Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Presidenti i Republikës ka thirrur sërish dy udhëheqësit kryesorë politikë në vend për t’u konsultuar mbi reflektimin e tyre rreth mundësisë për një marrëveshje politike që do t’i jepte fund krizës. Siç shihet nga deklaratat e palëve, nuk ka asnjë hap përpara. Opozita thotë se ka bërë një kompromis të madh duke njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe duke mos kërkuar ndryshimin e tij, ndërsa Berisha vazhdon të përpiqet që ta kanalizojë kërkesën e opozitës si një problem mes saj dhe gjykatave. Në këto kushte ka shumë pak shanse të parashikohet një rrugë e mesme.
Në pamundësi për të parandjerë çfarë do të ndodhë, ne duhet të shikojmë realisht çfarë nuk duhet të ndodhë me këtë proces.
Së pari, meqë Presidenti i Republikës ka marrë besimin e palëve si ndërmjetës, nuk duhet të bëjë gabimin të paraqesë planin e tij për këtë krizë. Edhe pse palët mund t’ia japin formalisht këtë besim, një veprim i tillë rrezikon ta lërë krizën pa zgjidhje duke ia faturuar atij përgjegjësinë e zgjidhjes. Presidenti duhet të vazhdojë si deri më sot, të jetë thjesht një institucion besimi mbi palët, dhe interlokutor mes tyre. Përpjekja për t’i lënë Presidentit rolin e propozuesit të një plani, mund të minojë bisedimet dhe të lërë pa përgjegjës krizën.
Së dyti, opozita nuk duhet të kompleksohet nga presionet mbi djegien e mandateve, apo përpjekja e Berishës për të fituar kohë dhe për të përçarë grupin parlamentar. Mandatin për të përfaqësuar opozitën e ka Partia Socialiste dhe kriza duhet të zgjidhet me atë. Çdo përpjekje për të gjetur deputetë me para apo premtime të tjera nuk ndikojnë fare mbi vendimin politik të Partisë Socialiste. Kjo parti përfaqëson mbi 600 mijë votues, të cilët, pavarësisht se kush deputet bën pazar me Sali Berishën, do të jenë në rrugë nëse kriza nuk zgjidhet sipas opsionit të tyre.
Së treti, qeveria nuk duhet të marrë rolin e interpretuesit ligjor të kësaj situate, por duhet ta shikojë çështjen politikisht. Nëse Berisha mendon vërtet se ndalohet një komision hetimor, le të provojë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe jo të mbajë fjalime për një çështje, e cila nuk varet prej tij, apo interpretimeve të tij.
Dhe së fundmi, bisedimet nuk duhet të ulen nga niveli politik në nivel teknik, pa u arritur marrëveshje mbi pikën kyçe të opozitës, atë të hetimit të zgjedhjeve për hapjen e kutive. Nivelet teknike mund të negociojnë për zbatimin e marrëveshjes, por jo për hartimin e saj. Bisedimet e së martës ilustrojnë ngërçin real të bisedimeve dhe faktin që qeveria ka shkuar aty pa vullnet politik. Dhe kjo mund të jetë një përpjekje për të fituar kohë dhe për të inkriminuar kërkesën e opozitës. Ndaj është mirë që të mos i jepet as kohë dhe as rast për të futur bisedimet në rrugë pa krye.