Votë kundër Monarkisë së Familjes Berisha

0
44

Nga Mero Baze

Shqiptarët do të shkojnë sot në qendrat e votimit pas një fushate të pashembullt me akte dhune, prishje të rregullave dhe ligjeve të fushatës së ndershme dhe mungesë të thellë transparence. Kryeministri i vendit dhe kandidatët e tij i konsideruan këto tridhjetë ditë si një hapësirë kohore ku mund të xhironin një film të ri që nuk ka lidhje me qeverisjen e tyre 6 vjeçare, me shprese se me 30 ditë gënjeshtra do të mund të mbulojnë dështimin e qeverisjes.

Ai mendon se qytetarët e Tiranës do të votojnë Lulëzim Bashën pasi e panë duke qarë nga emocionet në mitingun përmbyllës. Po qante njeriu që nuk i ka ikur asnjë lot hidhërimi kur ka lënë 10 fëmijë jetimë më 21 Janar. Shumë vetë panë Lulëzim Bashën të puthte Jozefina Topallin, për të treguar se partia e tij është e bashkuar. Është fjala për të njëjtin person kundër të cilit Basha ngriti fushatën elektorale duke e fajësuar për histerinë e saj për prishjen e piramidës. Cilit Bashë t’i besojmë, atij që pështynte mbi Jozefinën në fushatë, apo atij që e puthte në miting?

Pamë një Bashë që nuk pranoi të ishte as në emision me Blendi Fevziun, legjendën e kompromiseve pro-qeveritare në vend, duke vendosur një rekord të zi për teatralitetin dhe artificialitetin e fushatës. Duke mos pranuar as gazetarin kampion pro-qeveritar në vend, duket se Basha ka më shumë se sa probleme me të qenit me qeverinë. Ka probleme me të mos qenit vetvetja dhe njeri që mund të përballet realisht në jetë. Ai është njeri që shmang çdo gjë reale në këtë jetë, shmang familjen reale, punën reale, betejat reale dhe ballafaqimet reale. I ndrojtur dhe nga ndonjë pyetje pa mendje e Blendi Fevziut, ai inskenoi në fund të fushatës një teatër të shëmtuar nervangritës me njerëz të cilëve tanimë nuk u kupton dot as racën politike, as fytyrën dhe as gjininë.

Pamë një Lulëzim Bashë që premtoi sërish një faturë 1 miliard euro, pa dhënë ende shpjegim për prokurimin e drejtpërdrejtë të një miliard eurove në segmenti Rrëshen-Kalimash. Një njeri që i është shmangur gjyqit duke përdorur pushtetin politik dhe financiar, tanimë mendon se mund të na gënjejë për faturën e dytë.

Por në gjithë shfaqjet e tij, në të vërtetë ne shikonim atë që fshihej pas teatrit të Lulëzim Bashës. Pamë Sali Berishën e mplakur nga makthi se mos këto zgjedhje ndëshkojnë atë që nuk e ka lejuar deri më sot ta ndëshkojë drejtësia dhe vota e popullit. Ai po shkon drejt ballafaqimit me zgjedhësit, pasi i ka dështuar me turp koalicioni që i ka dhënë legjitimet formal më 29 Qershor. Mblesi i këtij koalicioni ka ikur prej tij duke e denoncuar si hajdut dhe drejtues të klaneve mafioze. Partneri i tij formal, Ilir Meta, mund të arrestohet javën e parë pas zgjedhjeve. Të gjitha këto e bëjnë të plotë makthin e Sali Berishës dhe të panevojshme paratë, që ai po bën gati për të riblerë deputetë pas 8 Majit.

Sot shqiptarët edhe sikur opozita t’u kishte thënë votoni për projektin e Edi Ramës për Tiranën, do të votonin për më shumë kundër projektit të Berishës për t’i marrë të gjitha pushtetet në këtë vend. Ai po synon sot të jetë përveçse zoti i parlamentit, zot i gjykatave, zot i qeverisë, dhunues i prokurorisë dhe presidentit, edhe zot i Tiranës dhe qyteteve kryesore të Shqipërisë. Ai është nga të rrallë kryeministra në botë, që qeveris vendin duke pasur kundër thuajse gjithë qytetet e vendit.

Ai po përpiqet që sot në vend të kthejë Monarkinë e pushtetit të tij familjar ku qytetet e Shqipërisë të mos kenë më emra kryetarësh bashkish, por princër nga familja Berisha. Ai po synon që Tirana të quhet pronë e Argitës, Durrësi pronë e Shkëlzenit, Kavaja pronë e mbesës së madhe, Lezha e Kruja pronë e nipave të Lirisë, e kështu me radhë. Ai nuk është i qetë me pushtetin ekzekutiv, pasi mund ta humbasë shumë shpejt, nëse shqiptarët nuk dorëzohen dhe t’i japin atij në pronësi gjithë qytetet ku ai nuk shkel dot.

Ai është duke kërkuar një mandat për Monark të korrupsionit shqiptar, një mandat për të bërë të heshtin ata që janë kundër tij, për të bërë të përulen ata që i kanë rezistuar projekteve të tij zaptuese dhe për t’i bërë ikin nga ky vend ata që shpresonin se shpresa mund të ringjallet. Ai kërkon një mandat jo për t’i dhënë ca lek më shumë Argitës, Shkëlzenit, nipave dhe mbesave pafund të tij dhe gruas së tij, por për t’u dhënë siguri se në radhë të parë do të gëzojnë ato që kanë fituar në mënyrë të paligjshme deri sot. Ai po kërkon një mandat për të çelur periudhën e mos-ndryshimit më të pushtetit të në Shqipëri.

Ai po kërkon të rrënojë opozitën shqiptare, t’i japë fund demokracisë dhe t’i hapë rrugë putinizmit dhe monarkisë së korrupsionit familjar. Ai po kërkon garanci për ato që ka bërë, duke vrarë dhe vjedhur. Është një kërkesë e pamëshirshme që rrezaton deri ku është zhytur në krim dhe korrupsion ky njeri. Ndaj zgjedhjet e sotme jo vetëm që janë politike, por janë jetike për të ndarë fatet e vendit, për të mos votëbesuar Monarkinë e Familjes Berisha, e cila po jeton në makthin e njerëzve që kanë vrarë për të vjedhur dhe duan të vjedhin sot për të na sunduar gjithë jetën. Mos u jepni këtë shans të keq fëmijëve tuaj.