Anila Dushi, 21.03.2011
Dy ngjarje të rënda kanë tronditur Shkodrën javën që u mbyll, dhe kjo jo vetëm për pasojat që patën: tre të vrarë, por dhe për faktin se gjakmarrja shfaqet frikshëm përsëri. Fenomeni vrasës i së shkuarës që ka ardhur duke u deformuar pas viteve ’90, vazhdon të sjellë viktima. Me gjithë apelet, konferencat, simpoziumet e takimet kombëtare me qëllim eliminimin e këtij fenomeni, ai vazhdon të tregojë se është i pathyeshëm, të paktën përderisa shteti ligjor e drejtësia është larg asaj që duhet të jetë.
Për drejtësinë e munguar, dhe jo efiçencën e shtetit ligjor është folur mjaft, dhe për riaktivizimin e krimit e elementëve të tij në situata të rënduara politike ose prag zgjedhjesh është folur, por zgjidhje nuk shihen dhe krimi vetëm përparon. Të krijohet përshtypja (nuk dua të mendoj se është bindje) se krimi, përfshirë dhe hakmarrjen e gjakmarrjen, është jashtë kontrollit. Por nuk duhet të jetë kështu, madje duket se ai kontrollohet nga dikush e disa që duan të ketë pasiguri dhe t’i përdorin këto situatë për qëllime shumëplanëshe.
Duke gjykuar mbi dy ngjarjet e fundit në Shkodër, historinë e zanafillat e të cilave i njoh pasi kam shkruar për to prej shumë vitesh, vërehet një përqasje jo e rastësishme dhe deri diku e frikshme. Vritet një person, i dënuar me burgim për gjakmarrje, që i jepet leje nga burgu, dhe vrasësit dinë jo vetëm lejen që i është dhënë, por dhe ku do lëvizte. Vritet prapa shpine dhe autorët largohen. Policia thotë se i ka identifikuar, por nuk jep zyrtarisht as motivin dhe as emrat (për arsye hetimi!), dhe pse është e qartë se vrasja ka si motiv gjakmarrjen.
Katër ditë më pas, dy vëllezër vriten, po për gjakmarrje. Dhe këtë herë policia nuk jep autor, derisa ai dorëzohet apo vetëdorëzohet dhe pranon se ka qëlluar për të marrë gjakun e babait. Edhe ky autor është i arratisur nga burgu gjatë një leje disaorëshe që i është dhënë më 2 tetor 2010. E ndërsa ai qarkullonte në Shkodër e organizonte vrasjen e dy vëllezërve , jo vetëm nuk kapej, por as bihej në gjurmët e tij. Duket si rastësi e çuditshme që vritet për gjakmarrje një person që i është dhënë leje nga burgu dhe arratiset një tjetër gjatë një leje me qëllim që të vriste të tjerë persona, po për gjakmarrje.
Për arratisjen e Admir Tafilit u proceduan në gjykatë 10 vetë, që më pas të gjithë dolën, ndërsa i arratisuri merrte dy jetë njerëzish, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se ishin vëllezërit e një ish-oficeri policie në emigracion, që pretendohet nga Tafilët se gjatë ushtrimit të detyrës, në operacion ku zakonisht efektivët janë të maskuar, kishte qëlluar dhe vrarë babanë e të arratisurit nga burgu. Dhe këtu ka mjaft pikëpyetje që kërkojnë përgjigje nga shteti që thotë se funksionon.
Dy vrasjet e javës së fundit në Shkodër ishin vrasje të paralajmëruara, njihej konflikti, por shteti nuk i ndaloi. Madje, mund të thuhet se kontribuoi. Policia e Shkodrës nuk merr dijeni se një i dënuar për vrasje ka marrë leje disaditore dhe lëviz në qytet. Këtë e mëson vetëm kur e vrasin. I arratisuri nga “duart” e shtetit përmes deklaratave në seancat gjyqësore apo dhe atyre mediatike të familjes së tij, ka bërë të ditur qëllimin për hakmarrje, sado e pakuptimtë të jetë ajo në rastin konkret.
Që këtej del se kushdo që ka një konflikt sado të vogël, duhet të gjejë mënyrën ta zgjidhë vetë, me vetëgjyqësi apo jo, pasi shteti nuk vepron. Një tjetër element që tregon “mëkatet” e shtetit, është fakti se gjatë gjykimeve të krimit të gjakmarrjes apo hakmarrjes, që në kodin penal cilësohet vrasje me paramendim, në të shumtën e rasteve të akuzuarit përfitojnë ulje të 1/3 e dënimit, sipas nenit 406 të kodit të procedurës penale. Nëse duhet të aplikohet zbatimi i këtij neni në raste krimesh të rënda si ai i vrasjes, këtë duhet ta thonë specialistët.
Por që kjo ndihmon në nxitjen e vetëgjyqësisë, ky është një fakt. Si vend që aspiron integrimin në familjen evropiane, ndër përparësitë e tij ka forcimin e shtetin ligjor, të drejtësisë dhe zbatimin e ligjit. Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh, dhe ka gjasa që politika jo vetëm nuk e do që të forcohet shteti ligjor, por ndihmon që kjo të mos ndodhë. Dhe shqiptarët do vazhdojnë të hakmerren primitivisht, përderisa drejtësia vetëm e tillë nuk do jetë, përderisa politika do vazhdojë ta përdorë krimin për qëllimet e veta që vetëm të mbara nuk janë.