NË STUBËLL QËNDRUAN MYSAFIRË TË LARTË E TË VLEFSHËM:
Kështu ka deklaruar ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë Z. Qemal Minxhozi, duke vizituar Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë.
Ambasadori Minxhozi e Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, me mikëpritësit – famullitarin Dom Albert Jakaj, drejtorin e shkollës Marjan Ukaj dhe mësuesin shkrimtar Engjëll Koliqi
Shkruan Engjëll KOLIQI
Stubëll, 23 janar 2015
Sot në Stubëll të Karadakut (komuna e Vitisë) qëndroi një delegacion i lartë, shumë i nderuar dhe i vlefshëm, për të nderuar Vatrën e Parë të arsimit tonë kombëtar. Erdhi ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Z. Qemal Minxhozi, i shoqëruar nga kryetari i komunës së Vitisë, Z. Sokol Haliti. Delegacionin e pritën: famullitari i Stubllës – Dom Albert Jakaj, drejtori i shkollës – Z. Marjan Ukaj dhe mësuesi shkrimtar Engjëll Koliqi, të cilët i shoqëruan në vizitën e tyre në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë (në kishën e Shën Gjergjit) dhe në kishën famullitare të Shën Jozefit.
Gjatë kësaj vizite, mikëpritësit i kanë njoftuar mysafirët e lartë me historinë e kësaj shkolle, si dhe me historinë e Stubllës, karakteristikat, zhvillimin shoqëror, arsimor e kulturor dhe me përspektivat e këtij vendi historik të Kosovës.
Për famullinë dhe për Dom Mikel Mësues Tarabulluzin (që legalizoi shkollën e parë), si prift iu foli Dom Alberti, ndërkaq si mësues e patriot iu mysafirëve iu foli Engjëll Koliqi, kurse drejtori i Shkollës fillore dhe të mesme të ultë, që mban emrin e këtij patrioti – prift e mësues Dom Mikel Tarabulluzi, Z. Marjan Ukaj, iu foli për shkollën aktuale dhe për investimet që ka bërë komuna e Vitisë, në shkollë, edhe në muze.
Kryetari i Komunës – Z. Sokol Haliti tha se ky vend është krenaria e komunës sonë e meriton shumë më shumë, prandaj restaurimi i Muzeut është vetëm fillimi i investimeve në këtë fshat tonin historik.
Ambasadori Minxhozi, me shumë interesim ndoqi këto shpjegime dhe në fytyrë hetohej se filloi të dashurohet në Stubllën tonë, për të cilën tha se i përngjanë shumë Voskopojës sonë historike. Ai tha se vlerat dhe meritat historike të këtij vendi të Karadakut meritojnë një vëmendje dhe një interesim të posaçëm e të jashtëzakonshëm, të mbarë shqiptarisë. Ai premtoi se nuk do të mungojë në asnjë sesion të manifestimit kulturor-shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, që tashmë mbahen tradicionale, në çdo vit, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe.
Ambasadori in nderuar tha se nuk do të jetë vetëm pjesëmarrës pasiv apo vrojtues në këtë manifestim, por me të gjitha fuqitë do të angazhohet për pasurimin e këtij manifestimi, përmes institucioneve shtetërore, kulturore e shkencore të Shqipërisë, duke sjellur këtu rregullisht ekspertë të shkencës, të kulturës dhe të artit tonë kombëtar.
Më pas, delegacionit iu bashkëngjit edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Prof Qahil Sinani, i cili tha se krenohet me historinë dhe me meritat e Stubllës.
Ambasadori Z. Qemal Minxhozi ka ftuar një delegacion nga komuna jonë, përfshirë edhe veprimtarë të Stubllës, për vizita pune në Shqipëri dhe ka premtuar se së shpejti do të vij këtu, bashkë me ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë, Znj. Jakobson.
Mikëpritja e Stubllës u rikonfirmua, me një drekë të mirë, që drejtori i shkollës Prof Marjan Ukaj e shtroi për të pranishmit, në restorant “Jozefi”.