TIRANE – Shefi i diplomacisë amerikane në Tiranë, u jep një mesazh të qartë politikanëve të PD e PS: Stop konfliktit personal, stop premtimeve të thyera, gjeni zgjidhje mes njëri tjetrit, edhe nëpërmjet kanaleve të padukshme, dhe mendoni më shumë për hallet e popullit që ju ka votuar.
Mesazhi jepet në një intervistë të botuar sot në “Gazeta Shqiptare”. Pyetjes së drejtoreshë së GSH e cila mori intervistën-
A e justifikoni ju, SHBA, qëndrimin e opozitës për të qëndruar jashtë parlamentit? Tashmë janë bërë gjashtë muaj që nga ky proces!.. ambasadori Withers iu përgjigj:
“Unë mendoj që ne amerikanët jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në Shqipëri sot.Nevojshmëria që ne shohim është që partitë të gjejnë një mënyrë për ta zgjidhur këtë ngërç, në interesin e madh të këtij vendi. Ne shpresuam që anëtarësia në NATO dhe që zgjedhjet e 28 qershorit do të ishin pararendëset e një kalimi të butë të demokracisë në standarde evropiane. Por në vend të kësaj, ne kemi një përplasje të hidhur, me fjalë të ashpra, me fyerje personale, me kërcënime politike të një lloji, apo një tjetër, sa nga një parti tek tjetra, dhe më e rëndësishmja ne nuk po shohim kanale komunikimi midis partive që do ta adresonin situatën dhe, ndoshta, do ta zgjidhnin këtë konflikt.
E dini, fyerjet personale nuk kanë vend në një dialog demokrat. Çështjet debatohen, debatohen edhe fuqishëm, jo gjithnjë mund të bihet dakord mbi mendimet, por nuk përmendet sfondi personal i partisë tënde rivale. Kjo sjellje është humbje për standardet ndërkombëtare të Shqipërisë, qoftë si një anëtare e NATO-s, ashtu edhe si një kandidate e ardhshme e BE. Prandaj dhe ne i bëjmë thirrje lidershipit politik të të dyja palëve, që të lënë mënjanë këtë sjellje të ndezur dhe të kërkojnë për mënyra për të folur me njëri-tjetrin, kështu që vendi jo vetëm të mund të drejtohet, por të mund të drejtohet ashtu si duhet. Është shumë e rëndësishme që ato kanale, që ka ekzistuar në të kaluarën, të hapen sërish, në mënyrë që të dyja palët të nisin të gjejnë një zgjedhje për vështirësitë që po kalon vendi sot.”
Ambasadori amerikan përcjell gjithashtu dhe mesazhin se diplomatët amerikanë nuk do të ndërhyjnë në zgjidhjen e krizës por duke i kujtuar politikanëve shqiptarë Kuvendin e Lezhës të 1044, apo fjalët e Migjenit, diplomati amerikan kërkon të gjejë zgjidhjen me gjuhën e shqiptarëve.
Më tej shefi i diplomacisë amerikane thotë se lufta ndaj korrupsionit duhet të zhvillohet në arenën e ligjit dhe jo të politikës. “Nuk i takon politikanëve që të marrin e të japin, kjo anë kundrejt asaj ane, që të përpiqen të kriminalizojnë kundërshtarët për qëllime politike, të përdorin median për ta bërë këtë, si dhe presionin politik për ta bërë këtë. I takon gjykatësve, i takon prokurorëve, i takon gjykatave, për ta pasur këtë përgjegjësi dhe për të marrë këto vendime dhe jo politikanëve”
Gjatë intervistës ambasadori shprehet mjaft optimist dhe beson se janë të gjitha shenjat për një të ardhme të ndritur për Shqipërinë falë dinamizmit dhe pozicionit strategjik gjeografik të vendit.
“Falë marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, është shumë e lehtë të shohësh ditën kur Shqipëria të kthehet në qendrën e një rrjeti të mirash dhe shërbimesh që vijnë nga rrugët tokësore, nga Kosova, Maqedonia, vende të tjera, ndoshta një ditë edhe nga Serbia jugore. Dhe duke qenë pika hyrëse dhe dalëse për të mira dhe shërbime që shkojnë dhe vijnë, ju keni një rol historik.”
(Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/BalkanWeb)