah dhe pastaj zhvillohen, dhe politika ndjen të njëjtën përqasje. Por, pjesa kritike në atë se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë do të jetë fakti, do të jenë të rinjtë e Shqipërisë sepse e ardhmja qëndron tek të rinjtë dhe ajo që të rinjtë që dëshirojnë për këtë rajon, që dëshirojnë për mbarë botën, është ajo që ka për të qenë. Ndërsa unë shikoj këta rinj dhe ndërsa unë bisedoj me ta, dhe kam pasur mundësi që t’i njoh, mendoj që e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta, në duar tejet të sigurta.

Faleminderit dhe shpresoj që kur të riktheheni në televizionin “Ora e News” dhe në emisionin “Ora e Intervistës”.

Me kënaqësi, do të më intervistoni ju sërish?

Po.

Shumë mirë, do të më pëlqente pa masë kjo.

Zoti ambasador ju keni qenë shumë aktiv gjatë javëve të fundit në takime me liderët politik shqiptar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Mund të na thoni cili është mendimi juaj për situatën në të cilën neve ndodhemi sot?

Mendoj që ka kohë mjaftueshëm për të folur për politikën, ndoshta në një kohë tjetër më të përshtatshme, por unë mendoj që mbrëmja e sotme, tema e përqendrimit janë njerëzit dhe përvojat e njerëzve, dhe urtësia që buron për shkak të përvojës, qoftë kjo urtësia e shqiptarëve, për shkak të historisë së gjatë që ju keni, ose urtësia e afrikano-amerikanëve dhe amerikanëve, me historinë relativisht të shkurtër që kemi pasur. Kjo është një temë e rëndësishme, një temë tërheqëse, pasi është kaq interesante që ka pasur një lidhje kaq jetëgjatë midis shqiptarëve dhe amerikanëve. Shumë njerëz më pyesin se cila ka qenë baza e saj, nga ka buruar kjo miqësi, sa më shumë e kam studiuar, aq më shumë unë mendoj që është fakti sepse ka gjëra në origjinën tuaj kulturore që kaq shumë ngjasojnë me historinë dhe origjinën tonë kulturore. Është themeli i kësaj ndjesie të të kuptuarit që ne kemi këtu, që ndonjëherë mund të jetë e vështirë për t’u përcaktuar. Por, gjithsesi është diçka shumë e bukur.

Deputetët e PS hynë në Parlament, bënë betimin dhe dolën përsëri për të vazhduar bojkotin e tyre. Ju si e vlerësoni këtë sjellje të opozitës?

Më lejoni t’ju bëj një pyetje. A ka ndonjë anëtar të dy kaheve politik afrikano-amerikane, do të kisha shumë dëshirë që të flisja për ndjesinë, për pikëpamjet e çdo anëtari të parlamentit në Shqipëri që ka një origjinë afrikano-amerikane, le të përpiqemi që t’i mbahemi temës që dëshirojmë të diskutojmë. Në një moment tjetër do të mund të flasim për politikën.

Duke e njohur pasionin tuaj për letërsinë, shkrimtari më i madh i kohëve moderne sot në Shqipëri është Ismail Kadare. Nëse do të ishte e mundur ta krahasonit me një shkrimtar afro-amerikan që mund të ketë njëjtat vlera, si zoti Kadare për letërsinë…

Së pari, më lejoni t’ju them që kam lexuar shumë prej romaneve të Kadaresë dhe madje një pjesë të poezisë së tij. Dëshiroj ta nis me këtë, që ai është i veçantë, ai është tërësisht unik. Por, unë mbaj mend me sa kujtohet kam lexuar një libër të tillë, e cila titullohej “Kështjella”, fliste për rrethimin e Krujës gjatë periudhës së Skënderbeut. Ajo që më preku mua dhe më goditi për këtë ka qenë e gjithë thellësia e këtij romani, gjithë gjerësia që përmbante ai. Nëse mendohet për romanët afrikano-amerikanë ato në një farë mënyrë janë shumë personal dhe në këtë pikëpamje ndoshta kishte një autor afrikano-amerikan i cili mund të realizonte këtë gjë sikurse Kadareja. Kam lexuar dhe “Kronikë në gur”, e cila ka folur mbi fëmijërinë e tij në Gjirokastër gjatë periudhës parë të luftës botërore dhe ne kemi një autor Riçard Vajt, i cili ka shkruar mbi gjithë mundimet dhe vuajtjet e përpjekjet e afrikano-amerikanëve ndërsa ata rriteshin. Ndoshta këtu mund të gjejmë një paralele të ngjashme. Por, Kadare është gjeni edhe është unik. Jam në mëdyshje nëse mund të bëj një krahasim të duhur për të.

Ju keni shprehur gjithmonë qëndrimin për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. A keni parë ju ndonjë tentativë nga ana e mazhorancës për të ndërhyrë në këto pushtete dhe a mendoni se kjo e rrezikon seriozisht demokracinë në Shqipëri?

Nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetje. Ajo që dëshiroj të them është kjo, ju përmendet faktin që unë kam folur për institucionet e pavarura në Shqipëri për një periudhë shumë të gjatë kohe dhe ju do të dëshironit të dini pse, pse vazhdoj t’i kthehem dhe t’i rikthehem kësaj teme në mënyrë të përsëritur. Unë mendoj që kjo mund të ketë lidhje me origjinën dhe përvojën time afrikano-amerikane. Presidenti Obama mbajti një fjalim kohët e fundit kur ai po diskutonte mbi sistemin gjyqësor në Amerikë dhe ai kishte bërë gati fjalimin, por kur filloi të fliste për sistemin gjyqësor në Amerikë, ai e la mënjanë fjalimin dhe ajo që tha ishte tejet e thjeshtë. Ai tha: Unë nuk do të isha pa sistemin e drejtësisë në Amerikë, pa pavarësinë e tij, pa përmbajtjen e tij ndaj ligjit. Dhe për të gjitha gjërat për të cilët folëm, duke nisur që nga periudha e vuajtjeve, që nga periudha e aparteidit, e trajtimit si të ishte një person i klasës së dytë në vendin tonë të lindjes.

Në atdheun tonë, në një situatë ku mund të kesh një Kolin Paul, Kondoleza Rajs dhe një Barak Obama, të qendërzuar në faktin që sistemi gjyqësor në fund mundi që t’i përmbahet Kushtetutës, e bëri këtë pavarësisht nga presionet e ndryshme politike, nga njerëzit që kanë dashur të ruajnë sistemin e mëparshëm. Faktin që unë flas për institucione të pavarura dhe për rëndësinë e tyre, është për shkak se unë e kam parë këtë në veprim dhe të gjithë personat të cilët adhurojnë Presidentin Obama, dhe gjithsecili që admiron aftësinë e popullit amerikan për të zgjedhur një President afrikano-amerikan për pozicionin më të rëndësishëm të kombit amerikan. Nënkupton dhe pohon që unë e respektoj një sistem të pavarur gjyqësor, ndoshta me këtë pjesë do të doja të lidhja pyetjen tuaj sonte.

A mund të tregoni kontributin tuaj në Shqipëri në mbrojtje të drejtave të minoriteteve këtu në vendin tonë, do të ishte interesante të tregoni paska lidhur me atë çfarë keni bërë ju në lidhje me këto, njëkohësisht edhe me projektet që ju keni në të ardhmen, në lidhje me minoritetet në përgjithësi dhe njerëzit me ngjyrë…?

Unë mendoj që gjëja e rëndësishme është diçka që është shumë-shumë e thjeshtë, është fakti që njerëzit janë njerëz. Ne të gjithë kemi aspiratat tona, të gjithë kemi ëndrrat tona, të gjithë na pëlqen të kemi miqësitë tona, të gjithë neve na pëlqen të kemi shpresat tona, megjithatë ne përballemi me frikat tona. Ne kemi këtë dëshirë të brendshme që ne ta përmirësojmë veten, që kombi ynë të jetë një komb më i mirë, që mund të zhvillohemi me të gjithë botën. Unë mendoj kur një person i ka këto ndjesi dhe këto ndjenja, dhe këto aspirata, asgjë tjetër nuk ka më vlerë, çdo gjë tjetër zbehet sepse në përfundim ne takohemi dhe prekim mirësinë e njerëzve.

Faleminderit për intervistën.

Faleminderit, më ke komplimentuar shumë sonte, unë dëshiroj t’ua ktheja me një kompliment, pasi keni hapur studion tuaj dhe keni ftuar këto persona, më keni ofruar mundësinë që unë të ndaj diçka nga përvoja e njerëzve të mi dhe me njerëzit në mbarë Shqipërinë. Kjo ka qenë tejet e veçantë, ka qenë një çështje që më ka prekur thellë dhe për të cilën jam tejet falënderues. Faleminderit juve dhe “Ora News”, ju jam shumë mirënjohës.