Vrasjet e protestuesve, ja si u shkel ligji i Gardës

0
60


Nga Korresp. 24-ore.com

Përdorimi i armëve të zjarrit nga ana e punonjësve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, mbi turmën që protestoi dhunshëm para godinës së Kryeministrisë në datën 21 janar, është bërë në kundërshtim me ligjin. Neni 5 i ligjit Nr. 8290, datë 24.2.1998, “Për përdorimin e armëve të zjarrit” sanksionon se “Armët e zjarrit nuk lejohen të përdoren: a) kundër personave që në dukje tregojnë se janë të mitur (fëmijë), gra dhe pleq; b) në vende publike, ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve.

Armët e zjarrit në këto raste mund të përdoren vetëm kundër personave të veçantë që kryejnë vepra të dukshme dhune kundër personit ose pasurisë, që në vetvete përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara”. Tre shtetasit që humbën jetën gjatë demonstratës së dhunshme të organizuar nga Opozita e Bashkuar janë vrarë me armë zjarri jashtë territorit të godinës së Kryeministrisë. Pamjet filmike të shfaqura në media ngrenë dyshimin e fortë se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit nga gardistët dhe uniformat blu që qëndronin brenda territorit të Kryeministrisë.

Kjo është pohuar dje edhe nga shefi i qeverisë, Sali Berisha, i cili në daljen publike të radhës, e cilësoi reagimin e gardistëve në respekt të ligjit. Sipas tij ata mbrojtën institucionin. Por kjo nuk rezulton e vërtetë. Shkelja e parë ligjore, që rezulton të kenë konsumuar punonjësit e gardës apo policisë që qëlluan mbi turmën lidhet pikërisht me pikën (b) të nenit 5, të sipërcituar. Kjo për shkak se të shtënat me armë janë bërë pikërisht në një vend publik dhe ku ka pasur një grumbullim të madh njerëzish.

Ndërkohë që neni 5 ia u ndalon këtë reagim të ashpër punonjësve të gardës apo policisë. Shkelja e dytë ligjore lidhet me faktin se armët e zjarrit janë përdorur ndaj personave, të cilët në momentin që janë qëlluar për vdekje nuk kanë qenë duke kryer ndonjë veprim të dhunshëm siç parashikon ligji. Hekuran Deda, 45 vjeç nga Dibra ka humbur jetën si pasojë e një plumbi të marrë në kokë në një kohë që ndodhej 10-20 metra larg godinës së kryeministrisë. Pamjet filmike faktojnë se në momentin që ai ka humbur jetën nuk ka qenë duke kryer ndonjë akt të dhunshëm.

Ziver Veizi, 43 vjeç nga Gjirokastra, u qëllua për vdekje me një plumb në gjoks, rreth 3-5 metra larg portës hyrëse në kryeministri, në një moment kur ai qëndronte i qetë, nuk ishte duke kryer asnjë akt të dhunshëm dhe nuk mbante në dorë asnjë mjet të rrezikshëm. Disa metra larg kryeministrisë humbi jetën dhe shtetasi, Faik Myrto, 50 vjeç nga Fieri, i vrarë me një plumb në shpatull. Pikërisht për këto arsye, mendohet të kenë detyruar Prokurorinë e Tiranës të firmoste dje urdhër-arrestet për 6 drejtuesit e Gardës së Republikës.