Welcome rruga e Integrimit – Ditë për historinë e re të shqiptarëve

0
36

Arsim Sinani

ARSIM SINANI, 26.04.2010

Mesazhi që dje u hodh nga lidershipi shqiptar nga Vërmica e Kosovës ishte një mesazh shumë dmth për shqiptarët, por jo vetëm për shqiptarët, kjo rrugë s’do mend se do të përmirësojë infrastrukturën në mes shqiptarëve dhe më shumë se kaq ky korridor u quajt edhe simbolikisht “Rruga e integrimit”. Dikush ka dëshirë ta quajë dhe rruga e kombit, por kjo nuk ka shumë rëndësi ajo që është esenciale është se punimet filluan, kjo është për tu përshëndetur, kjo është për te festuar.

Fillimi i punimeve të kësaj rruge që do të përmirësojë komunikimin, lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve është shumë i rëndësishëm sepse këtë do ta shfrytëzojnë të gjithë si një rrugë shumë e mirë, e nevojshme, në momentin e duhur, e cila rrugë ka dalje në detin Adriatik. Nëse deri dje Tirana ishte më shumë se tetë orë rrugë sot kjo rrugë është afruar aq sa lirisht brenda ditës mund të lëvizësh lirshëm drejt Tiranës dhe të kthehesh anasjelltas.

Nga këndvështrimi global shqiptarët fitojnë nga kjo rrugë, është një fitore sepse dalja në detin Adreatik ul kostot për ekonominë dhe mallrat, ul kostot për familjet dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe përfundimisht është rrugë që lidh shqiptarët me Evropën. Dhe jo vetëm kaq.

Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte udhëheqësi i cili pak a shumë e tha se shqiptarët e kanë një ëndërr e ai është bashkimi kombëtar, s’do mend se kjo ishte një porosi se shqiptarët janë ndarë padrejtësisht dhe kjo rrugë pak a shumë I përmirëson gabimet e së kaluarës.

Ajo që më bëri më së shumti përshtypje nga gjithë ai glamur i inaugurimit ishte se shqiptarët nuk sillen si të gjithëdijshëm, nuk sillen si fqinjët tanë që me nacionalizmin e tyre e thyen kokën një dekadë më parë, kur e gjithë bota I bombardoi duke I dhënë mësim se me egocentrizëm, me dhunë nuk mund të zgjidhin asgjë, vetëm se mund të thyejnë kokën, ashtu siç e thyen. Lidershipi shqiptar ishte shumë i përgjegjshëm si me deklaratat si me gjithë organizimin që flet se ne shqiptarët kemi mësuar shumë nga fqinjët tanë.

Shpresoj se ajo që e kemi mësuar nga fqinjët tanë është se nuk duhet që të sillemi me gjuhën e forcës, me gjuhën e dhunës, me gjuhën që përgjaku Ballkanin. Ajo që më la shumë mbresa është se me një modesti të paparë shqiptarët po hapin dalëngadalë të gjitha rrugët që është dashur ti kishim deri më tani por për shumë arsye janë vonuar. Por një fjalë e urtë nuk thotë kotë më mirë vonë se sa kurrë.

Ajo që më rra në sy ishte mungesa e flamujve, do duhej që protokolli të ishte përkujdesur më mirë për këtë çështje, le të valëvitet shqiponja sepse shumë vuajtje kemi përjetuar për këtë ditë, shumë sakrifica ka pasur deri te ballonet që fluturojnë të lirë dhe fishekzjarrët e spektakli. Dhe jo vetëm kaq.

Ajo që duhet të mësojmë të gjithë nga ky element është se shqiptarët po marrin gradualisht përgjegjësitë e veta në Evropën Juglindore, përgjegjësi që është dashur t’i marrin më parë.

Dhe s’duhet të na dalë prej mendjes dhe mos të harrojmë se bashkë me përgjegjësitë janë dhe detyrat e shtëpisë sepse pa I kryer detyrat mirë s’mund të ecim para s’mund të kemi suksese si ky i sotmi.

Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Preshevë, Bujanoc, Mal të Zi etj nuk duhet të dëshpërohen nga pamjet në Vërmicë duke menduar se mbeten të anashkaluar dhe të izoluar sipas një logjike, por përkundrazi duhet të jenë shumë krenar sepse sa më afër të jetë Kosova me Shqipërinë aq më shumë edhe ne jemi faktor. Por edhe faktori politik në Tiranë dhe Prishtinë lipset ta dijë se ka përgjegjësitë e veta karshi shqiptarëve këndej gardhiqeve siç do të thoshte një profesor i imi i nderuar.

Do i përkujtoj sot në këtë ditë të madhe fjalët e patriotit, intelektualit dhe vizionarit Naim Frashëri: I cili me të drejtë thotë:”Punë punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”. Kjo moto sot shumë është dmth sepse na është dhënë shansi që të jemi faktor në Evropën juglindore, kështu mendojmë miqtë tanë dhe ne duhet që ta dëshmojmë me punë se jemi serioz, se duam që të jemi vërtetë faktor real ik zhvillimeve në këtë pjesë të Ballkanit.

Dhe krejt në fund simbolika e Rrugës së integrimit më 25.04.2010 është për tu mbajtur mend, fëmijët tanë nuk do të ballafaqohen me problemet të cilat vetë i kemi vuajtur ne si gjeneratë, udhëtimi i tyre do të jetë më i mirë, më komod, me më shumë aventura. Ajo që më gëzoi më së shumti në këtë ditë është se perspektivat po hapen për këtë flet më së miri dita e sotme, prandaj mos e harroni këtë ditë është ditë për historinë e re të shqiptarëve. Gëzuar.