Nga Mero Baze
Aleks Nikaj është vrarë dhjetë minuta pasi ka nisur demonstrata e 21 Janarit. Fotografia origjinale e botuar në shtypin shqiptar, e bërë nga një fotograf i huaj mban dhe orën kur është bërë. Ai është gjendur i shtrirë i vetmuar në mes të bulevardit në orën 14:38 minuta e 31 sekonda, çka do të thotë se ai është rrëzuar në orën 14:37 minuta. Demonstrata, e cila filloi në orën 2 para selisë së PS arriti para kryeministrisë thuajse në orën 14:30 dhe siç shihet 8 minuta më pas, demonstruesi i parë është qëlluar me plumb në kokë. Momenti kur është qëlluar është fiks momenti kur para kryeministrisë po hidhnin gaz lotsjellës, dhe viktima ka qenë jo vetëm shumë larg kryeministrisë, por krejt i vetëm në hapësirën e krijuar mes vendit ku hidhej gazi lotsjellës dhe drejtuesve të opozitës që po rrinin bashkë me mijëra njerëz duke filluar nga Ura e Lanës.
Ky detaj ridimensionon dinamikën e veprimit të forcave të rendit atë ditë dhe ngre pikëpyetje të mëdha për vrasje të selektuar të këtij qytetari. Ndryshe nga tri viktimat e tjera që janë vrarë në rrezen para kryeministrisë nga plumba të drejtuar mbi turmën, Aleks Nikaj është vrarë me shënjestër nga snajper, duke qenë i vetmuar dhe pa asnjë lidhje me trazirat që po ndodhnin para kryeministrisë. Nuk dua të besoj se dikush e ka njohur dhe ka urdhëruar vrasjen, por është e besueshme që ai është marrë shenjë dhe është qëlluar qoftë dhe për terror. Kolegë të mi gazetarë pasi u ballafaquan me foton thonë se pasi ka marrë ndihmën e parë nga njerëzit që duken në foto, ai është ngritur, por është rrëzuar pak më vonë kur ka nisur t’i dalë gjak nga koka dhe kur njerëzit ja kanë lidhur atë me shami.
Detaji që përmbys hetimin dhe penalizon direkt drejtuesit e operacionit policor është vendi ku është vrarë dhe ora kur është vrarë. Gazeta Tema është e gatshme ta dorëzojë foton prokurorisë, në të dhënat së cilës përfshihet dhe ora kur është shkrepur aparati fotografik për atë foto. Ora tregon se policia ka qëlluar në shenjë mbi një qytetar kur ende nuk kish ndodhur asgjë, kur protesta ende nuk kish degraduar, dhe kur kishin kaluar vetëm pak minuta nga fillimi i protestës. Po ashtu vendi ku është vrarë nuk të jep asnjë të drejtë të qëllosh mbi një qytetar të vetmuar që ecte në bulevard.
Kjo na shtyn të besojmë se dy njerëzit që rrinin pas xhamit të blinduar, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha kanë urdhëruar të qëllohet sapo policia hodhi gaz lotsjellës dhe njerëzit filluan të largohen nga sheshi para kryeministrisë. Duke menduar se turma e shpërndarë nuk do kthehej më, ata kanë qëlluar për terror. Por pasi turma u kthye dhe beteja vazhdoi akoma mbi një orë, vrasjet e reja u përsëritën në të njëjtën dinamikë. Ato ndodhën kur njerëzit po ashtu nisën të largohen nga kryeministria.
Këto dy foto janë një argument i pakundërshtueshëm se nuk kemi të bëjmë as me ligje dhe rregullore të përdorimit të armëve, as me mbrojte të institucioneve, por me objektiva të qarta nga Kryeministri Berisha dhe Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha për të vrarë qytetarë me qëllim ngjalljen e terrorit. Unë shpresoj se Prokurori që merret me dosjen e Aleks Nikajt do të administrojë këtë provë të rëndësishme që dëshmon vendin e vrasjes, orën e vrasjes dhe përmbys dinamikën zyrtare të ngjarjes, dëshmuar nga autoritet zyrtare. Këto foto tregojnë për një terror të planifikuar dhe të urdhëruar. Unë kam parë shumë video të 21 Janarit dhe një pjesë të demonstratës e kam parë direkt dhe me sy të mi dhe jam koshient se shpesh herë demonstruesit ishin aq agresivë dhe aq të irrituar me policinë sa kufiri që i ndante nga vdekja që shumë i hollë.
Por policët nuk kanë qëlluar. Ka pasur demonstrues që i kanë sharë dhe i kanë fyer policët, por ata kanë ruajtur gjakftohtësinë. Kjo do të thotë se ata kanë qëlluar vetëm kur janë urdhëruar. Vrasja e Aleks Nikajt në dhjetë minutëshin e parë, shumë larg vendit ku zhvillohej përleshja me policinë, me një plumb snajperi të mbetur në tru, është shenjë e qartë e vrasjeve të komanduara nga urdhrat e dy personave, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.
Unë kam dy ditë që ballafaqoj foto me të afërmit dhe familjarët e Aleks Nikaj dhe ata tashmë janë të qartë se si është vrarë djali i tyre. Prokuroria po ashtu duhet të administrojë këto foto për të qenë e qartë për rrethanat e vrasjes së tij. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha po ashtu është mirë t’i marrin e t’i vënë në një kornizë për t’i parë me vëmendje dhe për të menduar se ç’mund t’i gjejë nga krimi që kanë bërë duke vrarë një qytetar tërësisht të pafajshëm, vetëm që të ngjallnin terror tek pjesa tjetër e kundërshtarëve të tyre politikë.