Mero Baze, 29.11.2010
Qeveritë në mbarë botën janë përfshirë nga makthi i publikimit të disa dosjeve, që përgjithësisht ilustrojnë mekanizimin përmes të cilit funksionon diplomacia dhe formohen opinionet në Uashington. Ka pasur reagime të para nervoze dhe natyrisht që ka një mbajtje fryme nga qeveria amerikane për dëmin real, që i shkakton ky operacion i pashembullt mediatik në punën e saj. Ka po ashtu reagime qesharake nga liderë të prekur në sedër, dhe deri reagime groteske si ato të Tritan Shehut në Tiranë.
Por thelbi i reagimit zyrtar amerikan është mos negocimi me autorët e këtij operacioni dhe përballimi i pasojave duke bërë secili institucion punën e tij. Aty ku ka vend për hetim kriminal, do hetohet, ku ka vend për korrigjim, do korrigjohet dhe ku ka vend për të dënuar abuzimet, do dënohen. Shihet qartë se SHBA po e përballojnë këtë operacion si një sfidë që ua prodhon liria dhe gjithçka duket normale.
Por si do ta përballojë qeveria shqiptare pjesën e saj?
Dosja e parë zyrtare, të cilën po e boton sot gazeta Tema, na jep një dëshmi shumë të rëndësishme pozitive për rolin që SHBA ka luajtur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dokumenti citon një diplomat të lartë francez t’i ketë thënë një diplomati amerikan, se Shqipërisë po i dhurohet anëtarësimi në NATO dhe se vendi ka probleme të forta me luftën kundër korrupsionit.
Siç shihet, nëse për gjithë botën do të ketë nxjerrje sekrete apo plane të tyre të fshehta, për ne do të ketë nxjerrje opinionesh, pasi jemi vend pa sekrete dhe pa ndonjë plan tonin. Planin për anëtarësim në NATO e ka bërë dhe e ka mbrojtur SHBA dhe ne vetëm sa i kemi hap telashe. Dy gjërat për të cilat qeveria shqiptare lavdërohet, futja në NATO dhe lufta kundër korrupsionit, rezultojnë të dyja të pavërteta.
Pikërisht për këtë shkak mënyra se si duhet të reflektojë politika shqiptare ndaj fushatës së Wikileaks, duhet të jetë e ndryshme nga ajo e qeverive të tjera perëndimore. Qeveritë perëndimore me në krye SHBA janë realisht të shqetësuara, pasi po bëhen publike fakte që tronditin besimin e diplomacisë së tyre në botë, pasi bëhen publike dhe planet e tyre.
Ne si një vend që s’kemi asnjë plan tonin, as sekret dhe as publik, jemi të përfshirë në këtë fushatë, jo si viktima, por si ilustrues të planeve të tjerëve. Për gjënë më të rëndë të pritshme që mund të dalë, siç është negocimi i Paktit Ujor me Greqinë, ne jemi sërish një vend që nuk kemi planin tonë, por jemi pjesë e planit grek dhe kemi zbatuar ato që kanë pasur planifikuar ata.
Për këtë arsye tek ne, ndryshe nga në Perëndim, nuk është interesant të dëgjohet reagimi i politikës, por reagimi i publikut. Ajo që ka bërë qeveria shqiptare deri më sot, ka qenë rrënimi i institucionit të besimit tek informacioni i nxjerrë në media kundër saj. Ajo është munduar në një farë mënyre të shkatërrojë besimin tek Wikileaks-at shqiptarë, duke i përgënjeshtruar dhe duke i denigruar ata.
Të gjithë e kemi të freskët ç’bëri Berisha për të fshirë gjurmët e djalit të tij në masakrën e Gërdecit, gjurmët e vajzës së tij në pastrim parash të Fazlliçit, gjurmët e veta në rrugën Durrës-Kukës, përfshirjen e gardistit të familjes së tij në një vrasje në mes të Tiranës, apo një sërë skandalesh të tjera që nisin me koncesionet e pasurisë kombëtare për klientët e Familjes dhe deri tek shpërdorimi i pareve publike prej njerëzve të tij. Strategjia e Berishës për të relativizuar të vërtetat dhe për t’i injoruar ato, në një farë mënyre ka bërë që publiku të fitojë një lloj imuniteti nga skandalet e tij. Këtu qëndron ndoshta vlera e vetme e kësaj fushate për palën shqiptare, pasi do të rigjallërojë institucionin e besimit për akuzat ndaj kësaj junte familjare në pushtet.
Edhe pse Berisha po përpiqet t’i dalë të keqes përpara, duke e identifikuar reagimin politik me reagimet vulgare të Tritan Shehut, e ritheksoj se reagimi i politikës tek ne nuk ka vlerë, pasi asaj nuk i del asnjë sekret i veti në gjithë këtë histori. E gjitha ç’mund të mësojmë, është se si politika jonë ka zbatuar planet e të tjerëve dhe çfarë mendojnë të tjerët për politikanët tanë.
Në të dyja rastet politikanët tanë janë objekt, por jo subjekt i kësaj fushate. Edhe nëse ndonjë diplomat ka thënë për Berishën që është “skizofren” apo çoban primitiv, ky nuk është problem i Berishës, por problem i mënyrës se si diplomatët perëndimorë komprometohen me politikanët këtu. Po ashtu dhe nëse faktohet se Berisha është vënë i gjithi në shërbim të nja plani grek, i cili mund të mos i jetë treguar i gjithi, prapë nuk është interesant reagimi i tij, por reagimi i publikut.
Të gjitha çfarë do të botohen janë thanë në median shqiptare, por Berisha ka ngritur një institucion të frikësimit ndaj njerëzve që thonë të vërtetën. Për këtë arsye kjo fushatë ka efekt të ndryshëm në SHBA dhe botën perëndimore, ku është një sfidë ndaj lirisë, dhe vlerë krejt tjetër në një shoqëri të mbyllur, arrogante dhe autoritare si Shqipëria, ku ligjin e bën Familja në pushtet. Wikileaks në Shqipëri është një lajm që na rikthen tek tronditja që i bëri regjimit komunist liria e shtypit në vitin 1990. Ne jemi rikthyer aty. Dhe për çudi në të njëjtën javë dhe muaj si 20 vjet më parë.