Vrasësi – Tregim nga Gani MEHMETAJ
Inspektori i krimeve të rënda, Genci ndiqte më ngulmë gjurmët. I bëhej sikur po i afrohej dorasit. Ishte një ndjekje e gjatë me ankthe e kthesa të papritura. Brenda kësaj kohe u qëlluan dy të rinj veç e veç, në dukje të parë pa motiv dhe pa arsye. Hamendësimet ishin nga më të ndryshmet, por fakte dinte aq pak saqë të gjitha hamendjet i dukeshin pjellë e imagjinatës. Nga përvoja e deritashme në hetuesi qe i sigurt se ekzekutuesi nuk ishte profesionist, megjithëse e hutonte me mprehtësinë e shmangies nga vendi i ngjarjes dhe më mënyrën se si i përvidhej tollovisë e dëshmitarëve. Jepte përshtypjen e njeriut që e bënte krimin për të joshur ta ndiqnim dhe pastaj përnjëherësh i humbte gjurmët. Më mënyrën se si i qëllonte viktimat, duke mos i mbytur, por duke i gjymtuar sikur donte të përcillte një mesazh. Askush se pa dhe askush s’mund të thoshte asgjë për te. As viktimat s’flisnin. Vetëm belbëzonin dhe fundoseshin në jerm e zbrazësi.
Më vrasësit profesionistë, ishte ndryshe. Ata i godisnin viktimat pa u dhënë mundësi të shpëtonin. Por, gjendeshin dëshmitarë që ua shihnin fytyrat. Pastaj humbnin gjurmë. Askush asgjë s’mësonte për ta. I hiqnin qafe punëdhënësit, ose i dërgonin në shtetin tjetër me identitet të ri, s’merrej vesh kurrë. Dosjet dergjeshin të pambyllura.
Në këtë kohë ndërrimi të pushteteve, nuk qe vështirë të angazhoje vrasës me pagesë. Ndërsa policia merrej me rrethanat e vrasjes, ekzekutuesi mund të hante darkën i qetë, duke shikuar televizor. Policët kërkonim në errësirë si i verbëri gjilpërën në grumbullin e hekurishteve. Mungonin dosjet. Të gjitha arkivat e policisë i mori pushtuesi. Vetëm hamendësonin vrasësin, ashtu sikurse hamendësonin për ç’qellim do t’i përdorte ish pushtuesi kriminelët e shtetit të ri, dosjet e të cilëve i mbante në arkivin e vet.
Të huajt që udhëhiqnin resorët kryesore të kriminalistikës dukeshin të hutuar e nevrik, silleshin vërdallë e shanin. Inspektorin e ri tridhjetëvjeçar kjo pafuqi e shefave e bënte të punonte edhe më me ngulmë.
Rasti i parë dukej ekzekutim klasik: në errësirë, në një lagje të periferisë, derisa viktima ecte i shkujdesur, dikush ia zbrazi një karikator plumbash me revole pa zhurmë dhe u zhduk me terrin e natës. Por mënyra e ekzekutimit kishte diçka të mistershme, të pazbërthyeshme dhe krejtësisht të pazakonshme. Viktima u godit vetëm poshtë kërthizës disa herë. Dihej pak për të plagosurin. Vinte nga periferia, sikurse mijëra bashkëmoshatarë të tij që i pushtuan qytetet pa arsimim dhe pa profesion, në kërkim të punës e të aventurave. Bënte pjesë në një grup që merreshin më punë të dyshimta. Por hulumtimet e Gencit nuk tregonin se ai u qëllua për ndonjë hasmëri brenda llojit, apo për konflikt interesash, megjithëse këtyre gjërave asnjëherë nuk u dihej. Ata të rinj bënin shumë armiq me arrogancën e tyre dhe me dhunën që ushtronin, saqë asnjëherë nuk e dinin nga mund t’u vinte kobi. Të veshur mirë e më sqimë, arrogantë e mospërfillës, ata vazhdimisht krijonin tension e ngatërresa nëpër kafene e diskoteka. Dyshohej se kryenin edhe vrasje me pagesë, por asnjëri nuk merrte guximin të dëshmonte kundër tyre. Secili i shmangej bisedës; ndonjëri egërsohej: “ku me gjetet mua në këtë mori njerëzish, apo u dukem antipatik, prandaj doni të më vrasin”, ia ktheu djaloshi njëzetë e ca vjeçar, një natë në tavernën e qytetit, derisa inspektori hulumtonte rastin e parë. Të tjerët me të marr vesh arsyen e interesimit e linin pijen ose kafen në gjysmë dhe e thërrisnin kamerierin për të paguar. Dhe dukej askush nuk ua shihte për të madhe pse s’donin të denonconin apo madje, pse s’pranonin të flisnin çfarëdo qoftë. Ndërkaq vrasjet, përdhunimet dhe vjedhjet shpeshtoheshin. Të gjitha këto i dinte inspektori i ri.
Derisa merrej me rastin e djaloshit të plagosur që dergjej i paralizuar në spital, e lajmëruan për viktimën e dytë. Ishte shoku i të parit. Ekzekutimi u bë në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin ritual: disa të qëlluara për fundi kërthizës. Krimi u krye pak përtej një kafeneje, në errësirë. Dyshimi iu forcua: viktimat ekzekutoheshin për hakmarrje apo edhe më keq: kundërmonte vetëgjyqësi. Rituali i të qëlluarave donte të përcillte një mesazh, nxiste imagjinatën e njeriut të zakonshëm, të pafuqishëm t’u kundërvihej rrugaçëve që ato ditë frikësonin këdo. Shumica nën zë thoshin: i lumtë pushka. Për të plagosurit askush s’kishte simpati!
Pas rastit të parë shpërtheu në opinion një thashethemnaje sikur një grup i organizuar, i cili në vend të shtetit që ende s’e kishin, thoshin thashethemexhinjtë, donte të bënte drejtësi, të kryente punët që s’i bënte policia as gjyqi. Pastaj shpërtheu pakënaqësia kundër policëve e gjyqeve, kundër shtetit e pushtetit që u bë temë dite gati në çdo kafene. Kohë tepër të gjatë krimet dhe kriminelët e ngufasnin shoqërinë, ndërsa askush nuk i dënonte, madje as që arrinte t’i kapte. Kjo thashethemnaje i shqetësonte edhe më shumë në polici, i kapte tmerri: Si do të dukej vendi i sfilitur nga lufta, sikur të gjithë të merrnin drejtësinë në duart e tyre dhe të shkrepnin armët sa herë t’ua zinte kush rrugën.
Në rastin e dytë, derisa të gjithë ishin të zënë rreth viktimës, matjes së hapësirës dhe deklaratave që jepnin për medie, inspektor Gencit i ra në sy një dokument identifikimi jo shumë larg ku u qëllua i riu, në një kthesë skaj trotuarit të përbaltur. E futi në xhep pa u vërejtur nga të tjerët dhe nuk e paraqita si dëshmi në polici. Gjithë natën e mendoi motivin që e shtyu pronarin e dokumentit për të shtënë në të rinjtë, sepse ishte i sigurt që e gjeti vrasësin. Dokumenti në duart e tij e zvogëlonte aq shumë distancën mes tij e vrasësit. Pastaj mëdyshej. “Po sikur kjo të qe rastësi, sikur dokumenti t’i kishte rënë nga pakujdesia a nga xhepi i grisur, ndërsa s’kishte të bënte fare më vrasjen?”
Të nesërmen shfletoi raportet policore të para disa muajsh. Gjeti shënimin për një përdhunim të dyshuar, mirëpo viktima u zhduk, ndërsa dëshmitarë nuk gjetën, shkruante polici kujdestar. U interesua pastaj për pronarin e dokumentit dhe u hutua kur mësoi se ai i takonte një shtrese tjetër, që mbase s’kishte shkrepur kurrë me revole!
Megjithatë vendosi të luante me kartën e fundit të vetësigurisë, sikur i dinte të gjitha, sikur ishte vetëm çështje e rutinës pyetjet që do t’i bënte, duke mos i lënë shteg të shmangej. Me telefon i tha se do të bisedonte për një përdhunim, por jashtë policisë. Pranoi pas një mëdyshje.
– Mund të ma thoni arsyen pse i ekzekutove? – Iu drejtua pasi u takuan në një rrugicë jo larg qendrës së qytetit, me kalimtarë të rrallë. Me shtatë mesatar e moshë rreth të pesëdhjetave, ndërsa drita e neonit i binte në fytyrë për se kithi, vrasësi s’shquhej më asgjë të veçantë. Genci rrinte në gjysmë terr, duke e vërejtur me interesim.
Ai e pa me gjakftohtësi dhe me cinizëm: -Nuk të kuptoj çfarë thoni, as pse me drejtoheni në këtë mënyrë. Jeni mësuar ju policët secilin ta shihni më dyshim, të akuzoni më hamendje, të pafuqishëm për të zënë vrasësit e përdhunuesit.
E kapi në ajër motivin e vrasjes. Cinizmi i tij i theri. Nuk e dha vetën, sepse përpara i rrinte njeriu, i vetëpërmbajtur e i vështirë për komunikim. Ai ishte vrasësi, megjithëse viktimat nuk vdiqën, por lëngonin në spital pa gjasa të ecnin ndonjëherë.
– E kishit më lehtë t’i denonconit apo t’ua mbushnit stomakun më plumba? E vazhdoi për ta hutuar sikur i dinte të gjitha: – Pse janë policët? Të arrestojnë vrasësit apo të mbledhin viktimat e përgjakura të nipave të Lekë Dukagjinit, që s’përfillin ligj as shtet, por veprojnë sipas kodeve mesjetare.
– Paaftësia juaj po e ngjallë fantazmën e kodeve mesjetare, – ia ktheu i panjohuri me ironi.
Dokumentin e tij të identifikimit, inspektori e mbante shtrëngueshëm me majat e gishtërinjve.
– Të kujtohet ku të ra ky dokument, – e pyeti gati i shkujdesur, ndërsa nxori edhe një flet të shkëputur nga notesi i tij, i gjetur natën kritike.
Duket e la pa fjalë. Gjakftohtësia me të cilën ia nxori faktet akuzuese nuk i dhanë shumë mundësi të debateve cinike. Prandaj iu kthye me vrull: – Si do të vepronit po ta përvëlonin shpirtin keqbërësit, ndërsa e di se askush s’do t’i ndëshkojë?
-Më mirë të provoje t’i denoncoje, se sa të veproje me Kanun, -ia ktheu tashmë i sigurt se e gjeti vrasësin, por i mllefosur me aktin e shëmtuar të tij. Me dorën tjetër shtrëngonte revolen në xhepin e xhupit.
– Edhe unë ashtu mendova, – filloi të zbutej krejt papritmas i panjohuri. – Natën e parë kur i ndodhi fatkeqësia bijës sime, isha në gjendje t’i bëja copë e grimë kriminelët. Brodha nëpër të gjitha kafenetë, kërkoja nëpër tym, nuk e dija as kush janë dhe as si duken. Më vonë mora vesh më shumë. Por iu drejtova mikut tim avokatë, i rryer në këto punë. Pranova që s’jam i gatshëm t’i denoncojë, sepse as e bija nuk do të dëshmojë. Gruaja frikësohej nga turpi. Për dreq edhe avokati mendonte se organet e ndjekjes s’do të bënin shumë. “Dëshmitarë, nuk do të gjesh”, ma ktheu i sigurte në ato që thoshte. “Keqbërësit do të thonë sikur ajo erdhi më dëshirë, por pastaj u zunë, prandaj gënjen kinse është dhunuar. Po edhe po të dëshmohet përdhunimi, tipat e këtilla as guxon t’i dënojë kush, as nuk rrinë gjatë nëpër burgje!”. Më gjakftohtësi të habitshme më preferoi të angazhoja vrasës me pagesë. Ai njihte njerëz të këtillë, sepse profesioni nga nuk e kishte përplasur. Megjithatë ma dha edhe këshillën e fundit: “Mbase nuk është e mirë asnjëra zgjidhje, leja kohës”. Me pafuqinë time, i dëshpëruar mendova t’ia lë kohës, por gjendja shpirtërore e bijës sime vetëm sa keqësohej. Vuanim të gjithë. Keqbërësit i takova disa herë: mospërfillës e arrogantë kalonin pranë meje si pranë varreve. Megjithatë mllefin s’u jepja të njohur.
Mbase nga kompleksi apo nga ndjenja e pafuqisë më dukej sikur edhe gruaja më shihte më përbuzje, pa më thënë asgjë. Pas një jave bleva një revole. Të shkrepja kisha mësuar dikur në ushtri. Edhe thashethemnajën e përhapa unë, duke testuar njerëzit si do të reagonin, meqë kisha mëdyshje, pas plagosjes së të parit. E kuptova se më mbështesnin, sepse besonin që zëvendësoja drejtësinë e munguar, – dhe e pa i qetë akull, sikur hoqi barrë të rëndë nga trupi.
– Nuk i qëllova t’i vrisja, por t’i bëja të vuanin, ashtu si vuanim edhe ne.
– Duket i zbrazi të gjitha. Filloi të largohej pa u përshëndetur.
– Ndalë! I bërtiti me nervoz inspektori, derisa ai vazhdoi të ecte Pas disa hapash vrasësi u kthye në dy mendje:
– Nuk e ke vështirë të dëshmosh se isha i armatosur dhe u përpoqa të te kundërvihesha, – dhe nxori armën nga brezi. – Por dije, – ia ktheu po aq i qetë: – në polici nuk dorëzohem.
I bëhej sikur ishte në ëndërr, e shqetësonte vendosmëria e vrasësit dhe pasiguria e vetes. Detyra ia thoshte: duhej t’ia vente prangat. Ndërgjegjja ia pëshpëriste të kundërtën. Ai vazhdonte pa e kthyer kokën, më hapa të vendosur. Inspektorin e shtangur filluan ta kaplojnë djersë të ftohta.
Nuk bëri asgjë, nuk e zbatoi asnjërën nga rregullat e mësuara në shkollën e kriminalistikës. Nxori një cigare nga pakoja. Duart i dridheshin.
Vrasësi humbi në errësirën e natës. Genci rrinte i shtangur dhe i përhumbur, pa qenë i gatshëm të merrte çfarëdo veprimi. S’i binte ndër mend as të dilte nga gjysmëhija e rrugicës së ndriçuar dobët.
Vrasësi i iku para sysh….
Te nesërmen ia la mbi tavolinë shenjen e inspektorit shefit të tij bashkëkombës. Asnjë përgjegjës i huaj nuk qe në zyre. Ai e pa i skandalizuar. “Të kuptojë”, – i tha i dëshpëruar, “Nuk je i pari që e ruan kokën, janë kohëra të këqija”.
E barazonte më të tjerët, që e braktisën punën nga presionet. Deshi t’i thoshte se nuk i frikësohej askujt, por u mjaftua me përgjigjen: “ E ke vështirë të më kuptosh, meqë s’e kuptoj as unë vetën”.
Dhe iku kokulur pa përshëndetur asnjëri.