Volfarth, kuqalashe pa turp!!

0
57

Nga Brizida Gjikondi, 3 Tetor 2012

Mirëdita zoti Volfarth, jam një shqiptare si miliona të tjerë, dhe për arsye se performanca juaj personale- institucionale për mua është abuzive, vendosa ç’ka kam, t’ua them në shesh të burrave siç themi ne shqiptarët. Kupa që Ju keni kohë që e mbushni, u derdh kur “guxuat” të bëni sërish karshillëk dhe të shfaqeshit pa të keq në mes të stuhisë institucionale që ka plasur në krah të Ministrit të Mbrojtjes në Uzinën e Demontimit në Elbasan.

Anësia, gatishmëria Juaj për t’i dalë në krah shtetarëve, qoftë dhe moralisht nën akuzë, është skandaloze. Ju injoroni devizën, për të cilën të paktën shkruhet në faqen zyrtare të OSBE\ODHIR, që ua rikujtoj se thotë: “Qëllimi kryesor është që të ndihmojnë vendin pritës në ndërtimin e një sistemi të shëndoshë ligjor. Përveç kësaj, Prezenca promovon respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe krijimin e funksionimin e institucioneve shtetërore bazuar në parimet e shtetit të së drejtës”.

Besoj se në funksion të punës suaj jeni në dijeni që prej 3 muajsh nga qershori i këtij viti në rrugë dhe mjete institucionale po këmbëngulet informimi dhe transparenca për punën e bërë në një ndër institucionet buxhetore të këtij shteti, pikërisht Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri, e cila me fodullëk dhe agresion mëkatar, jo vetëm është blinduar antiligjërisht për sa i takon dhe detyrohet, por edhe po jep një ndër mesazhet më skandaloze ndaj shtetit të së drejtës, por dhe mbarë shqiptare.

Ju rikujtoj zotëri që është një ndër ministritë me CV-në më dramatike për këtë popull, është ajo ministri që armët i “ndau” me popullin në 1997’ën, është ajo ministri që Gërdeci i plasi në dorë pasi i kish plasur në tru, ndaj kjo e treta është e tepërt, si mendoni?!!

Sjellja Juaj personale-institucionale më pezmatoi në janar të 2011, më trishtoi në maj të po atij viti, por ajo e pardjeshmja ishte tepër shumë tepër, nuk kish më justifikim dhe s’kish të bënte më me ndjesitë e mia personale, qoftë dhe si juriste modeste, por me poshtërimin që Ju personalisht në ditë me diell i bëni shqiptarëve dhe Shqipërisë tjetër, që pavarësisht se nuk kanë lindur “jashtë shtetit” si Ju, nuk lejojnë që Ju zotëri t’ia fyeni intelektin dhe dinjitetin kombëtar.

Nuk paragjykoj fajësinë apo pafajësinë e Ministrisë së Mbrojtjes pasi ka kush e jep ose nuk e jep atë (siç ndodh shpesh), por anësia juaj pikërisht në këto momente që gjykimit moral të shqiptarëve iu mungojnë provat dhe arsyetimi serioz i palës së akuzuar, pikërisht Ministrisë së Mbrojtjes, duke dalë në krah të të akuzuarve ish një goditje e ulët që Ju si simbolika e shtetit të së drejtës i dhatë po ashtu këtij të fundit.

Duke qenë se jeni tashmë një personazh VIP edhe i mediave kombëtare, ç’ka bën vaki veç në Shqipërinë time, herë pas here kam ndjekur mesazhet që i dërgoni popullit tim dhe Ju them sinqerisht që më duken sipërfaqësore dhe jashtë realiteti, lutem përpiqu të njohësh më shumë popullin tim të thjeshtë, interesat, hallet dhe mençurin e tij të paanë dhe do kuptosh që ka që pinë dhe ujë perëndie dhe jo të gjithë pinë Kuqalashe pa turp!!!