Vlera e votës

0
66

Nga Mero Baze

Shqipëria i dha fund dje një procesi rraskapitës numërimi për kreun e Bashkisë së Tiranës në një garë të pashembullt në historinë e Shqipërisë, e cila nuk përfaqëson fatkeqësisht përcaktimin e trupës votuese të kryeqytetit. Edi Rama arriti të ishte fituesi i garës, duke marrë rreth 15 mijë vota më shumë se sa ka marrë në zgjedhjet e mëparshme, ndërsa përballë tij Aleanca Basha- Meta- Idrizi -Milloshi, me një trupë votuese të prodhuar enkas për këtë garë, nuk arritën ta prekin fitoren.

Po cila ishte vlera e kësaj gare dhe e kësaj fitore të ngushtë edhe për shkak të trupës së prodhuar elektorale?

Së pari duhet të themi me plot gojën se kjo është beteja që ka bërë lider të opozitës dhe kandidat për kryeministër të Shqipërisë Edi Ramën. Shqipëria ka mbajtur dje frymën gjithë ditën për rezultatin e ndarë përtej ndarjes artificiale të Tiranës. Qytetarët që kishin votuar opozitën nga Konsipoli në Velipojë, kanë dalë rrugëve të festojnë fitoren e tij, duke u lidhur për herë të parë shpirtërisht me fatin e liderit të tyre.

Për më tepër kjo histori bëhej pasionante për shkak të suksesit të gjithë kandidatëve të opozitës dhe ngërçit që iu krijua liderit të opozitës nga kurthi më i pashembullt në historinë e politikës së këtij vendi që i është ngritur një kryetari opozite. I vetëm dhe në një betejë politike të mbivendosur mbi betejën për Tiranën, Edi Rama arriti të mundë me një betejë Sali Berishën, Fatos Nanon, Ilir Metën, Lulëzim Bashën, Hysni Milloshin, Shpëtim Idrizin, Kastriot Islamin dhe pse jo ndonjë tjetër brenda partisë së tij që duhet të jetë ndjerë i dëshpëruar nga fundi i kësaj gare.

Së dyti kjo garë vlen për Sali Berishën. Ai bëri në këtë garë një eksperiment të rrezikshëm. Fabrikoi një kandidat duke i vënë atij në dispozicion gjithë makinerinë shtetërore të manipulimit dhe përpunimit industrial të infrastrukturës së zgjedhjeve. Për dy vite si ministër i Brendshëm ky njeri është marrë me jetët tona, me mënyrën si votojmë, si jetojmë, ç’nevoja kemi dhe si mund të gënjehemi. Ai arriti të na marrë nga deklarimet tona pranë zyrave të gjendjes civile gjithë të dhënat personale deri dhe tek telefonat që s’kemi të regjistruar në emrat tanë, por prapë nuk ja arriti. Ai më tej u mor me imtësi me gjithë administratën shtetërore, terrorizoi mësues e mjekë të votonin për të, mblodhi karta identiteti të votuesve të dyshimtë të mos votonin, përdori nxënës e mësues si mish për top dhe nuk ja arriti.

Me fuqinë e Ministrit të Brendshëm ai aktivizoi në këtë fushatë elektorale kriminelët më të rrezikshëm në vend, përdori sekserë dhe ish sekserë tokash, gjithë nëntokën e botës kriminale të Tiranës, por prapë nuk ja arriti. Në një zonë bastion të tij në Laprakë, deputeti socialist u nxor nga fushata që po i përmbyste zonën me një ngjarje kriminale që i mori jetën vëllait të tij, natyrisht jo për arsye politike, por për nevoja politike. Në këtë fushatë të pashembullt shikoje Sali Berishën të fliste me Tan Lepurin si me djalin e tij, Shpëtim Idrizin të përdorte vrasës kundër çadrave të opozitës, Ilir Metën të përdorte miliona për të blerë vota, dhe Hysni Milloshin të bënte Don Kishotin e kohëve moderne, duke qenë aleat i partisë që përmbysi komunizmin. Por Basha prapë nuk ia doli. Këtu fillon dhe problemi i Sali Berishës.

Ai as do të mund dhe as do të ketë më mundësi në jetën e tij të investohet kaq shumë kaq fort dhe me të gjitha mundësitë që i jep pushteti dhe shteti një fushate elektorale të pandershme. Të gjitha këto i ka bërë në emër të një njeriu, të cilin nuk e kurorëzoi dot. Por si çdo gjë e bërë artificialist, Sali Berisha do të paguajë tani dhe një kosto të re, koston e liderit fallco që ka fabrikuar. Shqipëria, dhe sidomos e djathta në Shqipëri, e ka marrë seriozisht Lulëzim Bashën si lider të saj. Ajo ka qenë gati të dalë shesheve dhe të vritet për të. Ata nuk e dinë të gjithë se çka bërë Sali Berisha për ta bërë udhëheqës Lulëzim Bashën, nuk dinë pisllëqet dhe ligësitë që kanë mbushur fushatën e tij, miliardat e harxhuara për të marrë mandatin dhe për të shkatërruar opozitën.

Ata e shikojnë Lulëzim Bashën tani si heroin e tyre. Sali Berisha i ka bërë me këtë gjest një të keqe të madhe PD dhe vetes, pasi i ka lënë në derë një njeri fallco, që nuk përfaqëson atë që ka përfaqësuar dje për shumë shqiptarë. Jam i bindur se nëse bën një sondazh brenda PD, shumë njerëz nën zë mendojnë se do të jetë mirë që Basha të jetë kandidati për kryeministër më 2013 në vend të Berishës, apo që dhe Basha të jetë qysh tani kryetar i PD-së. I vetmi njeri që kafshon buzën nga kjo gjë është dhe do të jetë Sali Berisha. Ai më mirë se kushdo tjetër e di që figuranti që ai nxori në betejë, ishte me bateri rezervë që ushqeheshin nga pushteti. Por në imazhin e së djathtës Basha ja ka arritur të përvijojë një profil më të mirë se të Berishës, i cili humbi çdo qytet të Shqipërisë që shkeli. Dhe si çdo njeri që duhet të paguajë për gënjeshtrat e veta, dhe Berisha duhet të paguajë jo vetëm për trukimin e zgjedhjeve, por dhe për trukimin e figurantit të tij në këto zgjedhje.

Së treti rezultati i ngushtë duhet të na shërbejë dhe si një shenjë maturimi për standardin e demokracisë. Ai duhet lexuar me qetësi dhe pa emocionet e njerëzve që janë gati të vriten me makina në rrugë me njëri- tjetrin. Edhe fituesi, dhe humbësi duhet të ndjehen të vlerësuar dhe të vazhdojnë punën. Edi Rama, pavarësisht arsyeve të tjera që ka për trukimin e këtij procesi, duhet ta marrë me modesti kalimin e pragut dhe të reflektojë modesti për të përfaqësuar realisht më shumë qytetarë se ata që e votuan. Shqipëria ka nevojë për një gjimnastikë të tillë demokracie, ku palët duhet të mësohen të pranojnë dhe mosprekjen e ëndrrës.

Ajo që KQZ e Tiranës ka bërë gjatë kësaj jave me tabelat e rezultateve dhe skandalin e fundit me rezultatin vlen të bëhet objekt i një çështje penale, dhe kompania që ka guxuar të provokojë shqiptarët të shkojë pas hekurave të burgut. Për shkak të karagjozllëkut të disa biznesmenëve që kanë marrë miliona euro për të bërë fushatën e Lulëzim Bashës, përfshi dhe tenderin e KQZ për hedhjen e të dhënave, shqiptarët ishin dje duke u vrarë në rrugë për të kuptuar fituesin. Kjo histori s’mund të kalojë pa ndëshkim, për të na u bërë mësim për të ardhmen.

Së fundmi duhet të themi se rezultati i ngushtë nxori në pah vlerat e trupit diplomatik në Shqipëri. Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu do të hyjë në historinë e këtij vendi si engjëlli shpëtues i zgjedhjeve të lira, një kontribut që nderon figurën e tij dhe lartëson misionin e SHBA në këtë vend. Pos tij ambasadori holandez, ose siç e quante një kolegia ime Koloneli Tomson i kohëve moderne në Shqipëri, do të mbahet mend gjatë për gjestin e shkuarjes së tij si vëzhgues në Njësinë Nr. 5 që u bë epiqendra e tentativës për manipulim.

Kësaj liste mund t’i shtojmë me të njëjtën vlerësim ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, ambasadoren e Zvicrës, ambasadorin e Bashkimit Evropian, ambasadorin e OSBE etj. Pa ata ne sot nuk do të kishim as rezultat dhe as qetësi. Pos ndihmës që na dhanë ne, ata krijuan dhe një përfytyrim të tyre fizik për mënyrën si votohet dhe si numërohet vota në këtë vend 20 vite pas rënies së komunizmit. Kuptuan se ky vend nuk ka aq shumë nevojë për para apo leksione perëndimore, por për zgjedhje të lira dhe të ndershme si në Perëndim.

Dje Shqipëria u çlirua nga makthi i numërimit. Procesi do të vazhdojë, por tani e tutje është teknik. E gjitha kjo i ngjan si një profecie, e cila të ndëshkon për prekjen e votës duke të çuar deri afër fitores pa e prekur atë thjesht për 10 vota. Një profeci që na kujton të gjithëve mos ta prekim kurrë qoftë dhe një votë të vetme.