VOTA E FSHEHTË DHE ENVERIZMI BERISHIST

0
16

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Tentativa e shumicës berishiste për të dhunuar fshehtësinë e votës së deputetëve është një praktikë neokomuniste e tipit enverian, me anë të së cilës, Kryeministri Berisha gjakon të kontrollojë deri edhe vullnetet e përfaqësuesve të popullit. A i mbani mend fotot e deputetëve të Kuvendit Popullor që (me gjestin e nxënësit që kërkon të ngrihet në mësim) votonin me bërryl të ngulur në tryezë dhe dorën lart? Të gjithë, në të njëjtin pozicion, votonin hapur, në mënyrë “transparente”, në unitet të plotë me Partinë dhe Enverin. Nuk votonin fshehtazi.

Sepse të fshihje votën nga Partia dhe populli do të thoshte t’ia kishe me hile partisë dhe popullit. Çeliku i unitetit të deputetëve me Enverin ishte pikërisht “transparenca”. Enveri dhe Partia e dinin se po të lejonin fshehtësinë e votës, kushedi se ç’mund t’i ndodhte “unitetit”. Prandaj nuk e lejuan kurrë. Edhe kur ju duhej ta njihnin ligjërisht fshehtësinë e votimit, gjenin mundësi ta shmangin praktikisht.

Dhunimi i fshehtësisë së votës është një nga themelet e dhunimit të lirisë së votës dhe “sekretet” e jetëgjatësisë së llahtarshme të diktaturës komuniste në Shqipëri. Dhe duket se neokomunisti Sali Berisha ka sot një nevojë urgjente për të dhunuar fshehtësinë e votës së deputetëve. Tashmë dihet se votave të popullit “Doktori” ia ka gjetur “ilaçin” t’i kontrollojë me vjedhje dhe ndalim të transparencës. Për votat e deputetëve ndjek terapinë e kundërt, kërkon t’i komandojë me “transparencë”, duke ia hequr votimit fshehtësinë. Ç’mendje e ndritur!

* * *

Përse komshiu fanatik i një lideri a partie nuk duhet ta dijë se për kë votoj unë? Që unë të kem liri të votoj edhe kundër kandidatit që adhuron gjithë afsh komshiu, pa rrezikuar të vuaj ndonjë pasojë të pakëndshme. Ky rregull i demokracisë, vota e fshehtë, vlen edhe për deputetët në raport me liderin. Aq më tepër në raport me liderë autoritaristë si Sali Berisha, që duan të komandojnë çdo vullnet në parti, Parlament dhe shtet.

Vota e fshehtë ka qenë dhe mbetet një nga armët më të forta të lirisë kundër autoritetit shtypës. Që vota të jetë e lirë ka si kusht bazë që të jetë edhe e fshehtë. Jo rastësisht, regjimi komunist, i lejonte votimet, por duke bërë kujdes që të mos lejonte në praktikë votën e fshehtë. Kishte raste kur në qendrat e votimit krijohej edhe një qosh me perde ku votuesi mund të hynte dhe të plotësonte fletën e votimit, fshehtazi, pa e parë askush. Por shumica, 99.9 për qind, nuk denjonin të hynin atje.

Ata e plotësonin fletën për kandidatët e Frontit Demokratik m’u përpara syve të komisionit të qendrës së votimit. Përgjithësisht dhoma e fshehtë ishte një zonë e rrezikshme ku shkelte vetëm armiku i klasës. Të hyje atje do të thoshte të deklaroje votën kundër Partisë dhe Enverit! E përse njerëzit duhet t’ia fshihnin vullnetin e tyre Partisë dhe Popullit kur e jepnin për partinë dhe popullin? Situata ishte absolutisht groteske. Votimi i fshehtë njihej me ligj, por ligji nuk zbatohej, sepse populli nuk donte t’ia fshihte votën Partisë.

* * *

Këtë situatë kërkojnë të rivendosin Berisha dhe berishistët në Kuvend, duke propozuar të amendojnë rregulloren e tij në mënyrë që dekretet e Presidentit të Republikës (si për shembull për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo atë të Lartë), të votohen këtej e tutje hapur. E përse deputetët duhet t’ia fshehin “popullit” votën e tyre? – thonë e shkruajnë berishistët duke rimarrë këtë “argument” të vjetër nga bagazhi enverist. Ata flasin për “popull”, por qëllimi i vërtetë është që deputetët të mos votojnë dot fshehtazi Berishës.

Praktikisht kërkohet që deputetët të votojnë me dorën lart si dikur dhe “Partia” (d.m.th. Enveri dej, d.m.th. Berisha sot) t’i shohë se si dhe për kë votojnë. E si do mund të kontrollohet gjyqësori nëse nuk kontrollohet vota që miraton gjykatësit? Shikojmë pra se autoritarizmi është një piramidë e tërë kapjesh e kontrollesh apo edhe “transparencash”. Brenda saj është sarkofagu i lirisë. Në majë shndrit skeptri i sundimit.

* * *

Nuk është e para herë që Berisha i rikthehet çështjes së votës së fshehtë të deputetëve. Kjo tregon se e ka merak të madh. Dhe kuptohet sepse. Berisha i trembet çdo mekanizmi procedural që krijon në vendimmarrje hapësira lirie të pakontrolluara prej tij. Kështu u frikësua ai edhe në vitin 2006, kur opozita kërkoi në Kuvend votim të fshehtë me kuti, ndërkohë që votimi elektronik me butona nuk garantonte fshehtësi. Madje në orvatje për të penguar instalimin e një mekanizmi elektronik, votimi të sigurt fshehtësie, Jozefina Topalli bëri ca propozime për mbulimin e duarve të deputetëve që e çuan Gramoz Ruçin deri te shakaja thumbuese me “tanga”. Në atë kohë Berisha kërkonte që me anë të “transparencës” të mbante nën kontroll votën e mbështetësve të Bamir Topit.

Por duket se edhe sot që i ka spastruar radhët e grupit parlamentar nga mbështetësit e Presidentit, duket se nuk e ka gjetur ende unitetin e lakmuar enverist të grupit rreth tij. Prandaj edhe i ka ndërsyer ca nga marionetat e tij në Kuvend kundër votës së fshehtë. Madje duke u tallur disi edhe me ambasadorin amerikan Withers, ka folur këto ditë për nevojën e transparencës në shqyrtimin parlamentar të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese. Tallen edhe me opozitën që ka kërkuar transparencë në administrimin e procesit zgjedhor. Transparencë deshe, merre transparencën! I ngatërrojnë qëllimisht gjërat këta ngatërrestarë që kanë 20 vjet që ngatërrojnë Shqipërinë.

Bëjnë kinse se nuk kuptojnë dallimin mes transparencës mbi numërimin e votës së popullit që kërkon opozita, dhe transparencës së votës së një individi. Ndërsa e para është jetike për të mbrojtur votën dhe demokracinë nga vjedhësit e pushtetit, realizimi i “transparencës” së dytë do të ishte vdekje e lirisë së votës, vdekje e demokracisë. Ashtu sikundër për 45 vjet vdiq demokracia edhe në Kuvendin Popullor edhe në Shqipëri, sa kohë nuk votohej fshehtazi. Ja pse themi që iniciativa berishiste për heqjen e votës së fshehtë, është një minë enveriste në themelet e demokracisë dhe parlamentarizmit në Shqipëri.