Vlerat që duhet të sjellin emigrantët

0
76

Klarita Çaushi

Emigracioni tashmë po ravijëzohet si pjesë e rëndësishme e shoqërisë tonë, jo vetëm në aspektin ekonomik. Emigrantët, me shumë vështirësi nëpër hapësirat e botës së qytetëruar, kanë arritur të marrin e të gëzojnë këtë status, vetëm me punë. Shumë prej tyre janë bërë personazhe të rëndësishme të biznesit, shkencës, artit e sportit në botë. Ata ruajnë me fanatizëm vlerat kombëtare, gjë që i bën edhe më krenarë për atdheun. Jo pak emigrantë janë bërë dhe investitorë të rëndësishëm në Shqipëri.

Pra, komuniteti i emigrantëve mbetet pararoja e shoqërisë civilizuese në zhvillim. Burimin që sjellin emigrantët në Shqipëri, nuk e mohon askush, por unë dua të ngre një problem tjetër që lidhet me ta. Ardhja e tyre në Shqipëri në raste festash apo pushimesh verore është vërtet ringjallje kombëtare. Duket sikur është mbledhur bashkë i gjithë kombi. Në ditët e qëndrimit të tyre ka vetëm gëzime, atdheu i flak tej psherëtimat therëse për bijtë në kurbet.

Por, megjithatë, shumë emigrantë, veçanërisht moshat e reja, shfaqin edhe veprime negative në shumë vende publike. Një ndër më të shpeshtat: me makinat e tyre, vëllezërit dhe djemtë tanë emigrantë bllokojnë trafikun, duke u bërë edhe burim aksidentesh. Lind pyetja: përse kaq të pakujdesshëm në zbatimin e rregullave të qarkullimit? Ata duhet të jenë të parët në zbatimin e tyre, duke dhënë shembullin e njerëzve të kulturuar. Bota perëndimore ku ata jetojnë, jo vetëm të rrit mirëqenien, por edhe të qytetëron.

Nëse emigrantët tanë do të sillen negativisht në vendet ku jetojnë, siç sillen në Shqipëri, patjetër do të ndëshkoheshin rëndë edhe penalisht. Është një aspekt tjetër në këtë drejtim: shumë emigrantë shqiptarë gjobiten padrejtësisht nga Policia Rrugore këtu, me mendësinë për t’u “zhvatur” edhe ndonjë lek (!).

E dyta, të rinjtë emigrantë sillen në mjedise publike jo në mënyrë të kulturuar. Disa dehen e krijojnë edhe sherre. Kjo vjen sepse disa prej tyre mbeten edhe jashtë vendit tonë njerëz konfliktualë. Ka nga ata që largohen jashtë Shqipërisë për të fshehur veprimet e tyre negative apo kriminale. Dhe, kthimi i tyre ndez mekanizmin e hakmarrjes apo të “larjes së hesapeve…”.

Përveç kontributeve ekonomike që i sjellin Shqipërisë, emigrantët duhet të sjellin edhe qytetërimin e botës perëndimore, vlerat e saj. Ne s’e njohim Europën dhe me kulturën perëndimore do të na njohë ky komunitet shqiptarësh, pra njerëzit tanë. Po ç’kulturë do të na japin ata? Atë që manifestojnë në Shqipëri kur vijnë për pushime? Kjo s’duhet të ndodhë e nuk duhet pranuar.

Çdo gjë ne duhet ta shohim në progresizëm, që të gjithë së bashku, të bëhemi si Evropa. Mbi të gjitha ligjin, mirësjelljen e edukatën t’i kemi shenjtëri përmbi çdo vlerë tjetër.