Votat e gabuara, kundër Bashës

0
33

Bashkim Kopliku, [Respublika.al 23.05.2011]

Jam i bindur se diferenca “në favor të Bashës”, në fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, përbëhet në fakt nga fletë votimi të hedhura kundër z. Basha, pra janë vota kundër tij. Duke supozuar se nuk është kryer krimi direkt, pra futja/ndrimi i fletëve të votimit pas përfundimit të procesit të votimit, nga njerëz të kryeministrit, në vijim do t’ju provoj sa thashë.

Që të kuptohemi, së pari duhet të kujtojmë një princip elementar: kampioni (apo “mostra e sondazhit”), përfaqëson llotin nga merret ajo mostër, pra kampioni dhe lloti “janë njësoj”, apo nuk ka diferenca të mëdha në mes llotit dhe kampionit. Në vijim të këtij paragrafi, po sqaroj termat “kampion”, “mostër sondazhi” dhe “llot”. Kampioni, apo mostra e sondazhit, është p.sh. një pikë gjak që merret për të bërë analizat e të gjithë gjakut të një njeriu (llotit); ose një shishe urinë që merret për të bërë analizën e të gjithë urinës që ka trupi (llotit); apo një kub betoni që merret për të bërë analizën e të gjithë betonit të përdorur (llotit); apo disa kokrra mollë që merren për të shqyrtuar llotin prej disa ton mollë; apo shishja e vogël e ujit që merret për të analizuar ujin e gjithë një liqeni apo pjese deti (i gjithë uji i liqenit apo asaj pjese të detit, është lloti). Besoj se të gjithë do të bini dakord se nëse do të bënim analizën e të gjithë lloteve përkatëse, si të gjithë gjakut të atij njeriut, e me radhë deri tek i gjithë uji i të atij liqeni, analiza e lloteve përkatëse nuk do të ndryshonte shumë—disa do të thoshin se nuk do të ndryshonte fare—nga analiza e kampioneve përkatëse.

Aq e vërtetë është se kampioni dhe lloti “janë njësoj”, sa kur një njeri ka një sëmundje që le gjurmë në gjak apo urinë, menjëherë ngrihet pyetja “po si nuk u kap nga analiza e gjakut që është bërë (pra na analiza e kampionit)?”. Apo kur ndodh një defekt në betonin e ndërtesës, menjëherë ngrihet pyetja sesi nuk u kap nga analiza e kampionit të betonit etj.

Kur lloti ka cilësi të ndryshme nga kampioni, atëherë gjithnjë kërkohet shkaku tek një gabim në marrjen e kampionit: ka një shkak, ka pra një anomali që kampioni nuk përfaqëson llotin, pra ndryshon nga lloti.

Edhe në rastin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, duket sikur kemi një kampion, apo mostër sondazhi, të të gjithë fletëve të votimit të hedhura gjatë votimit për kryetarin e Bashkisë Tiranë, pra të llotit. Nëse vërtetë ato fletët në kutinë e gabuar shprehin vetëm e vetëm vullnetin direkt të votuesit, përbërja e tyre duhet të ishte e njëjtë me atë të llotit, pra si e gjithë votave të hedhura, pra duhej që Basha e Rama të dilnin me një diferencë pothuaj zero. Pra rezultati që po jep KQZ është një absurd: përqindja e diferencës së fletëve të votimit të kampionit (fletëve në kutitë e gabuara), është me mijëra herë më e madhe sesa ajo e përqindjes së diferencës së fletëve të votimit të llotit (fletëve në kutitë e drejta, e duhura). Çdo dykëmbësh do të shqetësohej nga kjo diferencë kaq e stërmadhe në mes kampionit dhe llotit.

Unë jam i bindur se ky ndryshim vjen nga që kampioni (fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar) nuk është njësoj si lloti (pra fletët e votimit të hedhura në kutinë e duhur, atë të kryetarit). Kampioni i marrë është i gabuar, sepse nuk është pjesë e llotit: votuesit e llotit nuk kanë votuar njësoj si ata të kampionit. Në një shkrim të para ca ditëve, të titulluar “Kur votuesi zgjedh vetë kutinë e gabuar”, është shpjeguar sesi një shumicë njerëzish nga lemeria nga pushteti, kanë gjetur një mënyrë për të votuar kundër pushtetit, pra kundër Bashës: ata fletën e tyre të votimi, të plotësuar formalisht si votë për Bashën, e kanë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar. Kjo sepse kur votohej, rregullat e lojës ishin se vota në kutinë e gabuar ishte e pavlefshme. Ky rezultat i numërimit, vërtetoi hipotezën që kishim bërë në atë shkrim.

Shpresoj se edhe ju lexues jeni të bindur se diferenca që ka rezultuar, gjoja në favor të Bashës, përbëhet nga vota që votuesit i kanë hedhur kundër tij, pra fituesi i këtyre zgjedhjeve mbetet Rama, dhe jo Basha: nuk mund t’i shtohen votave të hedhura në kutin e duhur e hedhura në kutitë e gabuara—kjo është si ajo mbledhja e atij budallait të skeçit, që mblidhte “shtatë kamjona, plus tre bataliona”.

Po a do të pranojnë këtë logjikë elementare Kolegji Zgjedhor si dhe vëzhguesit ndërkombëtar?!