Votë revolte

0
84

Oltion Rrumbullaku/Arbër Zaimi, 12.05.2011

Në pritje të rezultateve përfundimtare në të gjitha njësitë e zgjedhjeve vendore, ne mund të tentojmë të nxjerrim në pah disa çështje që meritojnë një diskutim më të zgjeruar publik dhe për arsye nga më të ndryshmet nuk u diskutuan aq sa duhet në periudhën para zgjedhjeve të 8 majit.

Administrata Vendore
Çështja e parë që ia vlen të diskutohet është ndërrimi i administratës vendore, kryesisht asaj urbane, në favor të së majtës në shumë më tepër njësi vendore në të gjithë vendin. Kjo është një rezultat i shtrirjes kapilare të qeverisjes së keqe në shumë zona të vendit.

Në shumë qytete të tilla të vogla, njësitë vendore janë punëdhënësit kryesorë dhe njëkohësisht një panoramë e shëmtuar se si keqpërdoret pushteti në çdo pozicion pune dhe pseudoshërbim publik. Në këto njësi mbizotëron autoriteti feudal dhe fisnor i administrimit publik, me drejtues që nuk janë përpjekur aspak të arrijnë rezultate apo të ofronjnë shërbime publike. Shumë nga këto njësi të qeverisjes patën një drejtim atavik dhe të prapambetur, dhe duke shtuar dhe qeverisjen e keqe në pushtetin qëndror u mbërrit një reagim, i vonuar por i fortë përmes votës qytetare, në shumë njësi vendore anekënd vendit.

Në Laç, Kavajë, Rrëshen, Krumë apo gjetkë me shumë se gjysma e qytetarëve janë të papunë, por kryetari i Bashkisë ka të gjithë fisin në punë, gjithë njohjet dhe përkrahësit e afërt partiakë në pozicionet më të lakmuara të administratës lokale dhe ndërmarrjeve në varësi. E sa për zhvillim ekonomik rajonal apo komunitar, këta kryetarë fisesh nuk ishin aspak të interesuar, sepse u mjaftonte feudi i tyre i prapambetur me një administrim të keq dhe thjesht një zgjatim gjeografik i qeverisjes qëndrore.

Decentralizimi i qeverisjes vendore
Debati i dytë që kërkon një vëmendje shumë të madhe në vazhdim është decentralizimi fiskal dhe ekonomik i qeverisjes vendore. Duke pasur pak kompetenca dhe pak shërbime për të realizuar, pjesa më e madhe e njësive vendore ishin krejtësisht të paafta për të shfrytëzuar në nivel të kënaqshëm, për kushtet e Shqipërisë, atë pak autoritet fiskal që ju ish lënë në shfrytëzim nga qeverisja qëndrore.

Pasja e një sistemi krejt jo-funksional sidomos në shumë bashki të vogla dhe komuna e bëri më të lehtë ballafaqimin dhe llogaridhënien me votuesit e papunë, të varfër dhe të lodhur me identifikimin e njësive vendore vetëm si ndërmarrje private të feudalit të radhës që kish caktuar kreu i përjetshëm i partisë në pushtet. Kjo prirje e votës popullore e bën decentralizimin një domosdoshmëri, e bën diskutimin publik zgjedhor më të prekshëm dhe zgjedhësit dhe të zgjedhurit më të përgjegjshëm për të drejtat dhe detyrimet përkatëse.

Nëse Shqipëria ka arritur në këtë pikë ku decentralizimi fiskal është më i ulët se në çdo vend tjetër në Ballkan apo Europë, ndoshta ky është momenti i kthesës ku kohezioni i votës qytetare të shpërblehet me ndarje të pushtetit sipas afërsisë me komunitetin. Ka ardhur koha që qeveria qëndrore të ndajë një pjesë të të ardhurave që ajo mbledh në njësinë vendore përkatëse. Ka ardhur koha që të kufizohet sa më shumë mungesa e bashkërendimit dhe ngurrimi i burokracisë qendrore për të hequr dorë nga e drejta e vendimmarrjes për administrimin e shërbimeve publike vendore.

Burimet aktuale fiskale nuk kanë forcën e duhur gjeneruese fiskale që i nevojitet pjesës dërrmuese të Bashkive të mesme dhe të mëdha. Qeveria qëndrore ashtu siç përpiqet të vendosë kasat fiskale në çdo biznes të vogël apo të madh, ashtu duhet edhe të ndajë një pjesë të atyre të ardhurave me njësitë vendore ku ato të ardhura mblidhen dhe ku ato biznese kërkojnë më shumë shërbime ndaj tyre.

Tendenca për të ardhmen
Në fund duhet thënë dicka për modelin e qeverisjes vendore dhe tendencës në të ardhmen. Në qoftë se duhet të përmendim ndonjë prej arsyeve që disa nga bashkitë e mëdha do të kenë të njëjtin drejtues në vazhdim, unë do të përzgjidhja cilësinë e administratës dhe e shërbimeve bazë publike që janë nën “hyqmin” e tyre. Dhe kjo është në disa raste e ndryshme nga administrata e qeverisë qëndrore, meqënëse në “stilin” feudal e krahinor preferohet një administratë krejt e paaftë që “bajraktarët” e pushtetit të jenë sa më të lirshëm në përmbushjen e interesave private me mjete publike. Sikundër disa bashki, që tashmë e kanë një model të tillë të suksesshëm, mbetet që kjo të transmetohet sa më shumë në çdo bashki të fituar rishtazi në mënyrë që sa më shumë qytetarë të gëzojnë shërbime publike të frytshme dhe një administratë dinjitoze për detyrat e saj.

Nëse PD do fitonte Tiranën
Nëse do fitonte PD në zgjedhjet vendore në Tiranë (me gjasë statistikisht e pamundur) do të kishim një situatë shumë të veçantë. Duke pas parasysh premtimet elektorale, do të kishim një rënie të menjëhershme të të ardhurave vendore të bashkisë, shto këtu dhe mundësinë për të ndërruar në mënyrë automatike administratën e saj, përfshirë këtu edhe atë të mbledhjes së taksave. Kështu nga një frenues i pamëshirshëm i decentralizimit fiskal, Basha do të shndërrohej brenda natës në një promotor të këtij decentralizimi duke kërkuar me shpejtësi ato që deri më tash nuk i është dhënë të gjitha njësive vendore në Shqipëri së bashku.

Me shumë mundësi duke importuar modelin e administratës qëndrore do të kishte një rënie radikale në të ardhura dhe do të shihte vetëm nga financat e qeverisë. Dhe kjo do ish krejt e pamundur në një qeveri që ka tejkaluar çdo tavan të borxhit publik dhe që po shet çdo pronë publike për të fituar sadopak para për të mbuluar shpenzimet e qeverisjes qëndrore. Në këtë mes, pa mëdyshje financat e qeverisë janë të parat që nuk e urojnë fitoren e kandidatit të tyre, për sa kohë që qeveria qëndrore e ka parë si avantazh në financa faktin që nuk ka ndarë pjesë të tatimeve kryesore me administratat vendore.

Në të njëjtën kohë mund të themi se decentralizimi i frenuar prej vitesh, i dha mundësinë administratës së bashkisë së Tiranës, që të vetë zhvillohej në kushtet e një strukture jo të favorshme fiskale dhe kjo vetëm do të forconte buxhetin e bashkisë në rastin kur decentralizimi do të ishte më i prekshëm, me më shumë kompetenca për pushtetin vendor dhe më shumë tatime të ndara në mes bashkisë dhe qeverisë.

Vota e 8 majit, jo carta bianca për PS
Por duhet mbajtur gjithnjë parasysh që vota e 2011 nuk është një carta bianca për Partinë Socialiste që po rezulton fitimtare. Kjo votë është një votë revolte, kundër papunësisë, kundër varfërisë e kundër krizës ekonomike ku e ka futur vendin modeli Sali Berisha, si në qeverisje qendrore, ashtu edhe në atë lokale. Kjo është një votë kundër tregut të lirë parimisht, por në fakt të uzurpuar prej familjeve e klaneve, kjo është një votë kundër integrimit ekonomik që ka shkatërruar atë pak ekonomi potenciale vendore, kjo është një votë kundër fokusimit total tek zhvillimi i tregtisë e i shërbimeve, që ka asgjësuar prodhimin që është i vetmi mjet real për të rritur mirëqenien e qytetarëve, kundër universiteteve fiktive kur ende s’ka arsim fillor cilësor.

Në fund, duhet kuptuar që edhe pse votuesit nuk e njohin teorinë e ekonomisë, kjo është një votë kundër liberalizmit, e për pasojë një votë që pret prej fituesve një opsion të ri. Pret një shtet social, një shtet që nuk heq dorë nga mjetet e veta, nuk i ul taksat, por i shndërron në mirëqenie ato. Një shtet aktor, që ndërhyn e promovon zhvillimin, jo si shifër, por si akses në punë, si rritje e potencialit blerës, si mirëqenie e individit dhe e familjes, si kujdes social, shëndetësor etj. Pra, kjo është një votë kundër ekzaltimit ekonomik të fare pak individëve, një votë që synon balancimin ekonomik midis sociales dhe biznesit.

Kjo duhet të mbahet mirë parasysh nga administratorët e rinj socialistë, që duhet të japin shembullin e mirëqeverisjes, duke plotësuar nevojat imediate të kësaj shoqërie të varfër e të papunë, që zgjidhjen do ta gjejë tek shteti, e jo tek tregu. Sepse vetëm aty e kanë gjetur zgjidhjen shoqëritë e zhvilluara, qofshin ato perëndimore, si Britania, Franca, e Gjermania, qofshin lindore, si Koreja e Jugut, Japonia, Kina, Singapori etj. Në asnjërin prej këtyre vendeve shteti nuk është tërhequr nga ekonomia, dhe nuk është hequr dorë nga mbrojtja e tregut vendas. Ky duhet të jetë opsioni politik i PS-së, përkundër liberalizmit dogmatik, që ka rezultuar vetëm në varfërim e në përqendrim të pushtetit në duar të tiranëve të rinj e të vjetër.