Welfare? Ka ikur ajo kohë

0
35


Edward Cody

Sigurimi shëndetësor, pushimet e gjata dhe dalja në moshë të re në pension janë përfitime sociale që kanë përbërë një mënyrë jetese në Europën Perëndimore qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, gjithnjë e më shumë po kuptohet se kontinenti i vjetër nuk mund t’ia lejojë vetes këtë luks. Qysh nga momenti që shpërtheu kriza e fundit ekonomike globale (2008), këto përfitime janë duke u rrudhur përballë deficiteve të larta publike. Në fakt, Europa po ecën në një drejtim të kundërt me tendencën gjysmëshekullore të përmirësimit të vazhdueshëm të standardit të jetesës, gjë që e shndërroi në sytë e të gjithëve vendin e lakmuar për të jetuar.

Në këtë realitet të ri, megjithatë, në një numër rrethanash puntorët kanë qënë të shtrënguar të bien dakord me ngrirjen e pagave, me zvogëlimin e orëve të punës (tok me pagesën në këtë rast), me shtyrjen e moshës së pensionit, dhe me rishikimin e kujdesit shëndetësor falas. Të punësuarit e Fiat-it në qëndrën historike Mirafiori, në Torino, arritën deri aty sa t’i thonë “po” kërkesës për t’mos paguar ata që bëjnë si të sëmurë në ditët që skuadra e tyre e zemrës (e futbollit) ka ndeshje, gjë që ka qënë e pamenduershme deri pak kohë më parë.

Europa është ndryshe nga SHBA-të. Në këtë të fundit, konservatorët bëjnë namin kur vjen puna që diskutohet rritja e shpenzimeve publike për mbrojtje e përkrahje sociale. Ndërsa programet bujare të asistencës në Europë janë ndërtuar e miratuar nga të majtët e të djathtët, të cilët nuk kanë guxuar të përballen me këtë problem nga frika se humbasin vota. Por tani u duhet të përballen se s’bën. Nuk kanë nga t’ia mbajnë.

Po, është e vërtetë, shumë europianë, sidomos nga e majta, po e interpretojnë këtë situatë me triumfin e fondamentalistëve të tregut të lirë, të cilët po ia dalin t’u japin mbrojtje e favore atyre që kanë në dëm të atyre që s’kanë. Por shumë të tjerë janë dorëzuar tanimë, e janë pajtuar me idenë, që këto programe sociale duhen shkurtuar. Claude Bernard, një drejtues i një sindikate luftarake në fabrikën e prodhimit të Renault-ve në Sandouville, në Francën Perëndimore, thotë, se “sistemi welfare nuk mund të vazhdojë më”. Ndërsa Manuel Valls, një kandidat i mundshëm presidencial i partisë socialiste, u ngrit kundër linjës e traditës së partisë lidhur me javën 35 orëshe të punës. “Ndryshe”, tha ai, “fabrikat franceze nuk mund të konkurojnë me ato kineze, ku java e punës është mbi 60 orë”. Në Danimarkë, që mbahet si ikona e sistemit skandinav të asistencës “nga djepi deri në varr”, kryeministri doli e tha se ne danezët, nëse duam të përballemi seriozisht me deficitin prej 2,8 miliardë dollarësh, duhet të punojmë edhe ca më shumë përpara se të dalim në pension”. Qeveria e konservatorëve britanikë ka vendosur ta ulë deficitin në shumën 130 miliardë dollarë në harkun e 5 viteve të ardhshëm, dhe këtë do ta bëjë edhe nëpërmjet shkurtimit e reduktimit të programeve ‘welfare’, e nëpërmjet rritjes së kostos së edukimit universitar (u përball dhe me protesta të forta për këtë shkakun e fundit). Edhe të majtët kanë bërë të njëjtën gjë. Disa prej masave më të dhembshme – reduktimi i pagës së pensioneve, ngrirja e pagave të tjera, rritja e moshës së pensionit, etj – janë marrë nga kryeministra socialistë, si George Papandreou në Greqi dhe Jose Luis Rodriguez Zapatero në Spanjë.

Por kultura e asistencës, megjithatë, nuk është e lehtë të luftohet. Rrjeti i sigurive e garancive sociale mbetet prapëseprapë i fortë. Rritja e fee-ve universitare nuk ka arritur ta çbëjë idenë, se arsimi i lartë duhet të jetë gratis; ose të paktën, shumë i lirë. Afërmendsh, ky nuk është një standard amerikan. Kur Presidenti Obama përpiqej gjatë vitit të fundit të siguronte sigurimin shëndetësor për sa më shumë amerikanë, europianët bënin sehir e qesëndisnin; në fakt, jo pa të drejtë, pasi ata janë të bekuar: që të gjithë janë të mbuluar me sigurim shëndetësor.

Lloje të tjera “pazaresh”

Florian Andre, një metalurg 50 vjeçar në Sandouville, është mësuar aq shumë me mbrojtjen sociale, sa e sheh atë si një zgjatim natyral të vlerave humane të vendit të tij. Është me flokë të thinjura sot, por ai nuk mund të harrojë bujarinë e shtetit, që e ka trajnuar si punëtor, dhe që e ka bërë të ketë ca para mënjanë, tok me gruan e me tri vajzat, për të blerë një shtëpi të re në Le Havre, të cilën më parë e ka patur një kapiten marine. “Me këtë sistem që kemi, ne nuk e lëmë një vejushë apo një fëmijë të përfundojë në rrugë të madhe”, thotë ai. “Sistemi ynë social duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë në të gjitha fazat e jetës, nga lindja deri në vdekje. Por nga ana tjetër e di, se jeta është një pazar, është jep e merr, dhe rrjedhimisht çdo gjë e ka një kosto”.

Por kohët e fundit, qeveria franceze ka filluar të ecë në një drejtim të kundërt. Presidenti Nicolas Sarkozy është një konservator që e ka xhan tregun e lirë, dhe mbi bazën e premtimeve që ka bërë, ka zënë të çbëjë disa skema mbrojtjeje sociale. “Fjala vjen”, thotë Andre, “qeveria ka zhvendosur një përqindje të madhe të kostos prej siguracionit shëndetësor nacional në siguracionin privat, dhe kjo ka sjellë për pasojë që unë të nxjerr nga xhepi 68$/muaj më shumë se më parë”. Atij i marrin sot 23% të pagesës së tij mujore, por prapë ai çon në shtëpi 2,400 dollarë. Kjo s’do të thotë se ai nuk i ndjen shkurtimet e rimbursimeve, gjë që kanë bërë të paguajë më tepër për kujdesin shëndetësor. Kur vjehrra e Andre-së kreu një ndërhyrje kirurgjikale gjatë muajve të fundit, doktori i faturoi një 500 dollarsh më tepër se sa do t’i rimbursonte shteti. Po kështu, kur gruas së tij iu desh të operohej nga një hernie diskale, atyre iu mbetën të parimbursuara 200 dollarë. “Shqetësimi i qeverisë është të mbledhë pará”, ankohet ai, “dhe gjendja jonë po bëhet më e vështirë. Programi i Sarkozy-së për të mos zëvendësuar një nga nëpunësit e administratës që dalin në pension tash e tutje don të thotë se administrata e sigurimeve shëndetësore do të ngarkohet më shumë me punë, dhe për pasojë kërkesat për rimbursime do të përmbushen me vonesë”, shton ai. “Për më tepër, këto shkurtime kanë bërë që të mbyllen zyrat e lagjes, dhe neve na duhet që të shkojmë në zyra rajonale. Shërbimi nuk është më ai i pari”. Dhe e mbyll duke thënë: “sistemi ynë i mbrojtjes sociale ka qënë një thesar për Francën. Unë mbaj mend, se kur isha i ri, jo vetëm që paguheshin nga shteti të gjitha kostot e përkujdesjeve mjekësore, por na rimbursoheshin edhe ilaçet që blinim në farmaci sipas recetës së një doktori. Ndësa tani”, thotë Andre duke vënë buzën në gaz, “ti duhet të vdesësh që të rimbursohesh”.

Privilegjet si “gjyle tek këmbët”

Sistemi ‘welfare’ është aplikuar në Francë menjëherë pas luftës së dytë botërore, me insistimin e komunistëve dhe me miratimin e Charles de Gaulle-it. Më pas, kanë qënë socialistët që e kanë fortifikuar këtë sistem gjatë dy mandateve në pushtet (duke shtuar javën 35 orëshe, dhe kohëzgjatjen e pushimeve). Me kalimin e kohës, Franca u bë shteti social par ecxellence, të cilin e ka patur zili bota; në fakt, një pjesë e botës. Kur plasi kriza globale, ky sistem mori mjaft mirë në mbrojtje njerëzit (qeveria rriti përkohësisht deri në 54% të GDP-së shpenzimet për asistencë), por tani që pasojat e krizës janë të dukshme e të vështira dhe që Europa po heq shumë për të rikapur veten, konservatorët jashtë e brenda qeverisë janë duke thënë se ky rrjet mbrojtës po dëmton financat dhe po frenon ekonominë. Zoti Godet, një ekonomist, ka llogaritur se me pesë javë pushime, që iu njihen ligjërisht, me ditët e festave kombëtare, dhe me kohën që u kompensohet kur punojnë më tepër se sa 35 orë/javë, punëtorët dhe nëpunësit francezë ia dalin të akumulojnë 55 ditë pushime në vit, për të cilat paguhen. Kush është pak “inteligjent” (dhe janë të shumtë), mund të krijojë ura mes ditëve të punës që ndahen nga një ditë pushimi, dhe kështu praktikisht u bie që të bëjnë një javë pushim për çdo muaj (pa të shtunat e të dielat, kuptohet).

Si rezultat, thotë Godet, punëtorët francezë duken në fabrikë apo në zyrë vetëm 620 orë në vit, krahasuar me 700 orë të gjermanëve dhe me 870 të amerikanëve. Ka dhe një rezultat tjetër: një orë pune kushton mesatarisht 43 dollarë në Francë, krahasuar me 36 dollarë në vendet fqinj, që përdorin euron, gjë që i bën këto të fundit të kenë epërsi në garën me Francën. “Problemi ynë është se nuk po ia dalim të bindim njerëzit, se këto privilegje janë në fakt gjyle në këmbët e tyre”, përfundon Godet.

Presidenti Sarkozy e ka drejtuar gishtin tek kostoja e lartë që vjen prej moshës së ulët të pensionit dhe prej kujdesit shëndetësor. Kostoja e këtyre dy faktorëve kap 7,7% të GDP-së, ose thënë ndryshe, kap shumën e 200 miliardë dollarëve. Vetëm prej sigurimit shëndetësor shteti nxjerr nga arka 30 miliardë dollarë të mira për çdo vit. Ka pasur rezistencë, por Sarkozy-ja ka ecur në të vetën. Moshën e pensionit e ka çuar nga 60 në 62 vjeç. “Ndryshe deficiti nuk mund të përballohet në rrethanat që baza e puntorëve aktivë ngushtohet e jetëgjatësia e pensionistëve rritet”, mendon Sarkozy. Të majtët vazhdojnë të këmbëngulin që deficiti mund të lehtësohet me një rrugë tjetër, duke taksuar më shumë të pasurit, por Presidenti nuk e preferon atë rrugë. “Të pasurit duhet të paguajnë për të ulur deficitin”, flet me zë të lartë një grua në një tubim kundër qeverisë të organizuar në Concarneau. Kish shumë zemërim në atë protestë. Dhe këtë zemërim po e shfrytëzojnë socialistët; po e shohin si një shans për të marrë presidencën në vitin 2012. Ç’do ndodhë me sistemin e asistencës sociale, atëherë?

Përktheu: Mustafa Nano